Të lësh kujtime të mira do të thotë, të mos harrohesh kurrë

8739

Nafije Jella

Qemali u lind, më 1 Maj të vitit 1952 në Bllacë. U rrit dhe u edukua nga dy prindër të mrekullueshëm dhe të përkushtuar, nga baba Haliti dhe nënë Hanja, të cilët lanë gjurmë të thella në formimin dhe edukimin e tij, duke transmetuar vlerat më të mira për traditat e  familjes, ku Qemali, Arifi, Biku, Bardha dhe Fllanxa, patën një fëmijëri të lumtur. Në vitin 1972 mbaroi studimet në Politeknikumin 7 Nëntori në Tiranë në degën elektromekanike me rezultate shumë të mira. Në vitin 1972-1976 kreu shërbimin ushtarak në marinë në bazën e Pashëalimanit .  Në vitin 1977 filloi punë në sektorin energjitik në hidrocentralin e Shkopetit dhe atë të Ulzës. Në vitin 1978  filloi punë në minierën e kromit Bulqizë. Në vitin 1980 filloi punë në nënstacionin e Bulqizës dhe më pas në OST (operatorin e sistemit të transmetimit) njësia operative Burrel.  Aftësitë e larta profesionale, kërkesat ndaj vetes, bashkëpunimi i ngushtë me personelin inxhiniero-teknik e bënë Qemalin të jetë modeli i njeriut të përkushtuar për punën, pasionin me të cilin ai punonte në profesionin dhe specialitetin e tij. Për të koha nuk kishte limit, natën dhe diten, në shi e në dëborë, gjithmonë i gatshëm në shtegëtimin e tij 46 vjeçar , në garantimin dhe menaxhimin e shërbimeve që lidhej me sistemin e transmetimit, në linjat e tensionit të lartë nga Ulëza e gjer në Korab, detyrë të cilën e kreu me devotshmëri e përkushtim deri në momentet e fundit të jetës, dhe për këtë Qemali është i respektuar dhe i vlerësuar në kujtesën e kolegëve, shokëve, miqëve, të afërmve dhe të gjithë atyre që punuan me të, pasi gjurmët dhe mbresat për Qemalin mbeten në çdo mjedis a vend, ku ai jetoi dhe punoi. Krenar për punën që bëri dhe për gjithçka që arriti në 46 vite punë, ku ai e finalizoi  me daljen në pension më, 1 Maj 2017, datë kjo që përkoi me datën e lindjes së tij.  Ishte një ditë plot urime nga familja, shokët dhe miqtë. Sa i gëzuar, por dhe i emocionuar për gjithçka që kishte arritur gjatë këtyre viteve. Cilësi pa fund në portretin fisnik e shpirtëror të Qemalit. Sa miqësor dhe shpirtgjerë!. Një bashkëshort ideal dhe i mrekullueshëm, sepse ai transmetonte vlerat dhe vitytet më të mira ndaj familjes, që i shpalosi në gjithë vitet e jetës sonë bashkëshortore. Një baba i shkëlqyer. Një vëlla që transmetonte dashurinë më të madhe. Një gjysh, si rrallë kush. Një shok e mik i dashur dhe i sinqertë. Ishte mbështetja më e madhe për mua në çdo hap të jetës. 25 korrik 2017. Zemrat tona i pushtoi dhimbja. Në spitalin ku ti ishe, asgjë nuk dëgjohej përveç sinjalit të aparatit të zemrës, që numëronte rrahjet e saj. Sa shumë zemra u lutën atë ditë, që ti të jetoje, por ajo pushoi së rrahuri, duke na lënë në pikëllim dhe me dhimbje të madhe, të gjithë ne. Nuk e besuam por, ajo ndodhi…Ti nuk u bëre  kurrë me sëmundjen, por ajo të mori, ta preu jetën në mes,  jetën, që  e doje aq shumë, që ti ta shijoje e ta gëzoje. Sa mall e dashuri për ty, sa të jetë jeta!. Ti je dhe mbetesh mes nesh, se le pas kujtime të shumta, se hodhe themele e ndërtove një famlije të mrekullueshme, pasi njerëz si Qemali, janë vërtet të rrallë. Të kujtojmë sot, do të kujtojmë vite e mote,  e ti, pësëri do të jesh motivi  ynë në rrugët e jetës, në çdo hap që  ne do të bëjmë. Kujtimi yt, shpirti, zëri, buzëqeshja, janë brenda nesh, janë njësuar me ne, janë bërë pjesë e trupit dhe zemrës sonë.
Falenderim dhe mirënjohje për ju, shokë, miq, të afërt, që përcollët kujtimet, mbresat, vlerësimin për Qemalin në këtë ditë të përvjetorit të ndarjes së tij nga jeta. Jeta si kohë, është relativisht e shkurtër, ndërsa kujtimet që mbeten prej saj, përjetësohen dhe janë një dëshmi mirënjohje dhe respekti për të.

 

 

Si e kujtoj Qemal Jellën ?

