“Dibra” e Moisi Murrës, një vepër akademike

107

Pak fjalë për librin “DIBRA nga Antikiteti në Monarki” të autorit dibran Moisi Murra

 

Prof. Bajram XHAFA*
Jam shumë i gëzuar që ju shoh kështu të mbledhur vëllazërisht këtu në sallën e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, që shpalljen e krijimit të Shoqatës “Gryka e Vogël” po e nisni me promovimin e një vepre për historinë e Dibrës dhe të bërë nga një autor dibran, dhe konkretisht nga Gryka e Vogël. Kjo është një shenjë e mirë dhe premtuese edhe për punën në të ardhmen dhe vizionin e Shoqatës.
Analiza e gjërë dhe e thellë akademike që iu bë nga prof. Adem Bunguri librit të Moisi Murrës për Historinë e Dibrës ma bën të vështirë ligjërimin tim në këtë tubim. Sidoqoftë, atë që kisha ndërmend të thosha, po e shpalosi, ashtu si të mundem. Gjithësesi, edhe fjala ime është për librin, për autorin dhe për Shoqatën, që edhe ajo po promovohet sot.
Pas hulumtimtimesh të shumta e kumtimesh në veprimtaritë shkencore e përkujtimore në shkallë rrethi, në Peshkopi, Dibër të Madhe dhe më tej, si dhe, pas botimit të një vargu jetëshkrimesh për figura dibranësh të shquar në Lëvizjen kombëtare dhe periudhën e Pavarësisë, për Mersim Demën (2003), Selim Rusin (2000), Elez Isufin (trajtesa e dokumente – në bashkautorësi, 1989), për Salë Markjen (2002), Bilal Çelën (2006) etj., sot studiuesi i nderuar dibran Moisi Murra na befason me një vepër voluminoze – “DIBRA nga Antikiteti në Monarki” (Botimet M&B, Tiranë, 2017). Në të vërtetë, kur kemi parasysh punën e pareshtur studimore të Moisit, fjala “befasi” nuk ka vend. Ashtu, fjalëpakë e këmbëngulës, i qetë e pamburrje, ai nuk e ndali asnjëherë punën studimore në lëmí të historisë. Edhe pse jo historian profesionist, shkollimi ushtarak duhet ta ketë nxitur dhe afruar me historinë, së cilës nuk iu nda gjithë jetën. Këtu në radhë të parë vijnë në konsideratë prirja dhe pasioni i tij për historinë.
Historishkrimi nuk është monopol ekskluziv i atyre që kanë një “diplomë” historie dhe e shpallin atë “domén” të tyre. Kontributet e tij në fushën e studimeve historike për Dibrën dhe dibranët përbëjnë një aktiv të madh pune të lavdërueshme. Aq më tepër kur kjo për të ka qenë një “punë shtesë”, mbi angazhimin zyrtar si oficer në ushtri dhe tërësisht mbi baza vullnetare, pa shpërblim, si një misionar i vërtetë, punë e kryer me një përkushtim e vetëmohim për komunitetin, për shoqërinë, për Dibrën. Për këtë nuk ka kërkuar asgjë veç një mirënjohje nga ana jonë të cilën ja kemi borxh.
Ndërmarrja për një vepër të tillë si kjo e sotmja kërkon përgjegjësi, angazhim dhe guxim intelektual. Kërkon angazhime institucionale që rezultati i punës t’i nënshtrohet edhe diskutimeve në sektor apo në “klube kulture”. Kjo mundësi autorit i kanë munguar. Oponenca e tij duhet të ketë shkuar deri në diskutimet shoqërore me z. Iliaz Kaca, një mik i tij dhe bashkidealist në kërkimet shkencore, a ndonjë tjetër, duke pirë atë kafen e kandshme të mëngjesit në bulevardin e bukur të Peshkopisë nën hijet e blirëve. Kjo duhet çmuar dhe duhet marrë parasysh. Ndaj e përgëzojmë dhe e përshëndesim mikun tonë për këtë vepër për Dibrën.
Veprimtaria e sotme zhvillohet në kuadrin e promovimit edhe të Shoqatës “Gryka e Vogël”, së cilës i urojmë punë të mbarë dhe suksese në misionin e saj për ruajtjen dhe promovimin e vlerave më të mira të traditës dibrane, respektivisht, të Grykës së Vogël.
Me dyndjen e popullsisë rurale drejt kryeqytetit apo qyteteve të tjera të mëdha, ngritja e shoqatave mbi baza krahinore e deri në bazë fshati, mori përpjesëtime të mëdha. Disa kanë nxjerrë edhe gazeta në të cilat, krahas vlerave për traditat e mira, shpesh i fryjnë vetëmburrjes krahinariste, duke falsifikuar historinë e deri duke shpikur edhe ngjarje të pa qena. Vetmburrjet krahinariste kanë qenë një sëmundje e hershme e shqiptarëve dhe janë provuar shumë të dëmshme, më parë dhe sidomos sot, kohë kur bëhen përpjekje për të sulmuar identitetin dhe kompaktësinë kombëtare shqiptare me teza të ndryshme përçarëse, partikulariste.
Përvoja historike ka treguar se Dibra dhe dibranët, përveçse trima në luftë dhe mjeshtra në punë, janë të pajisur me arsye të shëndoshë, vetpërmbajtjen dhe me ndjenjën e masës. Në këtë drejtim ata vlerësohen shembullorë. Pozicioni gjeostrategjik dhe kushtet natyrore të Dibrës, si dhe potenciali dhe dinamizmi demografik i popullsisë e kanë bërë atë të jetë pikë graviteti në shtetndërtimin dhe kombformimin shqiptar. Në substancë këtu fokusohet edhe mesazhi i librit që po promovohet.
