ASLLAN BAJRAM KETA – KOMISARI PARTIZAN QË U IMPONOHEJ EMISARËVE USHTARAKË ANGLEZË

319

Nga Azis KETA

Një nga personalitetet e shquara të trevës së Bulqizës është padyshim Asllan Bajram Keta, emrin e të cilit mban Shkolla e Mesme e Përgjithshme Fushë Bulqizë.
Asllan Keta është lindur më 6 Maj 1928, në Koçaj të Bulqizës.
Ai kishte mësues të shkollës fillore Asllan Zenelin nga Tërnova, një mësues që do të bëhej më vonë partizan në Çetën e Gollobordës dhe që do ta shëndrronte shtëpinë e tij në bazë të Luftës Antifashiste.
Pasi kishte përfunduar tremujorin e parë të vitit të tretë të shkollës së detyrueshme fillore në Bulqizë. (AQSH, Nënprefektura e Artës (Zerqanit), f 284, v. 1938, d. 284, fq 2-3), me vendim të Ministrisë së Arsimit Nr 37 dt. 23.VII. 1938, pranohet në Internatin e Kastriotit. Në klasë me të, nga Bulqiza, ishin: Hysen Ali Alliu, Qamil Mustafa Gjini dhe Muharrem Dullë Gjimi.
Nga shtatori 1941 deri në prill 1943 Asllan KETA ishte në Insitutin Amerikan të Kavajës. Në prill- qershor 1943, Asllan Ketën e gjejmë të përfshirë në lëvizjen studentore së bashku me:
Njazi Islami, Emin Agolli, Rexhep Doda, Asllan KETA, Sali Hoxha, Prokop Murra, Muntaz Kodra, Veli Cani, Vehbi Skënderi, etj.(Lufta Nacionalçlirimtare e Popullit Dibran, 23 gusht 1969, fq 47).
Asllan Keta në qershor 1943 aktivizohet direkt me lëvizjen Antifashiste NcÇl. Emrin e tij e gjejmë të shënuar me numrin 11 në listen e çetës partizane të “Grykës së Madhe” nga 56 veta, gjithsej. Po në këtë çetë, me numrin rendor Nr 46 ishte dhe Sadik Keta ( Historiku Br18S, fq 331).
Aksionin e parë luftarak në Dibër, Asllan Keta e bëri më 22 qershor 1943 tek “Hani i Trebishtit” në zonën e Gollobordës. U zhvillua “luftim në pritë” kundër një autokolone italiane që lëvizte nga Struga në Dibër. Në këtë aksion, çeta e Dibrës vrau 3 karabinjerë italianë, zunë 5 robër , ndër ta 1 oficer.
Asllan Keta pas disa luftimeve në Dibër delegohet në batalionin e Çermenikës ku komandonte Gafur Mehmeti. Në Çermenikë Asllani përballoi situata tepër të vështira sidomos në “Operacionin e Dimrit” . Në këtë periudhë, ai mori plevit të rëndë por asnjëherë nuk e braktisi luftën.
Komisari Asllan Keta dhe zëvendëskomisarja Ibe Palikuqi të kompanisë së parë të Batalionit të katërt të Brigadës XVIII Sulmuese ishin truri dhe forca e kësaj kompanie.
Asllan Keta dhe Ibe Palikuqi vinin nga bota studentore. Të dy vinin nga përgjakjet e demostratave. Të dy ishin “truri” i “Gazetës së Xhepit” që nxirte batalioni i katërt, ku i bëhej jehonë luftës dhe heroizmit partizan. Të dy ishin efektiv të batalionit të katërt që kishte një komandant trim e me përvojë të gjatë luftarake.
Batalioni i katërt kishte një efektiv prej 453 veta dhe ky ishte numëri më i madh në raport me batalionin e parë që kishte 428 veta. I dyti 366 veta. I treti, 403 veta.
Duke qenë në funksione drejtimi, aq më tepër komisar, Asllani dhe Ibja mund të mos ishin gjithnjë në vijë të parë por në vendkomandë të kompanisë e cila ishte më në thellësi, e maskuar dhe relativisht e mbrojtur, për rrjedhojë, edhe më pak të rrezikuar për jetën. Por Asllani dhe Ibja do ishin gjithnjë në vijën e parë. Se ndryshe, thoshte Asllani, nuk mund të ishe komisar i besueshëm para njerëzve që komandon dhe edukon. Sipas Asllanit komisari dhe komandanti udhëhiqnin nëpërmjet shembullit personal, që fliste më shumë se fjala.

