Tërmeti 5.1 ballë, dëmtohen 235 banesa në Qarkun e Dibrës

    208

    Sizmiologu: 932 tërmete për një muaj në Shqipëri, çfarë pritet të ndodhë  

     

    BULQIZË – Rikthehen tërmetet në vendin tonë. Lëkundje të forta sizmike u ndjenë pasditen e të shtunës së 11 gushtit 2018 në Tiranë dhe disa qytete të tjera të vendit. Sipas IGJEUM dhe Institutit Europian të Sizmiologjisë, tërmeti ka qenë me magnitudë 5.1 ballë i shkallës rihter. Lëkundjet janë regjistruar rreth orës 17:38 të kësaj pasditje.
    Lëkundjet janë ndjerë më të forta në qytetet si Peshkopi, Burrel, Laç, Pukë, Elbasan si dhe Librazhd. Gjithashtu, lëkundjet raportohen se janë ndjerë edhe në Maqedoni, Kosovë e Mal të Zi.
    Tërmeti i fortë me magnitudë 5.1 ballë i shkallës rihter i cili ra një ditë më parë, ka shkaktuar dëme të shumta në banesa në Qarkun e Dibrës. Emergjencat Civile raportojnë për 235 banesa të dëmtuara në të gjithë qarkun, ndërsa Bashkia e Matit është më e prekur nga pasojat e lëkundjeve sizmike. Në këtë zonë rezultojnë 90 shtëpi të cilat kanë pësuar dëmtime si çarje të mureve dhe tavaneve.
    Nga këto 35 familje kanë mbetur në qiell të hapur, për shkak se banesat kanë pësuar dëmtime të shumta.
    Epiqendra e tërmetit është regjistruar pranë Njësisë Administrative Macukull ku janë disa shtëpi të cilat janë dëmtuar. Gjithashtu, ekspertët e Emergjencave Civile ndodhen  në terren në ndihmë të përfaqësuesve të pushtetit lokal.
    Lëkundjet e forta të tërmetit kanë shkaktur edhe panik te qytetarët.
    Lëkundjet sizmike janë shoqëruar edhe nga postgoditje, por me intensitet më të dobët. Tërmeti i dytë është regjistruar pas rreth një ore nga i pari, këtë herë me epiqendër në Fushë Lurë, rreth 18 km në Veri-Perëndim të Peshkopisë dhe me magnitudë 3.2 ballë i shkallës rihter.
    Ky është tërmeti i dytë që godet vendin tonë me të njëjtën magnitudë prej 5.1 ballë i shkallës rihter, pas atij të datës 4 korrik me epiqendër në Gjirin e Lalzit, në Durrës.

     

    Njoftim për shtyp i Ministrisë së Mbrojtjes

    Sot më datë 11.08.2018, ora 17:33, në fshatin Vinjoll të bashkisë Mat, ka pasur një lëkundje tërmeti me Magnitudë = 5,4 shkalla Rihter, dhe Thellësi= 5 km. Lëkundjet e Tërmetit janë ndier në qarqet: Shkodër, Lezhë, Dibër, Kukës, Tiranë dhe Elbasan. Deri tani nga komunikimi i QKOEC me specialistët e Emergjencave Civile në Prefekturën Dibër, janë raportuar këto dëmtime të pjesshme në banesa:
    12 banesa të dëmtuara në Bashkinë Klos, kryesisht në çarje muresh, dëmtime tavanesh etj
    8 banesa të demtuara në Bashkinë Mat. 47 banesa të dëmtuara në Bashkinë Bulqizë, çarje muresh.
    Specialistët e Emergjencave Civile në bashkitë të cilat kanë pasur problematika në lidhje me lëkundjet e tërmetit janë në terren së bashku me punonjës të tjerë të bashkive për t’u ardhur në ndihmë banorëve.
    Specialiastët e Emergjencave Civile në Prefekturën Dibër janë në komunikim të vazhdueshëm me forcat që ndodhen në terren për të bashkërenduar veprimet në mënyrë që mos të ketë probleme tek banorët e prekur nga lëkundjet e tërmetit.