Azis Keta

Më 25 korrik 2018 mbushet viti që Qemal Jella  i mungon jo vetëm  familjes, fëmijëve, farefisit, por edhe miqve. Vdekja e tij e parakohshme për familjen Jella nuk ishte e vetmja. Kishin ndërruar jetë vite me parë motër e vëlla në një moshë shumë të re duke shënuar dy nga tragjeditë  më të rënda të kësaj familje. Miqësia e parë me familjen Jella është e hershme, pasi Mite Ketja ishte nuse te Jellet. Ajo tregonte: Vërtet Jellet ishin nga Bllaca, por ato i kishin rrënjët në  të gjithë Shqipërinë, Tiranë, Shkodër, Shijak, Bulqizë. Edhe  Halit Jella i Bllacës, ai  oficer i bukur u bë Jella i Buqizës dhe la emër të mirë. Miqësia e dytë u bë në vitin 1980, pasi mbesa ime, (Hazbie Dauti) shkoi nuse te Arif Jella,( vëllai i Qemalit). Jam dëshmitar   i dasmës së tyre më 24  Gusht 1980   në rolin e dajës, kur u  martuan Qemali me Nafijen, Arifi me Hazbien, se ata u martuan  në një ditë. Ishte një dasëm madhështore, shumë e bukur dhe e veçantë  për kohën.  Nga ajo ditë  dasme, ku unë isha daja i Hazbies (nuses se Arifit), mua më thirrnin ‘’Dajë’’ jo vetëm mbesa ime, Hazbia, por dhe nusja e Qemalit, Nafija dhe unë nuk e ndava Nafijen me Hazbien, as dy Qemalat ( nipi im Qemal Dauti kishte të njëjtin emër me Qemal Jellën). Sa herë do të shkoja te mbesa ime, më parë do kaloja tek Haliti, Hanja, Qemali, Nafija, pastaj te Arifi dhe Hazbia. Ky rregull vijoi 40 vite dhe do të vazhdojë sa të kem frymën, se modelin e sjelljes na e la Qemali. Kam kujtime të pafundme nga ky, Burrë. Takoheshim në dasma të nipave dhe stërnipave, ku Qemali ishte xhaja dhe unë daja. ’’Ziheshim’’ kush do ishte në krye valleje në dasmat që na bashkonte gjaku. Por nuk ishim bashkë vetëm  në dasma. Vajtuam bashkë dhe në mortet e rënda. Por Qemali ndryshe nga të gjithë,kishte kulturën dhe forcën që ta mbulonte dhimbjen, pasi humbjen e vëllait dhe motrës i kishte plagë  shpirti. I thernin deri në kockë, gjithë jetën. Në kujtesën time Qemali bënte diferencën midis nesh në inteligjencë dhe sjellje. Në çdo lëvizje të tij, reflektohej kulturë, nuk e mbaj mend ndonjëherë të ngrysur. Kujdesej deri në detajet më të vogla për fjalët që nxirrte nga goja. Ishte mjeshtër i  organizimit dhe më të vogël. Kishte magjinë t’i bënte njerëzit për vete, krejt natyrshëm. Ishte më shumë se një prind me fëmijët e vëllait dhe motrës që mbetën jetimë. Nuk e harroj kurrë, kur martuam Torin, djali i  Arifit, mbesës sime, Hazbies! Ishte dasma e fundit me atë, Burrë. Sepse ku ishte Qemal Jella ishte , serioziteti, mirësia, butësia, alegria. Kur ishte Qemal Jella kryetar dasme ishte organizimi perfekt ,ku dasmori ndjehej mbret me Qemal  Jellën. Vërtet Qemali pa shumë, hoqi shumë, aq sa plaste dhe gurin dhe  drurin. Por ai ishte shumë i fortë, diti ta përballojë dhimbjen. E bluajti të keqen mes vetes. U qëndroi  pranë jetimëve. Ai dinte të maskonte dhimbjen, kur ishte sebepi për t’u gëzuar, ai dinte ta çonte gëzimin në kupë të qiellit, se jeta i kishte të dyja. Ai dinte të kontrollonte emocionet, sjelljet. Vështirë ta  zëvendësojë  kush edhe, se djali, që mban ermin e Halitit, Haliti i ri, ja ka këputur krytë, si i thonë fjalës. Qemali na thau krahët, iku shpejt, po la  emrin e mirë. La fëmijët, nipër dhe mbesa, si drita.

 

E admiroja për cilësitë që kishte

Ing  Dorian Kavalli

Qemalin e njoha  në vitin 2009, sapo kisha filluar punë inxhinier në OST. Qemali  ishte brigadier i brigadës së linjave në Bulqizë. E admiroja për cilësitë që kishte. Në aspektin shoqëror, njeri fisnik e me sjellje të kulturuar, kishte urtësinë, mirësinë në shpirt, maturinë, dhe në aspektin profesional ishte një profesionist dhe specialist i vërtetë, pasi Qemali kishte një eksperiencë të gjatë në sektorin energjitik dhe kishte vendosmërinë për të kryer dhe menaxhuar në mënyrën më të mirë e me korrektesë punën. Ishte i gatshëm me gjithë brigadën në mirëmbajtjen dhe eleminimin e defekteve të linjave, punë të cilën e kreu me devotshmëri deri në momentin që ,ai doli në pension. Të gjithë kishin një respekt të vecantë për të, e mbi të gjitha për mënyrën e komunikimit. Nuk do ta harroj ditën, kur ai erdhi për të na dhënë kafen për daljen e tij në pension, ku të gjithë shokët dhe kolegët e uruan me zemër, por në sytë e tij rrodhen  lotët e ndarjes. Edhe ne me lot në sy e përcollëm, sikur ta dinim që s’do të takoheshim më kurrë. Dhe kështu paska qenë e thënë për të mos u parë më kurrë, por ai do të rrojë i gjallë , në zemrat dhe në kujtimet tona.

S'KA KOMENTE