KOMISARI QË PËRGATISTE GAZETËN E XHEPIT

Asllani ishte nga ato komisarë që futi në batalion dhe brigadë shtypin e luftës dhe përgatiti gazetën e xhepit.
Edhe në kohë lufte ka funksionuar shtypi sepse nevoja për informim, dinamika e zhvillimit të ngjarjeve e bënin atë më shumë se të domosdoshëm. Por gazeta e xhepit në ndryshim nga organet e shtypit në nivel kombëtar kishte këto veçori:
Pasqyronte në kohë gjëndjen e një situate konkrete, ishte më afër njerëzve, secili kishte mundësinë të gjente veten aty dhe efektet e këtij shtypi në fushë betejë ishin shumë të mëdha. Gazeta si veprimtari mbulohej nga komisari sepse, përveç se ishte mjet informimi, kishte funksion edukimi. Kjo ishte arsyeja që Asllan Keta, me gazetën e Xhepit që nxirrte në bataljon, ( një rast i rrallë në ushtrinë e asaj kohe, që batalioni të kishte gazetë), i dhanë aq autoritet Asllan Ketës dhe Ibe Palikuqit , që megjithëse të rinj në moshë, 17- 18 vjeç, partizanët ju ngriheshin në këmbë në shenjë respekti dhe dashurie. E kishin fituar me shembull personal në veprime luftarake, me sjellje dhe inteligjencë.
“Gazeta e xhepit” dallohej për nga problematika që ajo trajtonte, freskia dhe koinçiziteti i lajmit, pasqyrimi i dinamikës së veprimeve luftarake në vendngjarje, gjuha e thjeshtë, etj. Shpesh ajo kthehej në “ditar lufte” dhe ishte e përshtatëshme dhe e pranueshme për të gjitha nivelet.
Në aksione dhe në shtypin partizan binte në sy niveli intelektual dhe shpirti i revoltës ndaj çdo padrejtësie që tek Asllani ishin kalitur qysh kur ishte student në Insitutin Shqiptaro- Amerikan të Kavajës ku zgjimi bëhej në orën 05.30 të mëngjezit dhe gjithë regjimi ditor ishte i kronometruar si në ushtri.
Jeta kishte kultivuar tek Asllan Keta ndjenjën e disiplinës, korrektesën në orar, rigorozitet në regjimin ditor, mundësinë për të llogaritur dhe ndarë kohën në funksion të detyrave kryesore dhe atyre ndihmës, aftësinë për të punuar në grup dhe për të marrë përgjegjësi lideri.
Ishin këto cilësi të Asllan Ketës që vështirë ta qortoje, aq më pak ta ndëshkoje sepse ai ishte i “blinduar” në karakter. Kishte formimin e duhur intelektual, ç’ka nuk e kishin të gjithë, aq më tepër në moshë të tij. Ç’shkollë më të mirë pati Shqipëria e kohës së Asllan Ketës dhe ai nuk e bëri?
Asllan Keta pati funksion madhor qysh 19 vjeç, se edhe sot ai funksion njësohet me gradën madhore major. Nuk ishte detyrë e vogël kur brigada kishte vetëm katër batalione dhe në shkallë ushtrie ato numëroheshin me gishtat e dorës.
Ishin këto arsyet që Asllan Keta kishte guximin të ngrinte probleme aq delikate që sot vështirë t’i besosh nëse nuk do ju referohesh burimeve historike.
Ndoshta burim force ishte ai, shkrimi në pllakë guri të kullës së katragjyshëve të Asllan Ketës, ”Atdheu mbi të gjitha”. Shpirti i revoltës studentore kundër fashizmit, i kultivuar qysh në rini, ndoshta një arsye më shumë.
Ndaj Asllan Keta, për Atdheun,“nuk pranoi kompromis as me vdekjen”.
Gafurr Mehmeti thoshte:
“Asllanin Komisar, nga pikpamja ushtarake, e kam rritur me këta duar, që kur ishte ushtar në luftime të përgjakshme nga Okshtuni në Opar. Por ai do të bëhet më i mirë se unë sepse, veç trimërisë së “ hutuar”, sinqeritetit prej “elvijari”, ka “magjinë” të bëj gjithë batalionin për vete. Prandaj kur flet Asllan Keta, nuk pipëtin as miza. Se ato që thotë Asllani, i thonë dhe 453 partizanë të batalionit. Prandaj ato që thotë Asllani s’i luan as “topi i karadakut”. Se ai nuk të imponohet me urdhër por me tru”.
Ky ishte çelësi i suksesit të Asllan Ketës, që në gjithë jetëshkrimin e tij na ofron modelin e një “kampioni”.

