Lidhja Shqiptare e Prizrenit, manifest i shqiptarisë

194

140 vjetori – Më 10 qershor 1878, nën kryesinë e atdhetarit të mirënjohur Iljaz Pashë – Dibra, u mblodh Kuvendi Kombëtar në Prizren

 

Nga Ismet Balaj
Gjatë shekullit XIX Përandoria Osmane pësoi dështime të mëdha në Ballkan. Reformat e Tanzimatit (1839-1856 dhe 1856-1876, jo vetëm që nuk e gjallëruan, por e thelluan edhe më tej krizën e saj. Në të gjithë territorët ku banonin shqiptarët, shpërthyen kryengritje të njëpasnjëshme me parullën: “Xhelep e të dhjeta nuk ka, është vendi fukara”. Veçanërisht zgjatja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në shtatë vjet rëndonte së tepërmi jetën e çdo familje shqiptare.
Lufta Ruso-Turke e vitit 1877-1878 tregoi qartë se Përandoria Osmane po shkonte drejt shkatërrimit të pashmangshëm. Paqja e njohur si Traktati i Shen Stefanit, në mars 1878, midis Rusisë dhe Turqisë, i hoqi Turqisë humbëse rreth 80% të territoreve të saj në Gadishullin Ballkanik. Shtetet fqinje, si Greqia, Serbia, Mali i Zi dhe Bullgaria do të merrnin edhe rreth gjysmën e territoreve dhe të popullsisë shqiptare.
Çeshtja shqiptare asqë u diskutua fare. Serbia, pa dalje në det, e quante vetën si trupi pa mushkëri, prandaj synonte me çdo mjet daljen në Adriatik; ndërsa Greqia, me teorinë e Megaliidhesë (idesë së madhe), synonte pushtimin, veç të tjerave edhe të Shqipërisë së Jugut. Pra po rrezikohej mosnjohja fare e popullsisë shqiptare dhe grabitja e gjithë territorëve të saj nga shtetet fqinj, të cilat ndihmoheshin nga Rusia, por edhe nga fuqi të tjera të mëdha. Fitorja e Rusisë dhe krijimi i shteteve të fuqishme sllave në Ballkan, që do të ishin aleate të Rusisë, e shqetësoi Anglinë dhe jo vetëm, prandaj kërkoi rishikimin e Traktatit të Shen Stefanit. Për këtë u organizua në Berlin mbledhja e Fuqive të Mëdha në qershor 1878, ku morën pjesë Anglia, Franca, Gjermania, Rusia, Austrohungaria dhe Italia, prandaj u quajtë Kongresi i Berlinit. Turqia si humbëse e luftës, mori pjesë pa të drejtë vote.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, rritja e vetëdijes kombëtare
Këto rrethana historike dëshmonin rrezikun e madh të zhdukjes së popullit shqiptar si komb dhe tjetërsimin e tokave të tij duke i përdorë si plaçkë tregu për shtetet fqinj. O sot, o kurrë! Duhej që shqiptarët t`i dilnin zot vetes, duhej platformë se si do të veprohej për mbrojtjen e tërësisë tokësore e të popullit shqiptar, duhej përcaktuar format e organizimit dhe aleatët e jashtëm. Anglia, meqë ajo ishte kundër marrëveshjes së Shen Stefanit, u mendua si aleat i jashtëm i fuqishëm në ndihmë edhe të çeshtjes shqiptare. Këtë e dëshmoi edhe Komiteti i Shkodrës që i dërgoi momerandum të nënshkruar nga 500 vetë Kryeministrit anglez; po ashtu u mendua se edhe Greqia, sepse ishte shprehur për një bashkëpunimme shqiptarët kundër Turqisë. Këtij qëllimi i shërbyen komitetët ndërkrahinor i Veriut me kryetar Pjetër Gurakuqin dhe i Jugut me Abdyl Frashërin që u themeluan në vitin 1877.
Po këtë vit disa intelektualë të shquar shqiptarë me banim në Stamboll krijuan Komitetin Qëndror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare. Kryetar u zgjodh Abdyl Frashëri, me anëtarë Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Zija Prishtina, Ahmet Koronica, Mihal Harito, Iljaz Qoku Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Seremendi Toptani e tj. Komiteti u bë frymëzues dhe organizues i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në janar të vitit 1878 Pashko Vasa gjendej në Kosovë për të njohur gjëndjen. Sipas Haxhi Jovan Vasiljeviç, historian, më 23 janar u nënshkrua marrëveshja serbo-turke e cila krijoi te vilajeti i Kosovës dhe i Manastirit idenë e përshejtimit të formimit të Lidhjes Shqiptare për shkak edhe të kësaj marrëveshje.
