Historia e një Itifaku që ishte i destinuar të dështonte

166

Ky dokument i kohes na tregon ma së mirë mbi pasigurinë që kishin Dibranët në anarkinë e viteve 1943. Itifaku i Qershorit të vitit 1943 është tregues i pasigurisë dhe dëshirës për siguri në të dy Dibrat.
1943 qe një vit kthese për Luftën e Dytë Botërore. Forcat e boshtit do të dorëzoheshin në Tunizi më 13 maj 1943. Fushata në Afrikën e Veriut, kishte qenë një disfatë për Italianët. Aleatët në Operacionin Husky, pushtuan Sicilinë në 10 korrik. Vetëm për pak muaj ishulli do të binte dhe pushteti i Musolinit gjithashtu. Më 25 korrik ai do të hiqej nga detyra nga Viktor Emanueli i Tretë (Mbret i Italisë) dhe do të arrestohej më vonë me aprovimin e Këshillit të Lartë Fashist. Aleatët do të pushtonin pjesën kryesore të Italisë më 3 shtator 1943. Italia do t’i dorëzohej zyrtarisht Aleatëve më 8 shtator, pas negociatash të shumta. Familja mbretërore dhe qeveria e Pietro Badoglios, u arratisën për në jug të Italisë, duke lënë Ushtrinë Italiane pa urdhër. Luftimet u morën në dorë nga Gjermanët, të cilët detyruan Aleatët të ndalonin krejtësisht hapin e tyre gjatë dimrit të 1943 dhe 1944. Kjo u njoh si Linja e Gustavit, në jug të Romës. Në veri, Musolini me mbështetjen e Partisë Naziste, do të formonte një qeveri kukull e njohur me emrin Republika Sociale Italiane ose Republika e Salò-s.
Në këtë situatë pasigurie ku ushtria Italiane e dislokuar në Shqipëri i ndërpreu pothuaj të gjitha operacionet e saja ushtarake, pasiguria në krahinën e Dy Dibrave ishte evidente. Prag kapitullimi i Italisë e pasiguria e krenëve të fiseve se çfarë duhet të bënin në këtë situatë, dhe sidomos rritja e agresiviteti të forcave ushtarake te Nacional Çlirimtarët që ishin bërë realisht fuqija kryesore luftarake në Shqipëri. Jugun e Shqipërisë ata e kishin në një kontroll pothuajse të plotë ndërsa në Veri të Shqipërisë ata kishin rritur presionin mbi kundërsharët e tyre për qeverisjen e ardhme të Shqipërisë. Dibra ishte zhytur në pasiguri për jetën e pasurinë e Dibranëve.
Përçarjet e krenave ishte evidente, Mbështetësit e partisë Komuniste kishin rritur agresivitetin në krahinë. Raportet e vjetra të pushtetit të krenave të fiseve dhe Pushtetit shtetëror ishin cënuar. Në këtë situate delikate dhe e pasigurtë ku po formësohej e ardhmja e pushtetit në Dibër dhe realisht e ardhmja e pushtetit të Krenëve të fiseve e Bajraqeve u krijuan kushtet për një Itifak të ri në kushtet e një pasigurie nga zhvillimet luftarake në Evropë e në Shqipëri.
Itifaku i Qershorit të vitit 1943 është një dokument i rëndësishëm për të na dhënë të dokumentuar një itifak me të gjitha elementët e tija në rastin e një pasigurie të Krahinës. Me dijenini time për Etifakun e Qershorit të vitit 1943 nuk është shkruajtur. Është interesante fakti se ky itifak e gjitha pothuajse mbështetej te fuqia e Kanunit të Lek Dukagjinit. Tregues se Ligji kishte shumë pak influencë në Dibër dhe shpresat ishin te Kanuni. Por dokumentat e ma vonshëm tregojnë se dhe kanuni nuk kishte ma peshën në realitetin e ngjarjeve. Fakti që të gjithë pjesmarrësit në këtë itifak i përkisnin ideve e interesave të ndryshme, tregon pasigurinë që ndjenin pjesëmarrësit në këtë situatë politike që gjendej Dibra. Kërkonin itifak e njëkohësisht kërkonin të përfitonin nga koha që mundësonte itifaku.
Ky material arkivor interesant na mundëson të përfytyrojmë një panoramë interesante të gjendjes e stabiliteteti social politik në Dibër. Dokumetat pasqyrojnë realitetin e Dibrës një nga këndvështrimi i institucioneve shtetërore të kohës.
Dokumentat e mëposhtme janë nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Brëndshme.

