Malësia e Gollobordës

401

Veçoritë fiziko – gjeografike dhe potenciali ekonomik i zonës Çermenikë – Gollobordë – Martanesh

 

Dr. Elvira Bollobani
(Dodoveci)*

Malësia e Gollobordës

Malësia e Gollobordës shtrihet në lindje të vendit tonë. Në aspektin gjeografik shtrihet ndërmjet malësisë së Martaneshit në veriperëndim, ku si kufi natyror shërben pjesa e mesme e luginës së Zallit të Okshtunit, në perëndim dhe jugperëndim ndahet nga lugina e përroit të Llangës nga malësia e Çermenikës. Në pjesën lindore kufiri shtetëror i Republikës së Shqipërisë me Maqedoninë shërben dhe si kufi natyror. Brenda këtyre kufijve, zona e Gollobordës ka një sipërfaqe prej 300 km.
Zona ka pamjen e një poltroni (kolltuku), me shikim drejt lindjes. Kufijtë lindor dhe ata perëndimor shprehen me kontraste morfologjike, dëshmi e lëvizjeve diferencuese, neotektonike. Kjo malësi bën pjesë në zonën tektonike të Mirditës dhe pjesërisht në korridorin e Shëngjergjit, të zonës tektonike të Krasta – Cukalit.
Në ndërtimin gjeologjik përfshihen gëlqerorë të trias – jurasikut, tepër të copëtuar nga tektonika, që formojnë breza me drejtim jugperëndim – verilindje dhe perëndim – lindje si dhe breza terrigjenësh të vjetër. Në veriperëndim dalin terrigjen të rinj që përfaqësohen nga flishi i korridorit të Shëngjergjit. Në përbërjen gjeologjike mbizotërojnë gëlqerorët me të cilët është lidhur përhapja e gjerë e formave karstike, ndërsa depozitimet e tjera si flishet, konglomeratët dhe ata të kuaternarit kanë përhapje të kufizuar, kryesisht në formë njollash (Studë, Klenjë, Gjinovec).
Nga ana strukturore depozitimet e njësisë së Gollobordës formojnë antiklinalin e Klenjës, i cili përmbyset në drejtim të juglindjes, në antiklinalin e Okshtunit dhe sinklinalin e Studës. Prishjet shkëputëse kanë nxitur proçeset karstike në këtë zonë. Përmes malësisë së Gollobordës kalon thyerja rajonale Vlorë –Lushnjë – Elbasan – Dibër, e cila është aktive dhe sot, gjë që vërehet në tërmetet e herëpashershme. Me të lidhen tektonika mbulesore dhe struktura mbihipëse.
Nga ana morfogjenetike mbizotëron peisazhi karstik me valëzime të shumta të relievit, me ujëndarës të butë, lugina të ngushta e të thella karstiko – erozive. Rrjedhjet sipërfaqësore janë të pakta, në disa pjesë mungojnë fare si rezultat i përhapjes së karstit. Format karstike janë shumë të zhvilluara dhe gjenden afër njëra – tjetrës. Format karstike sipërfaqësore janë ulluqet, brazdat, gishtërimet (lapiezet), zgavërimet e ndryshme, të cilat janë ende të paekspoluara.
Në varësi të kushteve tektonike dhe faktorëve morfostrukturorë në këtë malësi veçohen këto nënnjësi morfologjike: kurrizi malor Veternik – Kallkan, lugu i Llangës, fusha e Klenjës, fusha e Studës, lugu i Okshtunit, të cilat do të trajtohen në vazhdim.