Po kështu Pashko Vasa i shkruante ambasadës britanike në Stamboll, “po lind Çeshtja Shqiptare”. Ndërsa përfaqësuesi i kësaj ambasade në Stamboll i shkruante Londrës, se shqiptarët e vlerësojnë “autonominë” si “ilaç” që mund të zgjidhë të gjitha padrejtësitë, se me rënien e Turqisë, sa fillon Çeshtja e Krizës Lindore. Me 4 maj në Prizren mblidhen 30 delegatët e parë me qëllim kundërshtimin e Traktatit të Shen Stefanit. Me 24 maj me ftesën e Ymer Prizrenit mbahet Kuvendi i Lidhjes, i cili vendosi që t`u bëhet thirrje shiptarëve që për çdo kokë njeriu të japin nga 10 grosh për të formuar e mbajtur një ushtri prej 15 mijë ushtarësh. Me 10 qershor, nën kryesinë e atdhetarit të mirënjohur Iljaz Qoku, Dibra, u mblodh Kuvendi Kombëtar në Prizren.
Kështu u institucionalizua Lidhja Shqiptare e Prizrenit si Lidhje Gjithëshqiptare. Në këtë Kuvend morën pjesë nga vise të ndryhme shqiptare. Nga Komiteti i Stambollir mori pjesë kryetari i tij Abdyl Frashëri. Kjo ishte e para organizatë mbarëshqiptare brënda Shqipërisë, me një platformë ideologjike e një program politik kombëtar e me një strukturë organizative të shtrirë në të gjitha viset e shqiptare, të përbërë nga organe lokale e qëndrore, me ushtrinë e saj dhe me një propogandë kulturore. Qëllimi i saj ishte të luftojë për çlirimin e vendit nga robëria shekullore osmane, për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut dhe për formimin e shtetit kombëtar. Nga Kuvendi iu drejtua një protestë Kongresit të Berlinit, në të cilin theksohej padrejtësia që iu ishte bërë shqiptarëve nga Traktati i Shen Stefanit, që e kishte mohuar çeshjten shqiptare, duke e gjymtuar territorin e tyre dhe duke ua dhënë shteteve fqinj, si plaçkë lufte. Njëkohësisht kërkohej mbrojtja e çeshtjes shqiptare.
Për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Kongresin e Berlinit Kuvendi zgjodhi Abdyl Frashërin dhe Mehmet Ali Vrionin. Kuvendi zgjodhi organet e larta: Këshillin e Përgjithshëm me funksione legjislative me kryetar Shuaip agë Spahia dhe Komitetin Qëndror me funksione ekzekutive me kryetar Mustafë Pashë Tetovën. Si qëndër u caktua Prizreni. Më vonë, kryetar i Komitetit u zgjodh Ymer Prizreni. Me 17 qershor Këshilli miratoi statutin e LSHP dhe Urdhëresa, ku trajtoheshin aspekte organizative, politike dhe ushtarake, të cilat në korrik i përmirësuan, duke hequr edhe levdatat ndaj sulltanit. Me 20 qershor Komiteti i LSHP i drejton një momerandum Ministrit të Jashtëm të Austro-Hungarisë në Vjenë, kontit Andrash mbi situtën aktuale dhe i kërkon që të mbrojë çeshtjen shqiptare në Kongresin e Berlinit.
Në vazhdim Këshilli Qëndror i LSHP hodhi kushtrimin për mbrojtjen e çdo pëllëmbe të tokës shqiptare dhe kërkoi që të mblidhën ushtarë në të gjithë Shqipërinë për vetmbrojtje; Këshilli ushtarak kumtoi se nuk e njeh më Qeverinë e Stambollit. Programi i LSHP synonte bashkimin e të katër vilajeteve: Shkodër, Kosovë, Manastir dhe Janinë në një qëndër në një qytet që mund të ishte i afërt njësoj për të tërë krahinat dhe të realizonte sa më shpejt autonominë. Mori masa për ngrijten e qeverosejes lokale, duke formuar nëndegët e saj në mbarë vendin, mbledhjen e taksave, forcimin e rendit dhe formimin e ushtrisë të Vilajeteve të Bashkuara.