Astrit Jegeni
Tiranë më 28.12.2017

 

Mbretnia Shqiptare
Prefektura e Dibres

Peshkopi me 7.VI.943-XXI
Nr.80/14 Res

N/Prefektures Zerqan
Bashkis
Komunave

Njoftoni popullin asaj krahine se, ne mbledhjen që u ba me datën 6 të k.m.ditën e Diell, në kët Prefekturë nga gjithë krent e parisë u vendos bes-lidhja (itifaku),për nji vjet, tue fillue prej datës 6 të k.m.me konditat e poshtë-shënueme:

1) Hak-marrjet, gjaku, vëlla-vrasjet me çfardo ngjyre qofshin ktej mbrapa janë krejtësisht të ndalueme për kundravajtsit do të merren këto masa:
a) burgim b) internim familje c) çkatarimi i pasunisë ç) guximtari pushkatohet në pranin e Komisionit, t’autoriteteve, dhe të populllt të krahinës d) djegia e shtëpive.
2) Po këto ndëshkime do të zbatohen edhe për keq-bërsat po prishen qetësinë, me çfar do ngjyre qofshin.
3) Grabitjet prerjet në rrugë, me qëllim prishje qetsie do të kenë po ato sanksione, qi përmendën në pikën e parë dhe në pikën e dytë të këtij proces-verbali.
4) Për ata qi do të bajnë streh (jatak) keq-bërsavet, do të merren masa ma të rrepta simbas zakonit.
5) Grabitjet dhe vjedhjet për përfitime vetiake do të kenë dënime me gjoba të randa, vendosuna nga ana e Nënkomisioneve të Komuneve përkatse të kanunit të Lek Dukagjinit, si edhe për gjith ata qi veprojnë jashtë kufinit.
6) Të gjitha konfliktet qi kan ekzituar, deri me datën 6 Qerashor 1943 si toka bjeshka, ujna, zabele, rruga, dhanje marrje e tjera të çdo kategorie qofshin do të mbeten pezull deri me datën 6 Qershor 1944. Në rast se me pëlqinin e të dy anëve ka me u çfaqë dishira qi Komisioni t’a marrë çashtjen në shqyrtim mund të pranohet e të merret por me konditë qi asnjena anë nuk do të ketë drejt me kundershtue vendimin e dhanun nga ana e Komisionit, kundra vajtsat ndëshkohen me gjoba të randa.
7) Për vendime gjyqsore që kanë me u marrë ose do të marrin formën e preme, t’interesuemit do t’i drejtohen ma parë Nënkomisionit të bes-lidhjes Kamunes përkatëse, në asht koha e perashtatshme ose jo për zbatim në bazë të kanunit, kundra vajtsit do të gjobiten me sanksionet e përmendura në pikën e 6.
8) Ndoshta mund të ngjajë edhe ndonji konflikt i jasht-zakonshem për çashtje fejese,martese e tjera edhe këto kanë me gjykue nga N/Komisioni lokal simbas kanunit dhe zakoni të vendit.
9) Për zbatimin e përpikt të kësaj bes-lidhje dhe për përgjithësimin e saj në qendër të çdo Komune do të krijohet nga nji nënkomision prej 12 vetash ose ma shumë simbas nevojës, nënkryesinë e kryetarit të Komunës, ose zavendasit të tij të gjithë nënkominionet në rasë mos-marveshje midis tyne kanë me përjashtue çashtjen Komisionit Qëndruer të Prefekturës për zgjidhjen definitive.
Çdo person që do të vejë kundra frymës së kësaj bes-lidhje, Qeveria bashkë me popull ka me zbatue masa me saksione të randa e të pa mshirshme.

