ISAKU: MË PËLQEN INVESTIMI NË FUSHËN SOCIAL-KULTURORE

    342

    Zoti Edmond, në qendër të qytetit të Bulqizës ngrihet një kompleks modern si një ballkon që mund ta shohësh tërë qytetin, cilët janë funksionet e këtij resorti.
    Eshtë një kompleks multifunksional ku është instaluar TV Bulqiza, Hoteli, Restoranti, Lokali dhe zyrat e firmës së kromit.
    Tashmë, qytetarët e Bulqizës por dhe institucionet e kanë bërë zgjedhjen e tyre, duke i realizuar takimet, eventet, festat e konferencat shkencore, pikërisht në ambjentet mjaft të këndshme të këtij hoteli të standardeve europiane, si investim i konsiderueshëm për ngritjen e të parit kompleks multifunksional. Besoj është kjo një vepër turistike me performancë cilësore që sjell shërbim modern në këtë qytet të aneksuar të Shqipërisë.

    “TV Bulqiza ”, një media që po rrit vazhdimisht performancën, si arrite këtë sukses.
    Afro dy dekada më parë kur nisi rrugën e tij TV Bulqiza, pati edhe skeptikë që e shihnin me dyshim, por realiteti provoi të kundërtën. Ekrani me logon “TV Bulqiza” u bë më i preferuari për qindra mijëra teleshikues, jo vetëm nga qyteti minator në prehër të maleve, por edhe për audiencën e tij, deri në Burrel e Kala të Dodës, me shtrirje në rang qarku.
    Kam punuar prej më se dy dekadash në sektorin privat në punë dhe investime modeste, duke fituar me djersë dhe ndershmëri.
    Asetet me impakt publik, si TV Bulqiza, firma “Mariuxho” sh.pk., Shoqata e Transmetuesve Radiotelevizivë Kabllorë Valorë Kombëtarë si dhe gazeta kulturore atdhetare “Bulqiza”, janë investime që i kam ngritur me vështirësi por më japin motivim pozitiv në aspektin social kulturor. Më pëlqen investimi në fushën social-kulturore , është më me pak fitim por ka më shumë humanizëm dhe kënaqësi estetike dhe vetëpërmbushje shpirtërore.
    Jam munduar që me intuitë, të orientohem mjaft mirë në ekonominë e tregut dhe kam patur sukses. Unë u përkas atyre njerëzve që nuk janë të apasionuar vetëm pas biznesit. Dua dhe t’i japë komunitetit. Ndaj ia bashkëngjita gazetën “Bulqiza”, televizionit. Mediat elektronike dhe të shkruara japin e marrin me njëra- tjetrën në mënyrë të ndërsjelltë. Tani TV Bulqiza ka mbushur 20 vjet dhe Gazeta Bulqiza 3 vjet.
    Gazeta “Bulqiza”, është tani një zë i spikatur në tregun mediatik shqiptar, me frymën bashkëkohore të zgjidhjes së problemeve të qytetit e të fshatrave, duke evidentuar faktorë objektivë e subjektivë që ndikojnë në ecjen përpara, në kapërcimin e krizës ekonomike e të mungesës së besimit, për të gjallëruar forcat e brendshme lëvizëse të njerëzve tanë, të freskimit të veprimtarisë publike e shtetërore në të gjitha nivelet. Kjo gazetë ka promovuar dhe promovon vlerat nga e kaluara dhe i flet të sotmes me një pasqyrim real të problematikave të shumta që ka sot komuniteti i këtij rrethi.

    Z. Isaku, si administrator i TV-Bulqiza dhe i kompanisë “Mariuxho” sh.p.k. që merret me nxjerrjen e mineralit të kromit si ka qenë ecuria dhe përvoja që keni fituar.
    Kam punuar ndër vite në sektorin privat duke respektuar ligjet dhe rregullat e shtetit ligjor dhe të ekonomisë së tregut.Nuk kam patur detyra publike dhe afera me fonde publike. Lejtmotivi im është: “E dua qytetin tim Bulqizën dhe gjithë investimet e mia në fushën e medias, të ndërtimit dhe nxjerrjes së kromit, i kam fokusuar pikërisht në këtë qytet, duke punësuar dhe mbështetur qindra familje”. Përvoja e gjatë si këshilltar bashkiak më ka dhënë mundësi që të njoh në detaje problemet ekonomike shoqërore të Bulqizës. Me edukatën e korrektësinë, të trashëguara nga prindërit e mi u angazhova përditë në punë duke përforcuar bindjen se vetëm duke guxuar mund të shkohet përpara, në sipërmarrje të tilla pasi sektori minerar sot paraqet mjaft vështirësi. Motoja ka qenë dhe është: me punë dhe vetëm me punë do të mund të ndërtosh të ardhmen që ëndërron.
    Vitet e fundit kam rritur investimin edhe në botën dixhitale, ku tashmë kam mjaft abonentë të rrjetit kabllor.

