BULQIZA NDËR VITE NË 70 VJET, 1948-2018

2388
OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Nga Bashkim LAMI
Ekipi i specialistëve rusë në kohën kur u larguan thanë: “Batra është shterpë dhe Bulqiza drejt mbarimit”, por puna e palodhur e personelit inxhiniero-teknik dhe brigadave të shpimit vërtetoi se kromi ishte një pasuri e madhe për ekonominë e Shqipërisë

18 shkurt 1948** Filluan punimet në vendin e quajtur “Ahishta e madhe” për nxjerrjen e mineralit të kromit në Bulqizë, në lartësinë 1000m mbi nivelin e detit. Erdhën tetë punëtorë nga Rubiku dhe trembëdhjetë punëtorë nga zona e Bulqizës që filluan punën duke bërë të buçasë Mali i Duriçit nga shpërthimi i parë i minave që thërmonin shkëmbin e gurit me xixa në një karjerë dhe në ditët e para filloi hapja e galerisë “A1”. Poshtë vendit ku punohej shpati ishte i mbuluar me pyll shekullor me drurë pishe, bredhi e ahu, por më poshtë, afër fushës kishte dellenjë e lisa të lartë. Punëtorët shtoheshin çdo ditë dhe brenda një muaji u bënë mbi tridhjetë veta.
1948** Punëtorët e specialistët e parë në minierën e Bulqizës kanë qenë: Osman Losha, Tosum Spahiu, Myrteza Duriçi, Gjergj Prenga, Sulejman Ruta, Hamit Duriçi, Liman Zogu, Adem Hasa, Gjin Kola, Pal Deda, Riza Duriçi, Din Hoxha, Mexhit Voci, Hysni Duriçi, Mustafa Duriçi, Liman Kola, Baftjar Fida, Ferit Lala, Haxhi Xhari, Abdulla Mehmeti, Ramadan Voci, Isuf Sula, Isuf Hoxha, Mehmet Keta, Dhimitër Kalami, Hamit Beta, Mehmet Kola, Hasan Jashari, Beqir Xhemali, Nazmi Përkola, Bajram Xheka, Tahir Nasuf Spahiu, Faredin Shehu, Mendu Qatja, Kamberr Duriçi, Uke Murrja, Ndue Tusha, Ndue Murrja, Muharrem Stafa, Dodë Preng Gjeta, Llesh Luli, Pjetër Shurbi,
1948** Drejtor i parë i Ndërmarrjes Miniera e Kromit Bulqizë ka qenë z. Jorgji Traja.
1948** Në zonën e parë u vu një motokompresor dhe një grup elektrik 10 kë që përdorej vetëm për ndriçim.
1948** Në vitin e parë të punës në minierën e Bulqizës u prodhuan 10482 ton mineral kromi.
1949-1950** Drejtor i Ndërmarrjes Miniera e Kromit Bulqizë ka qenë z.Kiço Kovaçi.
1949** U ndërtua teleferiku i parë minierë-qytet që do transportonte kromin e prodhuar deri në anë të rrugës automobilistike ku nga tremozhat do ngarkohej në kamiona.
1950 **U krijua bërthama e parë gjeologjike në Bulqizë, si nevojë për ta vënë mbi baza më shkencore kërkimin e mineralit të kromit. Si fillim personeli ndihmës ishte shqiptar, kurse specialistët e lartë ishin rusët Malcev, Pavlloviç, Plaskovski, Pollorenko, Kollodillov, etj. Ndërkohë erdhën në Bulqizë gjeologët e parë shqiptarë si Skënder Dede,Virgjil Buda, Zija Çeliku, Mitro Zhupa etj.
1950** Në minierën e Bulqizës në fillim është zbatuar sistemi me mbushje të hapësirës së shfrytëzimit. Ky sistem u vlerësua si më i përshtatshmi, por rendimenti i prodhimit ishte shumë i ulët.
1950** U instalua një grup elektrik i fuqisë 24 kë që përdorej për ndriçim.
1950-1951** U ndërtua rruga auto Qafë Bualli-Zona A.
1951-1952** Drejtor i Ndërmarrjes Miniera e Kromit Bulqizë ka qenë z.Stavri Gostivishti.
1952** Deri në këtë vit kishte vetëm Baraka. Pas vitit 1952 u ndërtuan në fillim zyrat për Ndërmarrjen e Minierës së Kromit; Ndërmarrjen Gjeologjike; Ndërmarrjen e Furnizimit të Punëtorëve. Zgjerimi i qytetit të Bulqizës ka ecur krahas me zgjerimin e punimeve minerare.
1952-1953** U hap shkolla 7-vjeçare e mbrëmjes, për punëtorët në qytetin e Bulqizës, ku ishin vendosur familjet e para dhe mësimi bëhej në barakat e minjerës në kushte tepër të vështira nga mësuesit Jeshar Kamberi, Fiqiri Myrtezai, Lutfi Hanku. Më 1954 u regjistruan në shkollë policët e burgut të vendosur në minierën e Bulqizës që ishin vetëm me fillore.
1952-1955** Organizimi i punës në ndërmarrjen e minierës u nda në zonat A,B C D.
1952** U ndërtua Plani i pjerrët “A” nga kuota e gal.62 në nivelin e pjacales së Zonës Parë.
1952-1956** Drejtor i Ndërmarrjes Miniera e Kromit Bulqizë ka qenë z.Vaso Shqevi.
1953** U ndërtua Plani i pjerrët nga kuota e gal. 24 deri në kuotën e gal.40.
1953** U ndërtua Plani i pjerrët i galerive perëndimore të zonës B.
1954** U ndërtua Plani i pjerrët “С” që sillte kromin e Zonës “D” në Zonën e parë.
1954** U instaluan dy grupe elektrikë me fuqi 260 kë.