10) Kjo Bes-lidhje (itifak) ka fuqi për nji vit, tue fillue prej datës sotme dhe merr fund me datën 6 Qershuer 1944. Dhjetë ditë përpara se të mbarojë afati i itifakut do të bahet një mbledhje e dytë në qëndrën e kësaj Prefekture, nga të gjithë N/Komisionet, për të parë në se ekziston nevoja të zgjatet itifaku.

Ky process-verbal, mbasi u kndue me za të qartë dhe u pa me vend nga të gjithë paria, u nënshkrue përgjithësisht:

Përfaqësuesi i Mbëkambësit Mbretit
dhe i Qeverisë Mbretnore
Prefekti
(Vehip Runa) dv

Kolonel Kolonel
Fiqiri Dine d.v. Hysni Dema d.v.
Cen Elezi d.v.
Miftar Kaloshi d.v.

Halil Alija d.v. Selim Kaloshi d.v. Jusuf Xhilaga d.v. Ramadan Hoxha d.v.
Faik Shehu d.v. Haxhi Noka d.v. Dervish Troçi d.v. Mehdi Kaza d.v. Haqif Lleshi d.v.

Ali Maliqi d.v. Osman Serdari d.v. Sheh Emrullahu d.v. Sabri Maqellara d.v. Demir Dema d.v. Sali Marke d.v. Uko Cami d.v. Mahmud Pervizi d.v. Qamil Shehu d.v. Sheh Aliu d.v.
Shaban Elezi d.v. Selman Shehu d.v. Demir Manuka d.v. Drvish Lusha d.v. Muharem Hoxha d.v. Haziz Marke d.v. Habe Leka d.v. Hilmi Karasani d.v. Sheh Emrullah d.v. Sheh Besimi d.v.

Në çdo komunë do të krijohen Komisionet e bes-lidhjes të formuem nga 12 persona ose ma shumë simbas nevojës nën kryesinë e kryetarit të Komunës ose zavendasit të tij ( sekretari) për komunet e rrethit direkt të kësaj Prefekture po ju bashkëngjitet lista e personave që do marrin pjesë si antarë, dhe për Komunet e rrethit Zerqanit, këto pesona do të zgjidhen nga N/prefekti në bashkëpunim me parinë e vendit.

Personat e zgjedhur si antar të N/Komisionave, duhet të veprojnë me ndërgjegje të pastër e burrni, me atë besim qi u asht dhanë si burra të ndershëm dhe të zakonit. Kemi bindjen se do të plotësoni misionin e ngarkuem e dëshirojm qi të marrin njoftim antart e N/Komisioneve se po të veprojë ndokush me dredhina dhe në kundërshtim me parimet qi ndjek bes-lidhja do të ngarkohet me përgjegjësi të randë.
N/Komisionet do të formohen tue pasë në gji të vet edhe nga nji nënkryetar I cili do zgjidhet nga antart. Në çdo mbledhje do të mbahet nji proces-verbal prej kryetarit të Komunës ose sekretarit zavënds dhe për çdo çashtje do të mbahet nji vendim I posaçëm I cili do të transkriptohet në librin e vendimeve t’itifakut).
Me marjen e këtij urdhëni pa humb kohë me mjetet qi dispononi ta lajmëroni gjithë popullin e rajonit t’uej, burrë për shtëpi të cilët paraqiten n’atë Komunë, përpara Komisionit, të formuem si ma sipër t’I japin besën njani tjetrit.
Ky veprim do të marrë fund pa tjetër me 10 të k.m. dhe me nji herë të na njoftohet ose me telefon përmbarimi I plotë.
Prefekti

P.T.
Ministris Punëve të Brëndëshme
(Zyrës Politike)
Tiranë

Parashtohet për dijeni dhe në vijim të telit t’onë nr 80/27 dt, 12.VI.943-XXI

Prefekti
Vehip Runa d.v.