    Ju deni donator në dhjetra projekte socialkulturore për Bulqizën, përse ju ka tërhequr kjo dëshirë.
    TV Bulqiza radhitet ndër televizionet lokale me një teknologji bashkëkohore dhe një performancë mjaft cilësore. Ky institucion është bërë një zë i fuqishëm informimi dhe formimi qytetar ku paqyrohet me realizëm dhe vërtetësi jeta, puna, zhvillimet ekonomike, politike, shoqërore, sociale, kulturore, fetare. Në vizionin dhe filozofinë, lidhur me menaxhimin dhe drejtimin e këtij institucioni kam patur bindje dhe besim tek fuqia transformuese që ka media elektronike në emancipimin kulturor dhe shoqëror të baorëve të rrethit të Bulqizës dhe më gjerë. Kam një staf të motivuar dhe me përvojë të gjatë. Ky televizion ka rritur performancën e tij jo vetëm në informacionin e gjithanshëm që përciell si mesazher gjigand publik me impakt faktor por edhe me nivelin e lartë të përpunimit të materialeve që emetohen nga stafi që kontribuon për realizimin e produksioneve me një nivel të lartë dhe shije moderne në metodikën e pasqyrimit të realitetit që jetojmë dhe evokimit të së kaluarës historike dhe vlerave të këtij komuniteti. Kam afruar nxitur dhe përkrahur talentet e reja, duke afruar pranë këtij institucioni forcat e reja krijuese dhe interpretuese të qytetit dhe të rrethit Bulqizë, duke integruar në dobi të përparimit shoqëror talentet dhe performancën e tyrë estetike dhe mediatike.
    Kontribut ka dhënë TV Bulqiza në promovimin e vlerave kulturore sportive e fetare si dhe pasqyrimit të traditave patriotike dhe luftërave të përgjakshme që janë bërë nga populli i Bulqizës në mbrojtjen e lirisë kombëtare e shoqërore si dhe duke u bërë interprete e promovuese e vlerave intelektuale të krahinës së Bulqizës dhe më gjerë.
    Në një këndvështrim të përgjithshëm, të jesh një sipërmarrës është çështje talenti, por është edhe aftësi menaxhuese, kompetencë dhe lodhje.

    Keni një kontribut shumëvjeçar si këshilltar lokal cila është përvoja dhe kontributi juaj në pushtetin vendor.
    Si anëtar i Këshillit të Bashkisë Bulqizë për shumë vite i jam përmbajtur parimit kushtetues të ushtrimit të pushtetit nëpërmjet autonomisë vendore, që kushtëzon ekzistencën e një pushteti vetëqeverisës vendor, sipas koncepteve të përparuara të organizimit të shtetit demokratik dhe duke patur një koncept të tillë jam munduar të japë ndihmesën time. Për faktin se Këshilli Bashkiak i Bulqizës duhet të zotërojë aftësi efektive për të rregulluar e për të drejtuar, brenda ligjit, nën përgjegjësitë e veta dhe në të mirë të popullsisë, një pjesë të mirë të çështjeve publike, unë kam insistuar që kjo e drejtë të ushtrohet nga këshilli i përbërë nga anëtarë të zgjedhur me votim të lirë, të fshehtë, të barabartë, të drejtpërdrejtë e universal, i cili duhet të ketë në vartësi organe ekzekutive përgjegjës dhe me integritet. Kjo për faktin se duke ushtruar në mënyrë më efektive funksionet e kompetencat, duke nxitur pjesëmarrjen edhe të bashkësisë në qeverisjen vendore, realizimi i detyrave nga këshilli bashkiak, realizimi i shërbimeve në forma të përshtatshme do të sigurojë njëherazi edhe një transparecë më të madhe ndaj publikut.
    Si Kryetari i Shoqatës së Transmetueseve Radiotelevizive Kabllorë e Valorë të Shqipërisë Cili është roli i mediave lokale.
    Media lokale ka një rëndësi të madhe pasi ajo pasqyron në mënyrë të drejtpërdrejtë atë se ç’ka ndodh në terren. Është burim dhe pasqyrim i freskët që vjen si ushqim mediatik direkt nga baza. Pas viteve ’90-të gjithçka shkoi në degradim të plotë, i vetmi kanal TV Shqiptar RTSH doli jashtë funksionit, në këtë zonë dy ishin mundësitë: o kanalet e fqinjëve, ose asnjë transmetim. Po kësaj zone do t’i mjaftonte varfëria ekonomike , dhe do ishte absurd të mbetej dhe në terr informativ.
    Sot ja ku jemi, TV Bulqiza është një familjare e shtuar në çdo familje Bulqizake, para ekranit çdo natë presin informacionin, shohin problematikën që i shqetëson, çlodhen me programet më të zgjedhura artistike, qartazi sot TV Bulqiza është pronë e çdo qytetari, që nga fëmijët që kanë programet e tyre, e deri te të gjithë moshat dhe shtresat.
    TV Bulqiza ka qenë shembull dhe për televizionet e tjera lokale. Shoqata ka kontribut të veçantë në mbrojtjen dhe zhvillimin e medias lokale dhe kabllore në gjithë vendin, në hartimin e legjislacionit për mediat, rregulloreve. Natyrisht kjo rrugë nuk ka qenë e lehtë pasi gjithçka është arritur me përkushtim, investime dhe mbështetjen financiare.
    Natyrisht e ardhmja do jetë më e mirë.

