RRUGA E ARBËRIT NË START TË MBARË

828

Sami Curri

Fshati Fshat në Klos ka disa muaj që gumëzhin nga makinat e tonazhit të rëndë që po punojnë për hapjen e Rrugës së Arbërit, veprës kaq shumë të premtuar nga politika për Dibranët që pas viteve ’90-të. Në kantierin e Rrugës së Arbërit në Klos, ku po punohet për hapjen e dy tuneleve, duket se edhe për Rrugën e Arbërit po fillon të ketë dritë shprese në fund të tunelit. Tuneli T5 me një gjatësi prej afro 500 m që të dërgon tek Ura e Vashës brenda dhjetëditëshit të parë të muajit gusht pritet të përfundojë së hapuri, ndërsa tuneli T4 me gjatësi afro 400 metra, po në fshatin Fshat të Klosit parashikohet të përfundojë brenda muajit shtator 2018.
Ermir Alija, drejtues i punimeve në këtë segment, që po kryhen nga kompania “Gjoka Konstruksion” shprehet për “Gazeta Bulqiza” se po punohet me ritme të mira dhe se 70% e kapacitetit të kompanisë është vendosur në Tiranë dhe 30% në krahun e Dibrës. “Brenda harkut kohor të 10 ditëshit të parë të muajit gusht 2018-të përfundojnë punimet për hapjen e tunelit T5 me gjatësi afro 500 m dhe pak javë më vonë edhe të tunelit tjetër me gjatësi prej afro 400 m. Pas hapjes së tunelit T5, menjëherë do të nis puna për ndërtimin e Urës së Vashës. Një vepër shumë e vështirë inxhinierike, ashtu si edhe tuneli i Qafë Murrizit. Ura e Vashës, punimet e së cilës do të nisin shumë shpejt, do të ndërtohet në kooperim me një kompani Turke dhe me specialistët e kompanisë Gjoka”, u shpreh Alija për Gazeta Bulqiza.
Ndërtimi për segmentin e Rrugës së Arbërit në fshatin Fshat të Klosit ka gjetur edhe mbështetjen e komunitetit, ku parcelat e tokës që prekeshin nga ndërtimi i rrugës, janë liruar edhe pa dalë kompesimi për tokat e dëmtuara.
Ditën e dielë, datë 29 korrik 2018-të, një grup të rinjsh nga Bulqiza, vizituan kantierin e ndërtimit të Rrugës së Arbërit në fshatin “Fshat” të bashkisë Klos. Klevis Hoxha, njëri prej të rinjëve që vizituan kantierin deklaron se është besimplotë që më në fund, pas gjithë këtyre viteve ka një dritë shprese për ndërtimin e Rrugës së Arbërit. “Kjo rrugë është shpresë për këtë zonë, është zhvillim, Sa e sa vite është pritur që të përfundoj një vepër e tillë e shpresojë shumë që gjërat të shkojnë mbarë dhe brezi i të rinjëve të Dibrës ta preki këtë ëndërr. Kjo zonë do jetë lagje e kryeqytetit. Ku ka më mirë për ne.”, tregon Hoxha për Gazetën Bulqiza.
Mëngjesin e 18 korrikut Kryeministri Rama, postoi në profiling e tij në Facebook një video të punimeve që po kryheshin për të ndërtuar rrugën e Arbërit. “Mirëmëngjes, dhe me këtë videoinformacion nga kantieri i Rrugës së Arbrit, ku puna po ecën për bukuri si edhe duke u çuar një përshëndetje të posaçme, meraklinjve të projekteve 3D që thonë këto nuk bëhen kurrë”, do të shkruante Rama. Ndërsa në takimin e qershorit që Rama zhvilloi në Dibër, për nisjen e punimeve të rrugës së Arbërit, në disa media u komentua edhe si një nisje e fushatës elektorale e Partisë Socialiste nga Dibra. Një takim i tillë u prit me protesta nga opozita, në Dibër dhe Klos.
Për Asllan Daxhën, drejtor i Zyrës së Punës në Bulqizë, punimet që po bëhen si në Shupenzë, por edhe në Klos kanë gjeneruar vende pune edhe për banorët e Bulqizës. “Kjo është një mundësi e mirë punësimi edhe për banorët e zonës. Në dy kantieret e Dibrës, në Shupenzë të Bulqizës dhe në Klos”, u shpreh Daxha për Gazetën Bulqiza.
Punimet për ndërtimin e rrugës së Arbërit po ecin me ritme të shpejta edhe në kantierin e Shupenzës, ku prej disa ditësh ka nisur puna për të ndërtuar urën në Gjoricë, në Zallin e Bulqizës dhe pak më tej edhe të urës mbi lumin Drin. Për hapjen e segmentit nga Çereneci përgjatë Gjoricës, për të përfunduar në doganën e Bllatës, punimet kanë nisur prej muajsh.

Gjurma e Rrugës së Arbërit

Rruga e Arbërit është rrugë në ndërtim e sipër e cila do të lidhë Tiranën me Dibrën në Maqedoni me një gjatësi prej rreth 74 kilometra. Ky aks rrugor që shkurton distancën mes Tiranës dhe Dibrës dhe sipas premtimeve të qeverisë parashikohet të përfundojë i gjithi në vitin 2021. Gjurma e “Rrugës së Arbërit” që në historinë e popullit tonë njihet si rruga e Karvaneve ose pjesë e rrugës së vjetër Egnatia, e që ka lidhur historikisht Tiranën me Dibrën, sot është pjësë e korridorit të 8, e kualifikohet si një projekt me rëndësi të veçantë për infrastrukturën rrugore të vendit.
Ky aks rrugor kalon në qarkun e Tiranës- në njesin Administrative të Zall – Bastarit e cila përbëhet nga fshatrat Ferraj, Brar, Zall Dajt, Kurte, Zall Bastar, Bastar-Murriz me një popullsi prej 6525 banorë e nëpërmjet tunelit të murrizit rruga kalon në territtorin e bashkisë Klos e konkretisht në fshatrat Drezës, Xibër, Shkallë, Fshati Fshat. me një popullsi prej rreth 21 mijë banorë. Pas daljes nga tuneli i Qafë Buallit rruga kalon në bashkinë Bulqizë me një popullsi rreth 41 mijë banorë e në afërsi të Urës së Çerenecit rruga kalon në gjurmë të re, në të djathtë të Shupenzës e më tej në Gjoricën e poshtme e përfundon në pikën doganore të Bllatës.

Përfitimet


Ndërtimi i Rrugës së Arbërit me një gjatësi rreth 74 km do të shkurtojë në mënyrë të ndjeshme rrugën ekzistuese që përdoret sot nga Tirana për në Dibër me gjatësi 180 km, duke ndikuar në zhvillimin e zonave në të cilat kalon, kryesisht të qarkut të Dibrës, e cila ka një popullsi rreth 130,000 banorë, si dhe të Njësisë Administrative Zall-Bastar të bashkisë Tiranë me një popullsi rreth 6525 banorë. Kjo rrugë do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm i lindje-perëndimit. Kjo rrugë lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqiperisë duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore siç është kromi nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet. Gjithashtu ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë, Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare.

S'KA KOMENTE