Lugu i Okshtunit

119

Veçoritë fiziko – gjeografike dhe potenciali ekonomik i zonës Çermenikë – Gollobordë – Martanesh

 

Dr. Elvira Bollobani
(Dodoveci)*

Formimi dhe evolucioni morfologjik i këtij lugu, siç është theksuar më lart është bërë pothuajse tërësisht gjatë pozicionit antiklinal të “dritares” tektonike flishore të Krasta – Cukalit në atë Mirdita, kurse kjo e fundit del, gjithashtu, si “dritare” tektonike flishoidale pothuajse në qendër të asaj flishore të Krastës midis grykëderdhjes së përroit të Prodanit dhe Smollikut deri në lartësinë 900 – 1200 m59. Pikërisht kjo veçori karakteristike e këtij lugu, i cili shtrihet ndërmjet strukturash me përbërje litologjike krejt të ndryshme, bën që ai të shënojë njëkohësisht kufirin morfotektonik e morfologjik ndërmjet malësisë së Gollobordë në JL dhe asaj të Martaneshit nga VP. Gjatësia e përgjithshme e këtij lugu midis kanionit të Borovës në jug dhe grykëderdhjes tek Zalli i Bulqizës nga veriu arrin rreth 20 km, kurse pjerrësia e shtratit rreth 20 m/km, duke zotëruar një forcë të madhe gërryese të nxitur, gjithashtu, nga përbërja terrigjene e pjesës dërrmuese të tij. Në raport me strukturën ku ai është modeluar, pra në pozicionin antiklinal të shkëmbinjve flishor të kretak – paleogjenit, lugu nuk përputhet me këtë pozicion të strukturës së tij. Formimi i këtij lugu kryesisht gjatë krahut VL të antiklinalit flishor, duke lënë drejt atij JP një gjerësi rreth 4 km është përcaktuar nga shtrirja VL e pellgut grabenor të Dibrës ku përfshihet rrjeti ujor i Zallit të Bulqizës ku përfundon, gjithashtu, përroi i Okshtunit. Një nga tiparet morfologjike të këtij lugu është fillimi i tij me një kanion, si ai i Borovës, i cili është formuar nga thellimi i përroit me të njëjtin emër tërthor strukturës gëlqerore në një gjatësi rreth 3 km dhe thellësi rreth 300 – 400 m, duke krijuar kontraste morfologjike të theksuara me shtratin e ngushtë të gjarpëruar. Një rol të rëndësishëm në formimin e këtij kanioni ka luajtur në veçanti një shkëputje tërthore e masës gëlqerore, e cila shprehet në lartësinë më të madhe të kreshtës gëlqerore të majës së Zylit (1518 m) se ajo e Borovës (1337 m) në të djathtë të tij. Gjithë pjesa tjetër e këtij lugu, midis grykëdaljes nga kanioni deri tek hapja e gjerë e tij në atë të Zallit të Bulqizës
Përbërja litologjike e njëjtë e strukturës ku është modeluar ky lug dhe pozicioni antiklinal i saj, siç u theksua më lart, pasqyrohet njëkohësisht në tiparet morfologjike të ngjashme për shpatet kufizuese të tij. Kurse shtrati ose fundi i këtij lugu paraqet, gjithashtu, ndryshime të papërfillshme të gjerësisë së tij deri në 20 – 25 m, pavarësisht nga gjarpërimet e dendura të tij. Zgjerimin e vetëm ky lug e pëson në Lubalesh deri në 250 – 300 m piknis në brezin e shkatërrimit tektonik gjatë një shkëputjeje me gjatësi rreth 6 km midis Ostrenit të Madh dhe Lubaleshit. Formimi i këtij lugu në pjesën dërrmuese gjatë nivelit të parë të shkallës strukturore 800 – 1200 m lartësi shprehet, gjithashtu, në rritjen e lartësisë relative të shpateve kufizuese njëherazi me thellimin e shtratit të tij nga 400 – 500 m deri në 500 – 600 m, veçanërisht midis Sebishtit dhe Smollikut. Ky lug humbet tiparet morfologjike dhe si i tillë në një gjatësi rreth 4 km midis Lubaleshit (Kosovec) dhe grykëderdhjes, të cilat lidhen ndryshimet pothuajse pak të dukshme midis fundit dhe shpateve me lartësi relative ndaj tij 100 – 150 m. Në fshatin Çerenec përfundon në Zallin e Bulqizës, ku hapet mbi një kon depozitimi, i cili ka një gjatësi rreth 1 km dhe gjerësi 500 – 600 m, duke ndikuar në shmangien e përroit të Bulqizës nga e majta e rrjedhjes së tij.

