Bulqiza në 70 vite, minierë dhe qytet….

236

Si nisën italianët transportin e kromit me mushka

Halil Rama*

Në kuadër të 70 vjetorit të Minierës, Bashkia Bulqizë, ka zhvilluar një aktivitet, kushtuar këtij përvjetori. Aktiviteti u zhvillua në sallën e kinemasë të Pallatit te Kultures, ku moren pjese minatore, veteran te minierës, personel inxhiniero-teknik, këshilltare të bashkisë, etj. Fillimisht pjesëmarrësit neë këtë event ndoqën një dokumentar të shkurtër, për historinë 70 vjeçare të kësaj Miniere, më e madhja në vendin tonë dhe më gjerë.
Përshëndeten me këtë rast, kryetari i bashkisë Bulqizë, Melaim Damzi, i cili vlerësoi rolin e madh që ka luajtur kjo minierë ndër vite, për ekonominë jo vetëm të Bulqizës, por edhe mbarë vendit. Përshendeti gjithashtu edhe inxhinieri aktual i kësaj miniere, Petrit Cara, i cili bëri një retrospektivë të rritjes ndër vite të shkallës së mekanizimit të punës në këtë minierë.
Në fund për të pranishmit, Qendra Kulturore e Pallatit të Kulturës, dha një koncert artistik për të pranishmit dhe kishte përgatitur dhe ekspozuar në hollin e këtij Pallati, një ekspozitë fotografike, me fotografi të punës në miniere ndërvite, e cila u vizitua nga të pranishmit.
Shtatëdhjetë vjet më parë, në “Ahishtën e madhe” të Malit të Duriçit, shpërthimi i parë i minave që thërrmonin shkëmbin e gurit me xixa sinjalizoi fillimin e punës për nxjerrjen e mineralit të çmuar të kromit në Bulqizë. 18 shkurti i vitit 1948 shënon kështu krijimin zyrtarisht të minierës më të madhe të kromit në vend. Pikërisht mbi luginën e Vajkalit, e cila në analet e historisë tonë kombëtare ka hyrë si një nga sheshbetejat kryesore kundër pushtuesve turq, të udhëhequra nga Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, miniera e sapokrijuar do ta bënte edhe më të njohur këtë luginë ku do të hidhte shtat qyteti minator në prehër të maleve, nga thellësia e të cilave do të nxirreshin mbi 15 milionë tonë krom. (Në vitin e parë të punës në minierën e Bulqizës u prodhuan 10482 ton mineral kromi). Është kjo sasi tepër e konsiderueshme e mineralit të çmuar, që jo vetëm ka mbajtur peshën kryesore të ekonomisë tonë kombëtare, sidomos në katër dekada të sistemit monist, por edhe minerali me të cilin Shqipëria ka “pushtuar” tregjet e botës…
Shtatëdhjetë vjet më parë, në lartësinë 1000 m mbi nivelin e detit, ishin tetë punëtorë nga Rubiku dhe trembëdhjetë punëtorë nga zona e Bulqizës që i dhanë emrin minierës së kromit Bulqizë. Në kronikat e kohës, por edhe në librat studimorë e historikë të autorëve të njohur, si Hamza Gurra, Ymer Keta, Jorgo Kola e Bashkim Lami janë skalitur emrat e minatorëve e specialistëve të parë: Osman Losha, Tosum Spahiu, Myrteza Duriçi, Gjergj Prenga, Sulejman Ruta, Hamit Duriçi, Liman Zogu, Adem Hasa, Gjin Kola, Pal Deda, Riza Duriçi, Din Hoxha, Mexhit Voci, Hysni Duriçi, Mustafa Duriçi, Liman Kola, Baftjar Fida, Ferit Lala, Haxhi Xhari, Abdulla Mehmeti, Ramadan Voci, Isuf Sula, Isuf Hoxha, Mehmet Keta, Dhimitër Kalami, Hamit Beta, Mehmet Kola, Hasan Jashari, Beqir Xhemali, Nazmi Përkola, Bajram Xheka, Tahir Nasuf Spahiu, Faredin Shehu, Mendu Qatja, Kamberr Duriçi, Uke Murrja, Ndue Tusha, Ndue Murrja, Muharrem Stafa, Dodë Preng Gjeta, Llesh Luli e Pjetër Shurbi, si dhe i Drejtori të parë të Ndërmarrjes Miniera e Kromit Bulqizë, Jorgji Traja.
Janë pikërisht këta heronjtë e parë që do të shtronin trasenë nga ku do të ecnin qindra mijëra të tjerë, të cilët në 70 vite do të me prodhimin kryenin mbi 100 mijë km punime minerare.
PAK HISTORI

