“Bulqiza Televizion”, dritare e fuqishme për informimin e publikut

535

Siç është e bërë e ditur dhe nga nr i kaluar, më 12 maj 2018 u festua 20 vjetori i hapjes së “Bulqiza Televizion”. Një ditë e shënuar kjo pasi më 3 maj 2018, televizioni i Bulqizës mbushi 20 vite nga dita e hedhjes së sinjalit të parë të një medie private lokale në këtë rajon. Ka qënë kjo një ndërmarrje e fuqishme dhe e guximshme e bashkëshortëve Mentie e Edmond Isaku, ku pak kush mund ta imagjinonte, se në një rrugëtim kaq të gjatë televizioni i Bulqizës do të bëhej një dritare shumë e fuqishme për informimin e publikut. Me këtë rast në ambjentet e brendëshme të këtij televizioni është zhvilluar një takim, ku morën pjesë shumë të ftuar.
Në hollin e ndërtesës multifunksionale ku ndodhet dhe televizioni i Bulqizës nisën të vijnë me rradhë të ftuarit e kësaj dite të cilët ishin ish punonjës dhe punonjës aktual të Televizionit, drejtues të Gazetës Bulqiza si gazetarë redaktorë,drejtues të mediave lokale të televizionit të Matit, Lezhës e Kukësit, këshilltarë të këshillit bashkiak Bulqizë, Kryetari i Bashkise Melaim Damzi, deputetja e PD Qarkut Dibër Dhurata Cupi, kryetarë të forcave politike dhe të ftuar të tjerë, bashkëpunëtorë të televizionit.
Pas pritjes në holl të pranishmit bënë vizita në ambjentet e televizionit ku panë dhe vlerësuan ambjentet e mrekullueshme të këtij televizioni. Falë investimit të pronarëve ata vlerësuan këtë investim mjaft të rëndësishem, duke i krahasuar këto ambjente si studion, teknikën dhe teknollogjinë si një televizion modern dhe me kushte mjaft të mira pune.
Pas kësaj vizite të ftuarit u ngjitën në sallën e restorant Bulqiza ku ishte planifikuar të organizohej takimi ku të pranishmit kur hynë në sallë panë me kureshtje në monitor një fotomontazh mbi rrugën 20 vjeçare të këtij televizioni, që nga fillimi i 3 majit të vitit 1998 e deri më sot, ku shfaqeshin foto të stafit të punonjësve të këtij televizioni dhe ambjentet nga nisi puna e vështirë por e bukur e Televizionit të Bulqizës, kështu në ekran u shfaqën me rradhë ish punonjësit që e nisën këtë mission nën drejtimin e Edmond Isakut, si regjizori i parë Pëllumb Dervishi, folësja e parë Rolanda Musta, operatorët Kel Dervishi e Ilir Toska, skenografi Azem Teta, tekniku i transmetimit Myrteza Gjoka etj. Me pas televizioni i Bulqizës u pasurua ndër vite edhe me folëse e operatorë të tjerë si, Hysen Likdisha, Sali Ymeri, Defrim Karaj, Dashurie Buci, Valbona Deda, Engjellushe Topalli, Rabie Ruci, Lura Deda, Afërdita Durici, Beglie Rexha, Sonila Musai, Erigerta Toci, Erjona Keta, Enxhi Musaj, Xhuljana Jangulli, Sediana Huna, Enver Doci, Doris Gjoka e të tjerë.
Në këtë rrugëtim të gjatë 20 vjeçar nuk ka munguar as ndihma e bashkëpunetorëve të televizionit si Nafie Jella, Islam Shehu, Rruzhdi Xhediku, Neki Feta, Adnand Elezi, Mentor Roçi etj.
Pas këtyre momenteve e mori fjalën për të përshendetur të pranishmit Presidenti i këtij televizioni Edmond Isaku, i cili, veç të tjerash foli për progresin e kësaj medie locale duke u fokuasuar tek transparenca dhe promovimi i vlerave, si dhe tek resurset njërëzore dhe natyrore të kësaj treve. Kështu, sipas tij u arrit të ndërtohet një televizion lokal, me staf dhe teknologji të standardeve bashkëkohore.
Edhe kryetari i bashkisë Z Melaim Damzi pasi falenderoi televizionin për ftesën tha se rruga 20 vjeçare e TV Bulqizës është për t’u përshëndetur sepse ka qenë një dritare e hapur për të gjithë në dhe pasqyrimin me realitet të punëve të bëra nga ne si bashki ndër vite pasqyrim ky që na ka shërbyer që të jemi me pranë komunitetit tonë të Bulqizës.
Më pas të pranishmit mes trokitjeve të gotave uruan e përshëndetën rrugën e këtij televizioni duke uruar për më shumë vite të tjera në jetëgjatësinë e punës fisnike të medias.
Mjaft interes për të pranismit ngjallen edhe përshëndetjet e dërguara me anën e video përshndetjeve nga personalitete të Bulqizës jashtë Shqipërisë, të cilët nuk patën mundësi të merrnin pjesë në këtë aktivitet. Në fund të ftuarit kaluan çaste argëtimi nën ritmet e muzikës.
(Marrë nga TV Bulqiza”)

S'KA KOMENTE