Koha i ka ndryshuar fytyrën Ymer Stojkut, por jo shpirtin

366

Dhimitër Shtëmbari

Rastisi që para disa ditësh një zonjë të na fliste me superlativa për prezantuesen e mirënjohur televizive, zonjën Arbana Osmani.
– Është unike si drejtuese emisionesh të rëndësishme, – na thoshte. – E lirë në të folur dhe e shkathtë në lëvizje, ajo i shkon fare pranë çdo shikuesi të televizorit.
Ajo çka na thoshte bashkëbiseduesja na ngacmoi mendimin: Arbana bën sot atë që arrin të bëjë. Dhe e arrin shumë bukur.
Po gjyshi i saj, Ymer Stojku, dy breza më lart, mos ka bërë më pak në kohën që jetoi?
Le të njihemi:
Dibrani Ymer Zylyf Stojku është lindur në fshatin Okshtun i Madh i rrethit të Dibrës më 2 prill të vitit 1930. Më parë se shkollën e diturisë, ndoqi atë të atdhetarisë. Dhe mori mësime prej kësaj, veç nga të tjerë, edhe nga bashkëfshatari i çetës – Hoxhë Moglica, si dhe nga kushëriri i tij, Hajdar Stojku – Dëshmor i Atdheut.
I shpëtoi pushtetit të injorancës duke mësuar shkrim e këndim në mënyrë autodidakte gjatë viteve 1938 – 1939. Me pushtimin fashist të vendit, kur ishte vetëm nëntë vjeç, okshtunasi i vogël zbuloi te vetja ndjenjën e urrejtjes ndaj zaptuesve të huaj. Kur thuajse ishte fëmijë, ndjeu te vetja cilësi prej të rrituri. Nuk vonoi të merte krahun e atyre që rrokën pushkën për të çliruar Shqipërinë.
Bariu i deleve tashmë do të bëhej korrier i vogël partizan. I zgjuar prej natyre dhe i shkathtë prej fizikut, guxoi të shkonte edhe atje ku do të mund të derdhej gjak. Si bari delesh, e njihte shumë mirë terrenin, kështu që, vullnetarisht, nuk nguronte të bëhej udhërrëfyes për ata që i kërkonin ndihmë. Dhe, si mik i shumë familjeve të nënprefekturës së Zerqanit, dërgonte ilegalë e militantë të lirisë në baza të ndryshme partizane.
Mbas çlirimit të Atdheut Ymer Stojku vazhdoi ndershëm drejt ëndrrës së përflakur. I përfshirë në gjirin e Rinisë, nisi marshimin e pandalshëm të jetës. Kështu, gjatë periudhës 10 qershor – 27 tetor 1947 mori pjesë në aksionin kombëtar për hapjen e Rrugës së Rinisë Kukës – Peshkopi. Ky aksion, sikundër tërë të tjerëve, iu bë shkollë. Nga këtu, u dërgua në kursin e parë të të rinjve në Tiranë, ku specializohet për Teknik Ndërtimi. Pikërisht këtu pranohet në gjirin e PKSH.
Sa shumë punë kishte Shqipëria në këtë kohë për t’ú rindrtuar! Se gjithçka ishte shkatërruar e djegur për shkak të luftës. Atdheut i duheshin krijuar arteriet e trupit, në radhë të parë – rrugët dhe urat. Ymerin e ri e caktojnë përgjegjës të Mirëmbajtjes së Rruga – Urave në segmentin Shupenzë – Steblevë. Mbeti rrugëve djaloshi i ri duke kontrolluar e ndihmuar. Ku e zinte nata, nuk e gjente mëngjesi!
Kur ende nuk i kishte mbushur të nëntëmbëdhjetë vitet e moshës së vetë, e caktojnë përgjegjës të administratës së Komitetit të Partisë të rrethit të Shupenzës. Pak kohë më pas – punonjës në Komitetin e Partisë të rrethit të Peshkopisë.
