STINA E PROTESTAVE

164

Nga Edmond Isaku

 

Tuneli nga burojnë mesazhet…

Qytetarët e thjeshtë kuksianë dhe më gjerë, të cilët protestuan paqësisht duke ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese, nuk ishin atje si militantë të një force politike por si qytetarë që në çdo demokraci kanë të drejtë të shprehin pakënaqësitë e tyre. Protesta, cilado qoftë forma e saj, e qetë apo revoltë, paçka se dhuna asnjëherë nuk është zgjidhja më e mirë, mbetet një reagim qytetar dhe një akt normal i demokracisë për të shprehur një kundërshti të fortë që ka impakt publik. Halli i përbashkët i bashkon kategori sociale të një komuniteti duke krijuar axhendë, aksion më tepër informal, voluntarist se sa i organizuar dhe i formalizuar.

Natyrisht opozita është në të drejtën e saj të strukturojë këtë qëndrim publik dhe ta kthejë në kauzë të saj. Natyrisht shkëndija e fuqishme që ndizet vetiu nga publiku, për opozitën është një bonus për të mbivendosur dhe kujtuar të gjithë oponencën e bërë më parë dhe qëndrimet e shtrira në lufën e saj opozitare. Është e natyrshme bashkangjitja e opozitës së bashkuar me protestuesit qytetarë. Të vërtetat e luftës opozitare kanë një arësye të fortë për të denoncuar dhe sjellë në vëmendje të publikut problematikat e rëndësishme të afishuara mbi keq-qeverisjen.
Perceptimi i luftës opozitare si unifikim dhe bashkim qëndrimesh me shoqërinë civile tregon rritje të opozitës dhe rënie të mazhorancës që nuk përligj optimizëm mbi të ardhmen e saj. Qytetarët e Kukësit nuk duan që protesta të përdoret politikisht por vetiu opozita do të marrë rol pasi është në misionin e saj. Tarifa e lartë e vendosur nga Qeveria Shqiptare për “Rrugën e Kombit” kundërshtohet edhe nga qytetarë të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës në një intervistë në “Top Channel” tha se ne kemi diskutuar për të vendosur një doganë të përbashkët dhe është jashtë logjike vendosja e një tarife kaq të lartë. Haradinaj tha se me vendosjen e kësaj takse është më lehtë të shkosh në Selanik. “Së pari nuk është pak që e kemi. Po mos ta kishim do të ishte edhe më keq. Është buxhet i madh i Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo ka qenë një arritje. Mora vesh për tarifat, dhe mendoj që janë të larta. Në zonat që atje janë të varfëra, rëndojnë shumë mbi xhepat e tyre. Njëkohësisht edhe për kosovarët të cilët vijnë shpesh dhe e pëlqejnë të vijnë në Shqipëri. Është e pa kuptueshme për një kamion të paguajë 25 euro dhe 25 skaner shkon 75 euro mbi transportuesin. I bie që të shkosh në Selanik është më lirë, se me ardhë deri në Durrës. Kështu thonë këta sipërmarrësit, transportuesit që shfrytëzojnë portin e Durrësit. Kur ndërtimi është i kushtueshëm, nuk mundet që publiku të paguajë edhe mirëmbajtjen. Nuk është një sinjal i mirë. Shtetet dhe popujt bëjnë lehtësira për të marrë paren e tyre. Nuk kemi pasur dijeni, por nëse do ta diskutonim ne si qeveri mund të jepnim nga buxheti ynë një shumë për të lehtësuar qytetarët”, tha Haradinaj. Ndërsa ish-Presidenti Bujar Nishani duke folur mbi protestat e banorëve të Kukësit i konsideron ato si një simbolikë të fortë të revoltës popullore. “Revoltë si reagim për padrejtësinë ndaj të drejtave të qytetarëve.