Në Bulqizë 18 shkurtin e quajnë festën e minierës. Në fakt, kjo ditë konsiderohet si data zyrtare e krijimit të Minierës së Kromit “Todo Manço”, por zanafilla e saj është shumë më e hershme. Gati një shekull më parë, burri i mençur i Vajkalit Baba Fejza, do t’i porosiste bashkëfshatarët e tij që ta ruajnë të mos ua grabisin gurin e zi me xixa që është më i rëndë se të tjerët dhe që do të vlerësohet shumë vjet më vonë…..Dhe profecia e tij doli. Megjithëse kromi hyri në përdorim industrial relativisht vonë interesimi për të është i hershëm. Vendasit thonë që Italia me Serbinë janë konfliktuar ashpër për vendosjen e kufirit, të cilin Serbia e kërkonte në Qafë të Buallit kurse Italia e kërkonte në Fushë-Bulqizë. Pra, secili shtet kërkonte ta përfshinte në territorin e pushtuar prej tij. Kjo ka ndodhur në vitin 1918.
“Që në vitin 1918 ka njoftime se në Bulqizë kishin ardhur specialistë italianë që kërkonin krom. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore italianët filluan prodhimin e kromit sigurisht në sasi shumë të vogla, që i transportonin me mushka. Ndoshta kjo e bëri të detyrueshme ndërtimin e rrugës automobilistike nga Klosi në Bulqizë, e cila u lidh me rrugën automobilistike të Zerqanit, që ishte ndërtuar në vitin 1932. Në këtë kohë italianët kishin instaluar një repart ushtarak në mbrojtje të minierës”, shkruan ing.Hamza Gurra në librin e tij “Bulqiza, një minierë me histori”. Në vitin 1943 çeta partizane e Dibrës e sulmoi me armë dhe i përzuri italianët dhe që nga ajo kohë punimet për nxjerrjen e kromit u pezulluan, për të rifilluar më 18 shkurt 1948 kur zyrtarisht u krijua miniera e Bulqizës. Për 70 vite që nga ajo datë historike Bulqiza mbajti në kurriz një pjesë të madhe të buxhetit të shtetit. Por shumë pak u bë për vetë Bulqizën. Miniera është vërtet një vepër gjigande që e bënë mijëra burra dhe ajo u dha emër shumë prej tyre. Askush nuk e ka llogaritur saktë fuqinë krijuese të njerëzve e cila, e vënë në përdorim herë veç e veç e herë së bashku krijoi qytetërime të mahnitshme në botë, kështu pak nga pak u krijua edhe miniera e Bulqizës.
Me moton “kromi çan bllokadën”, pothuajse nomenklatura e kuqe e vuri Bulqizën në epiqendrën e platformës së saj për shfrytëzimin barbar të kësaj pasurie të çmuar nëntokësore. Bllokmenët dirigjonin që nga Tirana, por herë-herë detyroheshin të zbrisnin edhe vetë në qytetin e ftohtë në zemër të maleve për të mbajtur nën presion administratën dhe minatorët, që me çdo kusht të realizonin planin e parashikuar prej tyre. Më e dukshme kjo strategji në vitet 1980-1990 kur vetëm në zonën veriore janë hapur 8 puse vertikalë dhe 8 dishenteri. Përveç këtyre janë hapur 4 puse ndihmës si A’2 i pa përfunduar, 9/5;8/5;10/12;11/14, i cili përdoret për rrugëdalje. Gjithsesi, ai që është vonuar shumë është thellimi i pusit Nr. 7 sipas projektit. Në zonën D janë hapur 3 puse që lidhin punimet nga traverbanku C (1440) deri në Galerinë 1050.
Konkretisht: Pusi Nr. 4 që lidh Galerinë A, Galerinë 16(1160) dhe Galerinë 1050; Pusi Nr. 5 që lidh Galerinë C(1440); Galerinë 12(1360); Galerinë B(1280) dhe Galerinë A(1200). Është edhe Pusi Nr.5A që lidh Galerinë 1280(B) me Galerinë 1200(A). Veç këtyre janë hapur shumë fornele ndihmës që kanë shërbyer për transport minerali dhe për rrugë dalje e ajrim.