     

    20 tërmete të tjera pas së shtunës, në Dibër toka vijon të lëkundet

    Pas tërmetit të fuqishëm të së shtunës më 11 gusht 2018, zona e Dibrës vijon të lëkundet me tërmete më të vegjël.
    Sipas IGJEUM, (deri m 13 gusht 2018) janë rreth 20 tërmete të tjera në këtë qark, pas atij 5.1 ballë. Lëkundjet e tjera kanë qenë me intensitet nga 1.8 në 3.2 ballë, dhe me epiqendra afër Bulqizës dhe fshatit Vinjoll të Dibrës.
    Sipas sizmiologut të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Mjedisit dhe Ujit, lëkundjet sizmike do të vazhdojnë: “Mendoj që do të ketë pasgoditje të tjera, nuk mund të them se sa do të jetë intesiteti i tyre, dmth a do të jetë njësoj me atë të gjirit të Lalzit apo do të jetë me një ritëm më të ulët, por që pasgoditje do të ketë”.

     

    Tërmeti i 1967 në Dibër, ndër më të fuqishmit

    •    Punë të madhe bëri edhe vetë populli i Dibrës. Që nga Lura, Selishta, Reçi e Dardha, Kalaja e Dodës,  Sllova, Kastrioti, Muhurri, zona efektivisht të prekura lehtë ose të paprekura nga tërmeti erdhën brigada të posaçme ndërtuesish bashkë me të gjithë bazën materiale ndërtuese dhe u vendosën në zonat e Ostrenit, Klenjës, Steblevës, Okshtunit e deri në Llangë në kufi me Librazhdin ku edhe atje vazhdonte puna për eliminimin e pasojave të tërmetit

    Më 30 nëntor të vitit 1967, në orën 8 e 17 minuta të mëngjesit Dibrën dhe Librazhdin e tundi një tërmet i fuqishëm, tërmet që mori jetë njerëzish, shkatërroi nga themelet shtëpi dhe objekte socialkulturore.
    Për të gjithë popullin shqiptar, por veçanërisht për popullin e Dibrës ishte një fatkeqësi natyrore. Tërmeti ishte afro shtatë ballësh. Fat ishte se na gjeti jashtë…
    Ishte mëngjes…
    Po, në orën 8 e 17 minuta të mëngjesit. Një pjesë e madhe e njerëzve kishin dalë në punë. Nxënësit, pas pushimit të festave të Nëntorit, kishin shkuar në shkollë. Çasteve të para të hutimit që erdhi nga tronditja e madhe ia zu vendin gjakftohtësia, vendosmëria për t’u qëndruar njerëzve pranë dhe për të kapërcyer çdo vështirësi.
    Tërmeti kishte goditur rëndë Maqellarën, Shupenzën, Ostrenin, Klenjën, Bulqizën, fshatrat rreth Peshkopisë, Librazhdin. Katastrofa natyrore mori jetën e 12 vetëve dhe plagosjen e 129 vetëve. U dëmtuan 3536 shtëpi banimi ose 37 për qind e ndërtesave të 88 fshatrave të prekura nga tërmeti. Prej tyre 436 ishin shembur nga themelet. U dëmtuan 73 shkolla, 16 e të cilave u shembën plotësisht. U dëmtuan rëndë 6 spitale e shtëpi lindjeje, 34 dyqane, 22 magazina, 18 stalla, hangarë etj. Më e rëndë ishte gjendja në fshatrat Sebisht, Zabzun, Steblevë, Klenjë, Ostren i Madh, Ostren i Vogël, Lladomericë, Radovesh, Vojnikë, Çernenë, Kovashicë, Burim, Majtarë ku thuajse 70 për qind e shtëpive ose ishin dëmtuar rëndë ose ishin shembur fare…

    Cilat ishin masat që morën?

