Kocijançiç: Jo lëvdata politikës dhe veprimeve të Milosheviç

105

“BE-ja pret që Serbia dhe Kosova të vazhdojnë dialogun me të njëjtin angazhim si më parë”. Kështu deklaroi zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiç.
Kocijançiç vuri në dukje se BE ka theksuar shumë qartë parimet e negociatave. “BE po punon për një marrëveshje të bazuar në të drejtën ndërkombëtare, e cila do të ishte realiste dhe e pranueshme për të dy palët. Qëllimi është një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme që do të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura”, tha Kocijançiç.
Teksa u ndal tek fjalimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Veri të Kosovës më 9 shtator 2018, Kocijançiç nënvizoi se “nuk duhet lënë asnjë hapësirë për dykuptimësi apo lëvdata ndaj politikës dhe veprimeve të (ish-Presidentit të Serbisë dhe Jugosllavisë) Milosheviç”.

 

 Kolinda Grabar-Kitaroviç: Nuk do ta lejoj Vuçiç që të përzihet në çështje të tilla

Gjatë vizitës në Veriun e Kosovës më 9 shtator 2018, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka lartësuar figurën e kriminelit, kasapit të Ballkanit, Sllododan Millosheviç. Ai ka vazhduar të përdorë retorikën nacionaliste duke thënë se, Serbia do t’i mbrojë serbët në Kosovë, ndërsa shtoi se në të kaluarën serbët kanë vdekur për Kninin, për Sarajevën e për Prishtinën.
E pas deklaratave skandaloze të Vuçiçit, ka reaguar presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç.
“Flamuri kroat është valëvitur në Knin dhe para se të flasë Vuçiç, dhe flamuj blu do të jenë edhe në të ardhmen”, deklaroi presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç për “DNEVNIK.hr”.
Më tej, ajo ka thënë se nuk do ta lejojë Vuçiçin që të përzihet në çështje të tilla, apo të përcaktonte agjendën politike në Kroaci.

 

“The Washington Post”: Vuçiçi lavdëroi njeriun që është përgjegjës për vrasjen e mbi 120 mijë njerëzve

Lavdatat dhe deklaratat e presidentit serb, Aleksander Vuçiç, në Veri të Kosovës për Slobodan Millosheviçin kanë shkaktuar reagime të ashpra në shtetet ku politika nacionaliste e tij gjatë viteve të 90-ta ka shkaktuar shkatërrim dhe gjakderdhje.
Kështu e nis artikullin e saj gazeta prestigjoze amerikane “The Washington Post”, duke cituar fjalët e Vuçiçit për ish-liderin serb të dënuar për krime lufte.
Aleksander Vuçiç në deklaratën e tij e quajti ish-presidentin Millosheviç si një “lider të madh serb”, duke i cilësuar qëllimevet e veprimeve të tij si të mira.
Milloshevic, i cili vdiq në vitin 2006 gjatë kohës që kundër tij po mbahej gjyqi për krime lufte, konsiderohet si njeriu më përgjegjës për ndarjen e përgjakshme të ish-Jugosllavisë, dhe vrasjen e më shumë se 120 mijë njerëzve, shkruan më tutje gazeta amerikane.
Po ashtu, në këtë artikull citohet edhe deklarata e presidentit Thaçi i cili e quajti provokim një lëvdatë të tillë nga Vuçiç.
Vuçiç, gjatë kohës së luftës në Ballkan, ishte ministër i Miloshevicit, përfundon artikulli në këtë gazetë.

 

Haradinaj, Vuçiçit: Nëse kërcënon parimet tona do të të mposht!

 

Kryeministri Ramush Haradinaj ka reaguar pas deklaratës së presidentit të Kosovës Aleksandër Vuçiç gjatë vizitës së tij më 8 dhe 9 shtator 2018 në Veri të Kosovës se “në Kosovë ndjehem mire”.
Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Haradinaj thotë se populli i Kosovës respekton tërësinë territoriale të Republikës.
“Kosova është shtet mikpritës që beson në lirinë e shprehjes dhe vlerat demokratike.
Por në anën tjetër, Kosova dhe populli i saj respekton edhe shtetin ligjor në tërësinë territoriale të tij, dhe nderon institucionet e saja.
Këto janë parime të palëkundura që Kosova gjithmonë do t’i nderojë, respektojë, e mbrojë.
Si Kryeministër i vendit, ju siguroj që do të mposhtet çdo përpjekje për të kërcënuar këto parime fundamentale për të cilat populli ynë sakrifikoi shumë”, shkruan Haradinaj.

S'KA KOMENTE