DINASTIA E KAMPIONËVE “KETA”

Mos u çudisni. Para se të vimë tek djemtë e sotëm kampionë, kulla e Ketës ka pas dhe dy kampionë të tjerë.
Asllan Keta, qysh në Internatin e Kastriotit (12 – 15 vjeç) ishte pjesë e skuadrës së volejbollit të grup moshave. Dhe në Institutin Amerikan të Kavajës, (16-18 vjeç), ishte në skuadrën “kampione” të Institutit.
Në historikun e mundjes të ekipit të Korabit të Peshkopisë që në ato vite ishte në elitë të mundjes shqiptare, sa ishte Izet Keta në ekip të Korabit, nuk doli një i dytë t’i zinte vendin në peshën e tij. Kjo ishte arsyeja që i ngjitën “nofkën”: “Arusha e Malit të Bardhë!”
Ja pse nuk duhet të çuditeni përse tre herë kampioni i Botës Ismaili dhe pas tij, Gjetani dhe Feriti, nuk kanë dalë në boshllëk, por në një traditë patriotike dhe në një traditë sportive.
… Asllani dhe Ibja, komisar dhe zevendëskomisar, ishin bashkë në luftë kundër gjermanëve. Ishte koha kur gjermanët kishin ndërmarrë në katër drejtime operativo- strategjike operacionin “Fuchsjargd” (Gjahu i Dhelprave).
Synimi i këtij operacioni ishte që të shuante përfundimisht rezistencën shqiptare. Në kuadër të kësaj rezistence, batalioni i katërt i Br. XVIII Sulmuese, në gusht 1944 mori detyrë luftarake si repart autonom për të luftuar bashkë me njësi të tjera në drejtimin Kërçovë- Gostivar. Batalioni i katërt i Brigadës XVIII Sulmuese kapi lartësitë mbi Goran dhe Shutovo.
Kompania e parë me komisar Asllan Ketën dhe zëvendëskomisar Ibe Palikuqin, ishin në Kërçovë. Përballë tyre gjermanë dhe kolaboracionistë të Divizionit SS “Skanderbeg”. Raporti forcave ishte krejt i pabarabartë në favor të gjermanëve, por asnjë nga kompania nuk e braktisi rajonin mbrojtës. Në vijën e parë të zjarrit ishin Asllani dhe Ibja.
… Lufta filloi shumë e ashpër. Në krah të gjermanëve luftonin dhe forca të një batalioni “SS Skanderbeg”. Edhe se shumica e shqiptarëve dezertuan nga kjo betejë dhe raportet gjermane e maskuan dezertimin masiv të shqiptarëve me togfjalëshin “300 të humbur”, në fakt shqiptarët e braktisën frontin haptas dhe nuk luftuan kundër shqiptarëve, ç’ka nuk kishte ndodhur gjithmonë kështu. Por jo të gjithë e braktisën frontin. Mbeti një pakicë egërsirash që luftonin kundër shqiptarëve më egër se gjermanët.
Një prej atyre shqiptarëve do ishte ai që do të plagoste Ibe Palikuqin. Nga kjo plagë, Ibja pas ca kohësh vdiq. Personi që e plagosi, në vitin 1945 kapet.

