Një libër me panteonistë

209

Dr.Fejzulla Gjabri

Nuk është hera e parë që Halil Rama na mbledh për promovime librash. Por sot jemi këtu për Panteonin e vlerave, që do të thotë në atë vend ku qëndrojnë vetëm ata që i kanë shërbyer vendit të tyre. Këto vlera jepen nëpërmjet përshkrimeve dhe portreteve, për të zënë vend në panteon.
Këtu ka shumë portretizim në thellësi të karakterit kryesor dhe karaktere të vogla me botën e tyre të brendshme dhe si ata hyjnë në jetën e lexuesit.
Pa asnjë mëdyshje, libri i Halil Ramës “Në panteonin e vlerave” është vlerë e shtuar në botimet e viteve të fundit. Libri vihet në rolin e një edukatori të brezave, pa folur në mjedisin social. Të tilë libra përmbledhës me portrete u thotë njerëzve dhe veçanërisht të rinjve se ka edhe vlera të mira ky vend, kjo krahinë, që duhen njohur, që duhen ndjekur, pa folur edhe për Panteonin e vlerave që ka dhe duhet të ketë një komb, pavarësisht se sa popull ka ai, pra, popull në sipërfaqen që mbulon flamuri i tij.
Kemi në dorë një libër racional, emocional, dokumentar, arkivor që të bën ta marrësh e të shkruash diçka, mbase edhe shumë. Të shkruash për njerëzit që kanë bërë mirë në këtë botë, që i kanë dhënë shoqërisë me të gjitha format e bamirësisë, gjithnjë është pak.
Shkrimi jep, dhe më e rëndësishmja, është se le mesazhe dhe për ata që vijnë pas. Të paktën këtë thotë dhe ky libër i Halil Ramës, se para se t’ia japësh mesazhin atyre që e lexojnë, jep edhe një model pune për përcjelljen e mesazhit.
Në ketë libër jepen marrëdhëniet e subjekteve me të tjerët, dmth jeta reale e personazheve (në këtë rast realë), si marrëdhënia me prindërit, vëllezërit e motrat e mbi të gjitha marrëdhëniet me njerëzit e punës e ata vartës. Në këtë të fundit, kur personi është në drejtim. Ndalohemi pak te Teodor Laço. Ata që duan të dinë Laçon artist, e kanë në libër, disa e kanë njohë personalisht dhe kanë punuar me të, siç është rasti i autorit. Unë dua të tregoj diçka më shumë për këtë shkrimtar-njeri. Kur ishte ministër i Kulturës, m’u dha rasti ta takoj. Më priti në zyrën e tij dhe, pasi i tregova një hall timin, më vërejti si artist. Kur dëgjoi fjalët e mia, erdhi dhe m’u ul pranë me shumë njerëzillëk, duke më dhënë kurajo e shans. E kasha takuar edhe në vitin e largët 1978, në një konferencë me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ishim bashkë një tavolinë. Ashtu i thjeshtë, megjithëse dukej serioz, lavdëroi përgatitjet tona për çeshtjen e qëndrimit në Lidhjen e Prizrenit. Temat tona ishin të thjeshta e pa ndonjë bazë me literaturë ndihmëse. E, megjithatë, ai tha, se “… këto materiale të paraqituar në konferencë, vlejnë më shumë se ato të kabineteve të mbyllura, ku punojnë studiuesit. Ato janë nga terreni dhe vlera e tyre vetëm rritet”. Pra, vite më pas atij aktiviteti, kur i përmenda këtë rast, u ngrit e më përgëzoi.
Të dalim te libri i Halil Ramës. Aty gjejmë edhe marrëdhënie të rëndësishme mes personazheve, gjejmë njerëz të besueshëm, njerëz të vërtetë, si Naim Plakut, ku autori I këtij shkrimi thotë se “poezitë e tij janë më të bukura se rudinat e Korabit”. Na flet për Musa Riçkun, Ahmet Prençin (që është një poet i talentuar), krijues të tillë si Naim Berishën, Sakip Camin, Nikollë Lokën, Shaqir Skarrën, Hysen Dervishin, Isuf Imerajn, na sjell një shpirt të madh, gati parajsor të Demir Rusit etj etj.