Malësia e Martaneshit

Kjo malësi shtrihet në veri të atyre të trajtuara më lart, por veçohet prej tyre me kufij morfologjik e morfotektonik të shprehur që përfaqësohet nga lugu tektonik i Bulqizës dhe ai i Planit të Bardhë në veri, ai i Okshtunit në lindje e JL, fusha e Bizës nga jugu dhe lugu i Linosit në perëndim. Në kuadrin morfotektonik të përgjithshëm kjo malësi shtrihet në pjesën dërrmuese në zonën tektonike Mirdita e cila mbihipën drejt perëndimit dhe jugut mbi atë të Krasta – Cukalit, kryesisht nëpërmjet një brezi flishoidal të jurasikut nga Tërnova në Bizë61. Në përbërjen litologjike të saj mbizotërojnë pothuajse tërësisht shkëmbinjt ultrabazik të masivit të Bulqizës dhe në përmasa të përafërta ato gëlqeror triasik të Valit të Martaneshit dhe në Tërnovë, kurse flishoidet vendosen në trajtën e një brezi tek periferia jugore e lindore e tyre, gjatë kontaktit tektonik mbihipës mbi flishet e “dritares” së Okshtunit62. Me tipare karakteristike paraqitet, gjithashtu ndërtimi strukturor i këtyre shkëmbinjve, ku ato magmatikë kanë një karakter masiv të shprehur, ato gëlqeror formojnë një mbulesë, e cila ruan pozicionin e një strukture antiklinale, kurse flishet, siç është theksuar më lart, formojnë “dritaren” tektonike të Okshtunit e zonës së Krastës në atë të Mirditës duke ruajtur, gjithashtu, pozicionin antiklinal. Theksojmë njëkohësisht se kufizimi prej luginave dhe lugjeve tektonike të kurrizeve malore të kësaj malësie, të tilla si lugina e rrjedhjes së sipërme e lumit Mati në perëndim, ajo e Drinit të Zi me pellgun grabenor të Dibrës nga lindja, të cilët lidhen me lugun e Bulqizës në veri të saj, kanë krijuar kontrastet morfologjike më të theksuara se ato në dy malësitë e tjera të trajtuara më lart. Një ndryshim morfologjik i shprehur në relievin e Martaneshit është gjithashtu, ai midis rrëpirave tektonike kufizuese me kulmin relativisht të butë dhe lehtësisht të valëzuar, veçanërisht tek mali i Dhoksit. Kjo dukuri morfologjike e veçantë, siç do të trajtohet më poshtë, lidhet me faktin se në kulmet e këtyre maleve ruhet një fragment i sipërfaqes erozionale neogjenike, e cila është modeluar nga karstogjeneza në Valin e Martaneshit dhe akullzimi kuaternar, tek masivi ultrabazik i Dhoksit. Në pjesën dërrmuese relievi i kësaj malësie, siç u theksua më lart, përfaqësohet nga blloku malor i Dhoksit dhe ai i Valit të Martaneshit duke u veçuar prerazi prej luginës së linjës së shkëputjes të rrjedhjes së sipërme të lumit Mati, të cilat do të trajtohen veçmas më poshtë.

