Moisi Murra – ushtaraku, historiani, shkrimtari dhe gazetari që lartësoi vlerat e Dibrës

1383

Nga Sakip CAMI

Në mëngjesin e datës 18 korrik 2018, vdiq historiani, studiuesi, gazetari dhe ushtaraku Moisi Murra.
Moisi Murra ka lindur në Shupenzë të Dibrës në një familje e tradita patriotike. Shtëpia e babait të tij, Ferit Murrës, ka qenë bazë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Vëllai i tij Dilaveri  është veteran i luftës dhe i ushtrisë, një nga pionerët e parë të luftës.  I jati i Moisiut, Feriti, ka qenë një tregimtar gojor i përsosur, memorie e gjallë ngjarjesh, njerëzish dhe vendesh. Prej tij Moisiu mori fillesat për pasqyrimin e historisë dhe të traditave luftarake të zonës dhe të Dibrës.
Në  moshën 14  vjeçare  ndjek shkollën e mesme  ushtarake  “Skënderbej”  dhe pas mbarimit të saj ndjek Shkollën e Bashkuar të oficerëve dhe titullohet oficer kimist. Pas mbarimit edhe të Akademisë Ushtarake arrin detyra të larta deri në shef kimie divizioni. Moisiu është nga ata të paktë oficerë shqiptarë që ka marrë pjesë në Luftën e Vietnamit dhe pas kthimit nga kjo luftë punon për futjen e të rejave shkencore të armës kundër kimike dhe të mjeteve të saj mbrojtëse si të ushtrisë dhe të popullatës.
Pothuajse tërë jetën ka punuar në Peshkopi dhe është përfshirë në shoqatën e historianëve të Dibrës, krahas Hazis Ndreut, Iljas Kacës etj. Duke qenë edhe ushtarak, Moisi Murra është nga ata historianë që ka shkelur me këmbë vendet e luftimeve dhe ka lokalizuar edhe betejat e Skënderbeut të ndodhura 650 vjet më parë, pasi nga Barleti, Biemi, Muzaka, Noli, Konica, Buda, Kormaku etj., kishte zona luftimi që përcaktoheshin  me përafërsi tokësore dhe jo egzakte.  Njohës i shkëlqyer i terrenit, autori ka sjellë argumente të reja të pathëna më parë në mbrojtje të hipotezave të ngritura prej tij, siç është p.sh hipoteza mbi lokalizimin e albanopolisit në jabllanicë, hipoteza mbi lokalizimin e Fushës së Torviollit në fushën e Kastriotit dhe të Volezës, ato mbi lokalizimin e disa vendbetejave të Skënderbeut në Dibër etj. Autori ka sjellë dëshmi të shumta arkivore dhe dokumentare, mbi pjesëmarrjen e dibranëve në luftrat mbrojtëse jo vetëm në Dibër, por në të gjitha krahinat e Shqipërisë natyrale. Kudo të shkosh në hapësirën e Shqipërisë etnike (Kalis, Kolosjan, Prizren, Zhurr, Dibër, Shkodër, Lezhë, Manastir, Ohër, Shkup, Karadak, Kotor, Nish), do të gjesh  varre dibranësh të rënë në luftrat mbrojtëse, madje edhe jashtë kësaj hapësire (Follorinë, Selanik, Bullgari).
Prej më shumë se 35 vjetësh, Moisi Murra është përfshirë në radhën e studiuesve serioz të historisë së Dibrës dhe të Shqipërisë dhe është padyshim një nga përfaqësuesit më të spikatur të studiueseve të kësaj fushe. Studiues i zellshëm i historisë, kryetar i lidhjes së historianëve dibranë, autor i një numri të madh studimesh, artikujsh shkencorë e monografishë, emri i tij ishte radhitur prej kohësh ndër emrat e rëndësishëm të historiografisë shqiptare.

