Skënderbeu, simbol i luftës të shqiptarëve për liri e pavarësi

    414

    Nga Edmond ISAKU

    Gjergj Kastrioti Skënderbeu (6 maj 1405 – 17 janar 1468) sintetizon një epokë të tërë historike që mori emrin e tij: luftën kundër pushtimit osman (fundi i shek. XIV – fundi i shek. XV). Nën udhëheqjen e tij, lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë më të lartë e më të organizuar dhe shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të Shqipërisë.
    Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konseguent dhe i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Ai realizoi të parin bashkim të shqiptarëve, Lidhjen Shqiptare të Lezhës, e cila hapi rrugën e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, themeluesi i të cilit u bë ai vetë. Kujdes të veçantë Skënderbeu i kushtoi ruajtjes së burimeve të brendshme ekonomike, tek të cilat u mbështet lufta. Duke fuqizuar mbrojtjen në brezin kufitar, në lindje e në jug, ai i dha mundësi banorëve të viseve të lira, të zhvillonin një veprimtari ekonomike deri diku normale. Krahas mbrojtjes së vendit, Skënderbeu i kushtoi vëmendje çlirimit të viseve të pushtuara që ndikoi në formimin e mëtejshëm të lidhjeve me banorët e këtyre viseve dhe në forcimin e bashkimin e të gjithë popullit shqiptar. Aftësitë e Skënderbeut si burrë shteti spikatën edhe në marrëdhëniet me vendet e tjera. Duke pasur të qartë se rrezikut osman mund t’i bëhej ballë vetëm me sukses, vetëm me forca të bashkuara, Skënderbeu kërkoi pareshtur pjesëmarrjen e vendeve europiane në luftë kundër armikut të përbashkët. Epopeja e Skënderbeut e shk. XV dhe vetë figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeu ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe për rritjen e vetëdijes kombëtare të tyre. Të frymëzuar prej tyre, intelektualë të shquar shqiptarë, i pasqyruan e i përjetuan ato në vepra historike monumentale, në të cilat nisi jetën e vet historiografia shqiptare. Në fillim të shek të XVI (1504) Marin Barleti, botoi latinisht veprën kushtuar luftës heroike të shqiptarëve për mbrojtjen e Shkodrës, (rrethimi i Shkodrës). Por vepra që e lartësoi figurën e tij si historian humanist është “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, të cilën e botoi latinisht në Romë rreth viteve 1508-1510. Kjo vepër voluminoze njohu shumë ribotime në gjuhë e në vende të ndryshme të Evropës. Veprat e M. Barletit u bënë burimi më i rëndësishëm ku patriotët shqiptarë mësonin historinë e epopesë legjendare të shk. XV.
    Periudha e Skënderbeut u përjetesua edhe në vepra të tjera historike nga bashkëkohësit e heroit. Një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Skënderbeut, Dhimitër Frengu, shkroi latinisht, në frymën e ideve humaniste të kohës një vepër për jetën e Skënderbeut. Me disa ndryshime të vogla ajo ndjek rrethimin e historisë së Skënderbeut të M. Barletit, që dëshmon se kjo vepër kishte pasqyruar drejt realitetin historik, të njohur e të panjohur edhe nga bashkëluftëtarët e afërt të Skënderbeut. Vepra e Dh. Frengut u botua pas vdekjes së tij e përkthyer italisht, dhe njohu shumë ribotime në këtë gjuhe.
    Një vepër tjetër e rëndësishme për të njohur shoqërinë shqiptare të shek. XV është “Historia dhe gjenealogjia e shtëpisë së Muzakajve”, shkruar në italisht më 1510 nga bashkëluftëtari i Skënderbeut, Gjon Muzaka. Ajo mbeti në dorëshkrim dhe, për vlerën që ka për historinë mesjetare shqiptare, botuesi i saj i shek. të XIX më të drejtë e ka cilësuar atë si një “margaritar”.
    Por vlen për t’u përmendur ne këtë plejadë autorësh që kanë shkruar për Skëndërbeun dhe romantiku i njohur arbëresh, Jeronin De Rada për hartimin e veprës së tij “Skënderbeu i pafan”(1873), rrugën e të cilit do ta ndjekë më vonë edhe Naim Frashëri me veprën e tij “Istori e Skënderbeut”(1898) me vargjet karakteristike:

    Kruj’ o qytet i bekuar!
    prite, prite Skënderbenë
    po vjen si pëllumb i shkruar
    të shpëtojë mëmëdhenë…..
    Vargu i poetëve që iu kthyen epokës së Skënderbeut nuk përfundon këtu. Ai ka vazhduar me gjeneratat në vazhdim, duke u bërë burim i të gjithë krijuesve, e veçmas atyre që shkruajnë poezi. Për veprën e tij madhore shkruan edhe shumë shkrimtarë të huaj, në mesin e të cilëve përmendet edhe një poemë e shkruar në gjuhën islandishte, duke e ngritur figurën dhe epokën e tij në piedestalin e një personaliteti në historinë e njerëzimit. Skënderbeu u shndërrua në simbol të luftës për liri e pavarësi. Ai mbeti një figurë e dashur për shqiptarët dhe në këngët, gojëdhënat e tregimet e shumta popullore, duke i dhënë atij tiparet e një figure legjendare.

    S'KA KOMENTE