Blloku malor i Dhoksit

Ky bllok malor shtrihet në lindje të malësisë së Martaneshit, e cila veçohet prej asaj të Gollobordës me lugun antiklinal të Okshtunit dhe atë të Çermenikës nga jugu, kurse lugina e sipërme e Matit e ndan nga Vali i Martaneshit, duke përfaqësuar malin më të lartë të këtyre malësive pas atij të Kallkanit. Trajta tipike e një blloku e këtij mali lidhet me karakterin e tillë të tektonikës së re dhe njëherazi të masivit ultrabazik të Bulqizës, i cili shtrihet deri në 1700 – 2000 m (maja e Dhoksit 2021 m). Më rëndësi morfologjike të dukshme, pas tërthores së Zallit të Bulqizës, paraqitet ajo midis lugut të Batrës dhe atij të Tërnovës, e cila ka diferencuar dukshëm pjesën, VP nga ajo JL të masivit ultrabazik, duke u shprehur tek ndryshimet me vlerë 100 – 150 m midis dy pjesëve të bllokut malor të Dhoksit. Një pjesë e këtyre shkëputjeve janë shfrytëzuar prej rrjedhjeve ujore degët e lumit Mati dhe Drini i Zi, të tillë si përkatësisht përroi i Batrës, i Theknës, i Lenës, i Kazjakut, Përroi i Thatë të cilët kanë formuar njëkohësisht lugjet me të njëjtin emër. Me vlerat e mëdha të ngritjeve tektonike lidhet, gjithashtu, thellësia e përgjithshme e madhe e copëtimit gjatë këtyre lugjeve (300 – 400 m/km2 ), duke krijuar ndryshime morfologjike të theksuara me kulmin lehtësisht të valëzuar të këtij mali në pjesën më të madhe të shtrirjes së tij. Midis këtyre rrëpirave veçohet ajo e shpatit verior gjatë lugut të Bulqizës me një gjatësi rreth 15 km, ndërmjet majës së Lugut (1025 m) në perëndim dhe majës së Shkëmbit (1083 m) nga lindja në nivelin e parë të shkallës strukturore, e cila është formuar gjatë planit të shkëputjes tektonike, duke ruajtur përgjithësisht pjerrësinë fillestare të këtij plani.
Në përmasa dhe tipare morfologjike krejt të ndryshme paraqitet shpati JP i këtij blloku malor, pavarësisht nga origjina dhe përbërja litologjike e njëjtë me atë nga veriu të trajtuar më lart. Ky shpat dallohet, gjithashtu, për vlerat më të mëdha të thellësisë së copëtimit, të cilat lidhen drejtpërdrejtë me tre lugjet tektonike të formuar prej tri degëve të djathta të lumit Mati, si ai i Lenës, Theknës dhe Batrës (Liganës)64. Kreshta monoklinale në përmasa më të mëdha, por me tiparet morfologjike pak të shprehura, është ajo midis lugut të Planit të Bardhë, dhe atij të Batrës, e cila lartësohet doradorës nga 1500 – 2000 m (maja e Dhoksit) në një gjatësi rreth 4 km. Rrëpira tektonike e ballit të kësaj kreshte ruan pothuajse trajtën e një gremine në të gjithë gjatësinë e saj, e cila ka një lartësi relative 350 – 400 m drejtpërdrejtë mbi fundin e lugut të Batrës. Kurse shpati VP i saj paraqitet relativisht më i butë, veçanërisht mbi lartësinë 1400 – 1500 m, duke u njehsuar me kulmin relativisht të butë të kësaj kreshte. Në vazhdimin JL shtrihet kreshta tjetër, ajo ndërmjet lugut të Batrës dhe atij të Theknës me gjerësi dhe lartësi më të vogël nga e para, e cila lartësohet doradorës drejt lindjes nga 1330 m në 1818 m te maja e Gretës. Asimetria strukturore e shpateve, gjithashtu, nuk është e shprehur qartë, sepse balli gjatë shpatit jugor të kësaj kreshte ka një trajtë të shkallëzuar në lartësinë 1100 – 1300 m, mbi të cilën rrëpira e këtij shpati ka një lartësi relative 200 – 500 m, duke marrë trajtën e greminës. Kurse shpina e kësaj kreshte gjatë shpatit verior paraqitet relativisht më butë deri sa përfundon në lugun e Batrës, duke pasur një lartësi relative në rritje gjatë këtij lugu 200 – 400 m njëherazi me thellimin e tij drejt JP. Një pamje pothuajse