    Në aspektin e zhvillimit ekonomik të vendit cila do të ishte një çështje që do të doje të përmirësohet.
    Një problem në menazhim ekonomik mbetet transparenca dhe kontrolli mbi prokurimet publike. Unë mendoj se prokurimet publike janë pika nevralgjike e korrupsionit me fondet publike, ndaj dhe transparenca dhe kontrolli mbi to do të ishte shumë i rëndësishëm në luftën ndaj korrupsionit. Fusha e prokurimeve publike mbetet një nga shqetësimet mbarëshoqërore dhe shtetërore pasi ndërthuren interest në atë mënyrë që pasuron një grup të vogël personash në dëm të cilësisë dhe sasisë së punimeve publike dhe të efiçencës ekonomike në shkallë vendi. Transparenca e procedurave dhe taksimet mbi to lënë për të dëshiruar. Ka ardhur koha të rishikohen të gjitha procedurat ligjore, në detaje, mbi prokurimin publik. Kjo do të eleminonte mundësitë e shpërdorimit të buxhetit dhe rritjen e efektivitetit të punimeve, kursim fondesh dhe cilësi.
    Duhet të kemi transparencë në procedura konçensionare, të kemi garancitë e nevojshme, efektivitetin dhe jo vetëm t’i nisim punët, të marrim “racionin” dhe pastaj pas nesh “ u bëftë qameti”. Shpallen fitues të njejtat kompani. Kuptohet përse ndodh. Po kush e parandalon fenomenin. A nuk lë të kuptosh se tenderat fitohen me “porosi”. Duhet menduar për mekanizma ligjorë që e eleminojnë këtë fenomen që ka në bazë korrupsionin. Kjo ndodh për arësye se fondet janë publike, ndryshe nuk mund t’ia bësh këto manovrime privatit ku tregun e rregullon kërkesë-oferta. Korrupsioni qëndron në partneritetin publik-privat ngaqë janë në mes fondet publike se në partneritet privat-privat s’ka korrupsion.
    Mendoj që në këtë vështrim duhet reformuar sistemi. Kemi kompani të mëdha që i kanë lënë punët përgjysëm dhe nuk i kanë mbyllur në vite, dhe në këtë rast humbja është në anën e publikut dhe të taksave të tij. Kështu ka ndodhur me koncensionin e rrugëve si projekte të mëdha, koncensioni në mjekësi për shërbime laboratorike për analizat etj..
    Mendoj që shteti duhet të jetë garantuesi i konkurencës së lirë në konkurime publike. Lufta ndaj krimit dhe korrupsioni ka filluar dhe shpresojmë që të kemi progres me ndihmën e ndërkombëtarëve.

    Zoti Isaku ju jeni i përfshirë dhe në aktivitete politike , si i përjetoni zhvillimet aktuale.
    Po unë jam i angazhuar në politikë si një pjesëmarrës aktiv. Jam zv.kryetar i Degës së PD Bulqizë. Jam dhe në listën e deputetëve. Situata politike mendoj është mjaft shqetësuese pasi kriza e përgjithshme dhe shumëplanëshme e ka përfshirë tërë vendin. Momentalisht jemi në pritje të një lami të mirë për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe po u arrit kjo do të ish një fitore e madhe për gjithë shqiptarët. Por kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi shumë punë për të bërë në reformimin e politikës dhe qeverisjes së shqiptarëve.
    Akoma do punë për konsolidimin e demokracisë dhe kjo mendoj vjen me një preokupim serioz të klasës politike. Mazhoranca nuk po kryen detyrat dhe ka bllokuar sistemin e vlerave. Duhet të zhbllokohet ky ngërç. Krimi dhe korrupsioni është instaluar në sistem dhe kjo mazhorancë nuk ka vullnet ta luftojë pasi është vetë e përfshirë në të. Opozita duhet të rrisë dhe të forcojë frymën opozitare, të detyrojë me valë protestash për t’i shkurtuar ditët këtij pushteti, i cili erdhi me votë të manipuluar. Për të luftuar krimin dhe korrupsionin kërkohet një motivim i fuqishëm mbarëshoqëror, frymë dhe aksion politik opozitar. Kjo mbetet pas qershorit të vihet në jetë. Jemi në një moment pritjeje dhe qetësie të përkohshme. Unë kam besim se populli shqiptar do të dijë të mbajë qëndrim ndaj kësaj keq qeverisjeje. Kam besim se edhe reforma në drejtësi do të na japë zhvillime pozitive në emancipimin politik të shoqërisë.
    Intervistoi: Nertila Ceka

    S'KA KOMENTE