1954** U ndërtua në qytet kinemaja me një skenë të vogël dhe me 200 vende, u montuan dy aparate projeksioni për të shfaqur filmat, një sallë lojrash bilardo e një bibliotekë, të cilat admimstroheshin nga katër punonjës, me përgjegjës Hasan Gjimi që ishte dhe fizarmoniçist. Këta e morën përsipër këtë punë dhe krijuan grupet e para amatore të estradës dhe të ansamblit dhe shërbyen për disa vite për dhënien e shfaqjeve të trupës amatore, ku mbeten të pa harruar Hasan Gjimi, Nazmi Zani, Tefta Rusi, Liman Okshtuni, Arif Selmani, Kadri Selmani, si dhe drejtuesit e krijuesit e parë të estradës e të teatrit në Bulqizë.
1954** U vendos burgu i të dënuarve ordinerë në Bulqizë, fillimisht me 600 të dënuar. Ky kamp funksionoi për rreth 30 vjet dhe përfshinte zonat nga dishenteria e galerisë 41 e deri ndër zonën “D”.
1955** U ndërtuan Teleferikët e galerive 12, 42, 11, që do transportonin mineralin deri në tremozhat e Zonës D ku do ngarkohej në Planin e pjerrët që e zbriste mineralin në Tremozhat e Zonës Parë.
1954-1955** Filloi punë shërbimi gjeologo-markshejderik i minierës. Në krye të këtij shërbimi ishte ing. Skënder Dede dhe gradualisht filloi të plotësohej me teknikë markshejdera si Elmaz Sulika, Ismail Kurcani e Veli Lala. Teknikë gjeologë ishin Neim Çevani, Xhevdet Kuçi, Alqi Premti. Në janar 1955 zgjodhën Ferit Allën Kryetar Ekspedite, detyrë të cilën e plotësoi me sukses dhe po në këtë vit e emëruan Drejtor i Ndërmarrjes Gjeologjike Bulqizë.
1956** Kryegjeolog i minierës ishte Zija Çeliku ndërsa markshejder erdhi një specialist çek Zdenek dhe teknik (që ishte në rolin e kryemarkshejderit) Niko Qirici.
1956** Filloi organizimi i sektorit të shpimeve nëntoksore me sonda të vogla që shponin deri 100 m. të tipit GP1 i cili është fuqizuar nga viti në vit dhe ka punuar deri në vitin 1991.
1956-1962** Drejtor i Ndërmarrjes Miniera e Kromit Bulqizë ka qenë z.Sinan Xhemili.
1956- 1962** U hapën në minierë galeritë 39, 40, 41, 42, 43, 44.
1956-1960** Çentrali i ri ku u montuan grupet elektrikë dhe godina e çentralit të vjetër u kthye në ofiçinë.
1957** Në nëntor filluan njëkohësisht punimet për hapjen e Galerisë 41 dhe të Pusit Nr. 1. Projekti ishte pregatitur në byronë e projektimit në Tiranë nga inxhinieri Mark Boriçi. Ky projekt ishte pusi i parë në Shqipëri, që hapej me seksion rrethor dhe armatosej me beton.
1957** U krijua Ndërmarrja Gjeologjike e Bulqizës me detyrë të kryente punime për zbulimet gjeologjike për gjetjen e vendburimeve të mineraleve të dobishme dhe punime shkencore në fushën e gjeologjisë. Drejtor u emërua Ferit Alla, i cili siguroi mbështetjen e fortë të personelit inxhiniero-teknik që e quante themelin e sukseseve që synonte gjeologjia me inxhinierët: Virgjil Buda, Rexhep Shehu, Xhelil Karkana dhe teknikët e rinj: Enver Vorfi, Nexhat Lami, Gani Gurra , personel organizativ: Ali Hida, Ismail Losha, Hasan Losha, Rakip Karaj, Ibrahim Balla, Pal Bilaçi, Rushit Toçi, Sulë Kica, etj. Pas një viti ndërmarrja kishte 82 veta personel inxhiniero-teknik dhe katërqind sondistë e punëtorë. Sukses i veçantë në këtë fillim ishte kualifikimi i disa mjeshtrave të shpimit që më pas u bënë themeli i realizimit të projekteve të kërkimit. Me një organizim të arrirë u përballuan vështirësi të mëdha të punës në terrene tepër të vështira kur transportoheshin sondat, motorat e pompat me pesha shumë të mëdha, në krahë, në terrenet e maleve të thepisura dhe pa rrugë.
1957** Filluan punën sondat treqindëshe me motor diezel për herë të parë, në sondat ku brigadier ishte Ismail Losha. Në këtë vit, nën drejtimin e Ferit Allës dhe me përkushtimin e gjithë personelit inxhiniero-teknik, ekspedita gjeologjike realizoi 5471 ml shpime dhe 11747 m3 kanale në Bulqizë, Martanesh e Selishtë.
1957** U ndërtua në qytet shkollë e re me 7 klasa, ku u hap shkolla 7-vjeçare e ditës ku vijonin mësimin, fëmijët e Vajkalit e të Qytetit Bulqizës. Drejtorë të shkollës kanë qenë: Luan Xheneti, Ramiz Gjoka, e mësues Fiqiri Myrtezai, Nazmi Plaku, Enver Hysa, Lutfi Hanku, Dilaver Hasa, Melaim Peza, Zenel Disha, Baudin Strazimiri, Prida Qili, Besnik Bedolli, Skënder Sharku, Frida Spiro, Myfit Dërvishi, Shaqir Karahasani, Xhetan Strazimiri, Xhelal Manjani, Sabri Alliu, Pëllumb Qosja, Fiqiri Novaku, Shemsi Ceka, etj.
1958** U instaluan grupe elektrikë të fuqisë 1720 kë.
1958** Filloi shpimin sonda e parë me brigadier Ismail Loshën. Në këtë vit NGJ e Bulqizës realizoi 10450 ml shpime, 1822 ml galeri dhe 11642 m3 kanale e 43 ml puse për kërkimet, që vazhdoi deri në shtator 1960.