krejt të ndryshme paraqet relievi i kulmit të kësaj kreshte, i cili ruan një fragment të sipërfaqes erozionale neogjenike në lartësinë 1500 – 1650 m, fusha e Gjatë, duke krijuar një kontrast morfologjik të theksuar veçanërisht me rrëpirën e shpatit jugor. Kreshta e fundit e shpatit JL të bllokut malor të Dhoksit është ajo midis lugut të Theknës dhe atij të Lenës, e cila ka një gjatësi rreth 4 km nga maja e Dranesit (1373 m) deri tek ajo e Koshës (1527 m), duke pasur një lartësi 200 – 300 m më të ulët nga kreshta e lartpërmendur. Lidhur me asimetrinë strukturore të shpateve theksojmë se ajo ruhet vetëm në segmentin lindor midis majës Guri i Meços dhe asaj të Koshës në të cilën balli gjatë shpatit jugor të kësaj kreshte ka një lartësi relative pothuajse drejtpërdrejtë mbi shtratin e lugut të Lenës 300 – 400 m duke ruajtur gati trajtën e një gremine. Një përbërës morfologjik i rëndësishëm i shpatit JP të Dhoksit janë, gjithashtu, lugjet e lartpërmendur të formuar nga degët e djathta të lumit Mati, duke ndjekur përgjithësisht shkëputjet tektonike tërthore, të cilat kanë përcaktuar njëkohësisht përmasat dhe tiparet morfologjike kryesore të tyre.
Lugu i Planit të Bardhë paraqitet me tipare të morfologjike krejt të ndryshme, veçanërisht midis qafës së Buallit (842 m) dhe fshatit me të njëjtin emër, në të cilën spikatë gjerësia 1 – 2 km dhe në formën e koritës. Shkëputja tektonike tërthore e Bulqizës ka krijuar një brez të gjërë shkatërrimi, në të cilin është modeluar ky lug dhe ai me të njëjtin emër, duke ndarë dy masivet ultrabazikë, atë të Balgjait në veri dhe të Dhoksit nga jugu. Pothuajse tek qafa e Buallit ky brez shkatërrimi ngushtohet menjëherë, duke u pasqyruar në reliev me gjerësinë shumë më të vogël të këtij lugu se atij të Bulqizës. Zgjerimi i këtij lugu deri në afro 1 km midis qafës së Buallit dhe Planit të Bardhë është ndikuar njëherazi nga materialet e shumta koluvo – proluvionale të ardhura prej rrëpirave tektonike kufizuese, të cilat në këtë segment të gjatësisë së tij kanë edhe lartësinë relative më të madhe (500 – 600 m). Zgjerimi pak i shprehur i këtij lugu bëhet në dalje të fshatit Plani i Bardhë, i cili lidhet me pykëzimin e molasave tortoniane, midis gëlqerorëve dhe ultrabazikëve të mesozoit tek mbyllja JL e sinklinalit të Matit. Në një gjatësi rreth 1 km lugu ngushtohet menjëherë në masën e gëlqerorëve, duke marrë tiparet morfologjike të një kanioni me thellësi 100 – 150 m dhe gjerësi 20 – 25 m, derisa bashkohet me kanionin e lumit Mati pranë grykës së Shkyzës. Natyrisht, me tipare morfologjike karakteristike paraqitet gjithashtu, lugu i Batrës (Ligonës), i cili dallohet për dy drejtime dhe tipare morfologjike krejt të ndryshme, duke u lidhur ngushtë me dy nivelet e shkallës strukturore ku ai është formuar. Gjatë nivelit të dytë të këtyre shkallëve lugu ka një gjatësi rreth 7 km deri në Krastë (Kotaj) dhe drejtim kryesisht JP, pavarësisht nga një trajtë gjysmërrethore me lugëzim drejt jugut. Në lartësinë 1400 – 1600 m dhe gjatësi afro 3 km, lugu është modeluar nga akujt e kuaternarit deri tek liqeni i Sopeve, duke marrë një karakter poligjenetik (tektoniko – akullnajore) me emrin lugu i Gjatë. Gjithë pjesa tjetër e këtij lugu deri në Krastë, pra në një gjatësi rreth 4 km, thellohet shkallë-shkallë deri në 600 m, duke u karakterizuar nga një asimetri strukturore e theksuar e shpateve, e cila shoqërohet njëkohësisht me ndryshim të tillë të pjerrësisë së tyre. Trajta e greminës dhe lartësia 200 – 300 m më e madhe e rrëpirës së