Rrugëtimi i Mikel Alliut në sportin e boksit dhe të kikboksit

325

Nga Edison Balla

Mikel Alliu, ka lindur më 3 tetor të vitit 1994, në qytetin e Bulqizës. Shkollën fillore dhe atë të Mesme i ka kryer në vendlindjen e tij. Ashtu si edhe pjesa më e madhe e të rinjve të këtij vendi, Mikeli është rritur në një familje të thjeshtë dhe punëtore, që përditë sakrifikojnë e punojnë fort për t’ia dalë ndershmërisht.
Për të gjithë ata që e njohin Kelin nga afër, e dinë mirë se boksi nuk ishte një zgjedhje e rastësishme për të, dhe aspak e pamenduar. Në këtë kontekst, Keli që para shumë vitesh shikohej si natyrë e predispozuar për të qenë një boksier i talentuar në të ardhmen. Dhe kjo mesa duket, nuk vonoi shumë.
Keli, tashmë do të ishte një nga “të rekrutuarit” që dyshja e kampionëve të boksit, Ismail dhe Gjetan Keta, që ndër shumë të rinj të tjerë bulqizakë dhe jo vetëm, do ta stërvisnin për ta kthyer në një model për sportistët e rinj.
E kur flet me Kelin për rrugëtimin e tij në sportin e Boksit dhe atë të Kikboksit, emri i parë që dëgjon nga goja e tij, e thënë me shumë me krenari dhe mirënjohje, është padyshim falenderimi i përzemërt që ai ka për “Dinastinë Keta”, dhe Akademinë që ata drejtojnë.
Duke dashur të kthehemi tek fokusi i këtij artikulli, pra tek përvoja dhe suksesi tashmë 3-vjeçar i Kelit në sportin e boksit, duhet thënë që ai deri më tani edhe pse një periudhë kohore modeste, ka realizuar plot 15 ndeshje boksi. Ndeshje të cilat, rezultojnë me një bilanc tejet brilant. Pra nga 15 ndeshjet, Keli ka arritur plot 13 fitore, 1 barazim që vështirë ta quajme edhe të tillë pasi ndeshja tregoi një dominim teknik e fizik të Kelit, dhe në fund një humbje. E si të mos jesh krenarë për këtë djalë?!
Ndeshja e pare e Kelit në ring, do të mbahet mend gjatë pasi edhe ai nuk heziton të na tregojë ato momente. Ndeshja e parë, përveç peshës që kishte mbi mua si person, mbarte edhe një tjetër peshë akoma më të rëndë sa morale aq edhe patriotike.
Për herë të parë, do të ndeshesha me një sportist nga Serbia. Nuk kishte justifikime, as formula, e vetmja gjë që ja vlente në atë ring, ishte fitorja. Dhe në fakt ashtu ndodhi, Keli doli triumfator në atë ndeshje, madje fitoi edhe me nokaut.
Padyshim, ky rezultat spektakolar në karrierën e tij si sportist, nuk ka ardhur ndryshe veçse me punë të vazhdueshme, orë të tëra stërvitje, insistim, netë pa gjumë, vullnet të hekurt. Mjafton të përmendim këtu, që ndryshe nga pjesa dërmuese prej nesh, ora 3 e mëngjesit për Kelin, nuk është orar gjumi, por orar stërvitje dhe djersitje.
E në fakt, edhe pse u munduam të themi shumë për Kelin, mesa duket nuk mjaftojnë këto rrjeshta e as ky artikull për të treguar vendosmërinë dhe sakrificat që ai bën çdo ditë, për t’ja dalë mbanë në punën e tij. Boksi, kikboksi apo edhe stërvitja e vazhdueshme nga ana tjetër, nuk janë impenjimet e vetme për të riun nga Bulqiza.
Siç edhe e thotë Keli, sporti është sakrificë, karriera kërkon sforcim. Ndaj, përveç boksit, Keli edhe punon çdo ditë. Ai punon si Security në një Qendër të madhe tregtare në Kryeqytet.
Për të, pushimi tashmë është luks. Cdo ditë, me të mbaruar punën tetë orarshe, ai shpejton drejt Akademisë së vëllezërve Keta “Fitnes & Box Sport Albania”. Në Akademinë e njohur të Vëllezërve Keta, Keli, jep mësime dhe instruksione mbi boksin dhe kikboksin, për moshat e vogla. Sot, ai është pa më të voglin dyshim një shembull i mirë për gjithë frekuentuesit e kësaj Akademie.
Vëllezërit Keta, Ismaili, Gjetani, dhe Feriti janë padyshim mbështetësit dhe stimuluesit më të mëdhenj të Kelit në karrierën e tij modeste si sportist. Dhe për këtë ai nuk harron që në çdo fjali të tijën, të shprehë mirënjohjen dhe falendërimin për këta kampionë të padiskutueshëm, që janë sot një model frymëzimi për çdo të ri anekënd Shqipërisë.
Ndër të tjera, Keli ka edhe ambiciet dhe pritshmëritë e tij për të ardhmen, që nuk heziton t’i ndajë edhe me ne. Dëshira e tij, referuar gjithmonë edhe punës së palodhur që ai bën çdo ditë, është që brenda dy vitesh të jetë në kategorinë e boksierëve profesionistë.
E në fund të këtij artikulli, insistojmë që të marrim edhe një mesazh nga Keli, drejtuar të gjithë të rinjve që e duan sportin, por jo vetëm.
Ndër të tjera ai shprehet…”Sugjeroj gjithë të rinjtë që të angazhohen sa më shumë në sport. Nëse jo për karrierë, le të angazhohen për shëndet. Diçka është e sigurtë! Një njeri që merret me sport, është gjithmonë një njëri i shëndetshëm”

S'KA KOMENTE