“Le Lene” në Bulqizë: Si po shuhet e ardhmja e fëmijëve, braktisin shkollën për të mbledhur krom

1340

Emisioni investigativ “Le Iene” ka mbërritur në Bulqizë, aty ku shumica e fëmijëve nuk kanë fëmijëri. Çdo ditë ata i gjen në minierën e kromit në mënyrë që në fund të ditës të arrijnë të fitojnë pak lekë për të siguruar ushqimin.
“Fëmijët që shihni nuk po luajnë! Për të kontribuar në ekonominë e familjeve të tyre, ata punojnë në minierë, ku kërkojnë krom”, kështu nis emisioni i medies italiane kushtuar fëmijëve shqiptarë.
“E dallon nga xixat”, dëgjohet të thotë një fëmijë, i cili po mbledh krom dhe po u shpjegon gazetarëve italianë se si arrin ai të njohë materialin e vyer, të cilin e shet më pas me vetëm 13 lekë kilogramin.
“Janë fëmijë të moshës 11, 12 apo maksimumi 13 vjeç, që në vend që të studiojnë, apo të luajnë si të gjithë fëmijët e tjerë, e kalojnë kohën e tyre kështu”, thuhet më tej në emision.
Bulqiza shpërndan 120.000 tonelata krom, të cilat përkthehen në 42 milion dollarë.
Në Bulqizë, të gjithë merren me krom, në këtë vend nuk shitet asgjë.
Një banore e Bulqizës, nënë e dy fëmijëve rrëfen për “Le Iene” se një punëtor në galeri merr 2.000 lekë të reja në ditë.
Më tej, emisioni italian fokusohet në varfërinë ekstreme që has sot një familje shqiptare, teksa sjell pamjet e mjerueshme se si jeton kjo grua shqiptare, fëmijët e së cilës mbledhin krom në galeri.

Është i dhimbshëm rrëfimi i vogëlushit, i cili në vend që të shkojë në shkollë, tregon se gjatë gjithë ditës ka mbledhur krom dhe se ka arritur të fitojë vetëm 100 lekë të reja.
Më tej gazetarja italiane zhvendoset në një tjetër familje, e cila po ashtu jeton duke mbledhur krom, ndërsa bie në sy mikpritja e tyre.
“Do na nderoni në qoftë se rrini sonte për darkë”, thotë vajza e familjes. Gazetarja pranon, por me kushtin që të gatuajë një picë.
Pamje këto mjaft të dhimbshme, që tregojnë realitetin shqiptar në Bulqizë, i cili mbetet një plagë e rëndë e shoqërisë sonë.

Fëmijë pa fëmijëri!!!!

Fëmijët që po shikoni nuk janë duke luajtur, ata punojnë që të ndihmojnë familjet e tyre. Ata kërkojnë krom, Janë fëmijë të moshës 10 deri në 13 vjeç dhe në vend që të jenë duke studiuar si të gjithë moshatarët e tyre e kalojnë kohën në këtë mënyrë.”
Kështu nis reportazhi i emisionit “Le Iene” të Italia Uno, realizuar në qytetin e Bulqizës.
Gazetarja italiane që vizitoi Bulqizën vijon:

“Të gjithë banorët e Bulqizës punojnë me kromin. Kjo grua është nënë e dy fëmijëve që punojnë në mbledhjen e kromit.
Ajo na tregon kushtet në të cilat jeton. Shtëpia është gati duke rënë dhe ajo mezi ia del të ketë me çfarë të ushqejë fëmijët. E vetmja gjë që ka në frigorifer janë disa bidona ujë, pasi uji vjen vetëm 2 orë në ditë dhe disa perime të konservuara. Gesti në vend që të shkojë në shkollë, mbledh krom.
Por ai nuk është vetëm në punën që bën. Ai na shoqëron të takojmë shokët që mbledhin krom me të. Aty është edhe Timi. Edhe prindërit i tij punojnë në minierë. Në pamje të parë familja e tij duket sikur jeton pak më mirë se ajo e mëparshmja, por edhe frigoriferi i tyre është thuajse bosh.
Por edhe pse janë në atë gjendje na ftojnë të rrimë për darkë me ta. Pranojmë ftesën me kushtin që të gatujmë ne. Përbërësit bazikë janë. Pasi lajmë duart me një bidon ujë nga frigoriferi, gatuajmë një picë italiane. Kur nxjerrim picën nga furra Timi është shumë i entuziasmuar. Fëmijët na tregojnë se nuk e kanë parë kurrë Italinë dhe që është ëndrra e tyre ta vizitojnë një ditë.