DISA NGA DREJTORITË E SHËRBIMET NDIHMËSE

Duke ecur në gjurmët e historisë së minierës, një stacion i rëndësishëm është padyshim shërbimi gjeologo-markshejderik i saj, i cili merr jetë në harkun kohor të viteve 1954-1955. Në krye të këtij shërbimi ishte ing. Skënder Dede dhe gradualisht filloi të plotësohej me teknikë markshejdera si Elmaz Sulika, Ismail Kurcani e Veli Lala. Teknikë gjeologë ishin Neim Çevani, Xhevdet Kuçi, Alqi Premti. Në janar 1955 zgjodhën Ferit Allën Kryetar Ekspedite, detyrë të cilën e plotësoi me sukses dhe po në këtë vit e emëruan Drejtor i Ndërmarrjes Gjeologjike Bulqizë.
Një minierë është pa perspektivë, nëse nuk i paraprihet më zbulimin e rezervave minerare. Këtë mision historik këtu do ta kryente më së miri Ndërmarrja Gjeologjike e Bulqizës, e krijuar që në vitin 1957, duke kryer punime për zbulimet gjeologjike për gjetjen e vendburimeve të mineraleve të dobishme dhe punime shkencore në fushën e gjeologjisë. Nga studimi tejet shkencor, por edhe skurpuloz i z.Bashkim Lami (BULQIZA NDËR VITE NË 70 VJET, 1948-2018) mësojmë se Drejtori parë i Ndërmarrjes Gjeologjike e Bulqizës ishte Ferit Alla, i cili siguroi mbështetjen e fortë të personelit inxhiniero-teknik që e quante themelin e sukseseve që synonte gjeologjia me inxhinierët: Virgjil Buda, Rexhep Shehu, Xhelil Karkana dhe teknikët e rinj: Enver Vorfi, Nexhat Lami, Gani Gurra , personel organizativ: Ali Hida, Ismail Losha, Hasan Losha, Rakip Karaj, Ibrahim Balla, Pal Bilaçi, Rushit Toçi, Sulë Kica, etj. Pas një viti ndërmarrja kishte 82 veta personel inxhiniero-teknik dhe katërqind sondistë e punëtorë. Sukses i veçantë në këtë fillim ishte kualifikimi i disa mjeshtrave të shpimit që më pas u bënë themeli i realizimit të projekteve të kërkimit. Me një organizim të arrirë u përballuan vështirësi të mëdha të punës në terrene tepër të vështira kur transportoheshin sondat, motorët e pompat me pesha shumë të mëdha, në krahë, në terrenet e maleve të thepisura dhe pa rrugë.
Në vitet 1968-1971 u ndërtua Fabrika e pasurimit e cila u konsolidua pas vitit 1975 kur prodhimi i koncentratit u rrit në mbi 8000 ton/muaj. Minerali i varfër i galerive perëndimore të minierës së Bulqizës, Almarinës, minierës Batrës, Krastës, Klosit dhe të Qaf-Lamës dërgohej në fabrikë. Kështu fabrika merrte lëndë të parë mineral të varfër rreth 850 ton/ditë dhe prodhonte rreth 350 ton koncentrat në ditë. Minerali i varfër merrej zakonisht me përmbajtje mbi 27% dhe koncentrati dilte me mbi 48%. Fabrika është provuar me sukses në pasurimin e mbetjeve teknologjike të fabrikës së ferrokromit të Burrelit dhe në riciklimin e mbetjeve teknologjike të dambës që kanë mbi 12% Cr 0 .
Deri në vitet 1990 funksionoi ndërmarrja e furnizimit të punëtorëve që administronte tregtinë, mensat e punëtorëve dhe fjetoret e punëtorëve beqarë, duhet thënë drejt: bëheshin përpjekje por shërbimi ishte shumë i dobët. Në radhë të parë kishte mungesa të mëdha në furnizim, mungonte qumështi, mishi, zarzavatet, frutat, veshjet dhe pajisjet elektroshtëpiake. Si ndërmarrje në mbështetje të minierës ndërmarrja e furnizimit nuk i përballonte detyrat. Në fillim të viteve ’90, në mbështetje të minierës u krijua edhe parku automobilistik i Bulqizës që kryesisht ishte në shërbim të transportit të punëtorëve të minierës, por edhe të transportit të kromit transit brënda minierës e për në fabrikën e pasurimit dhe të transportit të mineralit për në Durrës.