1958** U hap miniera e kromit në Thekën të Martaneshit, që drejtohej nga specialistët e Bulqizës.
1958-1962** U hap pusi Nr. 1 në zonën qëndrore të minierës dhe Galeria 41. Projekti u zbatua nga specialistët e Minierës me shef Hasan Tabakun, mekanik Ecio Xhimitiku dhe elektriçist Ismail Hida dhe Kasem Ymeri. Këto specialistë bënë edhe montimin e pajisjeve definitive.
1960** Personeli i drejtorisë së Ndërmarjes Minierës Kromit Bulqizë ishin 31 veta dhe miniera kishte 1200 punonjës, nga 30 punëtorë me të cilët filloi punë miniera në vitin 1948.
1960** U ndërtua Teleferiku i galerisë 34.
1960** U ndërtua rruga auto nga rruga nacionale në kompleksin e Galerisë 41.
1960** Në fund të këtij viti në sallën e re afër pusit Nr.1 u instaluan për herë të parë tre cope elektrokompresorë 60 m3/min. të tipit gjerman.
1962-1966** Drejtor i Ndërmarrjes Miniera e Kromit Bulqizë ka qenë z.Ferit Alla.
1962** Në nëntor përfundoi dhe filloi punën kompleksi i minierës me Pjacale, Bunker, Impjant seleksionimi, Galeria 41, dishenteria e kësaj galerije, me gjatësi 186m me panel vertikal 70 m që bashkë me zonën e Pusit Nr. 1, për shumë vjet qenë dy zonat që mbajtën peshë të madhe të planit të prodhimit të minierës.
1965** Deri në këtë vit janë kryer 12000 ml punime minerare kërkimi dhe pregatitje që filluan në vitin 1948.
1965** U ndërtua në Bulqizë shkollë e re me 10 dhoma mësimi, poshtë rrugës së qytetit që plotësonte nevojat për vijueshmërinë e mësimit pasi klasat u bënë me nga dy paralele. U ngritën nga mësuesit dhe nxënësit disa terrene sportive, volejbolli, basketbolli e gjimnastike, të cilat shfrytëzoheshin edhe nga rinia e qytetit të Bulqizës.
1965** Në shtator u ngrit në Tiranë ndërmarja e ndërtimit të minierave që kishte ngritur kantiere në disa miniera të Shqipërisë. Kantieri më i fuqishëm i kësaj ndërmarje ishte kantieri i Bulqizës. Për Bulqizën ishte nevojë e ngutshme hapja e puseve Nr. 2, 3, A dhe e traverbankëve A(1200), B(1280), Gal. 12(1360), C(1440), 1050 etj. që u vazhduan në vitet më pas.
1965-1972** Filluan punimet për hapjen e pusit Nr. 2 dhe i kompleksit të sipërfaqes së këtij pusi që lidhej me kompleksin e seleksionimit të galerisë 41. Ky pus ishte projektuar nga ing. Mark Boriçi dhe u hap nga kantjeri i NN Minierave Bulqizë me përgjegjës Nazmi Përkola dhe inxhinier Niko Lula. Hapja është bërë e gjitha nga lart-poshtë në prezencë të madhe uji në gjithë gjatësinë 276 m deri në nivelin e tretë.
1966** Në tetor, u caktua Ferit Alla Drejtor i Ndërmarrjes Gjeologjike Bulqizë, ku vazhdoi deri në vitin 1971. Ekipi i specialistëve rusë në kohën kur u larguan thanë: “Batra është shterpë dhe Bulqiza drejt mbarimit”, por puna e palodhur e personelit inxhiniero-teknik dhe brigadave të shpimit vërtetoi se kromi ishte një pasuri e madhe për ekonominë e Shqipërisë. U provua lidhja e zonës mineralmbajtëse Bulqizë-Batër dhe u hartua projekti i rezervave që siguronte funksionimin në shumë vite të prodhimit të kromit.
1966** Filluan të përdoren sondat pesëqindëshe e gjashtëqindëshe, duke arritur zbulime në thellësi e duke u bërë Bulqiza e njohur edhe në botë për sasinë e cilësinë e kromit. Përvojën e Ferit Allës në NGJ të Bulqizës e pasuan me arritje të reja edhe drejtorët e tjerë, si: Ismail Losha, Hasan Hajdari, Isuf Latifi, Halil Hallaçi, Bajram Puca, Sefedin Shabani, Jashar Gjoka, etj.
1966** Filloi transporti i punëtorëve nga Valikardha në Bulqizë të cilët deri atëherë bënin 2-3 orë në këmbë, d.m.th. 4-6 orë në ditë përveç orëve të punës. Ferit Alla dhe Shpend Dega ishin iniciatorët e vendosjes së këtij transporti me një zis që e bënë me karroceri të mbuluar me llamarina për ti mbrojtur punëtorët nga shiu. Ky transport në vitet më pas u shtua me mjete autobuzë dhe linja e transportit u zgjat deri në Krajkë. Punëtorët e tjerë dibranë i dërgonin në qëndra në raste festash.
1966-1967** Drejtor i Ndërmarrjes Miniera e Kromit Bulqizë ka qenë z.Shpend Dega.
1967-1971** Drejtor i Ndërmarrjes Miniera e Kromit Bulqizë ka qenë z.Sotir Dodona.
1967-1968** U hap në shtator shkolla e mesme e përgjithshme pa shkëputje nga puna me drejtor Myfit Dervishin ku u regjistruan si nxënës punëtorë e kuadro të ndërmarrjeve që ishin me arsim 7-vjeçar. Në vitin tjetër shkolla u kthye në profesionale me kërkesën e vetë nxënësve që dëshironin këtë lloj kualifikimi në degët për teknikë miniere, teknikë gjeologë dhe elektromekanikë, që lidhej edhe me nevojat e ndërmarrjeve.
1968** U ndërtua Rruga auto nga pjacalja e zonës së Parë në Zonën D.
1968** U ndërtua Faza e parë e impjantit të seleksionimit në Zonën D.