Vërtetohet njësija me origjinalin
Sekretar I-rë
(Firma)
Dokumenti I mëposhtën tregon mësëmiri se Itifaku e kishte të pamundur të kryente rolin e saj si qetësues I krahinës. Personat që kishin firmosur Itifakun luanin me dy standarte.

 

MBRETNIJA SHQIPTARE Tiranë, më 15.VIII 1943
MINISTRIJA E P. TE MBRENDESHME
ZYRA POLITIKE
Nr. 635/73
REZERVAT

SHKURTIMI:
Mbledhje e sa
parive te Dibers.
P. T.
KRYESIS SE KSHILLIT MINISTRAVE
Tiranë

Për njoftim e në vijim të shkresës s’onë Nr 635/69 datë 8.7.43 kemi nderin me Ju njoftue se në mbledhjen e lajmërueme me të sipërmen kan marrë pjesë dhe Aqif Lleshi, Faik Shehi, Ismail Strazimiri si parije, ashtu si të thirrun prej tyne dhe t’arratisunit qi këto dy të fundit janë vllaznit e Cen Elezit
Vërtetohet se në përfundim të bisedimeve Cen Elezi e Aqif Lleshi kanë garantue parsinë se, njerzit e tyne t’arratisun, nuk kan me ba ma asnji ngjarje. Edhe për ngjarjet qi akuzohen se kan bamun mbas istifakut, do të caktohet beja në bazë të kanunit.
MINISTRI (firma)

 

Dokumenti i mëposhtëm dokumenton se Itifaku është vënë i gjithi në dyshim.

MBRETNIJA SHQIPTARE
Tiranë, më 11.VIII. 1943
MINISTRIJA E P.TE MBRENDESHME
ZYRA POLITIKE
Nr. 635/146
SHKURTIMI:
Mbi mbledhjen e
paris ne shtepin
e Murat Kaloshit.
P.T.
KRYESIS SË KSHILLIT MINISTRVE
Tiranë

Kemi nderin me Ju njoftue se mbedhja e parisë që ka pasë vend ne Diber në shtëpin e Murat Kaloshit, mbasi asht bisedue mbi situatën përpos Muharrem Bajraktarit, Fiqiri Dinos e Murat Kaloshit të gjithë të tjerët kanë qenë të mendimit të prishin qetsin. Të tre të nalt-përmendunit nuk kan pranue për arsye se ende nuk asht koha për nji veprim të tillë. Për kët shkak mbledhja asht nda e prishun.
MINISTRI (Firma)

 

Dokumenti i mëposhtëm tregon se sa të ndjeshëm ishim autoritetet nga lëvizjet e personaliteteve të krahinave dhe se sa e brishtë ishte situata.

MBRETNIJA SHQIPTARE
Tiranë, më 5.VIII. 1943
MINISTRIJA E P. MBRENDESHME
ZYRA POLITIKE
Nr 635/113.
REZERVAT
P.T.
KRYESISË SË KËSHILLIT MINISTRAVE
KOMANDËS ARMATËS IX
“Zyrës I”
SHKURTIM :
Mbi gjendjen e
Bicajt.”

N/Prefektura e Bicajt me telegramin datë 2 te k. m. na njofton sa vijon:
“ Informohemi me siguri se Muharrem Bajraktari asht largue nga shtëpija. Thuhet se ka marrë drejtimin për Dibër te Cen Elezi
MINISTRI
Firma

 

Dokumenti i mëposhtëm tregon mbi largimin e ushtrisë Italiane të cilët pasi lanë Dibrën e Madhe pa luftë forcave të Nacional Çlirimtares, po shkonin drejt Tiranës.