 

 

Moisi Murra ka lënë një trashëgimi mjaft të pasur intelektuale

Moisi Murra ka lënë një trashëgimi mjaft të pasur intelektuale, me mbi 2000 faqe kompjuterike.
Ai është autor i disa vëllimeve me studime si:
“Kreshniku i Dibrës” (me bashkëautor) (kushtuar gjeneralit me shajak Elez Isufi (Ndreu) (1996),
monografitë kushtuar figurave të shquara patriotike të Dibrës:
“Fiqiri Dine” (1997),
“Cen Elezi” (1998),
“Selim Rusi” (2000),
“Salë Markja” (2002),
“Mersim Dema” (2003),
“Misim Ahmeti” (2004),
“Musa Lala” (2004),
“Aqif Lleshi” (2005),
“Bilal Çela” (2006),
“Një emër në univers” (2008) etj.
Gjithashtu, një kontribut të çmuar përbën edhe guida turistike mbi Peshkopinë “Peshkopia-guidë turistike” (2010).
Por vepra jetësore e më e rëndësishme e tij do të mbetet monografia e fundit “Dibra nga Antikiteti në Monarki” (Tiranë, 2017).
Në dhjetorin e shkuar u promovua në Tiranë, kjo monografi me vëllim prej 711 faqesh dhe ka gati për  botim vëllimin  e  dytë të  kësaj vepre, të  titulluar  “Dibra nga monarkia në demokraci”.
Që nga nëntori i vitit 1982, kur u zhvillua Konferenca shkencore mbi luftën e Dibrës kundër pushtimit serb (1912-1921) e deri në dhjetorin e vitit të shkuar (2017), për 35 vjet rresht, Moisi Murra ka qenë gjithnjë pjesëmarrës aktiv ose organizator i të gjitha veprimtarive shkencore të organizuara në rajonin e Dibrës (Peshkopi, Maqellarë, Shupenzë, Bulqizë, Zerqan, Lurë, Çidhën, Kastriot, Sllovë etj) dhe veçanërisht në qytetin e Dibrës së Madhe.
Ardhja e demokracisë dhe shembja e perdes së hekurt që ndante vëllezërit e një gjaku dhe të një gjuhe, me të njëjtën traditë etno-kulturore dhe historike (1992), i jep krahë dhe frymëzim punës së zellshme e pasionante të Moisi Murrës.
Vetëm një vit më vonë, në qytetin e Dibrës, do të mbahej i pari simpozium ndërkombëtar mbi etno-kulturën e Dibrës (21-23 nëntor 1993), ku Moisi Murra do të ishte në grupin nismëtar dhe organizator dhe do të kontribuonte si rrallë kush.  Për tre ditë me radhë, studiues nga të dy Dibrat, nga Tirana dhe Shkupi, si dhe studiues dibranë nga Europa dhe Amerika, mbajtën kumtesat e tyre me kontribute befasuese. Materialet e këtij simpoziumi me nivel mjaft të mirë shkencor, tashmë janë botuar në dy vëllimet “Dibra dhe etno-kultura e saj” (Dibër 1995), ku Moisi Murra ka një kontribut të veçantë si redaktor dhe anëtar i bordit editorial.
Në këtë periudhë  Moisi Murra dhe Hazis Ndreu bashkë me historianët e Dibrës së Madhe kanë  vizituar kalanë e Koxhaxhikut (qytetin e Sfetigradit), kështjellën e Modricës dhe më vonë atë të Skudrinës etj., që ruajnë dëshmi të çmuara arkeologjiko-historike të trashëgimisë antike ilire si dhe të periudhës mesjetare, veçmas të luftrave çlirimtare të Skënderbeut etj.
Moisi Murra ka kontribuar drejtpërdrejt në organizimin e të gjitha eventeve shkencore dhe historiko-kulturore, kushtuar përvjetorëve të ngjarjeve të rëndësishme historike të Rilindjes shqiptare, ku qyteti i Dibrës ishte shquar mbi shumë të tjerë.  Mjafton të përmendim veprimtaritë shkencore dhe akademitë përkujtimore mbi lidhjen shqiptare të Prizrenit (1878), Kuvendin e Dibrës (1899), Kongresin e Manastirit (1908), Kongresin e Dibrës (1909), Kryengritjen e shtatorit (1913), Kuvendi i Arrasit (1920), Betejën e Lan-Lurës dhe çlirimin e Dibrës (1920) etj.
Po kështu ai ka dhënë një kontribut të çmuar edhe në veprimtaritë  kushtuar figurave patriotike dibrane si:  Josif Bageri, Seit Najdeni, Hoxhë Muglica, Salë Markja, Selim Rusi, Haxhi Vehbi Dibra, Dom Nikollë Kaçorri, Elez Isufi (Ndreu).  Kontributi i tij është gjithashtu shumë i vyer në plotësimin e dosjeve të luftëtarëve të periudhave të ndryshme historike, në hartimin kalendarit historik të dibrës etj. Vitet 1993-2013 kanë qenë të mbushura me veprimtari të tilla, të zhvilluara si në qytetin e Dibrës ashtu edhe në atë të Peshkopisë. Kontributi i tij shkencor mbi historinë e Dibrës, është mirëfilli i përfaqësuar veçanërisht në monografinë e tij të fundit.
Sakip CAMI