1968** Fuqia elektrike e instaluar arriti 2280kë.
1968** U ngrit burgu tek vendi ku do të ndërtohej fabrika e pasurimit të kromit. Të burgosurit ndërtuan të gjitha objektet sipas projektit deri sa filloi montimi i makinerive.
1968** Në prill përfundoi linja elektrike e tensjonit të lartë që e lidhi Bulqizën me sistemin unik të Republikës.
1968** Todo Manço si kryeinxhinier dhe inxhinierët Bujar Pata, Hamza Gurra, Jorgo Kola, Sefedin Qorlaze etj, mbajtën mbi shpatulla me zgjuarsi presionin e drejtuesve të lartë të shtetit për rritjen e prodhimit dhe shfrytëzimin e minierës, duke zbatuar kriteret shkencore. Ata gjithmonë e vunë veten në krah të punonjësve me të cilët bisedonin vëllazërisht për të zgjidhur problemet e vështira që nxirrte koha.
1968-1971** U ndërtua fabrika e pasurimit. Pas vitit 1975 puna në fabrikë u konsolidua. Prodhimi i koncentratit u rrit në mbi 8000 ton/muaj. Minerali i varfër i galerive perëndimore të minierës së Bulqizës, Almarinës, minierës Batrës, Krastës, Klosit dhe të Qaf-Lamës dërgohej në fabrikë. Kështu fabrika merrte lëndë të parë mineral të varfër rreth 850 ton/ditë dhe prodhonte rreth 350 ton koncentrat në ditë. Minerali i varfër merrej zakonisht me përmbajtje mbi 27% dhe koncentrati dilte me mbi 48%.
Fabrika është provuar me sukses në pasurimin e mbetjeve teknollogjike të fabrikës së ferrokromit të Burrelit dhe në riciklimin e mbetjeve teknollogjke të dambës që kanë mbi 12% Cr 0 .
1970** U hap shkolla e mesme profesionale e ditës me degën për teknikë miniere, që më pas u shtuan degët, gjeollogji e çpim pusesh. Nxënësit ishin nga qyteti e fshatrat e Bulqizës, por edhe nga Zerqani, Shupenza e Plani i Bardhë. Teknikët që mbaruan në këto vite, plotësuan nevojat për drejtim të kualifikuar në proçeset e punës në minierë e gjeollogji, që ishin ndërmarrje të mëdha të prodhimit e kërkimit të kromit në Bulqizë. Teknikumi funksjonoi 24 vjet dhe në vitin 1994 u mbyll. Këtë teknikum e mbaruan 1023 nxënës djem e vajza. Nga nxënësit e kësaj shkolle janë diplomuar 67 inxhinierë. Mjaft të tjerë kanë mbaruar fakultetet e mjeksisë, mësuesisë, juridikut dhe ato ushtarake. Në vitin 1971 u hap shkolla e mesme.
1971-1973** Drejtor i Ndërmarrjes Miniera e Kromit Bulqizë ka qenë z.Ferit Alla. Në vitet që ka qenë drejtor Ferit Alla miniera ka prodhuar rreth 2 milionë tonë krom dhe 120 mijë tone steril për punimet e hapjes.
1971-1975** U bë hapja e pusit Nr. 3 nga sipërfaqja por me qenë se punimet nga pusi Nr. 2 ishin më përpara nga niveli i tretë e sipër është hapur me alimak nga poshtë-lart duke filluar nga niveli i parë. Kjo metodë e shpejtonte hapjen dy herë. Në nivelin e tretë u montua një makinë ngritëse për thellim, midis niveleve të dytë dhe të tretë u vendos tapë dhe niveli i dytë e përdorte pusin Nr.3 si pus në shfrytëzim, kurse poshtë nivelit të tretë ky pus vazhdonte thellimin. Sapo përfundoi thellimi i pusit Nr. 3 vazhdoi me ritme të shpejta hapja e nivelit të pestë. Hapja e këtij niveli me seksion të madh qe një hop cilësor për kulturën e punës në minierë. Nivelet e pusit Nr.2 dhe Nr.3 u kompletuan me unazat, stacjonet e pompimit, nënstacionet elektrikë, dhomat e riparimit të elektrovozëve, të riparimit të vagonave etj.
1972** Filloi në tetor kursi për ngritjen e fanfarës me veglat muzikore të frymës me 18 veta, filloi Kursi i muzikës që u drejtua nga mjeshtri i ngritjes së bandave muzikore, Gjysh Shakaj që arriti që për një kohë të shkurtër të japë koncertin e parë me vegla frymore në qytet. Kjo trupë muzikore punoi rreth 20 vjet, duke dhënë mbi 1100 koncerte në çdo fundjave si dhe në të gjitha rastet e festave e aktiviteteve masive në Bulqizë.
1973** U ndërtua në Bulqizë shkollë e re trekatëshe me 15 klasa mësimi e 4 kabinete, që plotësoj nevojat e shkollës me 1200 nxënës.
1973-1974** Drejtor i Ndërmarrjes Miniera e Kromit Bulqizë ka qenë z.Llambi Gegprifti.
1974-1981** Drejtor i Ndërmarrjes Miniera e Kromit Bulqizë ka qenë z.Martin Cukalla.
1974** Në galerinë 48 të zonës D u eksperimentua me sukses sistemi me galeri nënkati me horizont skreperimi. Rezultati ishte i mire, merrej parasysh se rendimenti i frontit u rrit rreth 150%. Në lindorin e parë të galerisë 34 u eksperimentua përdorimi i skreperit në hapsirën e shfrytëzimit sepse trupi ishte me rënje të butë rreth 300. Në nivelin e parë të pusit Nr.2 në trupin xeheror lindori i dytë krahu i tretë (që ishte një bllok potent me trashësi 4-8 metro me rënje të fortë) është eksperimentuar sistemi me galeri nënkati me magazinim të mineralit. Në nivelin e dytë të pusit Nr.2 në disa blloqe është përdorur sistemi me magazinim të pjesëshëm të mineralit si në lindorin e dytë krahu i tretë, lindori i parë krahu i parë etj. Në nivelin e tretë të pusit Nr.2 u eksperimentua varjanti i sistemit të shfrytëzimit me galeri nënkati por rrëzimi me bira të thella rreth 10 metra. Ky variant rezultoi i papërshtatshëm sepse rrëzonte shumë steril nga tavani.