MBRETNIJA SHQIPTARE TIRANË MË 21.8.1943
MINISTRIJA E P. TË MBRENDESHME
ZYRA POLITIKE
Nr. 635/197

SHKURTIMI: Mbi ushtrinë
Italiane qi
hyni në Peshkopi
P.T.
KRYESISË SË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Për dijeni kemi nderin me Ju njoftue se në Peshkopi na informon që në ditën e djeshme ushtrija italiane qi vinte prej Dibrës së Madh hyni në qytet pa pësue ndo’j incident. Populli e ka pritë me entuzjazem, me Halil Alin në krye me vullnetarët e tij.
Qetësia e rendi publik filloj me ‘i herë me u stabilizue.

MINISTRI (Firma)

Dokumenti i mëposhtëm flet qartë që Itifaku i Qershorit 1943 s‘kishte asnjë vlerë.

MBRETNIJA SHQIPTARE Tiranë, më 9.IX.43
MINISTRIJA E P. TË MBRENDSHME
ZYRA POLITIKE
Nr.635/221

REZERVAT
P.T.
KRYESISË SË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Tiranë

Për dijeni kemi nderin me Ju përshkrue shkresën tepër rezervat personal të Drejtorisë së Përgjithëshme të Policisë rreth situas së Dibrës së Vogël:
“Situata e Dibrës mbas lidhjes qi ishte ba ka qenë e mirë deri ditën qi i aratisuni Haxhi Lleshi në marveshje me Komandantin e rrethit të Gjindarmarisë Kapiten Shyqri Baftjarin qi me te, lidhet me miqsi krushqijet, okupoj Nen-Prefekturën e Zerqanit dhe u bashkue me te edhe Baftjari me forcat e tij besnike.
Po me marveshje të tilla ka qenë edhe Komandanti I Qarkut Peshkopisë Kapiten Arif Konica dhe po mos të kishin shkue vullnetarët e dërguem prej Myftar kaloshit e pastaj të Selim kaloshit e Halil Alisë I përmenduni Qark Komandant I Gjindarmarisë së Peshkopisë do të dorzonte Peshkopinë e do të bashkohejj me Haxhi lleshin, por si pa se shkoj në peshkopi fuqia e naltpërmendur u aratis vetë me personelin dhe me disa nënpunësa që aj I kishte bindë me preteksin se fuqija e Italisë kishte mbarue.
Cen Elezi mbas ndodhisë me datën 20.8.1943 qi ju bombardue shpija u largue me 50 vetë prej frige, por pa pasë asnji aksion të kundërt, mbasi kujtohet se u ba nji gabim, dhe se ka deklarue se nuk asht kundra Regjimit dhe me t’u kthjellue çështja do të kthehet.
Hasan Dosti me tre shokë të tjerë ishin me Cen Elezin miq e do t’u përcjellshin prej tij; Hasan Dosti ishte krejt I zbehun ne ftyrë dhe as qi fliste.
Midhat Frashëri (Lumo Skendo), Faik Qyku e Kolë Tramara para pesë ditësh prej Dibre u nisën për në Lumë e ka posibilitet për me u pa me Muharem Bajraktarin.
Fiqiri Dinja mbasi u shpague për djegjen e shtëisë qëndron krejt në vehte i pa përziem dhe se ashtë prishë krejt me Haxhi Lleshin dhe se mejton të merret vesh me autoritetet e vendit.
Populli i Dibrës ashtë i përçamë dhe shumica don qetësinë, e nuk don me hye në aventurat e disa kreneve qi për aq vjet i kanë shtie në gjaqe e në armiqësina për të përfitue ata vetë.

Përgatiti: Astrit JEGENI

S'KA KOMENTE