PROFESORI I PRAKTIKËS DHE TEORISË POLITIKE

618

VALBONA RAMÇI

Dr. Shpëtim Cami, me një përvojë 27 vjeçare në jetën politike shqiptare, tashmë pedagog i shkencave politike dhe ekspert i Sigurisë Kombëtare, ka disa botime nga të cilat do të veçonim librat “Gjeopolitika elektorale”, 2010, “Marketingu politik në SHBA dhe Britaninë e Madhe “ , me bashkëautor, 2013, :”Lufta, paqja, siguria, realitete ballkanike” me bashkëautor si dhe studimi i pabotuar për rreziqet dhe kërcënimet ndaj sigurisë në shekullin e XX.
Ai ka dhënë dhe jep leksione në universitetet shqiptare brenda dhe jashtë vendit si në Tiranë dhe Maqedoni prej 8 vitesh.
Në botimet e tij përveç referencave të shumta nga autorë vendas dhe të huaj ai shpesh i referehet përvojës së tij politike,
Në librin:”Lufta, paqja, siguria, realitete ballkanike” me bashkëautor Prof.Dr. Pajtim Ribaj, janë pasqyruar realitete ballkanike që prej 100 vjetësh e në vijim, realitete që janë të pranishme edhe sot me problemet e demarkacionit midis Kosovës dhe Malit të Zi, në bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës, në problemet e emrit të Maqedonisë, në kufirin detar dhe atë tokësor midis Shqipërisë dhe Greqisë, ndonëse jemi de fakto dhe de jure dy vende të NATO-s, në egzistencën prej 70 vjetësh të ligjit të luftës, tek konfliktet ndëretnike në Bosnjë etj.
Konfliktet ballkanike të viteve ’90, dekompozimi i Ish Jugosllavisë, vështirësitë e krijimit të shteteve të reja me popullsi shumë etnike , problematika komplekse e tranzicionit drejt shoqërisë demokratike, vështirësitë e vonesat objektive e subjektive dhe lidhjet e vjetra , balancat e reja të interesave të aktorëve globalë e të rëndësishëm në rajon e me vendet e rajonit, kanë përcaktuar hartën e re të kërcënimeve e të rreziqeve rajonale nënvizon Dr. Shpëtim Cami. Njëkohësisht e kanë e kanë ekspozuar ndaj dukurive negative duke prezantuar sfida të reja, komplekse e të sofistikuara për stabilitetin e rajonit.
Parë më gjërë, në konteksin global, kur konflikti në Siri vazhdon prej vitesh dhe nuk ka të përfunduar, kur Koreja e Veriut dhe Irani përbëjnë rrezik serioz për botën në tërësi, ky libër tingëllon aktual dhe është sinjal alarmi për problemet e sigurisë në Shqipëri dhe për plotësimin e detyrimeve të mbrojtjes.
Nga studimi i Dr. Camit, studim që përmbledh periudhën që nga Kongresi i Berlinit 1878 dhe deri më sot , del përfundimi se për paqen dhe sigurinë duhet të investohet shumë. Të investohet në politikë dhe në ekonomi, në ushtri dhe në polici dhe mbi të gjitha t’i mëshohet fort çështjes kombëtare dhe mardhënieve të mira me fqinjët. Fqinjët nuk ndryshojnë, nuk i ndryshojmë ne, duam apo nuk duam, ata egzistojnë objektivisht. Ne mund të bëjmë atë, që të jetojmë në fqinjësi të mirë me njëri tjetrin. Cilido që i fryn politikës së armiqësisë së popujve, në emër të gjoja nacionalizmit apo atdhetarizmit, cilido qoftë ai, politikan i majtë apo i djathtë, në të vërtetë punon kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Përvoja e Dr. Shpëtim Camit si politikan, si i zgjedhur në pushtetin vendor, si Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, si këshilltar pranë komisionerit të të drejtës për informim dhe mbrojtjes së të dhënave personale , në Ministrinë e Mbrojtjes , si pedagog dhe ekspert i problemeve të sigurisë kombëtare etj i ka dhënë mundësinë që t’i pasqyrojë ato në librat dhe studimet e tij.
Në librin “Marketingu Politik në SHBA dhe në Britaninë e Madhe” pas një përvojë të gjatë në Shqipëri dhe vëzhgimit të zgjedhjeve edhe në Britaninë e Madhe dhe studimit të përvojës së stafit të Obamës në SHBA, autorët kanë për objekt studimi partitë politike, kandidatët, mjedisin elektoral, fushatat elektorale, mënyrën e financimit të partive dhe fushatave , ndalet në modelin konkret të fushatës elektoralë të Barak Obamës, ku interneti merr një përparësi të jashtëzakonshme, analizon fenomenin “5 yjet” dhe Pepe Grillo në Itali ku me mikrobuz dhe me rrjetet sociale kjo parti e re politike tronditi Italinë.
