Shoqata Bulqiza, Homazhe për 7 anëtarët e familjes Shaba të Dragunit, të masakruar nga serbët, në mbrojtje të atdheut

514

Qindra banorë të Bulqizës janë mbledhur pranë vendit të mirë të Teqes së Shabës në fshatin Dragu të Njësisë Administrative Fushë-Bulqizë për kujtimin e shtatë anëtarëve të familjes “Shaba” të cilët në mbrojtje të Atdheut u masakruan nga ushtarët serbë para 100 vitesh pasi nuk pranuan të dorëzonin armët dhe ushtarët serbë i varën në qarrin në oborr të kullës Sulë Shabën dhe djemtë e tij.
Në këtë aktivitet morën pjesë shumë kandiltarë të zonës së Bulqizës. Fjalën e hapjes e mbajti z.Hasan Lami, banor i këtij fshati, ish mësues, i cili në fjalën e tij tha se kjo është një ditë e shënuar për mbarë popullin e Bulqizësdhe të fshatrave të tjerë të Dibrës sepse ka qenë një histori e mbetur në harresë për shumë vite nga regjimi diktatorial komunist.Duhet falenderuar me këtë rast përfaqsues të Shoqatës Bulqiza dhe personalisht z.Agron Tançi i cili ka mbështetur këtë organizim përkujtimor.Këtu në Kullën e Shabës janë masakruar një familje e tërë, babai bashkë me djemtë e tij.Serbët kishin ardhë si pushtues në këto vise dhe kur ata shohin nga larg dritë në katin e tretë të kësaj kulle menduan se këtu po organizohet rezistenca e popullit dhe ata vijnë për të kontrolluar kullën, por Sula nuk i pranoi të futen brënda natën.Ata në mëngjez e kontrolluan kullën dhe gjetën disa armë në grazhdin e kalit. Komandanti serb vendosi që ti varë meshkujt e kësaj familje. Më parë vari djemtë dhe në fund varën edhe Sulë Shabën duke i lanë të varur tre ditë në brezat e tyre të kuq. Trashëgimtarë të kësaj familje janë “Skukët” që jetojnë në trojet e tyre. Isuf Skuka ka qenë trashëgimtarë i kësaj familje, por edhe Muharrem Hani është stërnip i kësaj familje pasi Fejzulla Hani ka qenë nip i Sulë Shabës. Kjo histori po kujtohet nga të rinjtë e këtij fisi të cilët i përgëzoj për këtë organizim përkujtimor.
Në ceremoni foli z.Agron Tançi, si nismëtar i këtij eventi. Në fjalën e tij ai tha se ushtria serbe që masakroi familjen “Shaba” vrau edhe shumë banorë të zonës prandaj ju premtoj se në të ardhmen do të rikujtojmë edhe histori të tjera të Bulqizës.
Znj.Sheqere Skuka Kola në përshëndetjen e saj drejtuar pjesmarrësve tha se i falenderon për ardhjen në këtë aktivitet të të masakrës së familjes “Shaba”që u varën nga serbët siç e njeh dhe historia. Edhe unë jam shumë krenare që jam bijë që kam lindur në Kullën e Shabës dhe që “Skukët” erdhën në mënyrë hyjnore në këto troje nga ëndrat që panë.
U zbulua pllaka përkujtimore e vendosur pranë teqes ku janë shënuar emrat e personave të familjes “shaba” që u masakruan nga serbët.
Më pas ceremonia vazhdoj me lahi tradicionale që u kënduan nga Zenel Gjoka e Saba Çupi.Rapsodi Agim Huna gjithashtu këndoi me çifteli kengë patriotike “Kulla e Shabës” që në tekst përmban historinë e kësaj ngjarje.I gjithë aktiviteti u regjistrua nga kameramani Sadik Nelhani për të hyrë në kujtesën e historisë së Bulqizës.

