Një vështrim mbi historikun e arsimit në Okshtun të Dibrës

158

Prof. As. Nazmi Koçi

(vijon nga nr i kaluar)
Okshtuni në optikën time pati disa kategori mësuesish. Një kategori mësuesish që unë po i konsideroj si ‘Elitë”, nuk punuan në Okshtun, por dhanë kontribut të veçantë në zhvillimin e arsimit në Dibër dhe më gjerë në shkallë vendi. Po sjell disa shembuj: I mirënjohuri Idriz Biba, të cilit i peshonte truri më shumë se trupi i imtë që kishte, ishte një normalist Okshtunas, mësues i shkëlqyer matematike, shok shkolle me Selim Alliun e Xhelil Kulejmanin, pat qenë drejtor shkolle, më pas shef i kabinetit pedagogjik të rrethit Dibër dhe punoi në vitet e fundit në Institutin Pedagogjik të Shkodrës. Adem Sallaku nga Okshtuni i Madh punoi si shef arsimi në Shkodër e më vonë në Ministrinë e Arsimit në Tiranë. Arif Briçi nga Muglica ishte inspektor në seksionin e arsimit të rrethit Dibër, u dërgua për studime të larta në Vietnam dhe shërbeu shumë kohë në Diplomaci. Riza Lika, një tjetër Okshtunas, pasi kreu studimet e larta për ekonomi në B.S., shërbeu si profesor në një nga shkollat e larta të kohës, derisa doli në pension.
Kështu mund të dallojmë edhe mësuesin nga Okshtuni Esat Caka (vëllai i dëshmorit Sabri Caka), që punoi si mësues e drejtor shkolle në Peshkopi. Të tillë ishin edhe mësuesit Selami Muglica e Muhamet Sula, ndërsa stërnipi i Hoxhë Muglicës , Elliott Hasan Muglica kryen aktualisht me mjaft sukses mjeshtërinë e mësimdhënies në Kanada. Edhe pse ka edhe shumë shembuj të tjerë, besoj se është e mjaftë për të kuptuar se Okshtuni dha kontribut në zhvillimin e arsimit më gjerë se territori i vet.
Një kategori tjetër arsimtarësh në Okshtun do t’i konsideroja si “Veteranë “ të arsimit vendas. Pati mësues që me kontributin e tyre ndikuan që në ndërtimin e pajisjen e shkollave dhe punuan për një kohë të gjate aty.
Mësuesi Selman Koçi nga Prodani, edhe pse më parë kishte qenë nëpunës në lokalitete dhe në Qarkun e Peshkopisë, filloi mësuesinë në vitin 1951 në Borovë. Nga viti 1952 dhe deri në vitin 1977, kur doli në pension, ai punoi në shkollën e Prodanit, ku përgatiti mjaft nxënës që më vonë u bënë kuadro të lartë e me reputacion në sektorët e tyre.
Mësuesi Hysen Sallaku shërbeu për një kohë relativisht të gjatë në shkollën e Okshtunit të Madh, derisa doli në pension. I tillë ishte edhe mësuesi Bilal Salku, i cili bëri dhe nëpunësi të tjera, por që mësues punoi pa u lodhur në shkollën e Okshtunit të Vogël. Më pas ai u transferua në Tiranë, ku përfundoi studimet e larta dhe u bë një mësues e historian i mirënjohur në Tiranë e më gjerë. Figura të tilla të arsimit në Okshtun kanë qenë edhe Jashar Stoku, Hysni Imeri, Mersim Biba e mjaft të tjerë.
Për rreth 30 vjet dha kontributin e tij në zhvillimin e arsimit në Okshtun , i paharruari Mentor Muglica, nipi i Osmanit dhe stërnipi i Hasan Muglicës. Nxënës e sportist shembullor, ai u bë promotor i zhvillimeve në Okshtun. Ishte mësues, kryetar i Këshillit të bashkuar, sekretar i byrosë dhe drejtor shkolle. Ai shkëlqeu si mësues matematike, por dhe si organizator, gjahtar e sportist i talentuar. Të gjitha përparimet e arsimit në Okshtun gjatë dekadave të fundit para vitit 1990, kanë mendimin dhe firmën e tij. Vitet e fundit ai u transferua e dha kontributin e tij në Tiranë.