shpatit të djathtë lidhet me formimin e tij gjatë krahut të lartëhedhur, duke krijuar një kontrast morfologjik të theksuar me shpatin e majtë, i cili karakterizohet nga një pjerrësi dhe lartësi shumë më e vogël. Në Kotaj (Krastë) lugu merr drejtim të menjëhershëm nga VP në një gjatësi rreth 5 km, i cili pret pothuajse gjatë kufirit midis dy shkallëve strukturore, duke përbërë njëkohësisht kufirin morfologjik me nivelin e dytë të sektorit të sipërm të këtij lugu. Në jug të lugut të Batrës shtrihet ai i Theknës, i cili në pjesën më të madhe shtrihet gjatë nivelit të parë të shkallës strukturore (afro 6 km) kurse pjesa tjetër (rreth 3 km) në atë të dytin, duke u karakterizuar nga tipare morfologjike krejt të ndryshme prej atij të Batrës. Tipari morfologjik i veçantë i këtij lugu është asimetria strukturore më e theksuar e shpateve se në të gjithë lugjet e tjera, duke u shprehur njëkohësisht në kontrastet e spikatura të relievit të tyre. Krahas asimetrisë një dukuri tjetër morfologjike është, gjithashtu, trajta e shkallëzuar e shpatit të djathtë dhe lartësia relative (200 – 500 m), pjerrësia dhe gjerësia më e madhe e tij se atij nga e majta65. Këto dukuri morfologjike të këtij lugu janë të kushtëzuara nga formimi i shpateve të tij me ndryshime të shprehura të lartëhedhjes së tyre me vlerë 200 – 500 m, pra gati të njëjtë me ndyshimet e lartësive ndërmjet tyre. Në fshatin Gjon ky lug bashkohet me atë të Lenës, i cili përgjithësisht ka tipare morfologjike të ngjashme me atë të Theknës, por dallohet menjëherë për faktin se nga Lena në Gjon (rreth 3 km) ai ka tiparet morfologjike të shprehura të një lugu si ato të lartpërmendur. Këto lugje pas bashkimit në fshatin Gjon formojnë një trung të vetëm i cili bashkohet, gjithashtu, me kanionin e Xixullës pas një distance rreth 2 km, duke përbërë fillimin e luginës së sipërme të lumit Mat, kurse nga JL bashkohen me kurrizin malor Guri i Dejës – Kaptinë të trajtuar më lart te lugu i përroit të Lunikut. Në bllokun malor të Dhoksit një rëndësi të veçantë paraqet, gjithashtu, shpati lindor midis lugut të Kazjakut në VL dhe atij në rrjedhjen e sipërme të përroit të Okshtunit. Lidhur me vlerat e mëdha të thellësisë së copëtimit të relievit gjatë këtij shpati (300 – 400 m/km2 ), theksojmë se ato janë karakteristikë kryesisht për pjesën e ndërtuar nga ultrabazikët, pra mbi 1200 – 1300 m tek pjesa VL deri në Tërnovë dhe mbi 1300 – 1400 m ndërmjet kësaj të fundit dhe Okshtunit të Vogël. Pikërisht gjatë brezit terrigjen të këtij shpati shtrihen tri degët e majta kryesore të përroit të Okshtunit, ku spikatë në veçanti ai i Tërnovës, të cilët kanë formuar lugjet përkatëse, duke i dhënë një trajtë të përthyer relievit të tij. Me ndryshime morfologjike të shprehura paraqitet gjithë pjesa tjetër e rrëpirës së shpatit në segmentin me drejtim lindor i cili ka një gjatësi rreth 8 km midis Tërnovës dhe Okshtunit të Vogël, duke përfunduar në lugun e rrjedhjes së sipërme të përroit të Okshtunit. Rrjeti i dendur i degëve nga e majta e përroit të Okshtunit, veçanërisht ai i Tërnovës dhe i Plepës, kanë përcaktuar vlerat e mëdha të dendësisë së copëtimit të relievit (3 – 4 km/km2 ) dhe vlera mesatare deri në të mëdha të thellësisë së këtij copëtimi (300 – 500 m/km2 ). Në veçanti dy lugjet kryesore me tipare morfologjike karakteristike, pra ai i Tërnovës dhe Plepës kanë përcaktuar njëkohësisht karakterin tepër të përthyer të relievit gjatë këtij shpati. Ujëndarësit midis tyre kanë marrë tiparet morfologjike të kreshtave monoklinale, midis të