Kontrata sekrete , dyshime për pastrimin e 240 milionë eurove me Rrugën e Arbrit

569

“Syri.net”
Pavarësisht se FMN, u deklarua kundër këtij projekti, duke hedhur edhe zyrtarisht dyshime për mënyrën e financimit të kësaj shume gjigante prej 1 miliard eurosh, duket se Rama është i vendosur që ta çojë atë deri në fund.
Opozita dhe mediat që nga shpallja e tij kanë hedhur gjithashtu dyshime dhe indicie të forta, se në fakt kemi të bëjmë me një “lavatriçe parash” gjigante, nëpërmjet së cilës Edi Rama dhe shpura e tij klienteliste do të pastrojë para, jo vetëm ato të kanabisit.
Por përtej këtyre dyshimeve dhe misterit që fsheh, si pasojë e mos transparencës së burimeve zyrtare, kjo skemë koncesionare e shpikur nga Rama, le të kthjellojmë sadopak vetëm çështjen e “Rrugës së Arbrit” dhe sa të justifikueshme ekonomikisht dhe ligjërisht janë ato qindra milion euro, që do të hidhen aty.
Ndërtimi i “Rrugës së Arbrit” në fakt është një projekt i hershëm dhe i domosdoshëm për banorët e Dibrës së Shqipërisë dhe ata në anën tjetër të kufirit, Maqedoni.
Ajo u iniciua dhe u nis nga qeveria Berisha, por pikërisht për koston e lartë dhe mos eficensën e shpejtë ekonomike të investimit, u la pa përfunduar. Edi Rama e kishte premtuar në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2013 mbylljen e segmentit të mbetur, por për katër vite dështoi.
Fillimisht ai hyri në negociata dhe arriti më pas një marrëveshje në parim me kompaninë kineze “China State Construction”. Kjo kompani është një gjigant global, në fushën e ndërtimit të veprave publike, e treta më e madhe në botë që mbështetet me financim, nga buxheti i një superfuqie ekonomike si ai i qeverisë kineze.
Por edhe pse bëhej fjalë për një gjigant të këtyre përmasave, kompania kineze papritur u tërhoq pasi siç u dekonspirua në media, sekserë familjarë të Ramës tentuan të impononin disa kushte të papranueshme për kompaninë, të cilat detyruan edhe vetë qeverinë kineze të anulonte financimin.
Ndërkohë gjatë vitit 2016 mori jetë, projekti i kanabisimit të Shqipërisë, i cili u finalizua në vitin 2017 me një ekspansion historik droge, nga vendi ynë drejt Europës. Por duket se jo vetëm paratë e zeza të kanabisit janë tagri, që e kanë piketuar Shqipërinë në një parajsë të pastrimit të financave me burim të jashtëligjshëm. Mjafton të lexosh raportin e fundit të Departamentit të Shtetit dhe të kuptosh, se për çfarë bëhet fjalë.
Kjo periudhë përkon edhe me shpalljen nga Edi Rama të projektit, “1 miliard euro investime”, nëpërmjet PPP në infrastrukturë. FMN kërkoi zyrtarisht shpjegime dhe detaje për këtë skemë të dyshimtë, por kryeministri bëri sikur nuk dëgjoi nga ai vesh dhe eci përpara. Kështu tërheqja e kompanisë kineze shërbeu për nisjen e operacionit, me operatorë vendas.
Qeveria mori vitin e shkuar një “propozim të pakërkuar” (vetë-ofrim) nga firma e ndërtimit “Gjoka Konstruksion” me pronar Rok Gjokën.
Kjo kompani “vetë-ofrohej”për të ndërtuar 26 kilometrat e mbetur të rrugës, përfshirë tunelin e Qafë Murrizit dhe Urës se Vashës, si dhe për të përfunduar rreth 15 kilometra që janë të ndërtuar pjesërisht (duhet theksuar se 20 kilometra të rrugës, janë përfunduar plotësisht nga qeveria Berisha). Tani që çdo gjë është mbyllur me firmosjen e kontratës sot, zyrtarisht zbulohet se për çfarë bëhet fjalë.
Kostoja totale e projektit, do të jetë 240 milionë euro. Koncesioni do të jetë i shtrirë në 13 vite. Gjoka merr përsipër, që ta mbyllë projektin brenda tre viteve dhe në 10-vjeçarin tjetër, do ta shfrytëzojë rrugën duke vendosur pagesë (Tarifa e kalimit 4 euro), duke garantuar edhe mirëmbajtjen e saj. Skema e financimit do të jetë: 180 milion euro nga kompania dhe 60 milion nga qeveria.
Nëse rikthehemi te projekti që pranoi fillimisht kompania kineze, por që më pas e anuloi, zbulojmë se “çuditërisht”, Rrok Gjoka, është future në këtë biznes edhe në kushte më të këqija se çfarë ofronte gjiganti “China State Construction”. Projekti i firmës shqiptare rezulton rreth 100 milionë euro më i shtrenjtë, se ai që u propozua ( 22 miliard lekë, ose rreth 140 ml euro) nga kinezët.
Pra firma e Rrok Gjokës që nuk futet as në dhjetëshen e kompanive më të mëdha shqiptare, na del shumë herë më “e fuqishme” se ajo kineze, që është e treta në botë në këtë fushë dhe ka nga mbrapa buxhetin e një shteti si Kina!
Ku do ti gjejë Rrok Gjoka, nga do dalin 180 milion euro, për tu investuar në një periudhë kaq të shkurtër? Por edhe sikur Gjoka ti kishte këto para, me çfarë logjike ekonomike i futet këtij biznesi?
Sipas ekspertëve të fushës është e pamundur, që kompania të nxjerrë koston e këtij investimi gjigant në 13 vite, vetëm nga tarifa e kalimit prej 4 euro( Në fakt janë vetëm 10, sepse 3 vite do të vazhdojnë punimet, por le ta llogarisim me 13).
Duke mos llogaritur fare fitim, por vetëm për të kthyer mbrapsht shumën 180 milion euro, do të duhej që në këtë hark kohor në këtë aks rrugor, të realizoheshin rreth 45 milion kalime! E thënë më “fshatçe”, Rrok Gjoka e paska të “sigurt” që edhe pse ka një tarifë të lartë prej 4 euro vetëm për një kalim, dibranët nga të dy anët e kufirit do të kalojnë në rrugën e tij, 3.5 milion herë në vit; ose rreth 300 mijë herë në muaj; ose 10 mijë herë në ditë!
Këtë fluks nuk e kap dot, as superstrada Tiranë-Durrës në fundjavë dhe gjatë sezonit të verës madje.
Por nëse është kështu, nga do të dalin paratë?
Ka vetëm dy rrugë:
“Gjoka Konstruksion” e ka rritur artificialisht koston e rrugës dhe përveç kësaj ka ndërmend, që të abuzojë me cilësinë e ndërtimit, një gjë normale për kompanitë shqiptare që janë rritur me “punë shteti”;
Ose, nuk i intereson fare kthimi mbrapsht i 180 milion eurove dhe as fitimi, sepse bëhet fjalë thjesht për fazën e parë të futjes në funksion të lavatriçes së Edi Ramës, duke nisur tashmë ligjërisht pastrimin e 1 miliardshit të parë.

S'KA KOMENTE