Një vështrim mbi historikun e arsimit në Okshtun të Dibrës

135

Prof. As. Nazmi Koçi

(vijon nga nr. i kaluar)

Në vitin 1904 u hap në Okshtun shkolla te Ara e Martinit. Hoxhë Muglica solli nga Stambolli 5000 abetare të gjuhës shqipe, jo në trasta , por me karvanë kuajsh në thasët e sheqerit, dhe i strehoi ato te Shkëmbi i Patës e i shpërndau në Gollobordë, Çermenikë e gjithë Dibrën (9). “Patat dhe zoti i ruajnë abetaret e mia”, u kishte deklaruar Hoxha bashkëfshatarëve (13). Shtëpinë shkollë e bibliotekë me libra shqip të Hoxhë Muglicës e dogjën forcat ushtarake turke të Durgut Pashës në vitin 1908 së bashku me 15 shtëpi të tjera të Okshtunit. Patrioti Hoxhë Muglica mësohet se nuk u shqetësua fare për pronën dhe shtëpinë që humbi, por i erdhi shumë keq për bibliotekën dhe librat shqip që ju dogjën. Kjo mësohet nga një letër që ai i ka shkruar të birit, normalistit Osman Muglica, ku i shprehet: “… Ah medet se hasmi i kombit na e dogji bibliotekën shqipe tek shpia.Ah, ma mirë të më kishin djegun mue se sa librat shqyp. …Na shujtën konakun, por jo bajrakun…”(5). Kjo letër ndodhet e plotë e botuar në librin e Elliott Hasan Muglicës, i cili ruan dhe origjinalin dhe i përket qershorit të vitit 1915.
Patrioti i madh Hasan Muglica luftoi gjithë jetën për mbrojtjen e territoreve shqiptare dhe zhvillimin e arsimit kombëtar shqiptar, luftoi dhe dha jetën për këto aspirata të larta. Ai përqafoi idenë e profetit: “Pa atdhe nuk ka fe” dhe punoi me moton “Një atdhe, një komb” dhe “Shqipëri e lirë”. Mori pjesë në të gjithë evenimentet e rëndësishme historike të kohës, ku vendoseshin fatet e kombit, të territoreve dhe të gjuhës shqipe. Pasi e kishte mirëpritur dy ditë në Muglicë në qershor të vitit 1878, ishte së bashku me Abdyl Frashërin në Lidhjen e Prizrenit, më pas e përcolli atë përsëri nga Muglica në Martanesh dhe e shoqëroi me njerëzit e tij deri në Tiranë. Është për t’u theksuar se në të gjitha kuvendet e kohës Hoxhë Muglica mori pjesë përkrah Abdyl Frashërit dhe Iljaz Pashë Dibrës, Vebi Dibrës etj. Kjo falë arsimimit të tij dhe vetive burrërore si besa, bujaria, trimëria etj. (5,9). Mori pjesë në Kuvendin e posaçëm të Lidhjes Shqiptare në Dibër me 1 nëntor të vitit 1878, dhe Kuvendin e Dibrës të tetorit 1880. Që pjesëmarrës në Kongresin II të Manastirit në nëntor 1908, shkruante Haki Stërmilli (1). Ishte delegat në Kongresin e Dibrës në korrik të vitit 1909, ku u vendos hapja e shkollave shqipe dhe ndarja e shkollës nga kisha e xhamia. Mori pjesë më 1909 si delegat në Kongresin e Elbasanit, që u emërtua “Kongresi i shkollave shqipe”, i cili hodhi themelet e arsimit kombëtar shqiptar, sanksionoi arsimin laik, bëri bashkimin e dialekteve e zgjodhi elbasanishten për gjuhën e shkruar shqipe dhe vendosi hapjen e shkollës normale të Elbasanit. Hoxha ju përkushtua energjikisht dërgimit të nxënësve në këtë shkollë dhe përgatitjes së mësuesve të gjuhës shqipe. Hoxhë Muglica, muderiz i Gollobordës, organizoi një takim të zgjeruar në fushën