Një vit pa Qemal Jellën

3670

Xhevat Jella

• Me punën dhe sjelljen e tij  kishte fituar respektin e kujtdo, të shokëve dhe miqëve të tij. Qemali mbronte me fanatizëm vlerat e Luftës Nacionalclirimtare.  Ai ka qenë sekretar i organizatës së veteranëve për qytetin për shumë vite, nga viti 1998-2009. Fjalët nuk shterrojnë kurrë për Qemalin

Po mbushet një vit që Qemali nuk jeton më. Nuk është  fizikisht mes nesh, se ne çdo ditë  jetojmë me kujtimet e tij. Kur vij, në Bulqizë marr rrugën të takoj Qemalin te shtëpia, apo te lokali ku ai pinte kafen dhe rrinte më shpesh, por … Kështu e ka jeta! Kam shumë kujtime për Qemalin, sepse i tillë ishte ai, qoftë si djalë për prindërit e tij,  si bashkëshort dhe si baba për fëmijët, Dorin dhe Halitin, si vëlla, si shok apo mik. Ishte njeri me vlera dhe me personalitet dhe mendoj, se kur njeriu nuk jeton më, këto vlera rriten, ashtu si ai mali që, sa më shumë largohemi prej tij, aq më madhështor duket. Si ta harroj unë mikpritjen e Qemalit!  Jo vetëm unë me familjen time, por i gjithë fisi Jella. Shtëpia e xhaxhait tim, Halit Jella, ishte për ne  të gjithë si shtëpi e dytë. Dyert e saj ishin ditë e natë hapur për ne duke na pritur me gjithë të mirat. Kjo traditë u trashëgua edhe te Qemali e Nafia. Kur takoheshim me Qemalin, shpesh herë kujtonim fëmijërinë tonë (ne kemi qenë një familje e madhe). Gjatë bisedave që bënim ai më thoshte: -Nuk e  harroj, kur xhaxha Hazizi na hypi në kalë dhe na çoi në Bllacë. Kur arritëm atje m’u drejtua mua: Ja, kjo është vendlindja jote.-Vetëm unë kam lindur në Bllacë, motrat dhe  vëllai kanë lindur në Peshkopi, ku punonte babai im, Haliti. E kujtonte këtë, se donte të thoshte, se  duhet t’i edukojmë fëmijët  tanë me dashurinë për vendlindjen, kudo që të shkojmë rrënjët janë këtu në këto troje. Qemali ishte i pranishëm në çdo gëzim apo hidhërim të fisit tonë. Ishte shumë human dhe i gatshëm të ndihmonte këdo nëse kishte nevojë. Ishte njeri me humor të jshtëzakonshëm, mbante gjallë  shokët , miqtë ,vëllezërit me shakatë e batudat e  tij. Kur kishim dasma dhe gëzime familjare Qemali të ngjallte dhe të jepte emocion të veçantë. Edhe sot e kësaj dite nuk e harroj vallen e Dedës (vallja  në filmin ‘’Rrugë të bardha’’) valle me karakter të theksuar burrëror e kombëtar dhe këngën e Hajredin Pashës, ku Qemali kërcente e këndonte dhe dinte ta  bënte ambjentin shumë gazmor. Por jeta asnjëherë nuk na vjen ashtu siç na pëlqen neve. Ajo ka sfidat e saj  dhe ne duhet të përballemi me këto sfida. Qemali  u përball në radhë të parë me vdekjen e babait të tij, xhaxhait tim Halit 57 vjeç, ku Qemalit i ra mbi  shpatulla pesha e familjes dhe këtë e bëri në mënyrën më  shembullore. Më pas ndodhi fatkeqësia më e madhe. Në vitin 1997 i vdes motra, Fllanxa 37 vjeç, pasi lindi dy vajzat binjake dhe nuk kishin kaluar as nëntë muaj i vdes vëllai i vetëm, Arifi 42 vjeç. Dy humbje të mëdha brenda vitit. Qemalit iu desh të mbante peshën e dhimbjes  për humbjen e motrës dhe vëllait  që u ndanë në moshë të re. Nga ana tjetër ishte nëna e tij , nëna Hane, që çdo ditë derdhte lot  për fëmijët e saj, se kjo ishte një humbje dhe dhimbje e madhe për të. Por Qemali u bë për to, si ai engjëlli mbrojtës që ua lehtësonte dhe ua shëronte plagët, se i tillë ishte Qemali. Ai i qëndroi pranë nënës së tij në çdo moment, por barra e saj e dhimbjes qe shumë e madhe  dhe  ajo u nda nga jeta, se përballoi dot dhimbjen. Të gjitha këto sfida Qemali i përballoi duke iu gjendur pranë bashkëshortja e tij, Nafia, duke ndarë me të, të mirën dhe të keqen, duke pritur e përcjellë motrat, Bikun e Bardhën, nipër e mbesa. Të gjithë thonë, se vëlla për motra si Qemali, dajë e xhaxha për nipër e mbesa dhe bashkëshort, rrallë gjen si ai. Qemali me punën dhe sjelljen e tij  kishte fituar respektin e kujtdo, të shokëve dhe miqëve të tij. Qemali mbronte me fanatizëm vlerat e Luftës Nacionalclirimtare.  Ai ka qenë sekretar i organizatës së veteranëve për qytetin për shumë vite, nga viti 1998-2009. Fjalët nuk shterrojnë kurrë për Qemalin.

