MË SHUMË VËMENDJE DHE INVESTIME PËR TREBISHTIN E DIBRËS

282

NJËSIA ADMINISTRATIVE E TREBISHTIT – BASHKIA BULQIZË

Në këtë numër gazete do të shkruajmë shkurtimisht për Trebishtin.
Në kuptimin etimologjik të fjalës, Trebishti është emër shqiptar që personifikon tre lagjet e këtij fshati të madh, Çelebi, Bala’ dhe Muçinë. Egziston edhe versioni sllav i emrit. Në këtë njësi administrative dhe në këtë fshat flitet shqip dhe bullgarisht. Flitet varianti i bullgarishtes së vjetër, por nuk shkruhet. Kohët e fundit kjo zonë ka marrë edhe statusin e minoritetit bullgar. Problemin e dygjuhësisë e ka sqaruar më së miri historiani dhe biri i këtij fshati Hilmi Sadikaj.
Historia e këtij fshati është e herëshme. Këtë e tregon edhe Fortesa e Trebishtit.
Agim Bekteshi në gazetën ¨Bashkimi¨, të datës 26 prill 1981 shkruan:’ Duke gjykuar mbi të dhënat që japin burimet antike mbi fisin ilir të penestëve, mbi luftën iliro – romake dhe sulmin e Perseut, nga pikëpamja historiko – ushtarake dhe ato të dhëna që ofron vetë fortesa e Trebishtit, mund të nxjerrim si konkluzion se ajo i përket një periudhe kohore para luftës iliro – romake, dhe vetë ndërtimi i fortesës dëshmon për masat mbrojtëse që janë marrë nga penestët ilirë për të përballuar sulmet e barbarëve.
Njësia administrative e Trebishtit, dikur e stacionuar në Klenjë, tani stacionohet në Trebisht, fshatin më të madh. Përveç Trebishtit me 3 fshatra (lagje të mëdha) në këtë njësi administrative bën pjesë edhe Klenja, Gjinoveci dhe Vernica.
Në vitin 1988 Gjinoveci kishte 187 banorë dhe 58 familje, Klenja kishte 603 banorë e 110 familje, Trebisht-Bala kishte 840 banorë e 131 familje, Trebisht -Çelebi kishte 877 banorë dhe 154 familje, Trebisht -Muçina kishte 504 banorë dhe 81 familje, Vërnica kishte 71 banorë dhe 14 familje. Sot kjo njësi administrative ka 1500 banorë.

ZBRAZJA NGA BANORËT PËR TË MARRË PASAPORTA BULLGARE

Trebishti, në verilindje të Shqipërisë, po zbrazet nga banorët e tij me nxitim për të marrë pasaportat bullgare, që u hapin atyre, derën për në Bashkimin Evropian, shkruan agjencia prestigjioze e lajmeve AFP.
Që të mos ndodhë ky fenomen, kjo zonë dhe kjo njësi administrative kërkon më shumë vëmendje dhe investime nga Pushteti Vendor, Pushteti Qendror, nga OJQ dhe nga organizmat ndërkombëtare në Shqipëri.
Më shumë projekte, më shumë investime sidomos projekte dhe fonde të bashkëpunimit ndërkufitar.
Kohët e fundit është vënë në funksionim Pika Doganore e Trebishtit, por kjo pikë doganore punon me kapacitet jo të plotë.
Arif Shutina, bir i fshatit Gjinovec shkruan: “Le të analizojmë në veçanti fshatin Gjinovec, këtë fshat të krahinës së Gollobordës, fshat ky i njohur në histori, i njohur në luftë e në përpjekje të vazhdueshme për identitetin kombëtar dhe për vlera”.
Në këtë fshat kishte mbi 40 kulla të ndërtuara me gurë të skalitur e dy-tre katëshe, të rralla për nga arkitektura e tyre, edhe me fotografi të mjeshtërve që i kanë ndërtuar.
Është një fshat buzë kufirit shtetëror me Maqedoninë. Në vitin 1917, ky fshat kishte 97 ekonomi (shtëpi). Fshati kufizohet me Klenjën, Steblevën, Ostrenin e Vogël dhe Trebishtin, ka pyje shumë të mira, kullota të shumta, fusha dhe ara ku mbillet patatja, gruri, thekra, male ku rriten shumë bimë mjekësore. Kështu, ky fshat ishte mjaft mirë i jetueshëm dhe atraktiv.
Gjinoveci përfshihet në komunën e Trebishtit. Shtëpitë e tij janë mbi 100-vjeçare, ndërtuar me gurë të latuar dhe brenda me dru të gdhendur.
Ai ndodhet 1200 metra mbi nivelin e detit. Dibrën e Madhe e ka 6 km larg, doganën e Trebishtit dhe rrugën e re e ka 15 km, ndërsa rrugën nacionale e ka vetëm 2 km larg tij dhe vetë Trebishtin e ka 20 km.
Gjinoveci mbahet si një nga zonat më të mira për sa i përket prodhimit blegtoral.
Fshati ka edhe mjaft burime ujore, gati një në çdo 200 metra. Pra plot ujë për të pirë dhe ujë për të vaditur. Banorët e Gollobordës në përgjithësi, dhe Gjinovecit në veçanti, janë njerëz të besës dhe të punës, njerëz të thjeshtë e të dashur, punëtorë të palodhur dhe të zotë.
Por, çfarë ndodhi pas vitit 2000 ? Në vend që të shfrytëzoheshin të gjitha këto resurse natyrore dhe gjithë kjo traditë e mirë e punës dhe e përkushtimit ndaj vlerës së saj për të ndërtuar një jetë më të mirë në fshat, të gjithë ia mbathën, ikën nga fshati dhe krahina e Gollobordës. Por, shumica e njerëzve, ose një pjesë e tyre, nuk e gjetën veten nëpër qytetet, ku shkuan. Ndaj, gjatë verës rikthehen në Gjinovec. Të tilla janë plot 20 familje me rreth 100 familjarë. Këta punojnë tokën e mbjellin patate e bimë të tjera bujqësore, si dhe mbledhin bimë mjekësore. Një pjesë e tyre qëndrojnë për gjatë të gjithë vitit në Gjinovec.
Është e pafalshme të konstatosh se për këto njerëz nuk kujdeset askush, askush nuk i ka në defter, askush nuk bën ndonjë shërbim për ta. Heshtin dhe rrinë indiferente politika, hesht dhe rri indiferent dhe shteti i tyre.

