Rrëfimi i dhimbshëm: “Gjysmën e trupit e kam lënë në minierë”

704

“Gjysmën e trupit e kam lënë në minierë. Prandaj i lutem qeverisë, kryeministrit Edi Rama, presidentit Ilir Meta që të miratohet “Ligji i minatorit”. Kështu shprehet një nga minatorët e Bulqizës që ka humbur një pjesë të trupit në galeritë e minierës, si disa dhjetëra kolegë.
Vonesat për miratimin e statusit të minatorit i kanë irrituar edhe një herë punonjësit e galerive në qytetin ku gjithçka varet nga puna në minierë. “Qeveria e ka shumë gabim, sepse kjo minierë e ka mbajtur këtë vend në këmbë prej 65 vitesh”, u shpreh një nga minatorët. Statusi i minatorit është premtim i çdo qeverie në 27 vitet e fundit, ndaj punonjësit e nëntokës kërkojnë që të bëhet realitet sa më parë. Në rast të kundërt, minatorët dhe qytetarët e Bulqizës kërcënojnë me protesta. Pak ditë më parë, Komisioni i Punës rrëzoi vetëm me votat e mazhorancës projektligjin për statusin e minatorit të propozuar nga deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu. Sipas relacionit shoqërues, propozimi binte ndesh me Kushtetutën dhe nuk ishte i plotë. Pak ditë më parë ishin sindikatat që paralajmëruan protesta. Kreu i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri tha se, projektligji u rrëzua me katër pretendime që nuk qëndrojnë. Ai i kërkoi deputetit Spahiu të këmbëngulë për miratimin e statusit. “Ne sigurisht që do tentojmë të organizohemi sa më shpejt, për të dalë në protesta, sepse është një qëndrim skandaloz i mbajtur nga Partia Socialiste dhe qeveria””, u shpreh Xibri.
Fiqiri Xibri, kryetar i Sindikatës së Minatorëve, bëri të ditur, se mazhoranca rrëzoi propozimin me katër pretendime, që sipas tij nuk qëndrojnë. “Janë katër argumenta, të cilat janë ngritur nga qeveria, që ka një kosto dhe nuk duan të përballen, ka ndeshje me Kushtetutën dhe Kodin e Punës, që nuk është e vërtetë, krijohen vështirësi, pasi ka akte të tjera ligjore për të drejtat e minatorëve dhe krijohen vështirësi në zbatimin praktik, por që nuk është e vërtetë, dhe i shton punë Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe kaq”, tha ai.
Nga ana tjetër, ai i bën apel deputetit Përparim Spahiu që të mos tërhiqet nga propozimi dhe ta dërgojë atë për votim në Kuvend. Ne shpresojmë që ai të mos tërhiqet, madje i kërkojmë publikisht Përparim Spahiut të mos tërhiqet dhe ta çojë për votim, pasi ky vendim është një turp i Partisë Socialiste dhe Qeverisë nëse nuk e miratojnë, turp që do i mbetet përjetë”, tha kreu i Sindikatës së Minatorëve.

S'KA KOMENTE