e Klenjës, i cili u quajt Kuvendi i Klenjës. Aty pati pjesëmarrje shumë të gjerë dhe ai u foli të pranishmëve për rëndësinë e shkollës e të gjuhës shqipe dhe mbrojtjes territoriale të vendit. Me entuziazëm të madh u vendos që të gjitha shtëpitë e mëdha të dërgonin djemtë e tyre në shkollën normale të Elbasanit dhe takimi u shpërnda nën bataret e armëve nga gëzimi që u krijua. Por siç vëren një nga biografët e Hoxhë Muglicës, nga presioni i ushtruar paria u tërhoq. (5,6,9). I paepur Hoxhë Muglica nuk u tërhoq, organizoi fshatin e tij. Ai dërgoi në atë shkollë 7 nxënës nga Okshtuni, tre nga shtëpia e tij (Hazizin, Qazimin dhe djalin e tij të vetëm, Osmanin), si dhe dy djemtë e Kurt Ballës nga Okshtuni i madh. Hoxha Muglica dërgoi në shkollë me shpenzimet e veta edhe djalin e Nun Bedinit e të Abdulla Likës (5) dhe djalin e një miku të tij nga Sebishti (9). Vetëm momenti që nga Okshtuni u siguruan 7 kandidatë për t’u dërguar në Shkollën Normale të Elbasanit (1909), e ben te padiskutueshem faktin se në Okshtun shkolla shqipe kishte kohë që ishte hapur dhe po jepte frutet e veta. I bën nder Okshtunit dhe gjithë Dibrës fakti i dokumentuar në botimet e kohës se midis 29 nxënësve që u regjistruan për herë të parë në Shkollën Normale të Elbasanit (1909), 7 prej tyre ishin nga zona e Okshtunit. Asnjë rreth tjetër veç Dibrës nuk e kishte arritur një kuotë të tillë. Kontributi i Okshtunit dhe i Hoxhë Muglicës ishte i pa diskutueshëm (1,4,5,9, 11, 12). Me 28 nëntor të vitit 1912, Hoxhë Muglica ngriti flamurin kuq e e zi në ballkonin e kullës së tij në Muglicë të Dibrës.
Kontributin e tij të madh për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, Hoxhë Muglica do të paguante me jetën e tij. Ai u ekzekutua barbarisht nga shovinistë serbë të Ara e Shermetit me 15 qershor të vitit 1915 së bashku me bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Avdi Sallaku, dhe u groposën ende të gjallë në varrin që i kishin detyruar të hapnin vetë. Hoxhë Muglica jetoi dhe vdiq me dinjitet. Ai nuk pranoi të nënshkruante një dokument që ju kërkua, sipas të cilit rajoni nga Fusha e Kolgrekut e në perëndim në Kaptinë, në Vorvjak, Qafë Buall, Qafë Murrë e deri në Lurë të quheshin toka serbe.(6,9). “Nëse do të firmosej deklarata nga Hoxhë Muglica, serbët jo vetëm do ta lironin, por ai do të përfitonte shpërblime dhe ofiqe të majme”, shkruante gazeta “Zani i naltë” në nr.11 të viti 1937 (11). Ai shkoi krejt i bindun drejt vdekjes, duke deklaruar: “Mos m’i lidhni sytë, dua të shoh tokat shqiptare nga Çermenika e deri në Korab” dhe “në ktë vend ku unë po bi, ka qenë asht e do të jetë Shqipni”. Hoxhë Muglica nuk vdiq i ulur ne mutaf duke numruar tespiet, por vdiq në këmbë dhe u varros për së gjalli nga dora e hasmit, prandaj nuk mund te harrohet e as te anashkalohet.
Pishtari i dijes e arsimit që ndezi Hoxhë Muglica rreth 140 vjet më parë është i ndezur edhe sot. Nga familja Muglica kanë dalë mbi 15 arsimtarë në 5 breza të kësaj familje atdhetare e arsimdashëse. Por kësaj çështjeje mund t’i kthehem ndonjëherë tjetër.
