Luftëtar trim, punëtor i palodhur

461

Qamil Lleshi i Zogje lindi në një familje të varfër të Grykës së Vogël në qershor të vitit 1918. Babai i tij Allamani u nda nga jeta në moshë të re më 1925 duke lënë 4 fëmijë jetimë. Nëna Hamdije e bija e Abaz Xhurxhit nga Hoteshi, me mbështetjen e të afërmëve në Zogje, me punë e sakrifica rriti fëmijët bashkë me ta, dalëngadalëedhe ekonominë e saj familjare. Qamili pasi mbaroi shkollën fillore në fillim të viteve tridhjetë u bë një punëtor i palodhur në bujqësi, pa larguar vemendjen nga blegtoria. Më 1940-1941 punoi për hapjen e rrugës automobilistike Klos-Bulqizë, investim i qeverisëItaljane. Në shtator të vitit 1942 martohet me Hatixhe Bajram Skarra nga Mazhica (Shpukthi), bijë e një familje patriote të vjetër Bazë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
– Ishte kohë lufte, me 20 Qershor 1942 ishte krijuar Çeta e parë partizane e Dibrës në Zogje, radhët e aksionet partizane shtoheshin çdo ditë. Në dasmën e Qamilit ishin ftuar të merrnin pjesë të gjithë partizanët e Çetës. Pas mesnate, një kompani Italjane rrethoi fshatin. Me qetësi Haxhi Lleshi me partizanët shkoi në shtëpinë e tij, ndezi zjarrin për t’u dhënë të kuptojnë se nuk ishte në dasëm, çau rrethimin, dolën në mal mbi Shtushaj, në Qaf Mollë, ranë në Teqe të Bllacës dhe prej aty shkuan në Sopot në shtëpinë e Cen Pucës.
Kudo në çdo fshat Çeta kishte bazat e saj. Familja e Qamilit ishte ndër bazat kryesore të LANÇ në Grykën e Vogël, bashkë me atë të Ramadan Dacit, Rifat Menës, Iljaz e Demir Lekës, etj. Me krijimin e Çetës territoriale nën komandën e Aqif Lleshit, Qamili u inkuadrua në këtë Çetë, doli malit partizan. Nëkorrik 1943 në Bataljonin e Dibrës, në gusht 1944 në Brigadën e XVIII Sulmuese.
Në shkurt të vitit 1944 në Zogje erdhën gjermanët për të kontrolluar shtëpinë e Qamil Lleshit se mos kishte armë të partizanëve.Meqenëse nuk gjetën armë e municione, arrestuan dy vëllezërit Qamilin e Shefkiun, duke i izoluar në burgun e Dibrës së Madhe dy muaj. Me ndihmën e kryeplakut Ferit Leka e veçanërisht të Qazim Nokës (në atë kohë oficer në Dibër të Madhe), mundën të arratisen nga burgu, dolën përsëri në mal me partizanët deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë.
Qamili për pjesëmarjen në LANÇ, është dekoruar me Medaljen e Kujtimit, Medaljen e Çlirimit dhe Medaljen e Trimërisë. Mbështetur në aktivitetin e kryer si bazë kryesore e LANÇ, pas çlirimit në shtëpinë e tij në Zogje u vendos pllaka me shkrimin: “Bazë kryesore e LANÇ”. Të gjithë pjesëtarëve të familjes që kanë marrë pjesë në luftë si nënës Hamdije, Qamilit, Hatixhes e Shefkiut u është dhënë Statusi i “Veteranit të LANÇ”.
Në vitin 1946 Qamilihapi një dyqan në Zogje, të cilin e furnizonte vetë nga Tirana me ushqimet e veshmbathjet më të domosdoshme si kripë, vajguri, vaj, sheqer, makarona, miell etj
Pas 191950, Qamili është marrë kryesisht me bujqësi në Zogje e Gjoricë. Është shquar si punëtor e bujk i dalluar. Për punë të mirë në bujqësi si bujk i dalluar për rendimente të larta në misër, Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSh me Dekretin Nr.2030 dt. 11.4.1955 e dekoron me Urdhërin e Punës të Klasit të III.
Një sëmundje e rëndë Qamil Lleshin e ndau nga jeta më qershor 1958 në moshën 40 vjeçare duke lënë dy djem e dy vajza të cilët u rritën e u shkolluan nën kujdesin e xhaxhait të tyre Shefkiut. Ato mbaruan shkollat e larta, punuan në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si atë të gjeologjisë (Bashkimi), të mësuesisë (Zabiti e Fllanza) e shërbimit shëndetësor (Vjosa). U bënë kuadro, krijuan familjet e tyre ,duke gëzuar respektin e banorëve në Bulqizë, Peshkopi e Tiranë.
Qamil Lleshi këtë muaj mbush 100 vjetorin e lindjes dhe 60 vjetorin vdekjes. Ai ishte një luftëtar e punëtor si rrallë kush në Grykën e Vogël. Njeri i ndershëm me karakter, shumë i drejtë, mjaft human, fizikisht i fortë, i çiltër e me një humor dashamirës, prandaj do të mbetet i paharruar për fëmijët, të afërmit, gjithë njerëzit që e njohën në Grykën e Vogël e më gjërë në gjithë Dibrën. Ne veteranët do t’a kujtojmë si luftëtar trim, të guximshëm, shembull frymëzimi brez pas brezi.

Xhevat Jella
Kryetar i Komitetit të Veteranëve të LANÇ, Bulqizë

S'KA KOMENTE