POHIMI BEFASUES NË GJYQ

“Kisha përballë një armë që villte zjarr mbi mua. Po bënte kërdinë mbi të tjerë. Shënova mbi të. Zjarri pushoi. Mendova se mos i mbaruan fishekët. I afrohem. U shtanga kur para meje u çfaq një vajzë. Ishte plagosur. I shtyrë nga trimëria e saj e mora në krah dhe e çova tek hoxha. Aty mora vesh se ajo ishte zëvendëskomisare.
Ajo më tha: “Kot e keni o të mjerë. Luftën do e fitojmë ne!”
(Gazeta “Flaka e Vllaznisë”, Shkup Nr 17, 1946, cituar tek Historiku i Br 18 S, fq 78 – 82. )
Vrasja e Ibes i hidhëroi të gjithë, por mbi të gjithë, Asllanin.
Asllan Ketës i del emërimi komisar batalioni kur ishte vetëm tetëmbëdhjetë vjeç e gjysëm. Një besim i madh, emërimi në këtë detyrë madhore për moshën e tij. Nuk e refuzoi. U ndie i vlerësuar. Do kishte mundësi të shfaqej më shumë edhe tek “Gazeta e Xhepit” sepse vinte nga bota studentore dhe letërsinë e historinë e kishte pasion. Në shkollë kishte mësuar anglisht dhe italisht. Gjuhët e huaja i vlerësonte gjithnjë. Librin nuk e ndante nga çanta e shpinës.
Asllani fliste anglisht me ushtarakët e misionit anglez pranë Komandës Partizane. Misionarët e huaj anglezë me Asllan Ketën këmbenin libra dhe “mësime gjuhe”. Secila palë ishte e kënaqur nga ky bashkëpunim. Anglezët perfeksiononin shqipen. Asllani perfeksiononte anglishten.
Anglezët ishin shkrirë gazit një ditë me humorin e Asllanit, kur ju kishte shpjeguar se origjinën e kthimit të “ i-së” në “ a” mos lodheshin ta kërkonin në vend tjetër. Ajo e kishte origjinën nga dialektorja e shqipes e krahinës së Bulqizës: mirë = majr.
Sllovë. Nëntor 1944. Ishte çliruar Prizreni. Asllan Keta me shokë kishin vendosur flamurin shqiptar mbi kala.
Viti 1945. Asllan Keta vazhdonte të ishte i sëmurë por asnjëherë nuk kishte kërkuar të shkonte në spital. Ishte në krye të batalionit, megjithëse ishte me ethe. Por durimi kishte një kufi. Bindet që duhej të bënte një kontroll të specializuar në Spitalin Ushtarak të Prizrenit. Shkoi. U vizitua. Gjëndja u vlerësua e rëndë. U shtrua. Mjekimi filloi intensiv. Në mes të mjekëve ishte një jugosllav. Ishte shefi. Merrte pjesë vetëm në konsultat javore. I sëmuri nuk lejohej të ishte i pranishëm në konsultë. Vetëm në fund i komunikoheshin përfundimet nga shefi ose nga i autorizuari i tij.
“Nëse shqiptarët po luftojnë në Kosovë dhe Gostivar, mbas ikjes së gjermanëve, aty duhej të valvitej flamuri shiptar. Se po nuk ndodhi kjo, pse luftuam ? Nuk ka humbje më të madhe nga lufta nëse kishim Kosovën nën pushtimin italian dhe gjerman dhe do t’ja lemë Titos si “mollë e qerueme” pas lufte. Kjo nuk duhet të ndodhë.”
Këto fjalë të Asllan Ketës me agjitatorët në parti, kaq hapur dhe qartë nuk guxonin t’i bënin të gjithë.
Çlirimi i Prizrenit u përjetua me gëzim nga Asllan Keta, por gëzimi nuk zgjati shumë. Gjëndja shëndetësore vinte duke u rënduar. Ju propozua të bënte një kontroll në spital.
Prill 1945. Vazhdonte lufta tej kufijve shtetërorë. I përlotur, Asllani ndahet me 453 djem e vajza të batalionit, që ai udhëhoqi. Ju drejtua “Spitalit të Kohës së Luftës në Prizren” i shoqëruar nga shefi i shërbimit shëndetësor të brigadës.