BULQIZA QYTET-BURG

Pa mohuar aspak kontributin e qindra mijë minatorëve, inxhinierëve e teknikëve të minierës, për vetë përqendrimin e të burgosurve në kampet e këtushme gjatë viteve të diktaturës, Bulqiza mund të konsiderohet edhe si qytet-burg. Për këtë flasin statistikat e kohës. Kështu, nëse më 1954 në Bulqizë u ngrit burgu i të dënuarve ordinerë, fillimisht me 600 të dënuar, ky kamp funksionoi për rreth 30 vjet dhe përfshinte zonat nga dishenteria e galerisë 41 e deri ndër zonën “D”. Katërmbëdhjetë vjet më vonë, më 1968, Bulqizës do t’i shtohej edhe burgu tek vendi ku do të ndërtohej fabrika e pasurimit të kromit. Të burgosurit ndërtuan të gjitha objektet sipas projektit deri sa filloi montimi i makinerive. Saga e të dënuarve vazhdon edhe më tej kur në vitin 1976 Kampi i burgut mori edhe zonën “D”. Madje, pas vitit 1976 kampi ka patur maksimumin e të dënuarve.
Një tjetër burg u ngrit më 1985 me të burgosurit që do të ndërtonin Qytetin e Ri në Bulqizë. Një nga mësuesit e shquar të Bulqizës, z.Bashkim Lami, që ka drejtuar me kompetencë e përkushtim institucione kryesore në Bulqizën e pas ’90-tës, në shënimet e tij shkruan se “Ndërtimet vazhduar me ritme të shpejta dhe në vitin 1988 u strehuan banorët e parë në këtë lagje”. Madje sipas tij, “burgu u përdor edhe në objekte të tjera të rëndësishme të zonës së kromeve. Miniera e Batrës dhe e Tërnovës kanë pasur kampe të dënuarish, po kështu ndërtimi i fabrikës së pasurimit dhe ndërtimi i lagjes “Qyteti i ri” është bërë me kampe të dënuarish që janë përdorur vetëm në ndërtimin e këtyre objekteve. Në 28 vite kontributi i të burgosurve ka qenë shumë i rëndësishëm”.
KA MINIERË, KA QYTET. S’KA MINIERË, S’KA QYTET!
Miniera dhe qyteti janë lidhur në mënyrë të pazgjidhshme: Ka minierë, ka qytet. S’ka minierë, s’ka qytet. Këtë apostulat, të bazuar mbi historinë e qyteteve minerare në botë e ka zbërthyer më së miri Hamza Gurra, një nga inxhinierët dhe drejtuesit e njohur të minierës së kromit dhe të Bashkisë Bulqizë. Sipas tij, Bulqiza e barakave me dërrasa e viteve ’49-’50 u rrit gradualisht bashkë me minierën e saj. Në vitet 50-60 u ndërtuan disa ndërtesa njëkatëshe. Pas vitit 1960 filloi ndërtimi i ndërtesave dykatëshe dhe vetëm pas vitit 1970 nisën të ndërtohen godina banimi tre e deri pesë katëshe. Shumë njerëz këtë e lidhin me nënvleftësimin që i bënte shteti këtij qyteti dhe ish-inxhinieri e drejtuesi Gurra nuk me merr përsipër të vërtetoj të kundërtën por një gjë është e qartë: Në vitet e para perspektiva e Bulqizës ishte krejt e pa sigurtë, kërkim -zbulimi i këtij vendburimi është bërë krahas shfrytëzimit dhe kërkimi nuk ka përfunduar edhe sot as në thellësi dhe as nga krahët. Prandaj dhe qyteti u rrit me zor krahas rritjes së zbulimit të rezervave.
Qyteti i Bulqizës me rreth 2000 banorë deri në vitin 1955 u rrit deri në 18000 banorë në vitet 1995-2000. Krahas rritjes së qytetit u formuan edhe ndërmarrjet e institucionet e qytetit. Në vitet e para qyteti nuk kishte ndërmarrje komunale kështu që të gjitha punët komunale i bënte ndërtimi i minierës ose bëheshin me punë vullnetare.
Në vitet 1985-87 u ndërtua lagja e re e quajtur “Qyteti i ri” ku u strehuan rreth 1000 familje. Pas viteve 90 kur filloi pluralizmi qyteti u përshtat shumë shpejt me mënyrën kapitaliste të jetesës. Me ndarjen e Bulqizës rreth më vete (deri atëherë në juridiskionin e rrethit Dibër) dhe aktualisht si një nga 61 bashkitë e vendit, u strukturua mjaft shpejt administrata lokale dhe jo vetëm që nuk pati probleme por përkundrazi jetesa u përmirësua mjaft. Në mënyrë të veçantë e përmirësoi jetesën tregu privat.
Megjithatë, aktualisht qyteti i Bulqizës vuan plagën e papunësisë dhe të mungesës së infrastrukturës bashkëkohore.

