DUKE PËRKUJTUAR RAMAZAN SULEJMANIN

1846

Nga HALIL RAMA

• Një nga intelektualët e njohur dibranë, që shërbeu për shumë vite me devotshmëri e përkushtim maksimal në drejtimin e ndërmarrjeve e institucioneve kryesore në Peshkopi, Bulqizë dhe Tiranë, është padyshim edhe Ramazan Sulejmani. Profili i tij është ai i intelektualit shumëdimensional, i skalituar në sa e sa projekte, jo vetëm në Bulqizë ku kaloi pjesën më të madhe të jetës, por edhe në metropolin shqiptar, në Tiranë.

Ramazan Sulejmani lindi në Shumbat të Dibrës më 08.08.1950. Shkollën fillore e mbaroi në fshatin e lindjes. Më pas vazhdoi Shkollën e mesme për Gjeologji-miniera në Prrenjas. Studimet e larta i kreu pranë Universitetit të Tiranës në degën Ekonomi –financë. U punësua në Ndërmarrjen Gjeologjike Bulqizë, ku punoi për një kohë të gjatë si kryenormist në sektorë të gjeologjisë në Peshkopi dhe më vonë si shef finance në të njejtën ndërmarrje në Bulqizë. Për 20 vite punoi dhe jetoi në Bulqizë duke kryer detyra të rëndësishme si drejtor i ndërmarrjes së Furnizimit të Punëtorëve, drejtor i Bankës Bulqizë, si këshilltar aktiv në këshillin e rajonit të Bulqizës dhe aktivist në lëvizjen kulturore, politike dhe intelektuale të Bulqizës. Kontributi i tij qe mjaft i çmuar veçanërisht në vitet e demokracisë, kur Ramazani ishte një intelektual me shumë reputacion dhe integritet, i lidhur me njerëzit dhe mjaft karizmatik, duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin e proceseve demokratike në qytetin e Bulqizës. Në vitin 1997 transferohet në Tiranë ku intensifikon punën për kualifikimin profesional pasuniversitar për financë duke u licensuar si kontabilist i miratuar.
Ai ishte një intelektual i formuar dhe vizionar, debatues për probleme shkencore ekonomiko-financiare, duke dhënë kontribut për shumë vite në drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, (VIP-at), si specialist dhe shef departamenti, duke kontribuar drejtpërdrejt në përsosjen e sistemit të tatimeve dhe duke mbajtur një qëndrim shembullor si punonjës i shtetit. Ai ishte një njohës shumë i mirë i ligjit dhe i të drejtës, i punës në administratë dhe kishte një performancë të shkëlqyer në sjelljen politike dhe administrative.
Në tre mandate radhazi është zgjedhur këshilltar në njësinë Bashkiake nr.11,Tiranë, si përfaqësues i Partisë Demokratike, duke dhënë një shembull mjaft të mirë në komunikimin institucional dhe politik dhe duke ndihmuar profesionalisht në sektorin e menaxhimit të financave publike të Njësisë Bashkiake, në Laprakë.
Një vit pasi doli në pension, u nda nga jeta pas një sëmundje të pashërueshme me gjithë përkushtimin e familjes dhe të institucioneve shëndetësore.
Ramazani ishte organikisht njeri i kulturës, i ekonomisë dhe politikës. I rritur në klimën e varfërisë së përgjithshme të fshatit të tij Shumbat i Dibrës, te Ramazani do të ngjizej një nga vetitë më çmuara të shoqërisë njerëzore: humanizmi dhe afiniteti social. Shpesh herë e dëgjonim shqetësimin e tij për vuajtjen e të tjerëve, athua ai kishte përgjegjësi për të tjerët më shumë se gjithkush. Ishte njeri i familjarizuar me botën e shpirtit dhe intelektit. Me shpirt civilizues. Duke patur një gatim të tillë, ai ishte ndër të rrallët që ndihmonte kaq shumë rrethin e tij familjar. Ramazani i kishte dhënë vetes lirinë të punonte me zell e frymëzim për familjen dhe fëmijët e tij. Të përzgjidhte gjatë jetës miqtë dhe shokët më të mirë. Ata që kishin të njëjtin grup gjaku me të, të këndonte dhe të kuvendonte me to për qejf të vet, të dëfrente pa bujë; toleranca në mënyrën se si hynte në lidhje me jetën, si kënaqej me ato që e rrethonin, si pasionohej pas muzikës, valles, shakave dhe humorit të këndshëm. Ishte modest dhe nuk kërkonte vëmendje, sepse kishte lindur me shenjën për t’u bërë dhurata të tjerëve dhe ashtu shkoi, duke mos i pasur borxh njeriu, por duke e lënë pengun tek të gjithë ata që e deshën dhe e nderuan gjatë jetës.
Kur dikush vdes, lëvdatat nuk kursehen, por ky shkrim për Ramazan Sulejmanin nuk është lëvdim, as vajtim, është kërkimi i asaj që la pas, përtej kujtimeve.