Edhe mësuesi Hamdi Koçi, që shërbeu herë si mësues e herë si drejtor, ka kontributin e vet të pacenueshëm sidomos në Okshtun të Vogël. Për një kohë relativisht të gjatë shërbyen edhe mësuesit Idriz Koçi, Lefteri Muglica, Nafije Koçi etj. Në gjeneratën e më të rinjve, duke ju kërkuar falje se mund të kem harruar ndonjërin , bëjnë pjesë edhe Dashurie Gega në Oreshen, Jashar Koka në Plepe, Flutra Balla , Atlie Balla e Shqipe Balla, Besnik Ceni e pa dyshim mësuesi I talentuar Osman Sallaku etj.
Okshtuni pati dhe mjaft mësues të ardhur nga krahina e rrethe të tjerë. Kontributi i tyre nuk mund të mohohet kurrsesi. Para vitit 1952, pasi u largua për në Elbasan, mësuesi Rexhep Tahir Koci, në Prodan erdhën Xhemal Baxhaku nga Elbasani dhe Ramadan Duka nga Qafë Murra. Okshtunasit u janë mirënjohës mësuesve Naxhi Hasa, Muharrem Bardhi e Drita Bardhi, Shemsi Ceka, Lutfi Cami, Zihni Methasani, Fais Gjeleshi, Tahir Veliu, Selim Meziu, Shazimir Koci, Bari Sejdini etj. Gjenerata të tëra ish nxënësish i përmendin me respekt të veçantë Naxhi Hasen, Shemsi Cekën, Zihni Methasanin, Ramazan Pikun e mjaft të tjerë, për punën aq me pasion që zhvilluan në Okshtun për arsimimin e brezave. Një nga ish nxënëset e shkollës së Okshtunit , që më vonë u shkollua, u bë mësuese, që punoi mbi 7 vjet në Okshtun dhe më vonë si e tillë derisa doli në pension në rrethin e Lushnjës, tregon se kur në klasën tonë me më pak se 30 nxënës erdhi një ekip i seksionit të arsimit të rrethit Dibër, klasa mori 17 nota 10 në lëndën e matematikës ku jepte mësim me pasion mësuesi Ramazan Ilnica.
Kohët e fundit shfletova një material voluminoz mbi problemet e arsimit në Dibër. Më duhet ta komplimentoj autorin për punën e madhe që ka bërë dhe përpjekjet për të sjellë sa më shumë material mbi këtë problem.
Megjithëse autori i këtij punimi është një miku im i kahershëm, po veproj sipas parimit: “Mik e kam Sokratin, por më mik kam të vërtetën”. Meqenëse si metaforë autori ka përdorur termin “…në hulli të historisë…”, më duhet t’i them se hullinë bujku i mirë dibran e ka nxjerrë gjithmonë deri në qosh të arës. Ai është dalluar pikërisht për atë që i ka punuar po aq mirë cepat e arës së tij, ashtu siç edhe mesin e saj dhe të gjithë cepat njësoj. Bëra përpjekje që të gjej disa nga faktet që kam paraqitur më sipër lidhur me historikun e arsimit në Okshtun, por hasa vetëm në disa të dhëna jo krejtësisht të plota. Duhet t’i kujtoj lexuesit edhe faktin që bëhet fjalë për një zonë jo vetëm arsimdashëse, por edhe në kontakt fizik e gjeografik me treva të tjera si Elbasani, Tirana, Kruja, Mati. Kjo ka pas ndikimin e vet jo vetëm në zhvillimin e arsimit, por edhe në gjuhën e folur që ka theks përafrues me atë të Shqipërisë së Mesme, përndryshe nga zonat fqinje. Boll të përmendim faktin se fshati me jugor i Okshtunit, Prodani, është i baraslarguar nga Elbasani po aq sa nga Dibra e Madhe, ndërsa Tiranën këmbësorët e dikurshëm e kanë bërë edhe brenda një dite vajtje e ardhje.