Ajo që njerëzit përpiqen është të jetuarit, të jetuarit edhe me të tjerë, pra, t’u bësh vend të tjerëve, t’u veshë në dispozicion diçka nga pjesa jote, siç janë pasuria, drejtësia, fitoreja, suksesi, po mbi të gjitha ëmbëlsinë në të biseduar, pra fjalën. Këta janë biznesmenët e nderuar, që I japin popullit energji jetësore
Halil Rama rri në shtratin kombëtar, di të vlerësojë dhe të japë mesazh. Di të vlerësojë njerëz si Rrahman Parllaku a si Teodor Laço. Po jo vetëm këta. Aty janë Ahmet Fetah Cami, Adem Islam Hoxha, Musa Rriçku, Hajri Mandri. Aty janë dhe familjet e atyre njerëzve që kanë kontribut në jetën shoqërore, si familja Guxholli në Pogradec etj. Aty janë artistët, që me mjeshtëri i bie në këtë libër, siç është rasti i artistit Shaqir Rexhvelaj, duke na dhënë jetën artistike të Rexhvelajt, ku në librin e tij (Shaqirit), veç veprave të tij artistike, janë skalitur personalitete të artit e kulturës shqiptare, si Ramadan Sokoli, Muharrem Xhediku, këngëtarë, rapsodë e valltarë të njohur të artit tonë popullor. Aty janë edhe korifejtë e muzikës tonë, si kompozitori Çesk Zadeja me të tjerë. Aty janë veprimtarë e mjaft figura të tjera të artit tonë, që vijnë dhe ikin nga gjiri ynë, jo thjesht anonimë.
Halil Rama ka depërtuar në shpirtin e njerëzve, që nga të thjeshtët e deri tek njerëzit që ai i vë në Piedestal. Kur ti numëron shkrime, aktivitete, njerëz që ke takuar, libra që ke bërë, antologji ku ke marrë pjesë në vendin tënd e në vende të tjera në botë, përsëri të bie padashje ndërgjegja kombëtare te njërëzit që ke njohë, apo tek ata që kanë berë vend në Panteon.
Dibra ka shumë të tillë, prandaj Halili jo vetëm në këtë libër, por në disa të tillë, na tregon ndjenjën kombëtare, atë dibrane, bashkëpunimin me njerëzit e tij dibranë qoftë ata të Nëntë Maleve, qoftë ata të Grykës së Vogël e të Madhe, Radikës, të Bulqizës të Lurës, të Maqellarës dhe të Çidhnës, deri në ata të Shehrit, si i thonë qytetit të Dibrës. Në çdo shkrim ai na rreshton vlera të shumta të qytetarisë dibrane, të përkushtimit të brezave të saj, të fushave të ndryshme të jetës.
* * *
Libri është bazuar në një treshe panteonike, ndarë në dy pjesë. Janë disa shkrime e përshkrime që të ngrejnë pak nga pak në një Panteon, duke dhënë vlerat e secilit prej tyre. Ndërtimi është ky:
Testamente fjale, e ka titulluar pjesën e parë, pas një hyrjeje qartësuese brilante të Namik Selmanit. Më tej shrtihen fise, njerës e figura që nga koha e Skënderbeut, që nisin me Marin Barletin, me fise e gjurmë si Berishët, Gjon Katriotin, apo toponime si Gardhi Poshtëm, që edhe studiues të tjerë e paraqesin si vendin e Gjonit, sot Muhuri, duke dhënë dhe polemizimin me studiues të tjerë dibranë ose jo. Në këtë pjesë libri – kritikë për studime, siç është libri “Antishqiptarizmi” i Fejzulla Abdullait, që autori në këtë shkrim e vlerëson antisllav, me idenë se Jugosllavia lindi në trojet Ilire.
Në një reçencë jepet mendimi për personalitete si Tuk Jakova, për të cilin është shkruar një monografi, me redaktor Dr.Nezir Batën, duke vazhduar me reçencën tjetër për monografinë kushtuar Dr.Omer Nishanit e më tej vlerësohet puna e studiusve Haki Përnezha dhe Ruzhdi Bitri., me “Toponimia e Çidhnës”, studim me shumë vlera historiko-gjuhësore. Në këtë pjesë jepen të dhëna për “Poezinë e panjohur të Teodor Laços”, ku vlerësohet arti i Laços, shprehur me mjete stilistike e me vlera letrare e figurative. Një punim i paraqitur në këtë vëllim është dhe studimi i Hajri Mnadrit, tashmë Doktor i shkencave, “Shembëlltyra”, që trajton aftësinë e të folurit të njerëzve të thjeshtë në Dobër, pra, ajo që ne e quajmë alegori apo më vendçe ‘bente dibre’. Në studimin e Hajriut është dhe vlerësimi i Prof.Shaban Sinani, si njohës i mirë i kulturës dibrane e më gjërë, asaj kombëtare. Më tej është analiza e librit “Arti i tingujve”, i Shaqir Rexhvelajt, një artisti që di të paraqes jo vetëm me tingujt e kulturës popullore, por edhe me fjalë e fjali, pra të shktuaj libër, njeri i kulturës e me shpirt të madh artisti.