Në këtë libër paraqitet informacion rreth komunikimit politik , aktorëve politikë organizatave publike, grupeve të presionit, organizatave terroriste, mediave etj.
Në maj të vitit 2010 ai ndjek fushatën zgjedhore në Britaninë e Madhe dhe veçon ndërmjet të tjerave informacionin e bollshëm që u vihej në dispozicion qytetarëve britanikë për të bërë zgjedhjen më të mirë.
Në mars të vitit 2013 në kuadrin e punës në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës ndjek fushatën elektorale për zgjedhjet vendore në këtë qytet dhe e bashkon këtë përvojë me përvojat e tjera në Shqipëri dhe në vendet e tjera.
Libri “Gjeopolitika elektorale” përbën një kontribut me vlerë për emancipimin e mëtejshëm të politikës shqiptare, thekson studiuesi dhe redaktori i librit Agustin Gjinaj. Në këtë libër Dr. Shpëtim Cami bën një konstatim të dhimbshëm dhe kurajoz:”Politikanët në këta vite kanë qenë prokurorët më të ashpër , akuzatorët më të mëdhenj… ndaj kemi nevojë për politikanë të kualifikuar, për politikanë llogaridhënës e raportues, kemi nevojë për përfaqësues. Shqetësimet e tij nuk janë moral për të tjerët, hipotetike apo dëshira. Në këto 27 vite ai ka dhënë modelin e një politikani që nuk akuzon por që jep llogari dhe raporton gjithmonë para zgjedhësve të tij, e shprehur kjo në botimet, artikujt dhe intervistat e tij të vazhdueshme.
Dr. Shpëtim Cami ka shpjeguar se Ballkani ka hyrë në një rrugë të re, në atë të ndryshimit, pas shekujsh e dhjetravjeçarësh luftërash shkatërruese , problemesh të mëdha e të vogla, ngatërresash të të gjitha llojeve. Vendet e rajonit kanë sisteme politike demokratike dhe kanë në themel ekonominë e tregut të lirë dhe pa përjashtim aspirojnë në Bashkimin Europian, janë anëtarë ose aspirojnë aktivisht për anëtarësimin në NATO. Ato janë përfshirë në iniciativa rajonale të përbashkëta për zhvillimin e ekonomisë, paqes dhe sigurisë. I gjithë Ballkani është në procesin e një përpjekje të vazhdueshme për vendosjen dhe forcimin e institucioneve demokratike, që demokracia të mundet të funksionojë atje në të njëjtën mënyrë siç funksionon në vendet e perëndimit.
Detyra e shteteve dhe e partive që qeverisin , si dhe e partive që janë në opozitë nënvizon Dr. Cami, është që t’i bëjnë vendet e tyre më të begata e më të mira për të jetuar , të bëjnë një politikë konstruktive e mbi të gjitha për popullin dhe standartin e jetesës , të kulturojnë, të modelojnë e të formatojnë institucione europiane, ku njerëzit të jenë të mirëpritur e të kryejnë shërbimet e nevojshme, të punojnë e të prodhojnë në vendin e tyre , që ato të mos mbeten vetëm vendet e fëmijëve dhe të pensionistëve , i disa zyrtarëve që kanë shansin të jenë në punë të shtetit, kur fiton partia e tyre, duke lënë të ikë në emigracion rininë dhe krahët e aftë të punës.
Duke analizuar edhe jetën e brendëshme të partive politike Dr. Cami nënvizon faktin se nuk mund të bëjnë qeverisje me rregulla ato qeveri që dalin nga parti politike pa status e pa rregulla. Qytetarëve ju krijohet urrejtje për politikën dhe largohen prej saj, e abandanojnë atë, por nuk është kjo zgjidhja, sepse këtë dëshirojnë politikanët abuzivë, që të zgjedhin një klasë politike nga një numër gjithnjë e më i vogël zgjedhësish, të manipuluar prej tyre. Përkundrazi, qytetarët, zgjedhësit aktivë dhe të pakompromentueshëm duhet të marrin në dorë fatin e qeverisjes së tyre.
I ftuar në Radio Tirana nga gazetari Pëllumb Troci, si ekspert i Sigurisë Kombëtare, Dr. Cami trajton me kompetence profesionale sfidat për integrim që prodhojnë siguri rajonale me të cilat po përballet sot shteti i Maqedonisë dhe cilat janë alternativat për të ardhmen.
Këto studime të botuara dhe intervista të Dr. Shpëtim Camit si dhe ato që ka në proces përbëjnë një vlerë dhe pasuri për brezat dhe për çështjen tonë kombëtare në tërësi.

S'KA KOMENTE