1975** U vu në funksionim Kinoklubi i ri me dy kate, që u financua nga ndërmarrja e Minierës me sallë kinemaje dhe koncertesh me 350 vende, me bibliotekë e sallë leximi, bar-kafe dhe dhoma e anekse të tjera pune, duke u krijuar kështu mundësia që në këto ambjente të gjallëroheshin aktivitetet kulturore e artistike, sesionet shkencore, reçensionet, bisedat etj.. Ky pallat është rikonstruktuar dhe vazhdon të jetë si qendër kulturore e vetme e këtij qyteti.
1976-1980** U bë ndërtimi i fazës së dytë (shtesës) së impjantit të pusit Nr. 2 dhe u montuan pajisjet e impjantit të ri të pusit Nr. 2 që e klasifikonte mineralin në katër granulometri e lante dhe kokra e çakëlli seleksionoheshin nga punëtorët. Në pjacalen e galerisë 41 u ndërtua një impjant i vogël që punonte me pluhurin që vinte nga larja e mineralit në impjantin e seleksionimit, meqenëse koncentrati kishte treg të leverdisshëm. Ky impjant i vogël ka prodhuar deri njëmijë ton në muaj.
1976** Kampi i burgut mori edhe zonën “D”. Në kohën kur u përfshi në kamp edhe Zona “D”(pas vitit 1976) kampi ka patur maksimumin e të dënuarve.
1977** Shkolla e mesme u bë drejtori më vete dhe drejtor u caktua, inxhinieri i minierës, Osman Miha, që e drejtoi këtë shkollë deri në vitin 1990.
1980** u ndërtua shtesa e shkollës 8-vjeçare që arriti në 34 klasa e 4 kabinete ku u sistemuan nxënësit që vinin me shtimin e banorëve të qytetit që punonin në ndërmarrjet e Bulqizës.
1980-1990** Vetëm në zonën veriore janë hapur 8 puse vertikalë dhe 8 dishenteri. Përveç këtyre janë hapur 4 puse ndihmës si A’2 i pa përfunduar, 9/5;8/5;10/12;11/14 i cili përdoret për rrugëdalje.
Ajo që është vonuar shumë është thellimi i pusit Nr. 7 sipas projektit.
Në zonën D janë hapur 3 puse që lidhin punimet nga traverbanku C (1440) deri në Galerinë 1050.
Konkretisht: Pusi Nr. 4 që lidh Galerinë A, Galerinë 16(1160) dhe Galerinë 1050; Pusi Nr. 5 që lidh Galerinë C(1440); Galerinë 12(1360); Galerinë B(1280) dhe Galerinë A(1200). Është edhe Pusi Nr.5A që lidh Galerinë 1280(B) me Galerinë 1200(A). Veç këtyre janë hapur shumë fornele ndihmës që kanë shërbyer për transport minerali dhe për rrugë dalje e ajrim.
Është për tu theksuar se lidhja e traverbankut A me punimet e Batrës ka ndihmuar shumë këtë të fundit në raste dimri të ashpër për të bërë furnizimin nga Bulqiza dhe si rrugë lidhje me Batrën. Kjo ndërmarje ka ndërtuar edhe disa objekte sipërfaqësorë, si impjantin e seleksionimit të zonës së parë, sallat e kompesorëve në zonën”D” dhe pusin Nr. 2 etj.
1981** U vu në funksionim spitali i ri katër katësh në qytetin e Bulqizës që rriti nivelin e shërbimeve mjeksore të urgjencës. Që nga fillimi i minierës në buzë të rrugës kryesore qe ndërtuar një spital i vogël me 6-7 dhoma. Në vitet 1960 u ndërtua spitali i cili shërbeu për 20 vjet dhe më pas është konstruktuar dhe shërben për vizitat ambulatore.
1981-1984** Drejtor i Ndërmarrjes Miniera e Kromit Bulqizë ka qenë z.Bujar Pata.
1982** U hoq burgu nga miniera e Bulqizës (në periudhën shtator-dhjetor) dhe fuqia punëtore u zëvëndësua me punëtorë të lirë.
1983** Rruga auto nga Kroi i Lajthizës mbi fabrikën e pasurimit deri tek galeritë 58/ të zonës perëndimore (zona D).
1984** U ndërtuan dy shkolla të reja tre katëshe në të dy anët e qytetit Bulqizë, njëra e arsimit të përgjithshëm e tjetra për arsim profesional, ku vazhdonin mësimin nxënës të qytetit dhe të fshatrave të Rajonit të Bulqizës.
1984-1985** Drejtor i Ndërmarrjes Miniera e Kromit Bulqizë ka qenë z.Ismail Mema.
1984-1985** Rruga auto nga rruga nacionale, afër ndërmarjes gjeologjike dhe takohet me rrugën e zonës “D” afër galerisë 1050, u ndërtuar pasi u shemb pjacalja e zonës së parë dhe për të mos ndërprerë komunikacionin u vendos përkohësisht një urë metalike(beli) mbi hapsirën e shembur që u mbush me steril.
1985** U ngrit burgu me të burgosurit që do të ndërtonin Qytetin e Ri në Bulqizë. Ndërtimet vazhduar me ritme të shpejta dhe në vtin 1988 u strehuan banorët e parë në këtë lagje.
Burgu u përdor edhe në objekte të tjera të rëndësishme të zonës së kromeve. Miniera e Batrës dhe e Tërnovës kanë patur Kampe të dënuarish, po kështu ndërtimi i fabrikës së pasurimit dhe ndërtimi i lagjes “Qyteti i ri” është bërë me kampe të dënuarish që janë përdour vetëm në ndërtimin e këtyre objekteve. Në 28 vite kontributi i të burgosurve ka qenë shumë i rëndësishëm.