    Hajri Hoxha, ish-kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit Dibër, në një intervistë dhënë gazetarit të mirënjohur Abdurrahim Ashiku ka pohuar se menjëherë u krijua shtabi. “Unë në atë kohë isha kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit. Menjëherë, si në çdo fatkeqësi, shteti dhe shoqëria na u gjet në krah. Menjëherë erdhën drejtues të partisë e të shtetit por më parë se ata erdhi ajo që quhet solidaritet popullor, të qenit pranë në fatkeqësi, karakteristikë e popullit tonë. Menjëherë, krahas telegrameve të solidaritetit nga Vermoshi në Konispol, u krijuan brigada të posaçme. Brigada e parë erdhi nga Vlora. Erdhën 129 vetë, specialistë të fushave të ndryshme si muratorë, karpentierë, elektricistë, inxhinierë ndërtimi, mekanikë etj. Brenda 3-4 ditëve Dibra  u mbush me brigada ndërtimi nga të katër anët e vendit, brigada nga Saranda, Gjirokastra, Konispoli, Durrësi, Tirana, Mati Kukësi… brigada që u vendosën në të gjitha qendrat e banuar, në çadra apo në shtëpi që i kishin qëndruar tërmetit.
    Unë, asokohe kam qenë me nxënësit e shkollës së mesme bujqësore “Nazmi Rushiti” të Peshkopisë dhe kemi fjetur për ditë të tëra në dyshekë kashte shtruar përtokë në vatrën e kulturës të Çernenës në Maqellarë…
    Mbi të gjitha në dispozicion të punës për eliminimin e pasojave të tërmetit u vunë parqet automobilistike të vendit. Heroizmi i shoferëve të parkut të Laçit, Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Shkodrës, Vlorës, Korçës ishte i pa shoq. Ata udhëtuan në dëborë e në akull, rrugë pa rrugë dhe dërguan në çdo fshat, për të mos thënë në çdo shtëpi, materialet e ndërtimit; tulla, tjegulla, çimento, gëlqere, lëndë drusore, dyer, dritare, çdo gjë që duhej.
    Punë të madhe bëri edhe vetë populli i Dibrës. Që nga Lura, Selishta, Reçi e Dardha, Kalaja e Dodës,  Sllova, Kastrioti, Muhurri, zona efektivisht të prekura lehtë ose të paprekura nga tërmeti erdhën brigada të posaçme ndërtuesish bashkë me të gjithë bazën materiale ndërtuese dhe u vendosën në zonat e Ostrenit, Klenjës, Steblevës, Okshtunit e deri në Llangë në kufi me Librazhdin ku edhe atje vazhdonte puna për eliminimin e pasojave të tërmetit.
    E shkruar në historinë e kësaj lufte heroike është edhe brigada e kufitarëve të vendit tonë, brigadë e cila veproi në zonën e Lladomericës, atje ku ra në krye të detyrës kufitari Agron Elezi, detyrë të cilën erdhi dhe e mori i vëllai i tij Mehmeti”,-është shprehur Hajri Hoxha,  ish-kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit Dibër, në një intervistë dhënë gazetarit të mirënjohur Abdurrahim Ashiku.

     