Një monografi tjerë e paraqitur në vëllim me mjeshtëri, është ajo e Musa Riçkut. Diku në këtë shkrim thuhet: “Mjafton të lexosh ditarët e Musait ndër vite, për t’u bindur në thelbin e argumentit moral të suksesit të tij..” Më pas është analiza e librit “Botët brenda shpirtit”, të Astrit Gjunkshit, të poetit dhe publicistit Demir Rusi etj.
Pjesa “Në panteonin e vlerave”, përfshihen disa shkrime interesantë si ato të Gjeneral Rrahman Parllakut, me ditarin që ka mbajtur në burg, duke na dhënë njohuri pothuaj të plota për këto shënime, si pasuri e rrallë jo vetëm personale. Aty janë torturat në burg, greva e urisë, një natë e vitit të ri, mënyrën e gjetjes së librave për lexim në qeli dhe specifikën e leximeve në burgje, deri te prapaskenat e parlamentit të parë ‘pluralist’ më 1945. Në këtë panteon renditen Ahmet Cami, intelektual, luftëtar e me dije shumëdimensionale, i cili me ditarin e tij në vitet e Luftës, kur ishte në burg, shkroi fakte me titullin “Ditari i gjakosun”. Autori e ka vlerësuar si të tillë, nga faktet e veprat që ka gjetë.
Më tej është vrasja e mësuesit Fasli Cami e të tjerë, që ishin në burgun e Burrelit, burg që mori famë për tortura, deri në vitin 1990. Aty është dhe ditari i Haki Sërmilit, një dibran artist, shkrimtar e luftëtar.
Më tej janë shkrimet – reçencë për Sutki Bushatin, themeluesin e mjekësisë infeksioniste, për inxh.Bexhet Guxholli, nënkryetar i OBVL, aty është historia e centralistit Adem Islam Hoxha, rrëfimi i general Baki Starjes, si dhe analiza me titull “Terrrizmi i rrezikshëm aq sa fashizmi” dhe shkrime e përshkrime nga veprimtaria e veteranëve të Luftës; Interesant është historia e Turhan Rusit- mik i tre kryeministrave shqiptarë, për të dalë te artistët, me Suleman Dibrën- si ikonë e teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Në këto radhë janë edhe Bujar Pata, si vlerë e vërtetë e qytetarisë, Osman Miha si arsimtarë e ikonë e arsimit në Bulqizë, për të ardhë tek Jonuz Muça, me të cilin edhe unë që po flas këtu, kam kujtimet e mia, pasi kam punuar disa vite si kolegë pune në Medresen e Tiranës. Jonuz Muça ishte një mësues korrekt, që të bëntë për vete. Në këtë vëllim Jonuzi jepet “si emër i spikatur në historinë e arsimit shqip”. Artistë të tjerë, të tillë si Lahim Kola, që nga fizarmoniçist amator shkëlqen në Estradën Profesioniste të Peshkopisë, që i shpëton diktaturës. Jepen edhe portrete biznesmenësh, siç është Edmond Isaku, duke kontribuar në kulturën bulqizake, me televizionin “TV-Bulqiza”.
Këta janë disa nga personazhet, nëse do i quajmë kështu, të librit “Në panteonin e Vlerave”, të autorit Halil Rama.
Pra, në libër ka shumë reçensa. Shkruan për vendlindjen e njerëzit e tij të Muhurrit, psh, Berishët si rast i veçantë në historinë e Skënderbeut; Shkruan për sagën e Jakovajve, për ish-presidentin Omer Nishani, për Toponiminë e Çidhnës, që është një studim Ime vlera të veçantë për historinë jo vetëm të Dibrës. Shkruan për antishqiptarizmin dhe aspiratat sllave ndaj trojeve shqiptare. Për figura të letërsisë nga Teodor Laço e deri tek ato të Dibrës e më tej, shkon në në kërkimet poetike Naim Plakut që janë më të bukura se rudinat e Korabit (siç thotë Namik Selmani). Na flet për Musa Riçkun, Ahmet Prençin, Naim Berishën, Sakip Camin, Nikollë Lokën, Shaqir Skarrën, Hysen Dervishin, Isuf Imerajn… Ose siç thotë Namik Selmani, “na sjell një shpirt të madh, gati parajsor të Demir Rusit me dy librat e tij, të cilët pata fatin që t’i shoh, t’i redaktoj dhe të jem pjesë e festës së përurimit të tyre bashkë me Halilin; Pra, na sjell jo gjithçka, por mjafçka.