RESURSET INTELEKTUALE

Vetëm Trebishti ka njëmbëdhjetë heronj të punës socialiste, që kanë derdhur djersën e tyre dhe kanë shprehur talentin në të gjitha veprat ndërtimore të Shqipërisë.
Trebishti është vendlindja e Piktorit të Popullit Nexhbedin Zajmi si dhe e dhjetra intelektualëve gollobordas. Shkolla 9-vjeçare mban emërtimin: “10 Dëshmorët”, sepse Trebishti i ka dhënë Shqipërisë jo pak, por 10 dëshmorë të luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, pa përfshirë në këtë numër dëshmorët e fshatrave të tjerë Gjinovec, Klenjë dhe Vernicë. Luftës për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit gjermanë iu bashkuan me qindra bij e bija gollobordase. Në luftimet me forcat gjermane dhanë jetën: Nuredin Osman Sinani nga fshati Trebisht-Bala, i cili u arrestua nga forcat gjermane në Vlorë në vjeshtë të vitit 1943, u internua në kampin e përqendrimit në Zemun/Semplin, Gjermani dhe u pushkatua më 15 dhjetor të atij viti.Sefer Muharrem Seferi nga fshati Klenjë, partizan i Brigadës 17. Sulmuese, ra dëshmor më 19 tetor të vitit 1944, në moshën 21 vjeç, në luftë me forcat gjermane për çlirimin e Krujës.Jonuz Tafil Basha nga fshati Gjinavec, partizan i Brigadës 3. Sulmuese, në prill të vitit 1943 u radhit partizan në çetën e Dajtit në Tiranë, ndërsa ka rënë dëshmor në përpjekje me armikun më 20 nëntor 1944, në Junik të Kosovës.Në Br IV dhe në Br I Sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, që morën pjesë në çlirimin e Tiranës, kishte edhe partizanë nga Golloborda. Në arritjen e kësaj fitoreje, më 17 nëntor 1944, ranë në fushën e betejave me ushtrinë gjermane dhe 16 partizanë nga Golloborda. Nga Trebishti ishin:Mehmet Nuredin Ajazaj nga fshati Trebisht, partizan i Br I. Sulmuese, ra dëshmor në operacionin për çlirimin e Tiranës, më 1 nëntor 1944.Ramadan Ramazan Haxhijahja nga fshati Trebisht, partizan i Br IV Sulmuese, ishte vetëm 15 vjeç me pushkë në krah kur ra dëshmor për çlirimin e Tiranës, më 10 nëntor 1944. Arif Nexhip Haxhijahja nga fshati Trebisht, partizan i Br IV Sulmuese, ra dëshmor në operacionin për çlirimin e Tiranës, më 12 nëntor 1944.Hasan Demir Koçi nga fshati Trebisht, partizan i Br I Sulmuese, ra dëshmor në operacionin për çlirimin e Tiranës, më 13 nëntor 1944.Zenun Hysen Abdija nga fshati Trebisht, partizan i Br IV Sulmuese, ra dëshmor në operacionin për çlirimin e Tiranës, më 13 nëntor 1944.Memish Hysen Shevroja nga fshati Trebisht, partizan i Br IV Sulmuese, u vra më 13 nëntor 1944 në Tiranë. Muharrem Sabri Sinani nga fshati Trebisht, partizan i Br IV Sulmuese, ra dëshmor në operacionin për çlirimin e Tiranës, më 16 nëntor 1944.Njazi Zenun Seferi nga fshati Trebisht, partizan i Br IV Sulmuese, u vra në Kashar të Tiranës, më 16 nëntor 1944.Në luftën për çlirimin e Dibrës dhanë jetën bijtë e Gollobordës:Guzman Velo Stojku nga fshati Trebisht 1944 rënë në Dibër, Beqir Tase Nikolla nga fshati Vërnicë rënë më 1943 në Dibër. Gjithashtu, edhe për çlirimin e Shkodrës dhe të Malësisë së Madhe dhanë jetën edhe bijtë e Gollobordës:Rexhep Demir Oshafi nga fshati Gjinovec, partizan i Bri IV Sulmuese, u ra më 18 nëntor 1944 në luftimet për çlirimin e Shkodrës.Gani Shaqir Nina, nga fshati Klenjë, partizan i Br I Sulmuese, doli partizan në korrik të vitit 1944. Ra dëshmor në Malësi të Madhe në Shkodër, më 20 nëntor 1944, në moshën 18 vjeçare.Islam Fetah Çaushi nga fshati Steblevë, partizan i Br I Sulmuese, doli partizan në korrik të vitit 1944. Ra dëshmor në Malësi të Madhe në Shkodër, më 20 nëntor të vitit 1944, në moshën 20 vjeçare.Shaqir Mimidin Pupuleku nga fshati Trebisht, ra dëshmor në luftë kundër forcave ushtarake gjermane për çlirimin e Shkodrës në ditën e çlirimit të vendit më 29.11.1944, në moshë të njomë: vetëm 17 vjeç.Bijtë e Gollobordës shkuan në ndihmë të vëllezërve kosovarë në luftën e tyre për çlirim. Atje dhanë jetën:Bajram Arif Kasa nga fshati Trebisht, partizan i Br XXIV Sulmuese, vdiq në spitalin e Prizrenit, më 5 prill 1945.Jonuz Tafil Basha nga fshati Gjinovec, partizan i Br III Sulmuese, i cili ra dëshmorë në luftimet në Junik, më 20.11.1944.Enver Nazif Trebishti nga fshati Trebisht u vra në vitin 1944 në Prishtinë.

