ZERQANI, NJË NGA 100 FSHATRAT TURISTIKË TË SHQIPËRISË

1335

Pas rilindjes urbane, që u shtri në të gjithë qendrat e qyteteve në vend, ndër to, edhe në qytetin e Bulqizës, tanimë radha i vjen rilindjes rurale.
Qeveria ka miratuar listën me 100 fshatra turistikë që gjatë 4 vjeҫarit të ardhshëm do të investohet në to, për të rritur turizmin. Në Bashkinë e Bulqizës, Zerqani është fshati që ka fituar të drejtën e thithjes së investimeve të para të qeverisë për zhvillimin e turizmit.
Komuna Zerqan shtrihet në pjesën qendrore të rrethit të Bulqizës, në verilindje të SHQIPËRISË. E shtrirë midis koordinatave gjeografike 20° 21’ gjatësi gjeografike dhe 41° 31’ gjerësi gjeografike, ajo ka një sipërfaqe prej 8180, 4 ha.
Kjo komunë kufizohet me komunën e Ostrenit në pjesën jugore dhe juglindore, në pjesën lindore kufizohet me komunën e Gjoricës, në veri me komunën e Shupenzës, në veriperëndim me komunën e Fushë-Bulqizës dhe në perëndim dhe jugperëndim me zonën e Martaneshit.
Territori i kësaj komune shtrihet pjesërisht përgjatë luginës së Zallit të Bulqizës, degë e djathtë e rrjedhjes së poshtme të lumit Drini i Zi. Nëpër territorin e kësaj komune kalon rruga nacionale që lidh Bulqizën me Peshkopinë. Kjo komunë ka një lartësi mesatare të qendrave të banuara 700 m mbi nivelin e detit. Komuna shtrihet nga 330 m mbi nivelin e detit deri në 1800 m mbi nivelin e detit.
Komuna Zerqan shtrihet pjesërisht në tarracën e maleve të luginës së Zallit të Bulqizës dhe pjesërisht në rrëzën e shpatit të kodrave. Rruga automoblistike ka nevojë për përmirësim. Ajo kalon nga rruga nacionale, “Ura e Qytetit” në Valikardhë dhe shkon në qendër të fshatit në kodër dhe më pas varet poshtë në drejtim të rrugës nacionale për Peshkopi e Dibër tek “Tre çezmat”. E gjithë kjo rrugë është një rrugë panoramike mbresëlënëse. Një ndihmë të madhe për këtë zonë do të japë ndërtimi i plotë i Rrugës së Arbërit brenda tre viteve të ardhshëm, rrugë që do të shkurtojë komunikimin e kësaj zone me kryeqytetin dhe me zonën bregdetare.
Komuna Zerqan përbëhet nga 13 fshatra që janë : Valikardhë, Zerqan, Sopot, Zall-Sopot , Strikçan, Zall-Strikçan, Godvi, Krajkë, Peladhi, Sofraçan, Tërnovë e Madhe, Tërnovë e vogël, Smollik.
Qendra e komunës është fshati Zerqan me një largësi prej 25 km nga qyteti i Bulqizës, në krah të djathtë të nacionale Tiranë-Dibër. Fshatrat e Komunës Zerqan kanë një numër popullsie totale rreth 5300 banorë. Të dhëna të detajuara lidhur me secilin nga fshatrat jepen në tabelën më poshtë :

Nr Fshati Popullsia gjithsej Nr. familjeve
1. Zerqan 568 188
2. Valikardhe 947 264
3. Peladhi 419 122
4. Krajke 266 76
5. Godvi 269 71
6. Sofracan 226 57
7. Zall-Strikcan 191 52
8. Zall-Sopot 222 62
9. Strikcan 655 171
10. Sopot 1004 275
11. Smollik 142 37
12. Tërnovë e Madhe 296 76
13. Tërnovë e Vogël 84 21
Shuma 5289 1472*