Pjesa e portretizimit të një gazetari natyrisht është testi i saktë i profesionalizmit të tij. Këtë ai e jep në mjaft personazhe të spikatur, të njohur e të panjohur shumë për publikun e gjërë dibran e jodibran. Është gjë e bukur se përtej kronikës së disa jetëve, jep artistë të fjalës e diku edhe të tingujve të bukur. Duke lexuar librin “Në panteonin e vlerave” të autorit Halil Rama, optika e tyre përfshin personalitete të moshave e profesioneve të ndryashme, si: Sulejman Dibra, Bujar Pata, Edmond Isaku, Osman Miha, Jonuz Muça, Lahim Kola, që të mbeten në mendje me detajet që ai ka dhënë për jetën dhe veprën e tyre.
Pjesa më profesionale e kohës që jetojmë për një gazetar është ajo që ndodh edhe në historinë botërore. Bëhet fjalë për dossierët. Bie në sy një figure-legjendë, me të cilën mund të mburret sot çdo vend në Ballkan e në Evropë si gjeneral Rrahman Parllaku për të cilin, sjell pasionin për librin, si risi në jetën e tij. Aty thuhet: “Librat do të ktheheshin në të vetmin ngushëllim për të gjatë 16 viteve e 3 muajve burg. Gjeneral Rrahman Parllaku do të kalonte 11 muaj në hetuesi bashkë me të tjerë “puçistë të ushtrisë, si Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako. Më tej qelia. Pikërisht aty gjenerali do të mbahej në këmbë përmes leximeve. Gjatë viteve të dënimit, Parllaku ka mbajtur një fletore shënimesh për të 96 librat që ka lexuar në burg. Letërsi botërore dhe shqiptare, mbi të cilët mbante shënime të shkurtra”. Edhe pse sot vlerësimet e tij mund të duken pak skematike e të ndikuara edhe nga metoda e kritikës së kohës, ato janë një lëndë interesante për një studim mbi letërsinë e lexuar në burgjet e diktaturës. Përmes këtij DOSSIER-i Halil Rama sjell jo vetëm përmbajtjen e ditarit të librave të mbajtura në qeli, por edhe copëra kujtimesh nga ajo periudhë tmerri, cilët ishin hetuesit e oficerët, ata “të vijës së partisë” dhe ata ‘njerëzorët’, që thyenin rregullat, me një gjest sado të vogël humanizmi. Si iu vu leximit dhe ku i siguronte librat? Shtron pyetjen autori dhe jep detaje vështirësish e sakrificash.
Nën këtë optikë, janë pëfshirë në “Pantronin e vlerave” edhe bushtalinjtë e Shkodrës (Familja e Shefqet bej Bushatit që shkriu gjithë pasurinë për LANÇl), më tej dëshmori Ahmet Fetah Cami, e prapë më tej shtrirë në libër, familja e njohur pogradecare Guxholli; … Portrete të spikatur janë Adem Islam Hoxha i Çidhnës, hero i rezistencës ndaj monarkofashistëve grekë si dhe Sulë Lushaj, një emër i ri në Muzeun e ish të Përndjekurve Politikë, që janë portrete mjaft të spikatur të rezistencë. Për të dhënë sa më mirë këto, ai ka shfrytëzuar edhe intervistën me disa prej tyre. Bashkë me urimin për librin e radhës do të thonim se libri ka vlera të shumëfishta. Është vlera njohëse për këta njerëz ose figura të historisë, artit të Dibrës e më tej, që nuk i gjen në librat shkollorë. Është një libër që duhet të jetë në duart e lexuesve të gjitha moshave, sidomos të rinjve, për të parë një përvojë mjaft të vyer profesionale të këtij gazetari, tashmë profesionist. Është një vlerë për historinë e Dibrës e atë kombëtare në tërësi, që mund të ushqente mjaft muze të saj, atë të luftës, të arsimit, të teatrit, të ushtrisë, të shkencës etj. Është një model i bukur gjuhësor, para të cilit mësuesit e gjuhës të shihnin modelin e mirë të shkrimit të gjuhës amtare.
Dhe këto nuk janë pak, që edhe vetë libri, ashtu si personazhet e tij, të vihet në Panteonin e kulturës së shkruar shqiptare të viteve të fundit.

S'KA KOMENTE