Përpjekjet për konsolidimin e shkollës shqipe në Okshtun nuk reshtën kurrë edhe pas Luftës së Parë Botërore. Ka pasur një rregullshmëri të admirueshme në funksionimin e shkollës në Okshtun pas Shpalljes së Pavarësisë, sidomos pas Kongresit të Lushnjes. Ishte koha kur për arsye të frekuentimit shkollat herë hapeshin e herë mbylleshin, sidomos ata që kishin më pak se 30 nxënës. Nga viti 1924 dhe deri në vitin 1934 mësues në Okshtun ishte i biri i Hasanit, normalisti Osman Muglica, i cili vdiq papritur me 5 qershor 1934. Më parë ai kishte shërbyer në Çermenikë, kryesisht në Zdrajsh, ku i ati dhe familja e tij ishin strehuar kur përndiqeshin nga serbët. Parimor siç ishte Hoxhë Muglica u pat dërguar djalin e tij atje si mësues në shenjë mirënjohjeje për shërbimet e tyre. Në vitin 1926 shkolla e Okshtunit kishte 4 klasë, ku mësonin 41 nxënës (4). Nga viti 1934 deri në vitin 1938 në Okshtun ka shërbyer si mësues Shaban Ostreni. Në të gjitha statistikat e kohës rezulton se numri i nxënësve është ruajtur konstant dhe ka pasur frekuentim normal. Në vitin shkollor 1937-1938 në shkollën e Okshtunit ishin të regjistruar 34 nxënës, midis të cilëve 5 femra, të cilat kaluan të gjitha pa mbetje. Në vitin shkollor 1939-1940 në Dibër funksionuan 40 shkolla, midis tyre dhe shkolla e Okshtunit me mësues Gafurr Rada. Mësuesi Okshtunas Tufik Balla, që kishte mbaruar Normalen e Elbasanit, filloi punë në vitin shkollor 1938-1939 në Muhurr. Emri i tij figuron edhe në listën prej 37 mësuesish që u dërguan në Dibër, në “zonat e lirueme” në vitin 1940. Më vonë ai u dërgua dhe në Dibër të Madhe e në nënprefekturën e Strugës, që do të hapnin kurse për mësimin e gjuhës shqipe për të gjitha moshat gjatë periudhës së verës.
Pas çlirimit të vendit në nëntor të vitit 1944, këshillat popullore që u krijuan, mbështetur nga etja e pashuar e banorëve për shkrim e këndim dhe për dituri, hapën kurse kundër analfabetizmit e shkolla në të gjitha fshatrat e Okshtunit dhe u përgatitën edhe mjaft mësues vendas, të aftë e kompetentë. Në vitin 1946 në fshatin Prodan populli ndërtoi me kontribut vullnetar shkollën e fshatit dhe vendosi aty mësuesin vendas Rexhep Tahir Koçi. Në vitin 1985 në Okshtun kishte 6 shkolla fillore, dy shkolla 8 vjeçare, një në Okshtun të madh dhe një në lagjet e sipërme me qendër në Shulla. Kishte dhe një shkollë të mesme me drejtor mësuesin e mirënjohur të matematikës, Mentor Muglicën, që ishte stërnipi i patriotit të madh Hasan Muglica, aty te Ara e Martinit ku e pat hapur me 1904 vetë ai, mësuesi i madh.
Okshtuni ishte çerdhe mësuesish. Kur unë bëja klasën e pestë në vitin 1957 në Ostren, pata fatin të kem mësues Idriz Bibën, Selami Muglicën ( nipi i Hasan Muglicës), Muhamet Sulën, Arif Briçin nga Okshtuni dhe Jonuz Muçën nga Sebishti. Drejtori i shkollës ishte Idriz Biba, ndërsa mësuesi kujdestar ishte i mirënjohuri Halim Shehu, që kishte ardhur nga Sllova.

S'KA KOMENTE