“MOS IK TE LUTEM” – libri i katërt i poetit Demir Rusi

125

“Mos ik të lutem” (vargje për nënën) është libri i katërt i poetit Demir Rusi. Ky vëllim poetik vjen fill pas librit “Anja”, i botuar pak kohë më parë, duke ndjekur një linjë mendimi dhe reflektimi.
Poeti e ka lexuesin tij. Ai ka nevojë për të, siç ka nevojë lexuesi për fjalën e poetit. Kjo marrëdhënie e ndërsjelltë bën që fjala të mos harrohet kurrë, duke e përmbushur kështu misionin e saj. Është pikërisht guximi i autorit që i jep formë këtij libri. Guximi për të dalë nga rrjedha e përgjumur e realitetit modern, ku të gjithë janë të zënë, duke i thurur lavde egos së tyre, dhe për t’i dalë zot atyre parimeve që njëherë e një kohë ishin ndërgjegje e përbashkët. Guximi për t’u shfaqur ashtu si je.
Gjithsecili e gjen sadopak veten në poezitë e Demir Rusit. Nëse je viktimë e largësise, nëse të dhemb për të varfërin dhe të pafuqishmin, por edhe nëse je i çmendur, aq sa të mos biesh pre e paragjykimeve të kota, atëhere ky libër të përket edhe ty.
Autori tashmë, duket se e ka mision shpirtëror të jetë zë i fuqishëm për të harruarit. Ai nuk ngurron të merret me pushtetin, me krimin, të fortin e shrytëzuesin, në jo pak, por në një pjesë të madhe të poezive të tij. Dhe këtë gjë e bën para të gjithëve, faqe njerëzve, sepse autori e di që fjala është e shenjtë dhe mendimi është i lirë, sidomos kur atë e pret një gamë e gjerë receptuesish.
Me një guxim prej të marri, ai u ben thirrje të gjithëve që të mos kenë frikë askënd dhe të jetojnë jetën e tyre ashtu siç ata duan, pa asnjë brengë.
Po në këtë libër do të shohim edhe një anë tjetër të autorit, anën e tij të ndieshme dhe emocionale.
Vargjet për nënën, janë kulmi i këtij libri. Këtu shihet se si autori e lëshon veten e tij, aty ku nuk ka më forcë, nuk ka më fshehje. Është vendi ku autori bëhet njësh me lexuesin. Aty, ai tregon se përtej fjalës së fuqishme dhe të përjetshme, fshihen gjendje të cilave njeriu nuk ju shpëton dot, madje është i destinuar t’i përjetojë deri në fund të ditëve.

S'KA KOMENTE