Reforma e qeverisë dhe rrënimi i familjeve të varfëra

861

Nga Edmond Isaku

 

Banorët e bashkisë Bulqizë po përjetjonë një gjendje të rëndë sociale që vjen jo vetëm nga rënia e përgjithshme e ekonomisë së vendit, por edhe nga shkatërrimi i skemës së ndihmës   ekonomike në emër të gjoja reformave që po ndërmerr qeveria.  Në një kohë kur Bulqiza përjeton rënien më të thellë ekonomike dhe mjerimin social, krizën ekonomike dhe papunësinë, qeveria i jep një tjetër shuplakë këtij komuniteti të varfër. 1060 familje të varfëra hiqen nga skema e ndihmës ekonomike! Edhe atë pak mbështetje të pamjaftueshme që patën, ua ndërprenë. Reagimi është i fortë. Ata grumbullohen dhe kërkojnë zgjidhje te Bashkia e Bulqizës si pushteti që kanë më pranë. Deri tani nuk ka asnjë zgjidhje pasi ata po i sqarojnë çdo ditë se “nuk kanë të ardhura dhe kjo zgjidhje është në kompetencë të qeverisë”.

Lojë me kompetencat midis pushtetit vedor dhe qendror. Familjet pa përkrahje shpresojnë, por qeveria ka vendosur që t’i shkojë gjer në fund verifikimit se “mos marrin ndihmë sociale “të pasurit”. Përjashtimi nga skema e ndihmës e këtyre familjeve përbën një tjetër shqetësim social, për këtë bashki, sikur të mos mjaftonte papunësia në rritje, infrastruktura e rrënuar, mungesa e vendeve të punës që sa vjen e rritet. Bulqiza është bashkia me pasoja të trashëgueshme sociale. Qindra familje janë me probleme invaliditeti, me paaftësi pune, me problem strehimi me pamjaftueshmëri toke dhe të ardhurash të tjera, pasi vetë kjo bashki dhe në mënyrë të veçantë qyteti mbështetet vetëm në punën në minierë e ku vendet e punës sa vjen e shkurtohen dhe grate e kanë të vështirë punësimin për vetë natyrën e punës së vështirë për nxjerrjen e mineralit të kromit. Në kufijtë e mbijetesës fëmijët sakrifikojnë kohën pas mësimit për të mbledhur krom të varfër në stog për të siguruar bukën e gojës dhe për të mbështeteur sado pak familjet. Në këto kushte qeveria bën reformë duke ndërprerë ndihmën për 1060 familje të varfëra dhe të rrënuara ekonomkisht.
Ky është një problem madhor që e zgjidh vetëm qeveria. Në radhë të parë duhet të përcaktohet minimum jetik për shoqërinë shqiptare. Shteti të ruaj kohezionin social duke marrë në mbrojtje me ligj dhe me kritere të përcaktuara qartë të varfërit në gjirin e shoqërisë.
Statusi i minatorit do të ishte një tjetër garanci për banorët e Bulqizës, pasi puna në minierë është dominuese si sektor ekonomik dhe i punësimit. Nuk duhet neglizhuar ndërhyrja në infrastrukturën brenda bashkisë e cila është e rrënuar. Shkollat e fshatrave janë në gjendje të mjeruar. Shërbimi shëndetësor në rrjetin e bashkisë lë mjaft për të dëshiruar, përspektiva dhe prognozat e shvillimit rajonal duken të mjergullta përderisa edhe Rruga e Arbërit nuk ka filluar ende dhe duket sikur çdo gjë lidhur me të është një mashtrim për të shtyrë kohën nga e sotmja tek e nesërmja, me shpresën që ka në thelb mashtrimin. Në tërësi qarku Dibër po përjeton një rënie të thellë drejt varfërisë. Duket sikur për të nuk ekziston shteti dhe dora e tij për t’i dhënë hapësira zhvillimi dhe frymëmarrje jetës ekonomike sociale dhe kulturore. Humbja e shpresës duket si një re që ka muluar qiellin e gëzimit njerëzor dhe populli ndjehet i braktisur. Edhe ndonjë individ që me punën dhe biznesin e tij ka vënë para nuk ndjehet optimist në një kontekst të tillë varfërues ku biznesi në vend që të stimulohet e përkrahet dekurajohet. Koha ka ardhur të shkundemi nga kjo përgjumje dhe të kujtojmë e të mendojmë për zgjidhje të reja. Zgjidhje që të ngjallin shpresë e perspektivë, zgjidhje që ngjallin optimizën dhe frymë besimi në të ardhmen tonë dhe të vendit ku banojmë. Këtë zgjidhje e ka në dorë politika. Populli siç thotë Migjeni çdo ditë po shikon qartë e më qartë dhe vuan thellë e më thellë. Dhe ndryshimin, dhe të ardhmen e ka vetë në dorë !

S'KA KOMENTE