1985-1987** Drejtor i Ndërmarrjes Miniera e Kromit Bulqizë ka qenë z.Martin Cukalla.
1985-1987** Personeli i drejtorisë së Ndërmarjes Minierës Kromit Bulqizë ishte 3500 punonjës (me gjithë fabrikën e pasurimit).
1986** Miniera arriti prodhimin maksimal të saj me 480 606 ton mineral kromi.
1987-1990** Drejtor i Ndërmarrjes Miniera e Kromit Bulqizë ka qenë z.Thanas Dede.
1987** Kantieri i Ndërtimit të Minierave Bulqizë u shëndrua në Ndërmarja e Ndërtimit të Minierave Bulqizë. Ajo mori detyrë të mbulojë minierat e Bulqizës, Batrës, Krastës, Theknës, Klosit dhe Cërujës.
Punime shume të rëndësishme për këtë periudhë qenë traverbankët e Klosit që duhet të lidhen me nivelin e pestë të pusit Nr. 3. Ato janë projektuar me gjatësi 7350 m sejcili. Punimet filluan në muajin Gusht -1986 dhe vazhduan deri në vitin 1991 kur u ndërpre financimi. Traverbanket kanë avancuar rreth 5800 m; mbeten edhe 1500 m për tu kryer, që të bëhet lidhja me nivelin e pestë.
Në vitet e funksionimit si ndërmarje e ndërtimit të minierave në Bulqizë u kryen punime me volume të mëdha e me problematika teknike, shkencore, organizative shumë komplekse si traverbankët e Klosit, traverbanku i Luçanës, traverbanku i Lugut të Gjatë, ai i Theknës etj.
Një punim problematik qe dhe mbeti Rampa e Qaf-Buallit që del në krye të fshatit Plan i Bardhë. Ky punim u krye në rreth 70% të distancës së projektuar dhe pas vitit 1991 u ndalua për mungesë financimi.
1989** U ndërtua shkolla 8vjeçare me 4 kate në “Lagjen e Re”, me 24 klasa, 4 kabinete e palestër sportive.
1990-1992** Drejtor i Ndërmarrjes Miniera e Kromit Bulqizë (Puset) ka qenë z.Fatmir Beqiri.
1990-1992** Drejtor i Ndërmarrjes Miniera e Kromit Bulqizë Zona D ka qenë z.Afrim Okshtuni.
1992** Drejtor i Ndërmarrjes Miniera e Kromit Bulqizë (Puset) ka qenë z.Hamza Gurra.
1992** U krijua Rrethi i Bulqizës që u sistemua në godinën në Qytetin e Ri. Deri në këtë vit ishte Rajon ii Bulqizës që varej nga ana administrative nga Rrethi i Dibrës. Kryetarë të rethit Bulqizës kanë qenë Bashkim Lami, Meleq Beqiri dhe Arjan Deda deri në vitin 2000 qe u mbyll ky institucion sipas Kushtetutës së vitit 1999. Në këtë periudhë kohore u krijuan ndërmarrje e institucione të reja që nuk ishin më parë, ku u sistemuan mjaft kuadro që i kapi reforma nga shkurtimet në ndërmarrjet e mëparëshme. Rrethi i Bulqizës kufizohet me rrethet Mat, Librazhd, Tiranë dhe me Maqedoninë. Gjatësia e vijës kufitare me fqinjët është gjithsej 120 km.
1992** U krijua Drejtoria Arsimore e Rrethit të ri të Bulqizës, që është drejtuar nga, Hysen Likdisha, Halil Begu, Qemal Sejdi, Rudina Spahiu, Miranda Kurti, Agim Tuçi, Diamand Cani, etj. Në DA kanë punuar mësuesit më me përvojë si inspektorë Hamit Dërvishi, Gani Keta, Rruzhdi Sinani, Tomorr Dani, Suri Zogu, Fllanza Kica,etj të çilët kanë ndjekur eçuritë e problemeve të organizimit në shkolla dhe zbatimit të kurrikulave të reja që po zbatohen sot.
1992** U krijua Bashkia e Bulqizës si institucion vendor sipas kushtetetutës së re. Kryetar Bashkie kanë qenë Fehmi Dani, Hamza Gurra, Gëzim Dauti, Roland Keta, Mufit Duriçi dhe sot është në këtë funksion Melaim Damzi.
1992** U botua nr. i parë i gazetës “Bulqiza”, me kryeredaktor z.Halil Rama. Botimi i saj vijoi në mënyrë periodike deri në vitin 1996 kur u ndërpre për mungesë burimesh financiare, për t’u rihapur në maj 2015, me drejtor z.Edmond Isaku dhe kryeredaktor.z.Halil Rama.
1993-1997** Drejtor i Ndërmarrjes Miniera e Kromit Bulqizë ka qenë z.Gëzim Dauti.
1995** Ansambli folklorik “Bulqiza” arriti të marrë pjesë në Festivalin Folklorik të Beratit, ku u shpalosen vlerat e veçanta të eposit e të folkut të Bulqizës, në këngë, në valle, në veshje, etj, ku ky koncert pati vlera të rralla, për studiuesit shqipëtar e të huaj të fushave të folkut dhe të etnografis.
2000** U firmos nga qeveria dhënja me koncesion e Puseve të thellësisë të Bulqizës dhe të Fabrikës së Pasurimit të Kromit në Bulqizë dhe në Klos si dhe Uzinat e Ferrokromit në Burrel e Elbasan, për 30 vjet. Me këto ndërmarrje “Darfo” themeloi kompaninë “DARFO ALBANIA” më 14 prill 2000.