INFRASTRUKTURA SOCIALKULTURORE
Ndër vite u ngrit gradualisht edhe infrastruktura socialkulturore. Më 1954 u ndërtua në qytet kinemaja me një skenë të vogël dhe me 200 vende, u montuan dy aparate projeksioni për të shfaqur filmat, një sallë lojërash bilardo e një bibliotekë.
Tre vjet më vonë (1957) u ndërtua në qytet shkollë e re me 7 klasa, ku u hap shkolla 7-vjeçare e ditës ku vijonin mësimin, fëmijët e Vajkalit e të qytetit të Bulqizës dhe pas 8 vitesh, më 1965 u ndërtua në Bulqizë shkollë e re me 10 dhoma mësimi, poshtë rrugës së qytetit që plotësonte nevojat për vijueshmërinë e mësimit pasi klasat u bënë me nga dy paralele. U ngritën nga mësuesit dhe nxënësit disa terrene sportive, volejbolli, basketbolli e gjimnastike, të cilat shfrytëzoheshin edhe nga rinia e qytetit të Bulqizës. Në shtator 1967 u shkolla e mesme e përgjithshme pa shkëputje nga puna dhe më 1970 edhe shkolla e mesme profesionale e ditës me degën për teknikë miniere, që më pas u shtuan degët, gjeologji e shpim pusesh.
Më 1975 u vu në funksionim kinoklubi i ri me dy kate, që u financua nga ndërmarrja minierës me sallë kinemaje dhe koncertesh me 350 vende, me bibliotekë e sallë leximi, bar-kafe dhe dhoma e anekse të tjera pune, duke u krijuar kështu mundësia që në këto ambiente të gjallëroheshin aktivitetet kulturore e artistike, sesionet shkencore, recensionet, bisedat etj.. Ky pallat është rikonstruktuar dhe vazhdon të jetë si qendër kulturore e vetme e këtij qyteti.
Në vitin 1989 u ndërtua shkolla 8-vjeçare me 4 kate në “Lagjen e Re”, me 24 klasa, 4 kabinete e palestër sportive.

FRAGMENTARIZIMI I MINIERËS NË KOMPANI KONCESIONARE

Bulqiza është një trevë, e cila shtrihet në pjesën verilindore të vendit dhe përfshihet në prefekturën e Dibrës. Jeta në këtë zonë zhvillohet në dy dimensione. Në të vërtetë janë dy Bulqiza, Bulqiza që shtrihet gjeografikisht dhe Bulqiza e nëntokës.. Miniera e dikurshme e centralizuar është fragmentarizuar në qindra kompani koncesionare. Sipas Ministrisë së Energjetikës, deri në fund të 2015 kanë qenë aktive gjithsej 264 leje minerare shfrytëzimi për mineral kromi, nga të cilat tre leje janë koncesionare. Këto leje janë të shpërndara në 12 rrethe të vendit dhe në dy brezat e shkëmbinjve ultrabazikë. Numri më i madh i lejeve të shfrytëzimit, 117 leje ose 47% e të gjitha lejeve të shfrytëzimit, ndodhet në rrethin e Bulqizës.
Në vitin 2008, ishin 68 leje shfrytëzimi, ndërsa në vitin 2013 ky numër kishte arritur në 118. Në vitin 2000 u firmos nga qeveria dhënia me koncesion e puseve të thellësisë të Bulqizës dhe të Fabrikës së Pasurimit të Kromit në Bulqizë dhe në Klos si dhe Uzinat e Ferrokromit në Burrel e Elbasan, për 30 vjet . Me këto ndërmarrje “Darfo” themeloi kompaninë “DARFO ALBANIA” më 14 prill 2000. Pas nëntë vitesh, në korrik të vitit 2009, “DARFO” i shet 100 % të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë koncesionare “DARFO ALBANIA”, shoqërisë “ACR Holding” dhe pas kësaj, emri i shoqërisë ndryshohet në “Albanian Chrome” me të njëjtin NIPT.
Më 17 janar 2013 “Balfin Group”, me Samir Mane si drejtues i bleu aksionet e kompanisë “Albanian Chrome” (ACR), shoqërisë “DCM DECO-metal GmbH-DCM Beteilinungs GmbH . (BIRN) dhe kjo kompani menaxhon edhe aktualisht këtë minierë. Sipas z. Mane a kjo kompani ka mbi 1 mijë punëtorë, ndërkohë që disa elementë të rëndësishëm janë siguria dhe investimi që zgjat jetën e minierës deri në 30 vjet. Kjo ishte kërkesa e parë. Në 2013 ne filluam të mendonim për pusin dhe aktualisht jemi
“Balfin Group”, është në përfundim të projektit me vlerë 22 mln euro për Pusin. Sot rroga më e lartë për minatorët është 87 mijë lekë të reja, pastaj ka edhe kontribute për ushqimin dhe gjëra të tjera. Gati 1 milion dollarë në muaj është fondi i pagave. Ndërsa vlera totale e investimit është 34 milionë dollarë. Deri në 2021 mund të shkojë në 55 milionë. Po bëhet një investim tjetër prej 14 milionë dollarë për ajrimin e minierës”, ka thënë Mane para pak ditësh gjatë një debati televiziv.

