250 milionë euro për 46 muaj, qeveria miraton kontratën për Rrugën e Arbërit

406

Qeveria ka miratuar kontratën për Rrugën e Arbrit. Kontrata e firmosur në shkurt mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanisë Gjoka sh.a. “Për Përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit”, u miratua në mbledhjen e Këshillit të Ministrave më 28 Mars 2018.
“Jemi shumë të bindur që shoqëria, nga diskutimet dhe ato çka na prezantoi gjatë negociatave të kontratës, i ka marrë të gjitha masat që brenda afateve të përcaktuara në kontratë, pra brenda këtij viti, do të realizohet pjesa e financimit dhe fillimi i punimeve të rrugës. Është një nga veprat e rëndësishme, një lajm shumë i mirë për qytetarët shqiptarë por mbi të gjitha për qytetarët dibranë, të cilët prej shumë vitesh e kanë pritur këtë rrugë”, është shprehur ministri i MIE-së, Damian Gjiknuri, pas firmosjes së kontratës në 5 shkurt të këtij viti.
Sipas tij, kemi të bëjmë me një vepër të vështirë, një vepër të rëndësishme, por që do të jetë nga pikëpamja inxhinierike një nga veprat më të realizuara në Shqipëri.
Kontrata në fjalë ishte firmosur në muajin Shkurt të këtij viti mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanisë “Gjoka sh.a”, por që kjo ishte e zbatueshme duhej të merrte miratimin e qeverisë.
Kontrata e koncesionit ka objekt “Përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit” dhe u firmos atëherë nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë z.Gentian Keri dhe Presidenti i kompanisë “Gjoka Konstruksion” z.Rrok Gjoka.
Kontrata në fjalë ishte firmosur në muajin Shkurt të këtij viti mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanisë “Gjoka sh.a”, por që kjo ishte e zbatueshme duhej të merrte miratimin e qeverisë.
Sipas ofertës së propozuar nga kompania “Gjoka Konstruksion”, rruga do të kushtojë 33.6 miliardë lekë, ose rreth 250 milionë euro dhe ndërtimi i saj do të zgjasë 46 muaj.
Vepra do të financohet përmes një skemë të përbashkët mes kompanisë private dhe buxhetit të shtetit. Më saktësisht, kompania do të financojë rreth 190 milionë euro nga paratë e veta, ndërkohë që shteti do të paguajë 60 milionë euro të tjera nga buxheti, gjatë periudhës së ndërtimit.
Pasi të ketë përfunduar plotësisht ndërtimin, kompania do të paguhet me këste nga buxheti për një periudhë që mund të shkojë deri në 15 vjet, sipas programit 1 miliardë euro të rindërtimit që është lançuar nga Qeveria.
Aktualisht Rruga e Arbrit ka përfunduar plotësisht në 20.1 kilometër, ndërkohë që 15 kilometra të tjerë janë ndërtuar pjesërisht.
Kompania private ka propozuar një variant, sipas të cilit gjatësia totale e rrugës është 69 kilometër dhe përfshin një tunel. Veç kostove të ndërtimit, në ofertë kompania ka marrë përsipër edhe mirëmbajtjen e rrugës dhe tunelit për një periudhë 10-vjeçare pas ndërtimit.

Rruga e Arbërit çel programin 1 miliard për rindërtim

Me nisjen e punimeve të rrugës së Arbërit, që do të lidhë Tiranën me Dibrën në Maqedoni, qeveria çel programi “1 miliard” për rindërtim dhe hap një faqe të re në rivitalizimin e infrastrukturës rrugore të vendit, të cilën komuniteti e vuan ende.
Shpallja e shoqërisë “Gjoka Konstruksion” fituese e konçesionit për ndërtimin e rrugës së Arbrit, dhe miratimi nga qeveria i kontratës me të shënon finalizimin e një procesi të stërzgjatur në vite, të premtuar nga shumë qeveri të mëparshme, por që nuk u bë dot realitet.

Projekti i Rrugës së Arbrit
Gjurma të cilën do të përshkojë ndërtimi i rrugës së Arbrit, nis në lindje të qytetit të Tiranës, në anë të malit të Dajtit, vijon në Qafëmollë, Shëngjergj, Burrel, Klos, Bulqizë, Peshkopi dhe Dibër e Madhe (Maqedoni) që gjendet 5 km larg kufirit shqiptar.
Në këtë segment rrugor parashikohet ndërtimi i 15 urave të mesme dhe të mëdha, me gjatësi totale rreth 1500 m, ndërtimi i dy tuneleve, me gjatësi respektive prej 2600 dhe 560 m. Zbatimi i projektit për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit do të ketë impakt pozitiv, ekonomik, social dhe kulturor, duke shkurtuar distancat lidhëse të qyteteve dhe zonave të banuara si dhe do të realizojë standarde të larta teknike në të gjitha fazat e projektit.
Ky projekt do të rritë jo vetëm standardet e rrugëve në vend, por gjithashtu do të sjellë nxitjen e punësimit dhe zhvillimin ekonomik në zonat përreth.
Po ashtu, ky segment rrugor do të rrisë bashkëpunimin me Maqedoninë, duke bërë të mundur shkurtimin e gjatësisë me këtë vend me 75 km. Ndërtimi i Rrugës së Arbrit shkurton në mënyrë të ndjeshme distancat e transportit që lidhin Tiranën dhe Portin e Durrësit me Dibrën, Peshkopinë, Matin dhe Shkupin.

S'KA KOMENTE