*Të dhënat e popullsisë janë të vitit 2003 dhe nuk janë të përditësuara
Lugina e Grykës së Madhe dhe krahinës së Zerqanit ka qenë e banuar prej kohësh relativisht të vjetra. Në fshatin Krajkë duken edhe sot shenjat e një vendbanimi të hershëm në vendin e quajtur “Qafa e Qytetit”. Po kështu në fshatin Strikçan, në vendin e quajtur “Fusha e Gurrës” gjatë punimeve të tokës, fshatarët kanë gjetur qyngje ujësjellësi, tulla, kapitale kolonash të stilit korintik dhe sende të tjera të kulturës materiale, të cilat dëshmojnë se kjo zonë ka qenë banuar prej kohësh.
Në dokumentet historike mesjetare krahina në fjalë njihet me emrin “Tamadia” dhe fshati Zerqan, Zirclan (që në latinisht d.m.th. Zir-vend dhe clan –artë ; pra vendi i artë) daton me 18 maj1273 në një diplomë të Karlit të Parë Anzhu, ku i dhuron fisnikut arbëresh Pal Gropës disa feude. Ndër këto feude regjistrohej edhe Zirclani. Fshati i zhdukur Rrush i Vogël ose Gropaj ka qenë vendbanim i familjes së madhe të Gropajve, Pal Gropa dhe të birit, Zaharia Gropa, princ i Ohrit në shek XV dhe bashkëluftëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Në zonën e Valikardhës, tek “Ura e Qytetit” janë zhvilluar dy beteja të Skënder beut.
Burim tjetër dokumentar konsiderojmë defterin turk të vitit 1467. Në faqen 88-të të regjistrit përmendet timari ASHCI Skënderit, që korrespondon me fshatin Zerqan (në tekst është shkruar Zirclan).
Ky fshat dhe kjo komunë e njohur edhe si Mali i Grykës së Madhe ka hyrë në histori edhe nga beteja e luftës kundër Hajredin Pashës, në vitin 1844, ku biri i këtij fshati Sheh Mustafa Zerqani ishte komandant dhe organizator kryesor.
Zerqani ka qenë një ndër zonat më të zhvilluar nga ana arsimore.
Me 10 maj të vitit 1910 u hap shkolla e parë e cila kishte si staf pedagogjik 18 mësues, dhe si ndërtesë, shtëpinë e një fshatari . Në 1914 kjo shkollë u detyrua të mbyllej pasi në këtë kohë Zerqani u bë shesh lufte për shtetet e huaja me fillimin e luftës së parë botërore. Edhe pse ishte atmosphere lufte me 5 prill të vitit 1916 u arrit të rihapet shkolla, tani me 40 nxënës, nga këta 10 vajza dhe 30 djem. Në shkollë mësohej gjuha shqipe, aritmetikë dhe këngë. Shkolla u mbyll përsëri më 1918 nga serbët . Në vitin 1921 u rihapën shkollat, vit i cili përkon me ikjen e serbëve. Në vitet 1925-1926 shkolla kishte 75 nxënës vetëm në qendrën e komunës. Shkolla e Zerqanit qe ndërtuar në vitet 1922-24 dhe ishte 20 metra e gjatë, me dy kate dhe kishte 7 dhoma. Në vitet 1931-1932 vlen për tu përmendur hapja e shkollës femërore, por numri i tyre u zvogëlua shumë gjë që solli ribashkimin e shkollës. Në dhjetor 1942 shkolla fillore e Zerqanit mori emrin: Shkolla “Hoxhë Moglica”, në kujtim të martirit të gjuhës shqipe.
Zerqani për nga niveli i përgjtihshëm i arsimimit zë vend të parë në Dibër. Zerqani ka nxjrrë një numër të madh profesorësh dhe doktorësh shkencash , si dhe personalitete të nivelit të lartë drejtues
Ndërsa sot komuna Zerqan është e përbërë nga 9 kopshte, 11 shkolla fillore, 7 shkolla 9-vjeçare, dhe një shkollë e mesme e përgjithshme.
Komuna Zerqan bën pjesë në zonën klimatike mesdhetare para malore nën zona veriore. Ajo ndryshon shumë në drejtim të lartësive të mëdha. Është një klimë e shëndetshme por gjithashtu me kontraste të dallueshme gjatë stinëve.
Temperatura është një nga indikatorët e klimës e marrë në analizë. Kështu nga të dhënat shumëvjeçare të analizuara ka rezultuar se temperatura mesatare shumëvjeçare e korrikut është 20,8 °C. Ndërsa temperatura mesatare shumëvjeçare e janarit është 0,6 °C. Temperatura maksimale absolute në komunën Zerqan është 37 °C, ndërsa temperatura minimale absolute është -20 °C. Përsa i takon dy stinëve të tjera, në këtë zonë shfaqen temperatura optimale dhe të pranueshme për kushtet e shtrirjes gjeografike dhe të terrenit të kësaj zone.