“Dibra” e Moisi Murrës është me plot gojën një vepër akademike. Ajo është frut i punës 30 vjeçare, siç thotë vetë autori, por në fakt aty është shkrirë gjithë akumulimi i jetës së tij intelektuale. Ndonëse ka jetuar në një qytet “provincial”, skajor (fjalë që e them me shumë dhimbje sepse Dibra është zemra e Shqipërisë Etnike dhe urë lidhëse e faktor përbashkues midis Gegnisë dhe Toskërisë) autori e ka ndjek me vëmendje gjithë prodhimin historiografik. Duke qenë vendas, ai është njëkohësisht edhe njohës i mirë i terrenit, por edhe i mendësisë së mjedisit njerëzor ku zhvillohen ngjarjet historike. Kjo e ndihmon atë të përjetojë më mirë të shkuarën në të tashmen dhe, eventualisht ta transmetojë atë në këtë linjë konceptimi, siç ka qenë i lirë të zgjedhë edhe parimin tjetër, atë të projektimit të së sotmes në të shkuarën, linjë që e fut historiografinë në shtratin e prokurstit, linjë të cilën e ka ndjekur historiografia zyrtare shqiptare.
Ndonëse me një shikim të shpejtë, i detyruar nga koha e pamjaftueshme, krahasuar me “Historinë e Dibrës” të prof. Kristo Frashërit, mund të themi pa frikë se “Dibra” e Moisit tonë ka origjinalitet, megjithëse objekti është i njëjtë.
Nga pikëpamja e strukturës vepra tregon seriozitet shkencor. Aparati shkencor i plotë dhe korrekt, pajisur me referenca të shumta thuajse në çdo faqe.
Ajo është ndarë në katër kapituj dhe këta në nënkapituj. Ka një Parathënie të autorit, një fjalor të burimit oriental (arab, osman), shumë i nevojshëm. Pastaj vijnë burimet: arkivore, dokumente të botuara, literaturë historiografike, politike dhe letrare, revista, gazeta dhe tregimtarë gojorë. Ja rrit shumë seriozitetin veprës Treguesi i emrave dhe Treguesi i vendeve. Gati vepër luksi. Për ilustrim ka dhe mjaft fotografi me portrete të figurave të shquara dibrane, por edhe të figurave të shquara historike. Për të gjitha këto foli më hollësisht dhe me kompetencë parafolësi im, redaktori i veprës.
Edhe pse në vështrim të shpejtë, mjaft të arrira ishin sidomos temat e mëposhtëme: Lufta e Kaushit, Masakrat e ushtrisë austro-hungareze në Lurë, Kryengritja e 15 gushtit 1920 (f. 512).
Çmoj shumë dobinë e kreut IV “TE RENE NE LUFTERAT PER LIRI E PAVARESI, 1844- 1921”. Në këtë kapitull autori shënon listat emërore (emër mbiemër, vendlindja, vendi i rënies) të të gjithë atyre luftëtarëve që janë flijuar për atdheun për vitet 1844-1921 (f. 603-617). Populli duhet t’i dijë se kush janë të flijuarit për atdheun dhe jo të shkojnë gjakhumbur.
Po kështu edhe për “Luftëtarë dhe udhëheqës të kryengritjeve popullore dibrane” (f.618-650), ashtu siç ja ngre vlerën hartimi i një KALENDAR HISTORIK shek. V p.e.s. – qershor 2009. Me konceptim profesional dhe erudicion janë Shënimet me shpjegime në foodnota, të pasura me informacione diturore, të sakta dhe të nevojshme.
“Dibra” e Moisi Murrës na bjen plot purje të reja për historinë e saj dhe, po të llogarisim edhe mënyrën e shtjellimit dhe stilin e autorit, mund të themi se autori, siç mëton edhe vetë, ka vënë një gur të fortë në kalanë e Dibrës.
Pa cënuar aspak entuziazmin dhe atmosferën që krijoi dalja e një vepre të tillë për Dibrën, nuk do ta kalojmë pa në vërejtje të vogël si kjo: Në kreun III, çështja me titull “Lufta e Grykës së Vogël, 26 dhjetor 1912-13 janar 1913” mendoj se fjala “Lufta”, duhet zëvendësuar me “Qendresa” sepse është ballafaqimi i parë i Grykës së Vogël me ushtrinë serbe. Luftëtarët e Grykës së Vogël që ndesheshin me ushtrinë serbe nuk mund të quhen “kryengritës”, siç cilësohen në libër, por “luftëtarë të qëndresës”.
Në bisedat e shumta që kam shkëmbyer për tema të ndryshme, ngjarje e figura historike, Moisi më ka shpalosur konsiderata për tabllora ngjarjesh vizionesh politike të personaliteteve historike me dije të thella dhe me një sens më realist nga ato që kam lexuar në këtë punim. Këta dhe ndonjë tjetër e ngjashme, nuk e ulin vlerën e veprës. Për dibranët “Dibra” e Moisi Murrës bëhet një libër tavoline.
*Kumtim i mbajtur në sallën e Muzeut Kombëtar Historik në Tiranë më 02. 12. 2017 me rastin e promovimit të Shoqatës “Gryka e Vogël” dhe të librit “DIBRA nga Antikiteti në Monarki” të autorit dibran Moisi Murra.

S'KA KOMENTE