QEVERIA KA SHKELUR 15 HERË AFATIN PËR KOSTOT

258

DEKLARATË e Sindikatës së Minatorëve “Janar 91”
Nisur nga mosmiratimi me forcën e kartonit të projektligjit për “Statusin e Minatorit” nga Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, deklarojmë se:
1. Asnjë nga pretendimet e ngritura nga mazhoranca për të mos e miratuar projektligjin e paraqitur nga deputeti Spahiu nuk qëndron. As ligjërisht dhe as moralisht.
2. Pretendimi për kundërshti me Kushtetutën dhe Kodin e Punës është absurd dhe dezinformues. Konceptimi juridik i projektligjit për “Statusin e Minatorit” është krejtësisht barazvlerës i ligjit për “Statusin e Naftëtarit”, miratuar nga Kuvendi vetëm një vit më parë me propozim të Këshillit të Ministrave. Përkundrazi, baza ligjore me të cilën trajtohen aktualisht minatorët ka fragmente qartësisht antikushtetuese që korigjohen nga ky ligj, që kemi paraqitur.
3. Pretendimi se projektligji nuk paraqet një relacion të detajuar për kostot. Nuk është as detyrë e sindikatës dhe as e deputetit për relacion të detajuar, por qartësisht e qeverisë, e cila nisur nga afati tremujor që jep Kodi i Proçedurës administrative, e ka shkelur deri tani plot 15 herë këtë afat. Ligji nuk flet për kostot, por për drejtësinë, kostot janë aneks që ka qeveria detyrë ti zgjidhë. Pikë.
4.Pretendimi se, meqë kemi edhe akte te tjera ligjore për minatorët, me këtë ligj do krijoheshin vështirësi në zbatimin e tyre është krejt pa bazë. Madje do jetë e kundërta, zbatimi i këtij ligji eleminon trajtimet diferencuese, kontradiktore dhe antikushtetuese, pra lehtëson zbatimin.
5. Pretendimi se as vendet e tjera të BE nuk kanë caktim ligjor të pagës minimale nëntokë. Edhe sikur të ishte kështu, kjo nuk përbën domosdoshmëri referimi për Shqipërinë, pasi këtu rreziqet për jetën dhe shëndetin në miniera janë katastrofale në krahasim me vëndet e BE, standardi i jetesës gjithashtu. Shembull: Që prej prillit 2014, në Gjermani ka caktim ligjor të pagës minimale për së paku 13 kategori pune, në krye të tyre është puna nëntokë. Raporti pagë.min e përgjithshme me pagë min. nëntokë atje është 1 me 2 deri në 1 me 2.5. Paga minimale në përgjithsi në raport me pagën totale bruto të deputetit atje është 1 me 6 ndërsa tek ne 1 me 9. Pagat e larta në miniera në raport me deputetët janë atje 1 me 1.4 ndërsa tek ne 1 me 2.3.
6. Pretendimi se qeveria do marrë inisiativë të zgjeruar përgjatë 2018 për një projektligj tjetër nuk është thjesht një premtim i dalë fare nga boja për të kapërcyer momentin, por është cinizëm i pastër. Mazhoranca të mos bëjë politikë me djersën dhe gjakun e minatorëve. Divergjencat me opozitën ti zgjidhe me mjete politike jo duke bërë bërë futboll me të drejtat e ligjshme të minatorëve.
7. I kërkojmë urgjentisht qeverisë një debat të hapur publik në lidhje projektligjin. Ne e fitojmë 8 me 0 debatin. Mospranimi vërteton se qeveria nuk është në anën e shtetit ligjor dhe shtetit të së drejtës, nuk është me minatorët por me megallomaninë dhe arbitraritetin e vet.
I bëjmë apel deputetëve të seicilës parti që në diskutimin në parim për miratimin apo jo të “Statusit të Minatorit” ose të votojnë pro miratimit, ose ti japin qeverisë 30 ditë kohë për të pregatitur relacionin e detajuar të kostove dhe një analizë juridike jo me fjalë në boshllëk, por konkrete për çdo pretendim që ngre.
I bëjmë thirrje të gjithë minatorëve dhe ish minatorëve të na mbështesin në protestën që do zhvillojmë para Kuvendit për çdo të enjnte, deri sat ë miratohet Statusi I Minatorit.

S'KA KOMENTE