cilave spikatë ajo e Gollobicës (1402 m) dhe majës së Livadhit (1645 m), pavarësisht nga tiparet krejt të ndryshme të relievit të tyre. Shpati jugor i ballit të kreshtës së Gollobicës, i cili formohet midis gjysmërrethit të ndërprerjes së lugut të Okshtunit me atë të Tërnovës, ka trajtën tipike të një trekëndëshi me lartësi relative 600 – 800 m. Në një gjerësi 3 – 4 km midis Tërnovës dhe Smollikut, ky shpat paraqitet pothuajse krejtësisht i zhveshur në të cilin janë krijuar një seri vatrash të erozionit, duke marrë një pamje tepër të degraduar. Kurse shpati verior i shpinës së kësaj kreshte dallohet për një reliev krejt të ndryshëm, i cili lidhet me vlerën mesatare të thellësisë së copëtimit (250 – 300 m/km2 ) nga përroi i Strikçanit dhe pjesërisht ai i Sopotit. Kuadri morfologjik i kulmit të bllokut malor të Dhoksit mbi lartësinë 1700 – 1800 m, i cili krijon kontraste morfologjike të theksuara me rrëpirat tektonike kufizuese të lartpërmendura, është i lidhur ngushtë me shtrirjen e tij mbi bazat lokale të erozionit në rrjedhjet e sipërme të rrjetit ujor modelues të tij. Ky rrjetë ujor piknis në pjesën më të madhe të tij prej fundit të cirqeve akullnajore gjatë shpateve kufizuese, në të cilët ka arritur erozioni regresiv i këtij rrjeti, duke mos arritur të kapë sipërfaqen erozionale të këtij blloku malor66. Ngushtimi më i theksuar i kësaj sipërfaqeje është bërë midis lugut të Batrës dhe atij të Tërnovës, i cili lidhet me përparimin e erozionit regresiv të përrenjve me të njëjtin emër, duke arritur pranë kulmit ndërmjet majës së Gretës dhe asaj të Vervjakut me lartësi 1700 – 1800 m. Pjesa më e madhe e sipërfaqes erozionale shtrihet në veri të këtyre lugjeve pra rreth 18 km2 , lidhur me lartësinë më të madhe (100 – 150 m) se ajo në jug të tyre (rreth 9 km2 ). Pikërisht në pjesën veriore, falë lartësisë dhe kushteve topografike të përshtatshme të sipërfaqes erozionale, shtrihet numri më i madh i cirqeve me përmasa deri në ato komplekse, duke i shtuar njëherazi praninë e të gjithë liqeneve akullnajore të bllokut malor të Dhoksit. Shpatet kufizuese të cirqeve kanë një lartësi mbi fundin e tyre dhe të nivelit të liqeneve 150 – 200 m, duke i dhënë sipërfaqes erozionale në trajtë lehtësisht të valëzuar në shtrirje në të cilën shtrihen disa maja të buta si mbetje të erozionit akullnajor. Në cirkun kompleks të shpatit verior e JL të majës së Lopës dhe asaj të Dhoksit shtrihet numri më i madh i liqeneve (7 liqene), kurse dy liqenet më të mëdha, pra liqeni i Zi dhe ai i Sopeve, së bashku me tre të tjerët të vegjël shtrihen pothuajse në qendër të bllokut malor të Dhoksit67. Gjithë sektori jugor midis majës së Vervjakut dhe asaj të Kaptinës me një gjatësi rreth 8 km, e cila shtrihet në pjesën më të madhe deri në 1600 – 1700 m lartësi, sipërfaqja erozionale është zvogëluar deri në 9 km2 , veçanërisht nga ana lindore falë shtrirjes së gjerë të shkëmbinjve terrrigjen. Nga trajtimi i relievit të këtij blloku malor shprehet qartë lidhja e ngushtë midis strukturës bllokore dhe karakterit masiv të shkëmbinjve ultrabazik në zhvillimin morfogjenetik të veprimtarisë lumore dhe asaj akullnajore falë lartësisë dhe ruajtjes së sipërfaqes erozionale neogjenike duke përcaktuar mbizotërimin e tipit gjenetik të relievit përkatës menjëherë pas atij strukturor.

(vijon nr. e ardhshëm)
*Disertacion i përgatitur në kërkim të gradës shkencore “DOKTOR” – Tema e Disertacionit: “Veçoritë fiziko –gjeografike dhe potenciali ekonomik i zonësÇermenikë – Gollobordë – Martanesh”

S'KA KOMENTE