Transparencë dhe kontroll mbi prokurimet publike

260

Edmond Isaku

Prokurimet publike janë pika nevralgjike e korrupsionit me fondet publike, ndaj dhe transparenca dhe kontrolli mbi to do të ishte shumë i rëndësishëm në luftën ndaj korrupsionit. Fusha e prokurimeve publike mbetet një nga shqetësimet mbarëshoqërore dhe shtetërore pasi ndërthuren interest në atë mënyrë që pasuron një grup të vogël personash në dëm të cilësisë dhe sasisë së punimeve publike dhe të eficencës ekonomike në shkallë vendi. Transparenca e procedurave dhe taksimet mbi to lënë për të dëshiruar.
Ka ardhur koha të rishikohen të gjitha procedurat ligjore, në detaje, mbi prokurimin publik. Kjo do të eleminonte mundësitë e shpërdorimit të buxhetit dhe rritjen e efektivitetit të punimeve. Në 1 miliard euro investime parashikohen të mbyllen 10 rrugë dhe këto si rikonstruksione apo si riveshje punimesh. Konçensionet zënë 9.4 miliard lekë, por a do të kemi transparencë në procedura konçensionare, a do kemi garancitë e nevojshme, efektivitetin apo vetëm t’i nisim dhe të marrim “racionin” dhe pastaj pas nesh “ u bëftë qameti”. Shohim që shpallen fitues të njejtat kompani. Kuptohet përse ndodh. Po kush e parandalon fenomenin. A nuk lë të kuptosh se tenderat fitohen me “porosi”. Duhet menduar për mekanizma ligjorë që e eleminojnë këtë fenomen që ka në bazë korrupsionin. Kjo ndodh për arësye se fondet janë publike, ndryshe a mund t’ia bësh këto manovrime privatit ku tregun e rregullon kërkesë- oferta.
Mendoj që në këtë vështrim duhet reformuar sistemi. Kemi kompani të mëdha që i kanë lënë punët përgjysëm dhe nuk i kanë mbyllur në vite, dhe në këtë rast humbja është në anën e publikut dhe të taksave të tij. Kështu ka ndodhur me koncensionin e rrugëve si projekte të mëdha. Por edhe koncensioni për shërbimin e ambienteve laboratorike për analizat u parashikua në buxhetin e vitit 2017 rreth 13 milion dollarë, më tej gjatë rrugës u dyfishua me 27 milion dollarë, ku shërbimi kryhet në ambientet spitalore të shtetit. Si është kontrolluar nga shteti konkurenca e ndershme e operatorëve ekonomikë?. Mendoj që shteti duhet të jetë garantuesi i konkurencës së lirë në konkurime publike. Ose po e ilustroj mendimin e përgjegjësisë institucionale para ligjit. Ja sa qesharake është një shërbim. Lindja e një fëmije në bazë të ligjit paguhet me 5 mijë lekë. Tani flitet që qeveria të paguaj nga viti 2008 ata lindje që nuk janë paguar. Më mirë vonë se kurrë i thonë fjalës por duhet të bëhet fëmija 9 vjeç për të marrë 5 mijë lekëshin e shpërblimit të lindjes. Papërgjegjshmëria e pushtetarëve të babëzitur besoj që nuk do më shumë koment. Kështu trajtohet ardhja e njeriut në jetë në republikën tonë të hashashit. Lufta ndaj krimit dhe korrupsioni ka filluar dhe shpresojmë që kemi progres me ndihmën e ndërkombëtarëve.

S'KA KOMENTE