Me 18 qershor konsulli vienez Lipih në Shkodër njofton Vjenën :”…shqiptarët… e gjetën rrugën e drejtë, kur iu përveshën formimit të lidhjes. Ata deklaruan se për mbrojtjen e vendit, në raste ektreme, do të udhëhiqen nga parimi i mbështetjes në forcat e veta. Konsujt e Fuqive të Mëdha që ndodheshin në Shkodër a po në Stamboll njoftonin qeveritë e tyre për zhvillimet në Shqipëri, për aktivitetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kështu, pavarësisht se si do të pritej në kançelarit e Fuqive të Mëdha Europiane, çeshtja shqiptare po bëhej e njohur.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit përballë Kongresit të Berlinit,
Portës së Lartë dhe shteteve fqinj
LSHP kishte dy objektiva themelore: Ruajtjen e tërësisë tokësore dhe autonominë. Në Dibër në nëntor 1878 u mbajtë një kuvend i madh i Lidhjes, ku morën pjesë mijëra vetë dhe u drejtua nga 7 pashallarë. Kërkesat për autonomi u nënshkruan nga Iljaz Pashë Dibra dhe Abdyl Frashëri. Ato ishin: 1.Të gjitha krahinat e Shqipërisë të bashkohen në një vilajet të vetëm me qëndër në një qytet që të jetë i përafërt me të gjitha krahinat; 2. Të gjitha nëpunësit që shërbejnë në administratë të dijnë e të përdorin edhe gjuhën shqipe;3. Të përhapet arsimi dhe në shkolla të mësohet gjuha shqipe;4.të zbatohen të gjitha vendimet që hyjnë në fuqi për përmirësimin e gjendjes dhe në interes të shtetit e të kombit, të cilat merren nga Kuvendi e Këshilli Qëndror, i cili do të vazhdojë që të punojë 4 muaj në vit; 5. Të caktohet një sasi e mjaftueshme e të ardhurave të përgjithëshme të vilajetit të cilat të përdoren për zhvillimin e arsimit e punimet publike. Brënda një muaji t`i paraqiten Portës së Lartë nga një delegacion i psërbërë nga 5 gegë dhe 5 toskë.
Kërkesat për autonomi u zvarriten nga Porta e Lartë. Po kështu edhe objektivi tjetër, ruajtja e tërësisë tokësore hasi në vështirësi të shumta nga Fuqitë e Mëdha, por edhe nga Porta , e cila e pa zonja për të mbrojtur territorin e vet, u detyrua të zbatojë Vendimet e Kongresit të Berlinit, i cili, jo vetëm që nuk e njohu Çeshtjen Shqiptare, por e quajti atë vetëm shprehje gjeografike. Sipas kësaj ideje, asqë kish popull a territor shqiptar. Prandaj dhe vendosi që disa territore shqiptare t`ua japë shteteve fqinj: Serbisë, Greqisë. Malit të Zi ia dhuroi Plavën dhe Gusinë. Turqia dërgoi marshallin Mehmet Ali Pashën për t`ia dorëzuar, por Shqiptarët nuk e lejuan dhe si rrjedhim e vranë në Gjakovë. LSHP hodhi kushtrimin për mbrojtjen e këtyre dy krahinave, prandaj në dimrin e vitit 1879-1880 dhe deri në nëntor të këtij viti nën udhëheqjen e Ali Pashë Gucisë, vazhduan luftime të herë pas hershme midis forcave ushtarake vullnetare shqiptare dhe atyre malazeze.
Në këto luftime nga pala shqiptare morën pjesë në fillim 3000 e më vonë 7000 forca, luftuan kundër 9000 deri 10000 ushtarëve malazezë. Mbas tri ditë luftimesh, ku u bënë edhe ndeshje trup me trup, ushtria malazeze pësoi disfatë dhe u tërhoq nga kërkesat për Plavë e Gusi; Fuqitë e Mëdha i dhanë pastaj Hot, Grudë e Këlmend, që banoheshin me popullsi të besimit katolik, duke menduar se do ta pranonin pushtimin malazez, por ndodhi i njëjti qëndrimi. Forcat luftarake u shtuan nga të dy palët. Edhë këtu betejat u zhvilluan të ashpra dhe përsëri malazezët pësuan disfatë. Së fundi Malit të Zi ia afruan Ulqinin, i cili ishte me popullsi krejt shqiptare. Forcat e Lidhjes edhe këtu treguan akte heroizmi, por Fuqitë e Mëdha dërguan flotën ushtarake në bregdet për të kërcnuar luftëtarët shqiptarë që po e mbronin.
Nga ana tjetër Porta e Lartë hoqi Ministrin e Jashtëm Abedin Pashë Dinon (çam) dhe siguroi një vendim nga shehul islam (Si gjykatë Kushtetuese) që lejonte përdorimin e dhunës kundër myslimanëve shqiptarë për interesa të shtetit. Në këto rrethana në nëntor forcat ushtarake turke edhe ato malazeze nga toka, i detyruan Forcat e Lidhjes në nëntor të vitit 1881 që të tërhiqen nga Ulqini. Vendosmëria e LSHP për të mbrojtur tokat e Çamërisë deri në lumin Kalama e detyroi delegacionin osman në konferencën e Prevezës (6 shkurt 1879 të mos nënshkruante kërkesat e qeverisë greke. Në pranverën e vitit 1879 LSHP dërgoi një delegacion të kryesuar nga Abdyl Frashëri te Fuqitë e Mëdha të Europës, i cili mbrojti para tyre çeshtjen kombetare shqiptare. Ai kërkoi njohjen e kombit shqiptar, si një e të pa ndarë, respektimin kundrejt tij të parimit të kombësisë dhe ruajtjen e tërësisë territoriale.