Vetëm unë dhe ai kemi forcën të bëjmë qiell e tokë bashkë sot

SILVANA SULEJMANI, e bija që e deshi aq shumë dhe I qëndroi afër gjithmonë, më 05.12.2017, nga Londra shkruan:
“Dhimbja më shtriu dorën… se di pse ja zgjata si për ta ndihmuar; ajo më tërhoqi pas vetes! Si një viktimë e denjë u dergja rrugës së saj, si mjegull ja mbaj mend fytyrën.
Më përqafoi nxirja e qiellit dhe nuk munda të ikja, po ashtu me kokën këputur prej trishtimit, lotoja në kraharohin e saj. Qaja, qaja e me atë pak forcë doja të shkëputesha. I ziu qiell më kish zgjatur duart për të mos m’i lënë kollaj. Kërkova ngultaz të dija një të vërtetë, që ishe ti ai që më përqafoje prej lart. E dija, e dija fort mirë që veç ti kishe forcën të ma mbaje shpirtin peng. Ndër duar veç gjakut që gëlonte në vena, gurgullonte një shpresë e ethshme, me vete thoja: do të më shohë mua e do të zgjohet. Vetëm unë edhe ai kishim aq fuqi ndërmjet njëri tjetrit! Tani vetëm unë dhe ai kemi forcën të bëjmë qiell e tokë bashkë sot.
Sa gërma më mbetën pathënë, sa ditëlindje e sa fjalë kisha ruajtur për ty në sundukun e thesarëve që veç ty të përkasin. Më ke lënë një dekoratë jete, atë të krenarisë së bijës shpirtlumtur. Më ke lënë veten tek unë! Më ke lënë gjithësinë. Ndërsa unë të kam dhënë me vete shpirtin tim, ai nuk vdes kurrë.
Do të ishte ditë e dielë, kafen prapë bashkë do t’a konsumonim, do të visheshim të dy njësoj si përherë e ti me sytë e qeshur do të përsërisje edhe njëherë refrenin tonë: “ti je goca babit!”. Shoku im ti, prap në kafe do më gjesh të dielën, do të porosis dy si gjithmonë, një për vete një për ty, do të bëjmë foton tonë të zakonshme e do të diskutojmë për pasione e gjëra që na gëzojnë! Do të debatojmë e në fund do të mbajmë edhe inate, e ti si përherë do më vish prap me 1000 copëza lumturie që të shkëlqenin në sy; do më vish atëherë kur më së shumti do të të dua e si gjithmonë do t’i gëzohesh vendimeve të mia!
Do të doja të më kishe thënë njëherë jo, të më kishe kundërshtuar për kapriço e për teka të kota, do të doja njëherë të vetme të guxoje të vije veten në vend të parë, por në gufimin e rrahjeve të zemrës fryhej veç dëshira për të më bërë të lumtur…
Është një libër aty, ti e preke me krenarinë e pashoq të zemrës plot së babait të lumtur. Qershorit tim, i dhe dimension tjetër, qershori im nuk është më njësoj, qershori im u bë i yti! Ditëlindjet e mia nuk do të jenë më të njëjtat, ti nuk do të vish si çdo herë për të më zgjuar e uruar i pari, ti nuk do garosh me mamin për të më dhënë bekimet, ti nuk do të vish më tek unë, sepse tashmë ti je me mua në çdo hap që bëj, ti je e hëna ime, zgjimi, hapat, të shtunat, të qeshurat, ti me aureolën tënde ecën me mua! E ndjej se si qesh fytyra jote bashkë me qiellin. Asnjëherë nuk do të shoh me sytë lart duke lotuar; m’a ke lënë zemrën plot dhe të vetmin thesar që e kam kyçur me premtimet, është se do të jem e lumtur, sepse e di, e di fort mirë që lumturia ime është gjithë jeta jote!
Shihemi në ëndërr, vetëm aty takohen shpirtrat e lënë peng!
Përgjithmonë e vogla jote…”.