Tanimë djaloshit nga Okshtuni i Madh do t’í dilnin shumë punë të vështira. Se fëmijët e fshatarëve duheshin dërguar të gjithë nëpër shkolla. Se të rinjtë e të rejat duheshin orientuar që të vazhdonin në rrugën e emancipimit shoqëror. Se gratë e vajzat duheshin nxitur që ta gjenin vet rrugën e tyre të merituar. Dhe e gjitha kjo kërkonte, që punonjësi i Partisë, Ymer Stojku, në tërë atë punë të gjithanshme që kryente të derdhte shpirt nga shpirti i tij i bardhë.
Viteve 1950 – 1951 djaloshi okshtunas kryen shërbimin ushtarak në Divizionin e Shkodrës dhe, me t’ú kthyer në vendlindje, caktohet të punojë instruktor në Komitetin e Partisë të rrethit të Dibrës. Ishte vetëm njëzetë e një vjeç. Por i kërkohej të mendonte si tridhjetë vjeç dhe të punonte si dyzetë vjeç.
Në tërë atë punë që bëhej, kur përplasej e reja me të vjetrën, kur qiellit të pastër të Atdheut të porsaçliruar ende vazhdonin të dukeshin edhe re të zeza, djaloshit okshtunas do t’í dilte detyra që të dallonte qartë rrugën nga duhej të shkelte. Por… kur të udhëheq ndërgjegja e pastër, nuk ka detyrë që nuk realizohet.
Kohë më pas Ymer Stojkut do t’í ngarkoheshin të tjera detyra jo të lehta: drejtor i Ndërmarrjes Komunale – Artizanatit të rrethit të Shupenzës, përgjegjës i sektorit të Ekonomisë Ndihmëse të Ndërmarrjes së Furnizimit të Punëtorëve në Bulqizë, sekretar i Këshillit Popullor të Bulqizës, makinist në pusin e kromit nr. 2, në Komitetin e Partisë të Rajonit Bulqizë, në Drejtorinë e Minierës së Kromit “Todo Mançe” në Bulqizë, këtu – deri sa doli në pension.
Personazhi i shkrimit tonë ishte i dalluar në punën shtetërore, por shumë më i dalluar ishte në punën shoqërore, domethënë – në punën e papaguar. Dhe do ta zgjidhnin kryetar të Bashkimeve Profesionale të minierës, sikurse do ta zgjidhnin edhe kryetar të Organizatës së Frontit Demokratik të qytetit. Po se vetëm me këto detyra! Në kohën e lirë shkruante artikuj të ndryshëm në gazetën lokale “Üshëtima e maleve”, në gazetën “Puna” dhe në organe të tjera shtypi. Heronjtë e shkrimeve të tij do të ishin kryesisht njërëzit e thjeshtë të punës.
Me daljen në pension, Ymer Stojku nuk i lidhi duart e as nuk shkoi cepave për të ndotur moshën duke luajtur domino. Tashmë iu fut shkrimeve. Gjurmët e jetës mendoi t’í linte në libra. Në libra, si mesazhe për brezin që rritet. Nuk vonoi të botonte librin interesant “Dibra në vite”, “Mesazh brezave”, “Puna me rininë” etj.
Mbas vitit 2001 Ymer Stojku erdhi prej Dibre për të banuar në Tiranë, në lagjen “Komuna e Parisit”. Këtu militon në gjirin e organizatës së veteranëve të LANÇ, në të cilën është edhe i zgjedhur.
Baba i dhembshur i tri fëmijëve të mrekullueshëm, Ymer Stojku vazhdon të lidhë bukur brezat e familjes së vetë. Të gjithë i ka të mbarë. Kanë kujt t’í ngjajnë. Ndërkohë, ka edhe katër nipër e katër mbesa, të gjithë me arsim të lartë. Madje, tre vjet më parë Ymeri me bashkëshorten e vetë – Sanijen, janë bërë stërgjyshër, tashmë me një stërnip e me një stërmbesë.
– Vjen prilli dhe unë mbush plot tetëdhjetë e tetë vjeç, – na thotë Ymeri, si të dojë të na jap të kuptojmë se u bë plak.
Por jo, i dashur Ymer. Mosha nuk matet nga vitet e jetës, ka thënë një i mënçur, por nga jeta e viteve. Koha të ndryshon fytyrën, por jo shpirtin.

(Marrë nga gazeta
“DITA”, 8 janar 2018)

S'KA KOMENTE