Të bëjmë më shumë kujdes me shkollën!

359

Sefulla KATA*

Është folur shumë për arsimin në vendin tonë, është bërë Ligji i ri për arsimin, janë ndërmarrë reforma nga më të ndryshmet, disa të suksesshme, të tjera më pak të suksesshme, janë hartuar kurrikula të cilat më vonë janë riparë për t’i përmirësuar e përshtatur me ato të vendeve të tjera, kryesisht ato evropiane, për ta bërë arsimin tonë sa më konkurrues e më të pranueshëm.  Vit pas viti ka pasur përmirësime të dukshme por nuk kanë munguar edhe rënia në përsëritje të panevojshme, ndryshime të shpeshta që i kanë zënë në befasi e të papërgatitur nxënësit dhe studentët (kam parasysh këtu Maturën shtetërore), apo rendja pas asaj çka është e pamundur për t’u realizuar në kushtet ku ndodhen vendi ynë dhe shkolla jonë.
Në politikëbërjen lidhur ngushtë me arsimin, jo pak herë kanë penguar mendësi të së shkuarës, paaftësia për t’u ndarë njëherë e mirë nga disa metoda të vjetëruara të mësimdhënies dhe mësimnxënies të cilat ja zbehin interesin nxënësit dhe studentit për të qëndruar në klasë, interesa ekonomike lidhur me hartimin e teksteve të reja duke shkuar nga bërja e shumë teksteve për të njëjtën lëndë dhe një amulli në zgjedhjen e tyre, pra të tekstit “më të mirë”, deri tek pengesat artificiale, për të mos thënë të qëllimshme, për të mos lejuar  ardhjen e disa teksteve nga jashtë vendit si një mundësi që do t’i hapte realisht rrugën njehsimit të arsimit tonë me atë të vendeve të tjera të përparuara.
Përpjekjet nuk kanë munguar gjatë gjithë këtyre viteve të hapjes së Shqipërisë por në gjykimin tim, në këto përpjekje, me ngutjen për të arritur atje ku vende të tjera kanë mbërritur pas shumë e shumë vitesh, ka pasur pothuajse një shkëputje totale nga kushtet në të cilat është kërkuar të realizohen sipërmarrje të tilla. Kështu, në kushtet kur shumë fëmijë në vendin tonë nuk kanë as kushtet minimale njerëzore në shkollat e tyre, të cilat ose janë shumë të amortizuara, ose janë pa dritë dhe pa ngrohje, është herezi të flasësh për implementim të metodave të reja të mësimdhënies, të teknologjive të përparuara etj. Prandaj do duhej së pari të krijoheshin kushtet optimale në këto shkolla dhe pastaj të flitej natyrshëm për risi në programe e në tekste. Në disa shkolla të vendit tonë kushtet janë mjaft të mira e mbase të njëjta me kushtet e shumë shkollave të tjera të mira në Evropë e më gjerë. Shumë mirë që ekzistojnë të tilla shkolla pasi fëmijët dhe të rinjtë së pari kanë nevojë të ndjehen njerëzisht mirë në ambientet që frekuentojnë, por mjerisht të tilla shkolla janë shumë pak krahasuar me numrin e madh të shkollave ku shpesh herë nxënësit në pamundësi për ta ngrohur trupin, nuk mund të venë në punë as mendjen e tyre.
Gjatë këtyre viteve të një tranzicioni të gjatë e të lodhshëm, janë bërë edhe disa gabime që po na kushtojnë e do të na kushtojnë vërtet shumë shtrenjtë në të ardhmen që padyshim do të jetë më e mirë se kjo e sotmja. Kështu u “shpik” diploma që blihet, diploma që nuk vjen si rezultat i një arsimimi të mundimshëm e real, por si rezultat i derdhjes së një sasie lekësh në llogarinë e një strukture fantazmë, si rezultat i njohjeve familjare apo politike, si rrjedhojë e trukimit të qëllimshëm të rezultateve. Për fat të keq pasojat e kësaj “shpikje” të neveritshme dhe të dënueshme ndjehen që sot në administratën tonë të brishtë dhe të marrë peng nga politika. Shumë të ashtuquajtur nëpunës në nivele të ndryshme të qeverisjes, janë në konflikt të hapur interesi me vendin e punës, pasi nuk kanë as më të voglën përgatitje për të kryer punën që bëjnë e për të cilën paguhen. Kjo i bën ata jo vetëm qesharakë por edhe shoqërisht e ekonomikisht të dëmshëm. I ka tranzicioni këto, – do të thoshte dikush. E vërtetë, në tranzicion mund të ndodhin të tillat gjëra jo korrekte por tani që e kemi kuptuar dhe kemi prekur realisht efektet negative, duhet të ndalojmë, të reflektojmë e mbi të gjitha të mos lejojmë që gabime të tilla të përsëriten. Janë marrë disa masa dhe kjo është gjë e mirë por duhet këmbëngulur që fenomene të tilla të mos përsëriten kurrë. Madje duhet hyrë edhe më thellë. Të investohet realisht në përgatitjen e brezave të rinj mësimdhënës. Të gjenden zgjidhje të tjera për t’i nxitur të rinjtë dhe të rejat të shkojnë me dëshirë në degët e mësuesisë dhe jo ta shohin mësuesinë si alternativë të fundit në mungesë të të tjerave. Të largohen nga sistemi drejtues shkollash e mësimdhënës, të cilët në më të shumtën e rasteve janë servilë e përfaqësues të neveritshëm të forcave të ndryshme politike. Të pastrohet shkolla, nga baza deri në nivelin e saj më të lartë nga mësimdhënës që janë të paaftë për të përçuar dije dhe edukatë, mësimdhënës që i fyejnë fëmijët dhe të rinjtë qoftë me fjalorin që përdorin ndaj tyre, qoftë me presionin me anë të notës apo me diferencime të dukshme të cilat kanë në bazë njohjet me prindërit e tyre apo ryshfetin. Në sistemin tonë arsimor ka pasur dhe vazhdon të ketë mësues e profesorë të denjë për t’u marrë si shembull i mirë i nivelit të lartë shkencor, profesional e pedagogjik dhe mbi të gjitha si shembull i njeriut që frymëzon, motivon, edukon, respekton, nxit kureshtjen dhe interesimin e fëmijëve dhe të rinjve për dije.  Të japësh mësim, është vërtet gjë shumë e mirë: mëson, përgatit, motivon dhe Atdheun e bën gjithmonë e më të mirë. Ndaj shoqëria, politika, shteti edhe vetë familja, e kanë detyrim një vëmendje më të madhe ndaj arsimit, ndaj shkollës. Është në lojë e ardhmja e Atdheut tonë.
*Uiversiteti i Mjeksisë Tiranë
Biblioteka

S'KA KOMENTE