I jepej kurajo Asllanit se kjo ishte një ndarje e përkohëshme. Shtrimi në Prizren ishte i domosdoshëm sepse “Spitali i Kukësit” nuk ofronte ndihmë mjeksore të specializuar. Kur shtrohet në spital dhe komanda njihet me diagnozën, Asllan KETA u zëvëndësua në detyrën e komisarit fillimisht nga Emin Agolli dhe pastaj nga Shaban Maqellara sepse përfundimi i mjekëve ishte kategorik: “Asllani ishte i sëmurë rendë dhe me këtë gjëndje nuk mund të përballonte luftën. Regjimi i “shtratit spitalor“ dhe kurimi intesiv ishin mundësia e vetme për të shpresuar tek mrekullia sepse pleviti kishte marrë përmasa të frikëshme”.
Ai qëndroi një muaj e gjysëm i shtruar në spitalin ushtarak të Prizrenit. Kujdesi për të ishte maksimal. Ishte nga më të vizituarit. Cdo ditë, personeli mjeksor ishte tek krevati i tij. Ishte pacienti që kishte funksionin më të lartë nga të gjithë të shtruarit.. Kishte moshë tepër të re. Sjellja e kulturuar e Asllanit, pamja e tij engjëllore, mos ndarja e librit nga jastëku, i befasonte të gjithë. E donin të gjithë.
Megjithëse i sëmurë vendosi të kthehej përsëri në luftë. Efektivi i batalionit e priti me urra të zgjatur dhe me gëzim të madh duke menduar se ishte shëruar. Por gjendja ishte tepër e rënduar. Me këmbënguljen e eprorëve u gjet kompromisi:
Të mjekohej në shtëpi, në Koçaj të Bulqizës. Këtë propozim e miratuan dhe mjekët “si të keqen më të vogël”.
Pleviti që kishte marrë në “Operacionin e Dimrit” ishte me pasoja të pakthyeshme. Ditën që Asllan Keta u largua përfundimisht nga lufta, komanda e përcolli me këto fjalë:
“Të shkosh në Koçe, por i shoqëruar prej shërbimit shëndetësor të Brigadës. Neve do të vimë të të marrim dhe do të të shoqërojmë për në Spitalin e Prizrenit sa herë të kesh datën e rikontrollit. Do të na kesh pranë si në llogore lufte.”
….Kur troket Asllani tek porta, nëna e tij thirri:”Ej lumja unë, kush na paska ardhë!
E mbuloj të birin në përqafime.
Kur hyn Bajram Keta dhe pa të birin aq të tretur, sikur i ra “Mali i Bardhë” mbi krye, por nuk e dha veten. E mori ngrykë të birin si burrat, i mbështolli kokën në gjoksin e vet.
Në Kullë të Ketës nuk fikeshin dritat gjithë natën. Vinin miq nga Selishta, Çermenika, Kavaja, Sllova, Kastrioti.
Asllanit i ra një nur tjetër. Të gjithë menduan se ja hodhi. Por jo! Përmirësimi kishte qenë vetëm truk. Asllani e fshihte sëmundjen. Kaluan ditë. Filluan lëngimet në shtrat. I qëndronin mbi krye dhe me ndërmjetësim të Teqes Madhe, i luteshin në heshtje Perëndisë: Të lutemi o Zot, na e ngre Asllanin në kambë!”
Bajram Keta i rrethuar mes 40 burrave përtypte kokrra kafeje për të forcuar zemrën. Nanë Tushja, ishte bërë petë në prehër të Halil Ketës së parë. M’harrem Ketja i lagte buzën Asllanit me lëng shege dhe me dorën tjetër i kontrollonte zemrën që i rrifte dobët. Pastaj bëri një “of” të lodhur dhe i drejtohet nanës së Asllanit: “Mbaju oj Tushe se Asllani na la”. Ishte 14 dhjetor 1945.
Asllan Ketës varrimi ju bë në Koçe. Ishin shokët e tij të armëve që i bënë roje nderi. I përcjellë me marrshin e trumpetës dhe i mbuluar me Flamurin Kombëtar, pesë batare armësh, tundën malet që dukeshin sikur ishin rreshtuar për ceremonial:
Dhoksi dhe Murriqi rrinin përballë Balgait dhe Temlës. Dukej sikur Perëndia t’u kishte dhënë dhënë edhe maleve komandën:
“Për nder armë! Krisma e pushkëve në Kodër Koçe mbushi mbushi vendin me erë baruti dhe gzhoja plumbash. Po aty, sot, kemi një lapidar në kujtim të Asllan Ketës .
Krisma e përshkëve përplasej në male dhe malet përcillinin ilanin bubullimë: “Heeeeeej!, Asllan Keta u bë dhandër me lirinë!!!”
Në nderim të Asllan Ketës, shkolla e mesme e përgjithshme mban emrin e tij.

S'KA KOMENTE