 

MASAKRA E SERBËVE NË DRAGU

Nga Bashkim LAMI

Në kohën kur Dibra ishte e pushtuar nga Serbia, një kompani e ushtrisë serbe kishin përforcuar pozicionet e tyre në Fushë-Bulqizë deri afër fshatit Dragu dhe synonin të kapnin Qafën e Buallit (Lutfi Hanku – Romani “Loti rebel” botim i vitit 2012).Serbët shumë forca organizojnë një sulm të befasishëm për të marrë Kullën e Shabës. Aty rrethuan kullën e Sulë Shabës me gjithë fëmijët e tij. Serbët kishin informacion se nw kullw ndodhej Shehvajca e trima tw tjerw tw qwndresws bulqizakwve.Shehvajca ishte gruaja me sahat siç i thonin në Bulqizë, që kishte influencë në të gjithë Bulqizën.Ajo ishte gruaja e ve e Sheh Myslimit, i biri i Sheh Fejzës. Serbët donin ta marrin ″plakën me sahat″, për ta pasur peng, që të nënshtrojnë Vajkalin (Bashkim Lami -Qëndresa e bulqizakëve në luftrat për liri me 1912-1921 fq.134-137
Serbët i kërkojnë Sulë Shabës që të tregojë, ku është fshehur Shehvajca, por ai nuk pranoi as nga torturat çnjerëzore.
Komandanti serb i çuditur nga qëndresa e Sulës dhe e djemve të tij, dha urdhër për varjen e tyre në lisin që ishte në oborrin e kullës.
Lajmi i zi për varjen nga serbët në litar të dragunarëve Sulë Rrahman Shaba (babai), Osman Sulë Shaba,Adem Sulë Shaba,Ali Sulë Shaba, Hysen Sulë Shaba , Zenel Sulë Shaba, e Rrahman Sulë Shaba (djemtë), i zemroi shumë të gjithë krahinën. Luftëtarët e Vajkalit dhe gjithë Bulqizës, duhej me doemos të sulmonin serbët që ishin vendosur tek Ura Qytetit. Çeta e Bulqizës, e udhëhequr nga Mehmet Duriçi organizon goditjen e rrufeshme të karakollit serb, ku arritën të vrasin e plagosin disa serbë duke i detyruar të tërhiqen në drejtim të Zerqanit. Luftëtarët bulqizakë pasi ra natamorën armët e municionet që gjetën aty. Të nesërmen Mehmeti hapi lajmin për marrjen e gjakut të Shabëve, në gjithë Bulqizën.
Heroizmi i qëndresës së familjes ″Shaba″ të Dragunit, ka mbetur në historinë e luftrave të popullit të Bulqizës e Dibrës, si akt i pashembullt i atdhetarisë. Sulë Shaba(babai), Osman Shaba,Adem Shaba Ali Shaba, Hysen Shaba, Zenel Shaba, e Rrahman Shaba (djemtë), janë shpallur dëshmorë të atdheut dhe populli i Bulqizës i nderon ata me respekt e dashuri, për aktin e tyre të trimërisë.

Kulla e Shabës
(Këngë patriotike ).

Heu ç’asht kjo natë, heu ç’asht ky gazep-e,
Heu ç’ka Draguni, që po l’shon tërmet-e,
Mali i Duriçit, po na vjen vigan-e
Mbarë të kanë ardhun, gjithë Bulqiza pranë.

S’durojmë hasmin n’troje t’babës
Flakë po qet’, kjo Kulla e Shabës.
S’durojmë hasmin n’troje t’babës,
Flakë po qet, kjo Kulla e Shabës.

Mor’ qarri i Teqes, sa hije të ka-a,
Pesë vllazën, pesë shqipe, po i mban në krahë.
Po i mba në krahë, more djemt e vetë,
Jo Kulla e Shabës, kurrë s’ka me u tretë.

Ban gajret more Sulë Shaba,
Gjithë Bulqizën i ke, përmbrapa.
Ban gajret more Sulë Shaba,
Gjithë Bulqizën i ke, përmbrapa.

Heu dridhet toka, heu po shkrep moti,
Në Kullën e Shabës, nuk soset baroti.
Me hasmin e vjetër, jo nuk lidhen burrat
Gjaku mbush tokën dhe skuqen gurrat

Kulla e Shabës, tu ka çu zani,
Për Bulqizën, për vatanin.
Kulla e Shabës tu ka çu zani,
Për Bulqizën, për vatanin.

*Kjo këngëpatriotike e Bulqizës është kënduar për herë të parë në Festivalin Folklorik Kombëtar në Berat më 1995 nga rapsodi Defrim Mandri, në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër më 2009 u këndua nga rapsodët bulqizakë Adem & Islam Ceni (vëllezër) dhe së fundi edhe nga rapsodi Agim Huna në Bulqizë.

S'KA KOMENTE