Kompanitë e nxjerrjes së kromit, si gjeneruese të punësimit

659

Nga Edmond Isaku

Shtatëdhjetëvjetë më parë filloi nxjerrja e kromit në Bulqizë dhe sot kromi mbetet e vetmja mundësi për vende pune. Tani Miniera e Bulqizës e konceptuar kështu, në kuptimin e veprimtarisë specifike të saj në nxjerrjen dhe përpunimin e mineralit të kromit mbush 70 vjetorin e fillimit të punimeve si ndërmarrje e organizuar. Tani ajo nuk është më një ndërmarrje gjigande por nje sistem i tërë shfrytëzimi që ndahet në rreth 130 ndërmarrje private, gjeneruese të punësimit për shumicën e familjeve të zones.  Për këtë arësye ajo ka një rëndësi strategjike dhe duhet sjellë në vëmëndjë të qeverisë dhe të opinionit public, pasi përbën një kantier të rëndesishëm të ekonomisë shqiptare.
Në sektorin e nxjerrjes së kromit, zhvillojnë aktivitetin në zonën e Bulqizës afërsisht 130 ndërmarrje private, duke qenë gjeneruesit e punësimit për shumicën e familjeve të zonës. Nga shteti ka nevojë për ndërhyrje lehtësuese pasi industria e nxjerrjes së kromit, pas shtatë dekadash me trend të pandalshëm rritës në volumin e mineralit të nxjerrë si edhe në vëllimin e lëndës së eksportuar, janë vështirësuar mjaft punimet. Çmimi aktual i shitjes së kromit shkon nën nivelin e kostos së përllogaritur për nxjerrjen e tij në vendburim. Shpenzimet e transportit nga vendburimi deri në port shtojnë 10-18 USD/Ton mbi çmimin e nxjerrjes. Shpenzimet portuale janë në vlerën 15 USD/Ton, duke u shtuar edhe renta minerare prej 6 %, del se aktiviteti i nxjerrjes së kromit në ditët e sotme është me humbje. Sipërmarrësit mundohen për të reduktuar koston mbi vete. Në këtë fazë është shteti që duhet të ndërhyjë me masa mbështetëse.
Fabrikat e Pasurimit në Bulqizë, Batër, Kukës, Has dhe në Kosovë, në kushtet kur për koncentratin e kromit me bazë 40% nga blerësit sot ofrohet vetëm 80-85 $, kanë falimentuar. A duhet pritur të ndodhë kështu dhe në sektorin minerar? Aktiviteti i kompanive në sektorin minerar duhet stimuluar. Të arrihet në një marrëveshje për një paketë të lehtësirave fiskale që përfaqësia e operatorëve të sistemit ia kanë kërkuar ministrisë së linjës. Një nga kërkesat më të rëndësishme është propozimi i segmentimit të rentës minerare për minerale të varfëra e të pasura, duke e ulur njërën dhe zeruar tjetrën. Kjo është një kërkesë e operatorëve. Kjo do të hapte vende të reja pune dhe efektiviteti do të ishte në favor të firmave dhe punëtorëve. Renta minerare për mineralin e varfër me përmbajtje 12-28 % Cr2O3 nga 6% të zerohet, ndërsa për mineralet e pasura me çmim mbi 100 USD, renta minerare të ulet nën nivelin 6%. Me ecurinë edhe perspektivën e këtyre subjekteve minerare është i lidhur fati i mijëra punëtorëve bulqizakë. Duhet të rishikohet edhe çmimi i shërbimit portual, i cili në krahasim me vendet e rajonit, mbart çmim të lartë: 15 $/ton, nga 6-7 $ që është kostoja e anijeve që ngarkojnë mallra rifuxho. Nga perspektiva e ndërmarrjeve private të nxjerrjes kromit është i lidhur drejtpërdrejt fati i vendit të punës për mijëra minatorë si dhe jeta e këtij qyteti dhe në tërësi të Bashkisë Bulqizë. Mbarëvajtja dhe funksionimi normal i këtij sistemi gjigand prodhimi të kromit është i lidhur drejtpërdrejt me gjendjen ekonomike dhe sociale të banorëve të zonës. Në këtë 70 vjetor edhe Bulqiza na fton për reflektim dhe mbështetje për të mirën e përgjithshme të zonës dhe të gjithë shoqërisë shiptare.

S'KA KOMENTE