2002** Ansambli “Bulqiza” u ripërtëri përsëri, në kuadrin e 90-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësis së Atdheut, në Nëntor 2002, me koncertet që dha për qytetarët dhe për nxënësit e shkollave. Në këto vite Qendra Kulturore, ka punuar për të përfaqësuar Bulqizën në aktivitete kombëtare, si ai i “Fyellit Magjik” që organizohet në Butrint, i “Rapsodëve Popullorë” që organizohet në Lezhë, i “Valles Dyshe” që organizohet në Librazhd, në “Odën Dibrane” që organizohet në Peshkopi, ku në të gjitha rastet është synuar që të ruhen e shpalosen vlerat etnografike e kulturore për melodinë burimore, për veglat muzikore të përdorura në shekuj, për vallen e trashëguar në breza dhe veshjet tradicionale që flasin shumë për dashurinë e për bukuritë natyrore, për optimizmin shpirtëror të popullit të Bulqizës. Në festivalin e “Valles Dyshe” që u organizua në Shtator 2002 në Librazhd, u vlerësua me çmim të tretë “Vallja dyshe e grave të Bulqizës”, që u luajt me mjeshtri nga valltaret e grupit tonë.
2002** Ngritja e Qendrës së Edukimit e Komunikimit në Bulqizë, me mbështetjen e fondacionit “Danida”, është një hap i rëndësishëm për gjallërimin e jetës kulturore, artistike, kërkimore e krijuese dhe për inkurajimin e vënien në lëvizje të gjithë qytetarëve e në radhë të parë të të rinjve e të rejave, për të marrë pjesë efektivisht në aktivitetet e organizuara nga kjo qendër. Bashkëpunimi i Qendrës Kulturore të qytetit, i Qendrës Edukimit e Komunikimit, i Qendrës Kulturore të Fëmijëve, i shkollave e institucioneve të tjera, solli arritje të vlerësueshme për të nxitur të gjithë qytetarët në gjallërimin e jetës së tyre, gjithashtu me pjesëmarrjen masive do të arrimë të ruajmë e kultivojmë thesaret e mëdha të kulturës që ka ky popull.
2005** Biblioteka e qytetit ndodhet në ambjentet e Qendrës Kulturore dhe ka 5500 tituj librash në 17600 ekzemplarë, si dhe gazeta e revista të ndryshme.
2007** Fuqia elektrike e instaluar në minierës së bashku me fabrikën e pasurimit ka arritur në 12000kë.
2007** “Albanian Chrome ACR” ka ndërmarrë investime të rëndësishme për të përmirësuar cilësinë e kushteve të punës dhe të sigurisë në minierë. Investimi i nisur prej kohësh nga firma koncesionare ka përmirsuar ndjeshëm kushtet teknike të punës, çka premton më shumë kushte sigurie në punë për minatorët e kësaj miniere. Investimi i firmës “Albanian Chrome ACR” është shtrirë tashmë në 5 nivelet e minierës. Dhe miniera e kromit të Bulqizës është kthyer tashmë në një kantier të madh ndërtimi nëntoksor, ku po kryhen punime intensive në disa nivele, me qëllim rritjen e sigurisë në punë. Burime nga kompania “Albanian Chrome ACR” bëjnë me dije se po punohet aktualisht në të gjitha nivelet. Ndërhyrja më thelbësore prek sistemin energo-mekanik, për të arritur një standard më të mirë të kushteve të punës të minatorëve dhe sigurisë teknike në këtë minierë. Specialistët thonë se ndërhyrja që po bëhet në këtë sistem përfshin riparimin e portave në nivelet 12 dhe vendosjen e stakuesve të portave, riparimin e platformave, kontrollet e paisjeve mbrojtëse të tensionit të lartë, zëvendësimin e kafazeve të disa puseve, instalimin e pajisjeve elektrike. Në pesë nivelet e minierës po punohet kryesisht në përforcimin e armatimeve mbrojtëse. Pjesë e këtyre ndërhyrjeve që po bëhen aktualisht në minierën e Bulqizës është dhe bllokimi i punimeve të vjetra dhe ndërtimi i rrugëdaljeve.
2008** Në minierën e Bulqizës punësohen aktualisht 660 punonjës.Kompania “Albanian Chrome ACR” është e angazhuar që të investojë për një periudhë 4 vjeçare rreth 17 milion euro në sektorin minierar në Shqipëri.
2008** Miniera e Bulqizës, sipas studimit të specialistëve dhe projektit të riaktivizimit të saj, nisur nga gjendja aktuale, kërkon rreth 12 milion $ investime brënda 3 vjetësh (2007, 2008, 2009), për të vënë në efiçense 1,1-1,2 milion ton rezerva të reja të garantuara me 47% Cr2O3 në bllok nën nivelin më të poshtëm aktualisht të hapur (niveli 16, me kuotë – 6m me nivelin e detit), përveç rreth 400 mij ton të garantuara me 47% Cr2O3 në bllok që ka aktualisht mbi nivelin – 6m. Këto investime, si fazë e parë, janë të nevojshme për hapjen e minierës në thellësi (deri në kuotën – 230 m me nivelin e detit.
2009** Në korrik të vitit 2009, “DARFO” i shet 100 % të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë koncesionare “DARFO ALBANIA”, shoqërisë “ACR Holding” dhe pas kësaj, emri i shoqërisë ndryshohet në “Albanian Chrome” me të njëjtin NIPT.
2011-2012** Një kompani kanadeze e quajtur ”Empire Mining Corporation” bëri një studim duke përdorur sonda diamanti dhe kapi horizontet më të thella të kapura ndonjëher me nje mineralizim perj 20-44% krom. Dy muaj më vonë kjo kompani u ndalua nga qeveria me arysetimin se koordinatat e zonave në të cilat do operonte ishin bërë gabim dhe kompanisë i reduktohej ndjeshëm zona në të cilat do të duhej të operonte.
2012** U bë sistemimi dhe asfaltimi i rrugëve e mjediseve në Qytetin e Ri.