 

Vetë pesonaliteti i tij ta impononte ta respaktoje

Ing. Martin Cukalla

Më kujtohet mirë djaloshi Qemal Jella, që sapo kish mbaruar studimet në specialitetin elekromekanik dhe filloi punë në minierë. Me vështrimin e kthjellët e të sinqertë me buzëqeshjen e kursyer e të çiltër, e me fjalë të pakta e të mençura, që ia vlenin ta dëgjoje me vemendje e qetësi. Në të vërtetë qetësinë ta impononte vetë ai me butësinë  dhe vendosmërinë që kishte në tërë qenien e tij.  Një djalë i papërtuar dhe i pakursyer, një specialist shembullor dhe thuajse i përkryer, që nuk linte asnjë shteg të merreshe me të e ta qortoje.  Vetë pesonaliteti i tij ta impononte ta respaktoje e ta vlerësoje gjithnjë.  Kishte një komunikim shumë miqësor me shokët dhe sakrifikonte për ta. Qe shembulli  i një specialisti me kulturë dhe me vizion për jetën ,që reflektonte fisnikërinë e familjes së vet.

 

Njeriu  i punës  që s’do harrohet kurrë

Ing. Gani Gjini

Pesha e një jete të jetuar me punë e përkushtim, dinjitet e besnikëri i japin më shumë kuptim të thënave, kujtimeve e mbresave, për njeriun që kurrë nuk e njohu lodhjen. Një jetë mes njerëzve të përkushtuar për punën, si specialist e bëri më të zot, më të devotshëm,  më bëjnë mua të  rikthehem në ato vite,  kur unë e njoha Qemalin ,saqë dhe tani arrij ta sjell në përfytyrimin tim, ndërsa punoja me të.  Qemalin e njoha në vitin 1980. Në atë kohë, sapo kisha mbaruar fakultetin e inxhinierisë elektroenergjitike dhe më emëruan në Bulqizë, sektori i linjave që varej  nga ndërmarrja energjitike HEC, Ulëz.  U miqësuam shumë shpejt dhe ndjeva kënaqësi jo vetëm gjatë punës me të, por edhe në shoqërinë e tij  jashtë kohës së punës. Qemali ishte pjesë e brigadës së linjave, ku ai, la një emër të mirë në  kolektivin ku punoi, falë kulturës së punës dhe me profesionalizëm, sjelljes dhe komunikimit që kishte.
Ishe shumë miqësor dhe në çdo moment dinte se si të bënte për vete, falë maturisë, qetësisë dhe mirësisë që e karakterizonte. Ne ishim kolektiv i vogël, por shumë i përkushtuar për punën, ku Qemali  kishte marrëdhënie dinjitoze me të gjithë, dallohej për gadishmërinë dhe disiplinën e punës, që e kishte shumë merak. Qemali ishte njeri fisnik, i përzemërt, përcillte pozitivitet, dhe ishte   shumë gazmor, shquhej për mënyrën, se si  i tregonte batudat me humorin e tij  të këndshëm dhe karakteristik.
Unë, kam kujtime shumë të bukura me të, që do të mbeten gjatë në kujtesën time dhe të shokëve që punuam së bashku . Çdo fjalë e thënë për Qemalin është me respektin më të madh. Gjurmët që ka lënë në punë e në jetë, flasin me tepër se sa një libër për të. Unë asnjëherë nuk e kam harruar Qemal Jellën dhe tani e kujtoj me shumë mall.  Ai u nda nga jeta pak ditë që kishte dalë në pension, në të njëjtin vend ku e lashë unë, në Bulqizë në brigadën e linjave të TN.
Kështu ëshë jeta, ne që rrojmë, të shkruajmë kujtime  për njerëzit e dashur dhe t’i përjetësojmë ato.

S'KA KOMENTE