    Alarmi i deputetes së PD: Angazhim urgjent, dhjetëra banesa të dëmtuara

    E shtunë, Gusht 11, 2018 – Deputetja demokrate e Dibrës, Dhurata Çupi ka reaguar pas tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë më 11 gusht.
    Pëmes një postimi në ‘Facebook’ deputetja Çupi  thotë se në qarkun e Dibrës situata paraqitet shqetësuese dhe me pasoja pas tërmetit, epiqendra e të cilit ishte në Mat.
    Çupi ka kërkuar angazhim urgjent pasi nga tërmeti dhjetëra banesa kanë mbetur të dëmtuara, ndërsa disa prej banorëve kanë mbetur në qiell të hapur.
    Postimi i plotë:
    Në Qarkun e Dibrës paraqitet shqetësuese dhe me pasoja, situata pas tërmetit, epiqendra e të cilit ishte në Mat. Nga komunikimet e mia të vazhdueshme, banorët të shqetësuar tregojnë se nga tërmeti kanë mbetur shumë banesa të dëmtuara ndërsa vetë janë të trembur e disa edhe në qiell të hapur. Ka dëme në dhjetra banesa në bashkitë Klos, Mat e Bulqizë. Kjo situatë kërkon angazhimin URGJENT të autoriteteve ligjzbatuese për t’u ardhur në ndihmë banorëve. Nga komunikimin me institucionin e Prefektit dhe me Organet e Njësive Vendore përgjegjëse, kërkova që strukturat e këtye institucioneve duhet të angazhohen në këtë situatë që të evidentohet çdo banesë apo familje që ka nevojë për strehim apo mbështetje.

     

    Disa nga tërmetet më të fuqishme që kanë rënë në Shqipëri

    Vlorë më 12 tetor 1851, duke shkaktuar 20 të vrarë.
    Berat më 17 tetor 1851, duke shkaktuar 400 ushtarë të vrarë në Kala.
    Shkodër në muajt shkurt-tetor 1855, 12 tërmete që u ndjenë dhe në Delvinë dhe Bari të Italisë.
    Himarë më 14 qershor 1895.
    Gjatë shekullit XX janë regjistruar këto tërmete të fuqishme:
    Shkodër më 1 qershor 1905, që shkaktoi 1500 shtëpi të shkatërruara, 200 të vrarë dhe 500 të plagosur
    Ohër më 18 shkurt 1911.
    Tepelenë, më 20 nëntor 1920, duke shkaktuar 36 të vrarë dhe 102 të plagosur. Ai shkatërroi 2 500 shtëpi e la pa strehë 15 000 veta.
    Durrës, më 17 dhjetor 1926, lëkundjet u ndjenë dhe në Itali, Jugosllavi e Greqi.
    Vlorë-Tepelenë më 21 nëntor 1930, duke shkaktuar 30 të vrarë e mbi 100 të plagosur.
    Korçë, më 28 janar 1931.
    Peshkopi me 24 gusht 1924, duke shkatërruar afro 80 % të shtëpive, 44 të vrarë dhe 119 të plagosur,
    Lushnjë-Fier-Rrogozhinë-Peqin-Berat më 1 shtator 1959.
    Korçë më 26 maj 1960, ku u shkatërruan plot 1479 ndërtesa.
    Fier-Tepelenë-Berat-Lushnjë, më 18 mars 1962, duke shkaktuar 5 të vrarë e 77 të plagosur dhe ku u shkatërruan 2 700 shtëpi.
    Fier, më 18 mars 1962, ku u vranë 5 veta e u plagosën 77 të tjerë dhe u shkatërruan 2700 shtëpi.
    Dibër-Librazhd, më 30 nëntor 1967, duke shkatërruar 177 fshatra, ku gjetën vdekjen 12 veta dhe 174 të tjerë u plagosen. Karakteristike e këtij tërmeti është thyerja e tokës me gjatësi mbi 10 kilometra e zhvendosja vertikale e dheut deri në 50 centimetra.
    Shkodër-Librazhd, më 3 nëntor 1968
    Shkodër-Lezhë, më 15 prill 1979, duke dëmtuar 17 118 shtëpi e objekte social-kulturore.
    Roskovec, më 17 nëntor 1982, duke u ndjerë tërmeti edhe në Fier, Librazhd e Berat, ku u shkatërruan 16 534 ndërtesa, u vra 1 person dhe 12 të plagosur.
    Tiranë, më 7 janar 1988, u dëmtuan 2083 shtëpi
    Fushë-Bardhë-Gjirokastër, më 26 mars 1990.

    S'KA KOMENTE