RAMA PREMTON SËRISH RRUGËN E ARBËRIT, DIBRANËT MOSBESUES?!

609

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se brenda muajit maj do të nisë puna për ndërtimin e Rrugës së Arbërit. Kreu i qeverisë tha se brenda këtij muaji çelet kantieri i kësaj rruge mjaft të rëndësishme, ku do të fillojë puna dhe nuk do të ndalet deri në përfundimin total të saj.
“Brenda majit do të çelim kantierin e Rrugës së Arbërit dhe do të fillojë e nuk do të ndalet më puna deri sa të përfundojë përfundimisht. Ky aks do ta bëjë Dibrën zonë të integruar me kryeqytetin dhe do të çelë potencial shumë të madh për të gjithë atë krah, që lidh Tiranën me Dibrën dhe ka bukuri përrallore të paprekura dhe që shumëkush nuk i ka parë dot për shkak të mungesës së rrugës.”. Kreu i qeverisë e bëri këtë deklaratë nga Lezha, më 8 maj, ku ndodhej në turin e llogaridhënies publike të qeverisjes, ndërsa renditi dhe disa nga investimet e qeverisë për Qarkun e Lezhës, duke u ndalur kryesisht te agroturizmi.

Dibranët, mosbesues në premtimin e kryeministrit
Por dibranët janë ende mosbesues, deri sa të shohin me sy fillimin dhe vazhdimine punimeve. Kjo për faktin se edhe para gjashtë muajsh dëgjuan të njejtin premtim, kur në në mbledhjen e grupit parlamentar socialist me 29.10.2017, kryeministri Rama deklaroi se “Puna për ndërtimin e rrugës së Arbrit do të nisë brenda 45 ditëve dhe nuk do të ndalet deri në përfundimin e këtij aksi të rëndësishëm. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi të hënën (29.10.2017) në mbledhjen e grupit parlamentar socialist se për këtë projekt të rëndësishëm do të diskutohet edhe me qeverinë e Maqedonisë që të bëhet lidhja e nevojshme me këtë rrugë.
“Vlen të përmendet për deputetet që kanë bërë përpjekjen e tyre të vazhdueshme dhe që vijnë nga zona e Dibrës se procesi për finalizimit e kontratës së Rrugës së Arbrit është në përfundim. Ministria ka nisur negociatat për termat e negociatës me kompaninë që rezultoi fituese në garë dhe në harkun e 30-45 ditëve kontrata do të finalizohet dhe puna për rrugën e Arbrit do të fillojë deri në përfundimin e këtij aksi të rëndësishëm për të cilën bashkë me Ministrinë e Jashtme kemi çelur diskutimin me qeverinë maqedonase. Në mbledhjen që do bëjmë në Pogradec do kemi si pikë diskutimi nevojën që nga pala maqedonase të bëhet lidhja e nevojshme që kjo rrugë të ketë edhe dimensionin rajonal”, ka deklaruar kryeministri Edi Rama, më 29.10.2017.

Projekti i Rrugës së Arbërit, Rama: Do ta lidhim me Maqedoninë

Rruga e Arbërit do të kushtojë 33.6 mld lekë për 72 kilometra dhe nis në periferi të veri-lindjes së Tiranës.
“ Do afrojë Dibrën me Tiranën. Është një rrugë shumë më e shkurtër dhe që do zgjidhë një problem kaq të madh që i ka torturuar prej çerek shekulli dibranët, nga Peshkopia në Klos, Burrel e Bulqizë. Brenda 3 viteve do jetë realitet. Rruga nuk është thjeshtë rrugë do lidhë një zonë me një zonë por është zhvillim strategjik për ekonominë, punësimin dhe padyshim për turizmin që do sjellë shumë zhvillim e punësimin në këtë zone”, ka deklaruar kryeministri Rama.
Por Rruga e Arbërit synon të krijojë një korridor ekonomik edhe me Maqedoninë, nëpërmjet Dibrës së Madhe.
“Në takimin me Kryeministrin e Maqedonisë, në tetor 2017, u dakordësuam për të realizuar në Pogradec një mbledhje qeverie, ku do vendosim domosdoshmërinë që edhe pala maqedonase ta kompletojë rrugën në krahun tjetër që përmes Dibrës, porti Durrësit dhe zona të tjera, të mund të aksesohen më shpejt”, është shprehur Kryeministri.
Duke e veçuar si një projekt madhor këtë aks, Kryeministri Edi Rama deklaroi më 8 Maj 2018 nga Lezha se “puna në këtë kantier do të fillojë dhe nuk do të ndalet më, deri kur të ketë përfunduar aksi strategjik i asaj rruge”.

250 milionë euro për 46 muaj, qeveria ka miratuar kontratën për Rrugën e Arbërit

Kontrata për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbërit, e firmosur në 5 shkurt 2018 midis ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanisë Gjoka.sh.a. është miratuar nga qeveria shqiptare në mbledhjen e Këshilliot të Ministrave të datës 28 Mars 2018.
Kontrata “Për Përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbërit” ështe e tipit koncensionar.
Kontrata në fjalë ishte firmosur në muajin Shkurt të këtij viti mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanisë “Gjoka sh.a”, por që kjo ishte e zbatueshme duhej të merrte miratimin e qeverisë.
Sipas kontratës, Rruga e Arbërit do të kushtojë 240 milionë euro dhe shteti do të marrë përsipër të likujdojë kontraktorin brenda një periudhe 13 vjeçare. Kontraktori do të marrë përsipër të ndërtojë rrugën në fillim me shpenzimet e tij dhe mirëmbajtjen e kësaj rruge gjatë gjithë periudhës së koncesionit”.
Kontrata e koncesionit, me objekt përmirësim, ndërtim, operim dhe mirëmbajtje, u firmos nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë Gentian Keri dhe Presidenti i kompanisë “Gjoka Konstruksion”, Rrok Gjoka.
Sipas ofertës së propozuar nga kompania “Gjoka Konstruksion”, rruga do të kushtojë 33.6 miliardë lekë, ose rreth 250 milionë euro dhe ndërtimi i saj do të zgjasë 46 muaj.
Vepra do të financohet përmes një skemë të përbashkët mes kompanisë private dhe buxhetit të shtetit. Më saktësisht, kompania do të financojë rreth 190 milionë euro nga paratë e veta, ndërkohë që shteti do të paguajë 60 milionë euro të tjera nga buxheti, gjatë periudhës së ndërtimit.
Pasi të ketë përfunduar plotësisht ndërtimin, kompania do të paguhet me këste nga buxheti për një periudhë që mund të shkojë deri në 15 vjet, sipas programit 1 miliardë euro të rindërtimit që është lançuar nga Qeveria.
Aktualisht Rruga e Arbrit ka përfunduar plotësisht në 20.1 kilometër, ndërkohë që 15 kilometra të tjerë janë ndërtuar pjesërisht.
Kompania private ka propozuar një variant, sipas të cilit gjatësia totale e rrugës është 69 kilometër dhe përfshin një tunel. Veç kostove të ndërtimit, në ofertë kompania ka marrë përsipër edhe mirëmbajtjen e rrugës dhe tunelit për një periudhë 10-vjeçare pas ndërtimit.

S'KA KOMENTE