Këshilli NÇl u ngrit më 1942. Zerqani është çliruar më 3 gusht 1943. Festa e çlirimit të Zerqanit është tradicionale dhe përbën një vlerë të madhe turistike dhe patriotike për zonën. Ajo zhvillohet në Livadhet e Zerqanit, një vend i bukur piktoresk, rrethuar me lisa shekullorë dhe nga gurra me ujë të ftohtë akull. Pas vitit 1920, deri në vitin 1930, Zerqani ka qenë qendër Nënprefekture dhe qendër Krahinarie, ose Komuneje. Më datën 14 qershor 1934 nga bashki, Zerqani (Qendër) quhet, komunë. Më 18 shkurt të vitit 1935, sipas dekretligjit “Mbi krijimin e komunave” qendra e Zerqanit, nga, bashki, bëhet komunë.
Edhe në vitet 1945-1949 qe Nënprefekturë dhe qendër rrethi, kur Dibra kishte tre rrethe. Nga viti 1949 deri më 1953 nuk ka qenë qendër administrative. Nga viti 1953 deri në vitin 1992 ka qenë qendër lokaliteti dhe qendër e Këshillit të Bashkuar.
Pas vitit 1993 është qendër e komunës dhe pas vitit 2015 është njësi administrative e bashkisë së Bulqizës.
Ujësjellësi i Zerqanit është ndërtuar deri në vitin 1937 dhe ishte 1000 metra i gjatë dhe në fshat ishin ndërtuar 4 çezma.
Ka një qendër shëndetësore, që nuk funksionon me kapacitet të plotë.
Zerqani dallohet për urbanistikën e tij. Ai që në vitet 30 ka patur rrugë me kalldrëm dhe unazë për shëtitje. Rrugët shoqëroheshin me çesma uji të ftohtë që rridhnin nga gurrat e këtij fshati piktoresk. Në periudhën 1912-1937, janë ndërtuar ose përmirësuar Rruga “Sheh Sula” (800 metra e gjatë), Rruga e Pervizajve (900 metra e gjatë dhe 4 metra e gjerë), Rruga e Tiranës (1100 metra e gjatë dhe 4 metra e gjerë).
Ekonomia e Zerqanit ka drejtim kryesor bujqësinë, frutikulturën dhe blegtorinë. Në Zerqan zhvillojnë aktivitetin e tyre 15 biznese.
Pikat dhe vendet turistike më të spikatura janë Liqeni i Zi, Mali i Kozjakut, Zabeli i Vakëfit, Gurrat e Zerqanit, Livadhet e Zerqanit, Pylli me gështenja etj.
Veshja e Zerqanit, kostumi popullor në dasma e festivale folklorike ështe një nga kostumet më të bukura popullore të Dibrës e cila në traditën popullore të zonës ka harmoni ngjyrash dhe finesë.
Veshjet popullore, janë pa dyshim një nga manifestimet më të fuqishme të kulturës tradicionale. Mënyra tradicionale e veshjes së Zerqanit shpreh përcaktimin krahinor të zonës. Qasha, kjo veshje madhështore, ruan përveç bukurisë edhe një linjë trashëgimie të simboleve të moçme ilire, të cilat u konservuan deri ditët e sotme prej shqiptarëve.
Qasha, sipas studiuesit Halil Teodori, paraqet një fund në trajtë gjysëm këmbane, që vjen gjysëm e valëzuar përfundi, sidomos në pjesën e mbrapme. Bëhej nga një numër copash e rripash të ngushtë shajaku, të vënë vertikalisht dhe të ndërthurrura me breza gajtanesh. Mbahet e varur në supe me dy rripa të gjërë. Në shekujt e shkuar bëhej me shumë ngjyra, por ngjyrat që kanë arritur në ditët e sotme janë : e zeza për gratë dhe e kuqe për vajzat. Në veshjen e qashës verehen simbole pagane që demonstrojne lidhjen e popullsisë me perënditë ilire të kohës.
Kostumet popullore të grave të krahinës së Zerqanit kanë hyrë denjësisht në fondin e kulturës kombëtare shqiptare. Po kështu dhe kostumet e burrave. Kostumet e burrave përbëhen prej qeleshës së bardhë rashtake, këmishës së bardhë prej pambuku me mëngë të rrudhura te kyçi i dorës, jeleku ose xhamadani të zbukuruar me gajtana të zi , mitani , mbathjet e gjata prej pambuku, tirqit, brezit të leshit, i zbukuruar me disa ngjyra, çorape leshi, opinga prej lëkure lope me gjalma, lidhëse leshi dhe koprania e gjatë deri poshtë belit, e pajisur me një jakë të madhe, e cila mund të formohet lehtë një kapuç, për të mbrojtur kokën nga shiu. Deri në vitin 1912 burrat kanë përdorur dollamat dhe fustanellin.
Zerqani ka marrë pjesë rregullisht në festivalet kombëtare folklorike në shkallë vendi. Është e njohur “Vallja e Zerqanit” dhe valle të tjera të zonës.
Zhvillimi i mirëfilltë i turizmit, agroturizmit, turizmit historik, turizmit natyror dhe turizmit kulturor do të jenë baza e zhvillimit dhe e investimeve në këtë zonë nga më të bukurat në Dibër dhe në Shqipëri.

Përgatiti: Sakip Cami

S'KA KOMENTE