2013** U botua libri “Heronjtë e nëntokës” nga autori Imerr Keta ku ka vendosur biografitë dhe disa të dhëna mbi rastet e aksidenteve për punëtorët e minierës së Bulqizës dhe të Batrës, që kanë humbur jetën në lule të rinisë së tyre.Këtë libër autori e punoi në kuadrin e 65 vjetorit të krijimit të Minierës së Bulqizës.
2013** “Balfin Group”, me Samir Mane si drejtues më 17 janar 2013 i bleu aksionet e kompanisë “Albanian Chrome” (ACR), shoqërisë “DCM DECO-metal GmbH-DCM Beteilinungs GmbH . (BIRN)
Kompania Albchrome shpk”, Albanian Chrome është kompania më e madhe në Shqipëri e shfrytëzimit të kësaj pasurie natyrore dhe sipas të dhënave tatimore realizoi një xhiro prej 32 milionë eurosh në 2011.
2013** u protokollua në METE një njoftim më datë 6 shkurt 2013, i “Albanian Chrome”, ku ortakët e “ACR Holding” i kanë shitur shoqërisë “Balfin” 100% të kuotave të “ACR Holding”.
Mësohet se vetëm kuotat e shoqërisë “ACR Holding” i janë shitur “Balfin,” gjë e cila nuk ka sjellë ndryshim të shoqërisë koncesionare “Albanian Chrome” dhe mbetet po shoqëria koncesionare që vazhdon të kryejë aktivitetin e përcaktuar në marrëveshje. Kjo marrëveshje, sipas Ministrisë së Energjetikës, ka transferuar tek shoqëria “Balfin” të gjitha detyrimet dhe të drejtat e koncesionarit, të parashikuara në Marrëveshjen e Koncesionit, për realizimin e planit të investimeve dhe të rehabilitimit të objekteve të koncesionit; për shlyerjen e detyrimeve ndaj qeverisë dhe të tretëve. (BIRN)
2014** U bë rikonstruksioni i shkollës së mesme ku u ndërtua dhe një godinë e re me 8 klasa mësimi.
2015** Sipas Ministrisë së Energjetikës, deri në fund të 2015 kanë qenë aktive gjithsej 264 leje minerare shfrytëzimi për mineral kromi, nga të cilat tre leje janë koncencionare. Këto leje janë të shpërndara në 12 rrethe të vendit dhe në dy brezat e shkëmbinjve ultrabazikë.
Numri më i madh i lejeve të shfrytëzimit, 117 leje ose 47% e të gjitha lejeve të shfrytëzimit, ndodhet në rrethin e Bulqizës. Në vitin 2008, ishin 68 leje shfrytëzimi, ndërsa në vitin 2013 ky numër kishte arritur në 118. Kjo ka sjellë dhe mbivendosje të lejeve të shfrytëzimit që kanë rezultuar në vrasje midis përdoruesve të galerive dhe marrjen e disa galerive nga individ me precedent kriminal.
2016** Në qershor biznesmeni Samir Mane fton kryeministrin Rama në Bulqizë të shohë investimet e kompanisë së tij dhe i dhuroj kryeministrit një mineral kromi të vendosur në një kuti.
2016** Sipas një propozimi të paraqitur rishtazi në parlament, qeveria ka rënë dakord me shtyrjen e afatit të koncesionit të kompanisë “Albchrome” me 10 vjet.
2016** U bë rikonstruksioni i pedonales në lagjet “Gjeologu” dhe “Minatori” të Bulqizës.
2016** U bë rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Xhevdet Doda” ku u shtua edhe palestër sportive e re.
2017** U vendos në muajin maj memoriali “Gurët e Skënderbeut” në lindje të Fushës së Vajkalit me autor krijues skulptorin Etmond Balja dhe i sponsorizuar nga një grup biznesmenësh bulqizakë për të kujtuar betejat e zhvilluara nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu në prill dhe gusht të vitit 1465.
2017** Biznesmeni Samir Mane, pronar i kompanisë “AlbKrom” që menaxhon minierat e Bulqizës, ka bërë një ekspoze në emisionin Topstory të investimeve që janë bërë atje, si për infrastrukturën ashtu edhe për pagat e minatorëve. “Minierën e kemi marrë në fund të 2012-s, me vështirësitë e veta të momentit. Dy koncesionarët e mëparshëm dështuan. Aktualisht kemi mbi 1 mijë punëtorë, me palën kineze nënkontraktore. Disa elementë të rëndësishëm janë siguria dhe investimi që zgjat jetën e minierës deri në 30 vjet. Kjo ishte kërkesa e parë. Në 2013 ne filluam të mendonim për pusin dhe aktualisht jemi në përfundim të projektit me vlerë 22 mln euro. Sot rroga më e lartë për minatorët është 87 mijë lekë të reja, pastaj ka edhe kontribute për ushqimin dhe gjëra të tjera. Gati 1 milion dollarë në muaj është fondi i pagave. Ndërsa vlera totale e investimit është 34 milionë dollarë. Deri në 2021 mund të shkojë në 55 milionë. Po bëhet një investim tjetër prej 14 milionë dollarë për ajrimin e minierës”, ka thënë Mane.
2018** Në minierën e Bulqizës që nga krijimi e deri sot që feston 70-vjetorin e fillimit të punës janë hapur 16 km tunele galeri, puse,rampa, furnele, traverbankë. Janë prodhuar deri tani rreth 15 miljon ton mineral kromi, 2.7 milion ton koncentrat kromi që është eksportuar për fuqizimin e ekonomisë në vendin tonë. Gjithashtu janë nxjerrë nga kjo minierë edhe 1.2 miljon ton gurë e steril që është shkarkuar në stoqet e galerive të kësaj miniere.
Shënim: Jam i bindur se ka edhe plot detaje të tjera me të cilat mund të plotësohet kjo kujtimore, por shpresoj se do të mbështetem nga dashamirës të tjerë për vendin tim që ta plotësojmë edhe më shumë.

Bashkim Lami

S'KA KOMENTE