NË VITIN 2014 TREBISHTI FESTOI 100 VJETORIN E SHKOLLËS SHQIPE

Shkolla e parë shqipe daton që nga viti 1914 dhe në vitin 2014 festoi 100 vjetorin e shkollës shqipe ashtu sikurse edhe shkolla e qytetit të Peshkopisë.
Të paharruar janë Ramiz Qatja, mësuesi i parë i shkollës së Trebishtit, dhe mësuesit e tjerë dibranë: Ramadan Sefedini, Aqif e Nazmije Pasholli, Xhevat Sadiku, Selim Alliu “Mësues i Popullit”, Islam Hoxha etj.
Histori të veçantë përbën kontributi i normalistëve nga qytete të ndryshme të vendit, përfshirë këtu dy normalistët nga fshati Trebisht, Mehmet Çadri dhe Mustafa Shahinaj, të cilët pjesën më të madhe të veprimtarisë së tyre arsimore ia kushtuan zhvillimit dhe konsolidimit të shkollës së Trebishtit.
Sot përveç kësaj shkolle 9 vjeçare ka edhe dy shkolla fillore me 15 mësues. Qëndrimi që ka mbajtur populli i Trebishtit në vite dhe dekada ndaj shkollës dhe gjuhës shqipe, me betejat e fituara për zhdukjen e analfabetizmit, zgjerimin e rrjetit të shkollave, zbatimin e arsimit të detyruar, masivizimin e arsimit 8 e 9-vjeçar, si dhe rritjen e cilësisë në shkolla, e ka konfirmuar gjithnjë e më shumë Trebishtin dhe Gollobordën si një nga zonat më arsimdashëse.
Shërbimi shëndetësor ka probleme dhe shqetësime si në personel, infrastrukturë, etj. Banorët shfrytëzojnë afërsinë me spitalin e Dibrës së Madhe, por kjo nuk është zgjidhja e duhur. Ka vetëm një qendër shëndetësore me një mjek dhe 5 infermjerë e mami’.
Trebishti ndodhet larg Bulqizës, qendrës së Bashkisë, por edhe larg Librazhdit. Terreni dhe rruga përbën vështirësi në kushtet e dimrit dhe të motit të keq. Asfaltimi i rrugës dhe mirëmbajtja e saj përbën shqetësim të madh për banorët.
Vetëm për të paguar energjinë elektrike banorit të Trebishtit i duhet të udhëtojë për në Shupenzë ose për në Bulqizë, dhjetra km larg. Për të marrë një çertifikatë duhet të shkojë në Ostren të Madh, 6 orë larg sepse nuk ka zyrë të Gjendjes Civile në qendrën administrative. Shërbimet ndaj klientit, komunikacioni etj janë në shkalllën më të ulët.
Ja përse edhe një herë tjetër apelojmë për më shumë vëmendje dhe ivestime në këtë komunë të “harruar” të Bulqizës dhe të Dibrës.
Përgatiti: Sakip Cami

S'KA KOMENTE