Protestat si simbolikë e varfërisë

Si reagim ndaj korrupsionit që po varfëron çdo ditë e më shumë familjet shqiptare. Si reagim ndaj fyerjes perverse që megallomania e madhështisë virtuale ju adreson dinjitetit të qytetarëve. Si reagim ndaj prespektivës kërcënuese të jetës së fëmijëve të shqiptarëve. Reagim ndaj disproporcionalitetit taksa-të ardhura, detyrime-shërbime, resurse-administrim, përgjegjësi-të drejta. Reagim ndaj diskriminimit ! Protesta e zjarrtë e banorëve të Kukësit është indikatori më i saktë se çfarë mendojnë sot qytetarët shqiptarë…”. Ky reagim nuk ka vetëm karakter ekonomik por në kontekstin e gjërë ai merr karakter politik, pasi prek drejtpërdrejt konseguenca qeverisëse, konseguenca programore, konseguenca sociale dhe pse jo dhe ato me sensibilitet kombëtare. Protestat në kukës nuk qenë thjeshtë një lëvizje lokale, nuk ishte një duf anti-bisnes. Reagimi i tyre padyshim ishte politik ! Politika nuk është vetëm një konotacion partiak. Politikë është e nderfutur në çdo dimension të jetës sonë. Sjelljet brutale ndaj qytetarëve dhe dimensionit shoqëror cënojnë raporte shoqërore dhe politike. Opozita e ka për detyrë dhe mision që ta mbështese këtë reagim dhe protestë qytetare dhe të vihet në krye të saj. Një reagim i suksesëshëm publik realizohet vetëm nga struktura politike siç janë partitë politike apo koalicionet e fuqishme të strukturuara dhe të organizuara. Shoqëria civile në vendin tonë dihet që funksionon dobët dhe është jokredibël. Opozita duhet të solidarizohet dhe të mbështesë me të drejtë ata që janë burgosur për protestë dhe t’I garantojë ata në të ardhmen e tyre të denjë. Është një klimë ku bizneset falimentojnë, papunësia rritet, njerëzit marrin emigrimin pa asnji shans per t’u akomoduar duke krijuar një hemorragji sfilitëse, korrupsioni dhe krimi janë instaluar në system si mos më keq dhe sikur të mos mjaftonin këto, shtohet dhe arroganca me fjalime mediokre te qeveritarëve. Qeveria vë taksa për shtëpi, për pusin, për rrugën, për pemët, duke na kërcënuar. Kuksianët reaguan fuqishëm. Ndoshta këtë s’e kish llogaritur mirë qeveria. Ndaj doli ndjesa publike, duke përfituar kohë taktikisht. Mosbindja civile e opozitës zgjat 2 orë, digjen goma në Milot bllokohen rrugë dhe digjen goma. Natën furgonët e panumërt të policisë frikësojnë qytetarët. Filluan dhe mediat për fat të keq të tallen me malësorët e ndershëm. Po rata I kanë bërë hesapet e tyre. Nuk duan t’ia dinë. Ata prononcohen drejt përdrejt në media se nuk tërhiqen dhe nuk pajtohen me tarifën e qeverisë. Një marrëdhënie shtet-shtetas e pa denjë për kohët që jetojmë dhe pretendojmë të ndërtojmë demokraci funksionale. A ka ardhur koha të kthejmë sytë nga veriu i vendit, andej nga buron energjia, drita, mineralet lënda pyjore e ujrat e kristalta ! Tragjikomike është presioni i drejtësisë i njehësuar me politikën. E fundja, drejtësi quhet ajo që bën vërtetë drejtësi. Populli kërkon zgjidhje. Gjykimet politike i përkasin të kaluarës, reminishencat përbëjnë kthim mbrapsht. Përballë dhunës së qeverisë, arrogancës së saj, kullave, koncesioneve, inceritorve, pasurimit të pandershëm të klientëve të politikës, hajdutërisë dhe kanabizimit të Shqipërisë po përgatitet protesta e përhapur kudo deri në dorëheqjen e qeverisë. Deputetët e opozitës janë të vendosur të jenë në ballë të protestave. Shqiptarët po rovohen në dinjitetin e tyre, shqiparët po provokohen në dinjitetin e tyre. Pranvera e protestave të mëdha do marrë përpara burokratë e teknokratë të korruptuar dhe era e ndryshimeve po fryn nga Adriatiku drejt maleve të veriut.