Është e nevojshme, gjithashtu, të përmendim faktin se Okshtuni ka pasur një muze për arsimin, besoj i vetmi në rrethin e Dibrës, të vendosur pikërisht aty në fshatin Muglicë, ku lindi, jetoi, punoi dhe ra atdhetari i madh Hasan Muglica. Ndër figurat e shquara të arsimit dibran këtë personalitet të madh të arsimit kombëtar nuk e gjeta në materialin e sipërcituar. Muzeu i arsimit në Muglicë nuk është më. Një stuhi jo natyrore që kaloi atyre anëve e fshiu atë dhe shumë dokumente të afishuara aty që kam pasur rastin t’i shoh me vëmendje disa herë. Por historia është aty. Shkëmbi i patës, Livadhet e Muglicës, Miligjanja, Kodra e Xhengut, Ara e Shermetit ku ra hoxhë Muglica aty janë. Shoku i Abdyl Frasherit, Iljaz Pashë Dibrës, Vebi Agollit, Ndre Mjedës e Luigj Gurakuqit, bashkëstudiues me Nikollë Kaçorin e Gjergj Fishtën e shumë të tjerë, Hasan Muglica është aty. Ndoshta edhe stërkalat e gjakut që u shpërndanë nga trupi i tij pas batares së armëve të armiqve të gjuhës shqipe e të trojeve shqiptare janë aty përmbi gurët e murrmë te Ara e Shermetit.
Si një intelektual dhe djalë i një mësuesi veteran, por dhe si njeri që punova rreth 25 vjet në arsim, u formova e vlerësova edhe në fushën e arsimit me tituj e ndere, nuk mund të mos them një të vërtetë të qartë e të pamohueshme se jo vetëm historiku i arsimit dibran, por as historiku i arsimit kombëtar shqiptar nuk mund të bëhen pa i dhënë vendin e vet Hoxhë Muglicës dhe Okshtunit malor, por arsimdashës. Për të gjitha kontributet e tij Hoxhë Muglica është shpallur në vitin 2000 “Dibrani i shekullit”, duke konkurruar pikërisht me figurat e shquara të epokës së vet (9). Një histori e ngjashme me atë të Hoxhë Muglicës për një patriot tjetër ka shërbyer si subjekt për filmin e mirënjohur “Udha e shkronjave”. Me jetë e pagoi edhe patrioti okshtunas dashurinë për gjuhën shqipe, për shkronjat dhe trojet shqiptare.
Duhet të jemi objektivë në trajtimin e figurave të tilla madhore të historise sonë kombëtare. Asnjë harresë nuk mund ta zbresë atë nga piedestali i lavdisë dhe historisë së arsimit kombetar ku jeta dhe vepra e tij e lartësoi dhe e vuri për të mbetur përjetësisht aty. Pse jo, edhe për patriotin dibran të mos ketë filma e botime të tjera, veç atyre që tashmë njihen. Për të mund të shkruhet si strateg ushtarak, si diplomat, si inxhinier që la vepra, si klerik i zoti, por jo fanatik, si udhëheqës i administratës shtetërore që edhe në kushtet e tij dinte ta vinte në shërbim të njerëzve, si figurë popullore që siguronte unitetin e njerëzve, dinte t’i printe e t’i çonte me një fjalë goje në luftë dhe plot gjëra të tjera. Largimi i shumë banorëve të Okshtunit nga trojet e veta në zona të tjera për një jetë më të mirë, nuk duhet t’i largojë ata nga varret e të parëve, nga historia dhe lavdia e Okshtunit. Posaçërisht për ata dhe për të rinjtë po i shkruaj këto radhë.

S'KA KOMENTE