Kurrizi malor Veternik – Kallkan

Në ndryshim prej atij të Lunikut, ky kurriz malor ndërtohet pothuajse tërësisht prej shkëmbinjsh flishoidal dhe më rrallë nga gëlqeror të mesozoit, të cilët dalin tek maja eVeternikut dhe ajo e Raduçit. Shtrihet pothuajse në drejtim meridional gjatë vijës kufitare me Maqedoninë, duke u përfshirë tërësisht, ashtu si kurrizi malor i Lunikut, në zonën tektonike Mirdita. Kufijt natyror të këtij kurrizi malor janë fushë Studa, Stëbleva e Klenja në JP dhe gryka e Drinit të Zi (jashtë kufirit në Maqedoni) në VL, kurse nga JL ka një vazhdimësi me malin e Jabllanicës dhe atë të Mirakës në JP. Gjatësia e përgjithshme e këtij vargmali, midis Trebishtit në veri dhe majës së Kallkanit nga jugu, arrin rreth 24 km, lartësia rritet në të njëjtin drejtim nga maja e Veternikut (1441 m) në atë të Kallkanit (2132 m), duke u karakterizuar prej një trajte të shkallëzuar në shtrirje falë tektonikës bllokore të shprehur.
Tipari morfologjik më i spikatur i këtij vargmali është asimetria strukturore e shprehur e shpateve për llogari të atij.
Nga VL në grykën e Drinit të Zi jashtë kufirit, duke përcaktuar njëkohësisht trajtën e përgjithshme të një kreshte monoklinale. Pikërisht balli i kësaj kreshte, pra shpati perëndimor në vendin tonë, dallohet nga përmasat shumë më të vogla se ai nga lindja, por në tërësi ka një pjerrësi relativisht më të madhe, veçanërisht mbi lartësinë 1200 – 1300 m. Ky shpat ka një shtrirje pothuajse vijëdrejtë midis shkallës strukturore të Trebishtit dhe qafës tektonike të Raduçit (1519 m), pavarësisht nga një zhvillim i dendur rrëkeshë, të cilat i kanë dhënë një trajtë tepër të degraduar. Në reliev ka një trajtë pak të shprehur falë lartësisë relative të vogël (200 – 300 m), mbi lugun tektonik të Trebishtit, kurse rritja e lartësisë në drejtim të jugut ka ndikuar drejtpërdrejtë në vlerat e copëtimit të këtij shpati deri tek maja e Kallkanit.
Sektori i këtij shpati midis qafës së Raduçit dhe majës së Kallkanit me lartësi 1600 – 2100 m është modeluar prej akujve të kuaternarit, të cilët shprehen në reliev me cirqet e thjeshtë, pikërisht në këto lartësi. Në këto cirqe piknisë rrjeti ujor i përroit të Klenjës i Stëblevës dhe dega e djathtë e përroit të Mirakës. Përbërja flishoidale në pjesën dërrmuese të këtij shpati ka përcaktuar vlera të mëdha të dendësisë së copëtimit (3 – 5 km/km, kurse amplituda e ngritjeve të strukturës së tij ka çuar në vlera mesatare të thellësisë së copëtimit të relievit (200 – 300 m/km.
Një tipar tjetër morfologjik i këtij shpati, ashtu si ajo e kurrizit malor Veternik – Kallkan i kufizuar prej tij, është trajta e shkallëzuar falë pranisë së disa blloqeve gëlqerore midis Klenjës e Stëblevës në lartësi 1300 – 1500 m, duke krijuar një trajtë të përthyer të tij me praninë e rrëpirave litologjike dytësore.
Me ndryshime morfologjike të theksuara paraqitet shpati lindor në Maqedoni, i cili përbën shpinën e kësaj kreshte në përmasa shumë më të mëdha deri sa përfundon në grykën e Drinit të Zi. Ndërprerja e këtyre shpateve ka përcaktuar, gjithashtu, tiparet morfologjike të pjesës kulmore të këtij vargmali, i cili ka një trajtë bllokore të shprehur, duke marrë tiparet morfologjike të shkallëzuara mjaft të shprehura, pra të ngjashme me ato të shpateve kufizuese. Niveli i parë i shkallës strukturore përfshin lartësitë 1000 – 1400 m, e cila dallohet nga një formë relativisht e butë e lehtësisht e valëzuar, duke krijuar kontraste morfologjike me shpatet kufizuese, veçanërisht me atë nga perëndimi.
Vendi kryesor nga shtrirja e kësaj shkalle strukturore është një dëshmi e qartë e rolit të tektonikës ngritëse kuaternare në përmasat dhe tiparet morfologjike të këtij kurrizi malor në tërësi. Në vazhdim niveli i dytë përfshihet në lartësitë 1500 – 1800 m, i cili krijon një kontrast të shprehur me të parin, duke përfshirë njëherazi tiparet e një relievi relativisht më të mprehtë të kurrizit malor në këtë nivel. Pikërisht në këtë shkallë strukturore, siç u theksua më lart, shtrihen cirqet akullnajore, duke ndikuar në tiparet morfologjike të një relievi alpin të kurrizit gjatë saj, veçanërisht midis qafës së Raduçit dhe rrëzë majës me të njëjtin emër. Natyrisht, trajta më e mprehtë, pavarësisht nga shtrirja relativisht e kufizuar, është karakteristikë për nivelin e tretë në lartësitë 1800 – 2100 m, në të cilën lartësohen dy majat piramidale të këtij kurrizi, ajo e Raduçit dhe Kallkanit, duke krijuar ndryshime të theksuara jo vetëm me dy nivelet e lartpërmendura, por njëkohësisht edhe me shpatet kufizuese, veçanërisht me atë nga perëndimi.

Fusha e Klenjës dhe e Studës

Një rëndësi të veçantë morfologjike paraqesin, gjithashtu, dy fushat komplekse në JL të këtij kurrizi malor, ajo e Klenjës dhe Sëblevës, të cilat janë modeluar kryesisht gjatë kontaktit me mospajtim këndor midis gëlqerorëve dhe flishoideve, duke u shprehur dukshëm, në përmasat dhe tiparet morfologjike të tyre.
Këto kushte morfostrukturore kanë përcaktuar njëkohësisht origjinën karstike dhe atë të kontaktit, duke i dhënë atyre një karakter poligjenetik, të cilat shprehen drejtpërdrejt edhe në tiparet morfologjike të tyre, veçanërisht trajta e çrregullt falë pranisë së rrjedhjeve ujore në pjesën flishoidale të tyre.

Fusha e Klenjës

Fusha e Klenjës ka trajtën e një katërkëndëshi të çrregullt me gjatësi rreth 2 km, midis qafës së Ostrenit në veri dhe rrëzës lindore të majës së Osojës (1442 m) nga jugu, gjerësia afro lindje – perëndim deri tek qafa e Koritnikut afro 1.5 km, kurse lartësia 1220 – 1300 m. Në pjesën më të madhe kufizohet prej rrëpirave litologjike, të cilat janë modeluar prej erozionit selektiv midis gëlqerorëve dhe flishoideve mesozoike, duke pasur një lartësi relative 150 – 200 m.
Në përmasa të përafërta paraqitet njëherazi ajo e Stëblevës, por dallohet nga një reliev shumë më i çrregullt falë dendësisë së copëtimit prej shtrirjes më të gjerë të flishoideve dhe kontaktit kryesisht tektonik të tyre me gëlqerorët.

(vijon nr. e ardhshëm)

*Disertacion i përgatitur në kërkim të
gradës shkencore “DOKTOR” Tema e Disertacionit: “Veçoritë fiziko –gjeografike dhe potenciali ekonomik i zonës
Çermenikë – Gollobordë – Martanesh”

S'KA KOMENTE