Beteja e Tërnovës, tek vendi i quajtur “Varret e Vrame”

1293

Nga Eduart Ramçi

Për betejën e Varreve të Vrame ka patur shumë rrëfime popullore e diskutime shkencore. Haki Sharofi tek libri i tij “Historia e Dibrës” Vëllimi I , botimi i vitit 2003, në faqen 65, rendit një listë emnore të luftërave të zhvilluara në Dibër dhe në numrin 20 rendit Betejën e Tornacit, pra (Tërnovës) ku u referohet Varreve të Vrame dhe që vazhdojnë të quhen edhe sot “Varret e të vramëve”.
Sipas studiuesit ushtarak Azis Keta, ishte lumi poshtë Hanit të Duriçit dhe ai tek “Gurët e Skënderbeut” si dhe mungesa e urave që lidhnin dy anët e luginës midis tyre, që ushtritë e huaja, të mund të kontrollonin shumë pak territor dhe vendbanime, (Tejzallës, Kicëve, Duriçeve dhe Allmeteve), por aty ku mundi të kalojë, pati masakra të tmerrshme. Dëshmi janë varret masive: “varret e vrame” në Tërnovë dhe “varret e Vajkalit” poshtë Duriçeve.

Pikturë nga piktori i popullit Fatmir Haxhiu

Varret e Vrame, ndodhen sipër fshatit të Tërnovës, në një luginë të bukur që quhet Livadhi i Destanes, kufizohen me Fushën e Gjatë dhe përfundojnë tek ish reparti ushtarak i ndërlidhjes.
Ka shumë gojëdhëna mbi emërtimin e kësaj zone, pasi të gjithë bëhen kureshtarë kur dëgjojnë për një toponim të tillë, dhe çuditërisht të gjitha flasin për një luftë shkatërrimtare me shumë të vdekur. Tregimtarët e fundit me të cilët kam biseduar për këtë vend kanë qenë Muharrem Ramci, Bajram Xhaferri, Asllan Zeneli etj. Jete Ramçi, e cila është 83 vjeç sot, dhe ajo konfirmon një tezë të tillë.
Bëhet fjalë për një luftë të ashpër mes vendasve dhe të huajve. Bajram Isufi (Xhaferri) , një plak i gjatë me qeleshe, me xhedikë dhe brez në mes na tregonte ne, fëmijëve të shkollës. Në dorë mbante kutinë e duhanit dhe duke dredhur cigare fillonte tregimet, dhe ndër të tjera tregonte për Varret e Vrame të cilat kishin marrë emrin e tillë shumë vite më parë, edhe atij ja kishin treguar paraardhësit e tij, që ishte një histori shumë e vjetër dhe aty, tregonte ai, ishte bërë një luftë shumë e madhe me shumë të vrarë sa që fushat aty ishin mbushur me kufoma të prera, por nuk dinte se çfarë lufte kishte ndodhur. Fliste dhe për një vendbanim të lashtë në Dabrellë. Të njëjtën gjë përafërsisht tregonte dhe Asllan Zeneli, dhe pse ishte më i ri. Gojëdhënat thonë që banorët e fshatit bënë varrimin dhe vendin e quajtën “Varret e të Vramëve”. Edhe në kohët e sotme quhen Varret e Vrame.

Ky vend dhe këto gurë quhen “Gurët e Zogut”, të cilit kanë qenë dhe janë si pikë referimi për banorët. Nuk dihet dhe nuk ka të dhëna se si këto gurë kaq të mëdhenj kanë përfunduar aty. Dhe në të majtë të tyre sipër është Kodra e Palakuqit e cila sipas gojdhënave ishte dhe vend mbledhja e banorëve për diskutime të ndryshme në kohët e hershme.
Ka një gojëdhënë shumë të hershme e cila bën fjalë për një luftë mes turqve, banorëve të zonës dhe disa luftëtarëve të cilët vinin nga Mati përmes Martaneshit dhe zbritën në Tërnovë të ndjekur nga turqit, të cilit i ndiqnin këmba këmbës. Me mbështetje të banorëve të Tërnovës ato vendosin që të përballen me turqit pikërisht në këtë vend. Luftëtarët që kishin ardhur në fshat kishin kërkuar ndihmën e banorëve për t’i ndihmuar dhe banorët të cilit e njihnin shumë mirë terrenin vendosin të zënë pozicion dhe t’i fusin në pritë turqit, pikërisht këtu tek këto gurë. Luftëtarët komandoheshin nga një luftëtarë i quajtur Zog. Ato presin që turqit të zbresin poshtë nga kodra dhe pikërisht kur zbresin poshtë gurëve turqit, sulmohen nga banorët dhe luftëtarët e kryesuar nga Zogu, që u shkaktojnë humbje të mëdha turqve, të cilët tërhiqen duke u larguar.
Pikërisht në këtë betejë plagoset rëndë komandanti i tyre Zogu dhe për nder të tij, gurëve ju vendosin emrin e tij, “Gurët e Zogut”.
Studim të mirëfilltë ka bërë historiani ushtarak dibran Moisi Murra me studimin e tij:”Lokalizimi i betejave të Skënderbeut në Dibër”, studim që e përfshin në librin e plotë studimor “Dibra nga antikiteti në monarki” 2017.
M.Murra, pasi ka analizuar të gjithë autorët e mëparshëm që nga Barleti, Biemi, Noli, Konica, K.Frashëri, V.Kormaku, H.Ndreu etj e vendos betejën e Valikardhës pikërisht në fushën e Valikardhës, që njihet si fusha e Zerqanit dhe Vorret e Vrame të Tërnovës.
M.Murra i referohet edhe një libri studimor të Francisko Palit, të një raporti shqiptaro-italian të shekullit XV , studim i botuar në Napoli në vitin 1966, faqe 202. Një letër e shkruar dhe e dërguar nga komandanti i trupave italike, pranë Skënderbeut , kapitenit Antonio De Kozenca, për komandantin e përgjithshëm të Skënderbeut , Kristofor Moro, me 17 shtator 1464, ku merrej vesh se Valikardha ishte një nga qendrat më të rëndësishme të Skënderbeut, të cilin Antonio de Kozenca e quante “kampi i lumtur i Valikardhës” .
Nga ana ushtarake, strategjike mundësia e zhvillimit të betejës është më e madhe në fushën e Valikardhës tek Vorret e Vrame se sa tek Lugina e Bulqizës dhe e Vajkalit që ishte shumë e ngushtë dhe e ekspozuar ndaj armikut. Teatri i zhvillimit të betejave me dhjetra mijë luftëtarë e kalorës e kalojnë hapësirën e një fshati apo një lugine. Egzistenca e këtyre varreve të ushtarëve të huaj është një fakt kuptimplotë.
M.Murra thekson:”Vetë toponimi “Vorret e Vrame” tregon se këta varre nuk janë pasojë e vdekjeve natyrale.” (Dibra nga antikiteti në monarki” faqe 153.)Murra arrin deri aty sa kërkon nëse është e mundur edhe studimin e ADN-së së kockave të ushtarëve të varrosur, në mënyrë që të përcaktohet edhe data e betejës, që përkon me atë të Valikardhës në prill dhe gusht të vitit 1465. Kumti popullor gojë më gojë ka transmetuar zhvillimin e kësaj beteje pikërisht në këtë vend ku janë këto varre.

S'KA KOMENTE