Vështirësitë e zonës

Vështirësitë e zonës së Kukësit janë të mëdha.. Kukësi është realisht një rreth i varfër dhe me problem infrastrukturore. Tre muaj të vitit, Kukësi gjendet nën reshjet e dëborës dhe pothuajse i bllokuar për të komunikuar me pjesën tjetër të Shqipërisë apo Kosovës. Kukësi karakterizohet, sipas të dhënave të shoqatës së ndërtuesve, nga pallate dhe ndërtime të vjetra, përmban një koeficient prej rreth 8% të ndërtesave që gëzojnë termoizolim dhe mbulohet në pothuajse 100% nga ngrohja me dru. Kukësi, si pasojë e motit dhe jo vetëm, përfaqëson qarkun me ndërprerjet më të shpeshta të energjisë në raport me totalin e furnizimit vjetor përballë qyteteve të tjera. Kukësi përmban vetëm 35% rrugë të ndërtuara dhe me standarde përballë potencialit dhe arterieve të asfaltit që i nevojiten. Së dyti, duhet të konsiderojmë faktin se pret, apo tërheq, pjesën më të vogël të kapitalit financiar në Shqipëri. krahasuar me qytetet e tjera. Në vitin 2017, sipas INSTAT, në Kukës u regjistrua vetëm 1% e totalit të lejeve të ndërtimit të dhëna në të gjithë republikën. Ndërkohë që veriu i Shqipërisë është rajoni më Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë më të ulët në vend, Kukësi ndodhet në vend të fundit të këtij fundi të paralajmëruar. Në Kukës,të ardhurat vjetore kanë rënë në 318 mijë lekë, ndërkohë që mesatarja e Shqipërisë është rreth 410 mijë lekë për frymë? Edhe shifrat e punësimit, të cilat u publikuan së fundmi nga qeveria tregonin pikërisht se Kukësi ishte i parafundit në Shqipëri kur vinte fjala për punësime të reja me vetëm 47 persona. Kukësi është aq i varfër sa edhe çregjistrimet e bizneseve ishin më të ulëtat në rang vendi sepse aq pak sipërmarrje operojnë atje. Për vitin 2017, Kukësi ka regjistruar numrin më të ulët të bizneseve pasive në Shqipëri. Duket se atje as biznese të falimentuara nuk ka, e jo më aktive dhe performante. Së treti, qëndron arsyeja njerëzore,. e cila në mos shkak, patjetër që është pasojë. Prej pothuajse një dekade, Kukësi është qyteti me numrin më të lartë të të larguarve, në kontekstin e migrimit të brendshëm po ashtu dhe në atë të emigrimit të jashtëm. Kukësi arrin deri aty sa për tremujorin e tretë të vitit 2017, regjistroi numrin më të ulët të vdekjeve dhe kjo për asnjë arsye fiziologjike se sa numri absolut i popullsisë. Sipas përllogaritjeve të instituteve demografike, nëse do të vazhdojë ky trend largimesh, Kukësi do të boshatiset brenda dy dekadave. Vetëm 20 vjet! A mjaftojnë këto arsye për të dobësuar, varfëruar dhe më pas irrituar një popullsi? Sigurisht që po. Dhe kjo revoltë do të kishte ndodhur herët a vonë me çfarëdo ngjarje që ia rëndonte akoma më shumë jetesën këtyre banorëve të zonës urbane apo asaj rurale. Greqishtja e lashtë na mëson se fjala krizë nuk do të thotë vetëm tronditje, por dhe mundësi.. Është imperative që nga ky moment, vëmendja politike, kapitale, njerëzore dhe ekzekutive, të përqendrohet në zonat e varfra të Shqipërisë. Kukësi është një leksion I mrekullueshëm për politikën , për t’i parë gjërat qartë në terren. Sic thotë Migjeni cdo ditë shohim qartë e më qartë dhe ndjejmë thellë e më thellë. Shkundja e politikës vjen nga tronditjet e mëdha. Le të shpresojmë se stina e protestave të jetë një pranverë drejt lirisë dhe demokracisë së re, të vërtetë, reale dhe funksionale.Kukësi ka nevojë për dinjitet. Pa një orientim konkret të frymës zhvillimore të një shteti në bashkëpunim me sektorin privat, zona si Kukësi e Dibra, do të vazhdojnë të protestojnë për të drejtat e tyre legjitime. Dhuna nuk është zgjidhje. Kukësi është starti i një beteje të gjatë për demokraci dhe dinjitet shoqëror dhe kombëtar.

S'KA KOMENTE