Viti 1880 LSHP organzoi qëndresën dhe luftën në të dy objektivat kryesore. Për shkaqet që u thanë, humbi Ulqinin. Për objektivin e dytë, vazhdoi që të ndërtojë sturkturën e qeverisjes lokale; mobilizoi vullnetarë për të mbrojtur çdo pëllëmbë toke shqipatre që do të kërcnohej. Në Kuvendin e Jashtëzakonshëm në Prizren, në fillim të janarit 1881, u bë një organizim i ri. Përjashtoi të gjithë kundërshtarët për autonomi, miratoi përbërjen e re të Komitetit Kombëtar, të cilin e veshi me funksione të plota pushtetore qeveritare. Përbëhej nga 10 anëtarësh. Kryetar u zgjodh Ymer Prizreni, nënkryetar Shuaip Spahiu, ndërsa Abdyl Frashëri për punët e jashtme dhe Sulejman Vokshi për punët ushtarake. Tani LSHP mori një emërtim të ri: Kuverna e Përdorme. Në vazhdim KP, me qenëse se rruga dhe mjetet paqësore nuk dhanë efektin e kërkuar, u përpoq të përhapte flakën e kryengritjes në viset e tjera të vilajetit të Kosovës, formoi njësi të rregullta dhe ndihmëse ushtarake, kurse në viset e çliruara ngriti një administratë të vetën. Forcat ushtarake të LSHP-së gjatë janarit çliruan Shkupin, Mitrovicën dhe Prishtinën. Me Lidhjen, Qeverine e Përkohshme, ndërkohë u lidhen edhe qytete të tjera të Kosovës: si Peja, Ferizaj, Vuçiterni etj. Nëpunësit e lartë turq u dëbuan dhe u vendos autoriteti i Lidhjes.
Garnizonet e dobëta turke u detyruan të mbylleshin në pika të caktuara, ndaj nuk mund të dilnin pa dorëzuar më parë armët. Forcat e Lidhjes zunë urat hekurudhore në mënyrë që të pengohej arritja e forcave ushtarake osmane. Shoqëria e trenave me qëndër në Shkup mori urdhër që të mos transportonte ushtri dhe municione turke. Në këtë qytet të fundit nëpunësit turq u zëvëndësuan me shqiptar pas një ndeshje të armatosur. Në këto rrethana Fuqitë e Mëdha i dhanë urdhër qeverisë së Stambollit që pas marrëveshjes me Serbinë, të përfundontë edhe marrëveshjen me Greqinë, që të ishte e lirë dhe i vuri detyrë të shtypte Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Për këtë qëllim ajo dërgoi Dervish Pashën me ushtri të përgatitur mirë edhe me topa malor, me 25 mars me tradhëti pushtoi Shkupin dhe anëtarët e Lidhjes i internoi. Pas betejave të pargjakshme në Slivovë, Ceralevë dhe Shtimje ushtria osmane hyri në Prizren, ndërsa me pushtimin e Gjakovës shtiu nën kontrollin e vet të gjitha qytetet e tjera të Kosovës e të tërë vendit. Mijëra njerëz kaluan nëpër gjyqet ushtarake në Prizren, Janinë dhe në Shkodër (ndër ta edhe Abdyl Frashëri e Sulejman Vokshi. Me mijëra u internuan bashkë me familjet në Anadoll.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e ndodhur përballë Përandorisë osmane, Fuqive të Mëdha dhe shteteve fqinj gjatë viteve 1878-1881, për tre vite,me veprimtarinë e saj ka rëndësi të madhe në historinë e popullit shqiptar. Ajo ishte organizata politike më e madhe kombëtare që e shtriu veprimtarinë në gjithë popullsinë dhenë territorin e saj; organizoi qeverisjen lokale, dëboi nëpunësit turq, ngriti lart vetëdijen kombëtare, që shprehej : …S`është për ty e për vete, por për gjithë vilajete… S`është për mue e për ty por për gjithë Shqipëri…”; iu përmbajt parimit bazë të mbështetjes në forcat e veta. Platforma e saj u përpunua në zjarrin e luftës për mbrojtjen e tërsisë tokësore, çlirimin e atdheut, mbrojtjen e tij nga pushtuesit dhe formimin e shtetit shqiptar. Kështu u bë modeli i programit të Lëvizjeve Kombëtare Shqiptare gjatë përiudhës deri më 28 nëntor 1912. Ishte dhe mbeti Manifesti i Shqiptarisë për një shtet të përbashkët të të gjithë shqiptarëve në Ballkanin Përëndimor.

*Autori është studiues

S'KA KOMENTE