Me rastin e 1 vjetorit të vdekjes Silvana, e bija do të shkruaj ne faqen e saj në fb:
“Sikur njëmijë vargje t’i shkruaj, e di që nuk do të mundesha të them atë që vërtetë Ti përfaqëson për mua, atë lidhje të fortë të pamposhtur midis nesh, atë aleancë të përjetëshme tonën që jeton edhe kështu…
Ti me ëngjëjt në qiell,unë këtu duke të të pasur kudo me vete.
Do të doja shumë që të vizitoja për një çast parajsën në një përqafim të më thoje se gjithçka do të shkojë mirë.
Mungon!”.

“Sa shumë na mungon !

Bashkëfshatari, shoku i tij i afërt HAJRI MANDRI shkruan në kujtim të Ramazan Sulejmanit:
“Sa shumë na mungon !
Ti ike, ike shpejt sikur i mbarove të gjitha punët, të gjitha përkushtimet, të gjitha kënaqësitë me miqtë njerëzit dhe shokët… dhe ike… Ike duke lënë prapa imazhin e gjallë dhe të paharrueshëm, kujtime të mrekullueshme, respektin dhe dashurinë e pakufijshme me familjen, miqtë dhe shokët. Edhe unë jam me fat që ruaj në mendje dhe në zemër zgjatimin e jetës tënde drejt përjetësisë, se është fat të njiheshe nga afër dhe të rrije me Ty, pranë Teje dhe të mrekulloheshe nga fjala, mendimi, qeshja, humanizmi, mençuria, shkathtësia, shakaja, kënga, vjersha, rrëfimet, fjalimet, argumentimet… Të rrije me ty e kishim kohën të fituar dhjetëfish nga inteligjenca që ndaje dhe humaniteti që dhuroje. I freskët ende dhe i gjallë në kujtesën e shokëve mbetesh, ashtu i gjallë dhe impulsiv, me sytë e shkruar plot çiltërsi që rrezatonin mesazhe shprese dhe optimizmi, me një shpirt të demokratizuar dhe konfident. Me këdo ndaje qëndrime dhe vlera si kuadër drejtues si intelektual me inteligjenca të shumëfishta dhe energji pozitive. Ti, ike, ike shpejt fizikisht por jeton në kujtesën e të gjithë atyre që patën fatin të të njohin nga afër. Njeriu vdes vetëm kur harrohet. Ti jeton, jeton midis nesh po ashtu i dashur, i qeshur, kryelartë e babaxhan dhe unë ndjej se ende jemi bashkë duke shëtitur në Bulqizë, Laprakë apo Stamboll. Ike… pa lamtumirë duke lënë prapa kujtimet e paharruara.
I paqtë dhe i paharruar qoftë shoku ynë, Ramazan Sulejmani”.

Një intelektual i formuar nga të gjitha fushat
Ramazani duke qenë një intelektual i formuar nga të gjitha fushat: politike, administrative, ekonomike, sociale, kulturore ai ngrihej mbi përditshmërinë banale të jetës dhe shikonte larg si vizionar. Ndaj familja, bashkëshortja Nazife që punoi nje jetë si infermiere e përkushtuar, djemtë Arturi dhe Flori (jurist i shquar), vajza Silvana që e donte pafund, shokët, miqtë dhe të afërmit do ta kujtojnë kurdoherë më respekt dhe mirënjohje të thellë. Le të jenë këto shënime një homazh për jetën dhe veprën e tij.

S'KA KOMENTE