NË 70-VJETORIN E MINIERËS, MINATORËT NË PROTESTË PËR STATUSIN E MINATORIT

Shtatëdhjetë vjet pas krijimit miniera e kromit Bulqizë nuk është më një ndërmarrje gjigande, por një sistem i tërë shfrytëzimi që ndahet në rreth 130 ndërmarrje private, gjeneruese të punësimit për shumicën e familjeve të zonës. Për këtë arsye ajo ka një rëndësi strategjike dhe duhet sjellë në vëmendje të qeverisë dhe të opinionit publik, pasi përbën një kantier të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Në sektorin e nxjerrjes së kromit, zhvillojnë aktivitetin në zonën e Bulqizës afërsisht 130 ndërmarrje private, duke qenë gjeneruesit e punësimit për shumicën e familjeve të zonës. Zoti Edmond Isaku, themelues dhe administrator i Tv Bulqiza, njëherësh dhe administrator i një kompanie koncesionare thotë se nga shteti ka nevojë për ndërhyrje lehtësuese pasi në industrinë e nxjerrjes së kromit, pas shtatë dekadash me trend të pandalshëm rritës në volumin e mineralit të nxjerrë si edhe në vëllimin e lëndës së eksportuar, janë vështirësuar mjaft punimet…Dhe si të mos mjaftonin këto, minatorët e Bulqizës ankohen se marrin pensione minimale në një kohë që gjithë jetën kanë punuar nëntokë, në kushte tepër të vështira shëndetësore dhe ekonomike. Ata i bëjnë apel qeverisë për të miratuar statusin e minatorit, në mënyra që jeta e tyre të jetë më pak e vështirë, ndërkohë protesta e tyre për “Statusin” vazhdon pa ndërprerje që prej disa muajsh. Ing.Kurt Skarra që ka pasur fatin të ishte kryeinxhinier i minierës në vitet me prodhimin më të lartë të kromit mbështet protestën e minatorëve dhe me të drejtë e konsideron nëntokën e Bulqizës si përfaqësuese, si pjesë të jetës dhe dinamizmit të punës ku mesatarisht për çdo vite kanë ushtruar profesionalizmin e tyre mbi 5000 punonjës të cilët kanë ushqyer mbi 15.000 jetë njerëzish, duke i dhënë Bulqizës, emër dhe zhgënjim.
“I ka dhënë emër, sepse minerali kromit i nxjerrë nga nëntoka ka pushtuar tregjet e botës dhe ka krijuar tek të huajt, imazhin e një qyteti dhe treve shumë të zhvilluar,-thotë ing.Skarra. Ndërsa, zhgënjimi, sipas tij, qëndron në faktin se minerali kromit është përdorur për të investuar në zonat e tjera të vendit dhe jo në vetë minierën dhe Bulqizën…

*Botuar në “Gazeta Shqiptare”, “Panorama” dhe “Koha Jonë”, më 18 shkurt 2018

S'KA KOMENTE