 

Monografia “Dibra nga Antikiteti në Monarki”

Monografia “Dibra nga Antikiteti në Monarki”(Tiranë 2017), është fryt i një pune të gjatë e sistematike rreth 30 vjeçare, në terren, në arkiva, në biblioteka dhe në kabinet i studjuesit dhe historianit Moisi Murra.
Është sistemuar dhe klasifikuar një material i pasur dhe i larmishëm historik, me shtrirje kohore shumë të gjerë, i cili i serviret i gatshëm në tavolinën e të nxënit çdo studiuesi të historisë së Dibrës në veçanti dhe të Shqipërisë në përgjithësi. Mund të thuhet pa frikë teprimi se ajo është vepra studimore më e rëndësishme e autorit, dhe si e tillë mund të quhet lirisht si vepra e jetës së tij.
Me një dashuri të madhe për Dibrën dhe historinë e saj, me një përkushtim të rrallë dhe skrupulozitet të veçantë, Moisi Murra ka arritur të paraqesë në mënyrë sintetike historinë e Dibrës përgjatë një periudhe shumë të gjatë kohore, mbi 2000 vjeçare, vepër që tashmë është në duar të çdo dibrani, kudo ku ai jeton, në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë,  apo SHBA, Kanada e Australi.
Ai ka meritën se e ka trajtuar Dibrën si një etnitet gjeohapsinor dhe etno-kulturor, pavarësisht ndarjes dhe masakrimit të saj territorial nga Konferenca e Londrës e vitit 1913. Ai ka realizuar një porosi të moçme të çdo brezi që i zhvilloi luftrat e shumta për mbrojtjen e Dibrës. Me një gjetje interesante dhe të besueshme, ai na përcjell thirrjen heroike të atyre që i bënë këto luftra mbrojtëse, të brezit të gjyshërve tanë, mbi nevojën për të shkruar, për t’i hedhur në letër dhe për t’i dëshmuar brezave më të rinj heroizmin masiv dibran në mbrojtje të dibrës dhe jo vetëm.
Me këtë monografi, Dibra ka tashmë një memuar historik, të shkruar me dashuri dhe përkushtim, që i kushtohet historisë së vjetër dhe të re të Dibrës, me të cilën dibranët ndjehen më të plotësuar. Monografia përveç vlerave historike e kulturore ka edhe vlera të shumta patriotike e atdhetare, për edukimin e brezave të rinj, me vlerat më të mira të të parëve tanë, që më shumë se çdo gjë e deshën vendin dhe atdheun e tyre.
Falë punës studimore të studiuesve dibranë, përfshirë edhe kontributin e spikatur të Moisi Murrës, në historinë zyrtare të Shqipërisë, kohët e fundit janë korrigjuar disa pasaktësira lidhur me historinë e Dibrës.

S'KA KOMENTE