Timi tregon: “Unë kur të rritem dua të bëhem si babi. Ai i bën të gjitha, murator, elektriçist. Ai do lumturohet shumë nëse bëhem si ai, e kam ëndërr. Në këtë qytet nuk ka shumë gjëra për të bërë, por ka edhe fëmijë që nuk shkojnë për krom. Atyre nuk u tregoj se shkoj për krom, por për të kaluar kohën. Po ta dinin do më thonin “i ky s’ka bukë për të ngrënë”.
Timi është i lodhur ndaj e lemë të shkojë për të fjetur sepse nesër e pret ditë e rëndë. Është ora 7 e gjysmë dhe Timi duhet të zgjohet, prindërit kanë shkuar në punë dhe për mëngjesin e saj mendon e motra, Mia. Vjen Blero dhe së bashku vendosin në cilin mal të shkojnë për të mbledhur krom.
Ende pa mbaruar së ngrëni,veshin këpucët, marrin kovat dhe shkojnë të thërrasin mikun e tyre Gestin. Ai vonon pak, por në fund vjen dhe djemtë nisen drejt malit. Janë fëmijë dhe e kalojnë ditën në kërkim të gurëve që shkëlqejnë më shumë, në kërkim të kromit. Duart e këtyure fëmijëve tregojnë punën që bëjnë këtu çdo ditë. Kur kovat nuk kanë më vend, ata e marrin kronin në bluza”.
Ndërsa pasi djemtë janë lodhur nga puna dhe duhet të pushojnë pak, gazetarja i pyet për sportin.
“Gazetarja: Ju pëlqen futbolli?
Fëmijët: Po.
Gazetarja: Për kë bëni tifo?
Fëmijët: Lio Messi, Barcelona.
Gazetarja: Shqipëri-Itali fituam ne.
Fëmijët: Po fituat, po mbrojtësi jonë Basha e kishte fajin, por ne prapë do luajmë me ju dhe do u mundim.
Më pas nisemi për në shtëpi. Ne me kamera të fshehur shoqërojmë fëmijët kur shesin kromin. Ata paguhem me një çmim shumë qesharak. Nga dora e fëmijëve kromi kalon tek sipërmarrës më të mëdhenj dhe më pas shpërndahet nëpër botë. Fëmijët tanë nga e gjithë kjo kanë fituar disa qindarka.
Ata me një ditë kaq të lodhshme pune mundën të çojnë në shtëpi një pako makarona dhe një kile miell…”
Ja linku i reportazhit të realizuar nga Le Iene: https://www.iene.mediaset.it/video/bambini-lavoratori-che-aiutano-la-famiglia_12669.shtml

Vogëlush…

Esse nga Agim Cani

Unë që të shkruaj jam lindur e jam rritur në Bulqizë.
E shikoj që një dorë e ke në kovën e kromit dhe tjetrën, që të mos bijen brekët e të dalë byca e vogël përjashta.
Sa dinjitet në këtë xhest kur kujtoj qeveritarë , deputetë , prokurorë e gjyqtarë, policë e nëpunës , mjekë e profesorë të shkollave të larta që kanë 27 vite me sumë zbuluar , me të dy duart zhytur në korrupsion e prostitucion, drogë e afera. Lakuriq, por që të duken të veshur kanë shpikur kostume, media e portale që interpretojnë gjithçka, por jo lakuriqësinë e tyre.

….Vogëlush me dinjitet…
Edhe unë kam patur fëmijërinë time në Bulqizë . Fëmijeri normale.Të thjeshtë.
Ndoshta nuk haja çdo ditë mish, por çdo ditë shkoja në shkollë. Nuk kishim celular por me dy shkrepse dhe një fije peri bënim dy telefona. Kishim një kinema, ku në netët e ftohta të dimrit sillte seicili një dru dhe fuqia e madhe na ngrohte të gjithë.
Aty për herë të parë, kam marrë inat grekët që na futën Kalin e Trojës në filmin “ Troja”. Vogëlush, në Himarë nuk është vetëm një kalë Troje, por një kavaleri e tërë, prej 27 vitesh. Ty nuk të besohet, por në Bulqizë bënim festival pionerësh, vetëm me forcat krijuese të Bulqizës, muzikantë e poetë. Mund të shkruaj shumë sot, por dhimbja kur shoh foton tënde nuk mële. Dinjiteti yt më ngrin. Më duhet jo një gur kromi, por Mali i Allamanit për t’u rënë në kokë këtyre banditëve që vodhën e turpëruan një Shqipëri të tërë. Më shumë se gropat e thella të shfrytëzimit të kromit, janë gropat e korrupsionit, varfërisë, analfabetizmit, që krijuan ata që kanë vjedhur deri tani 10 miliard $ në Bulqizën time.
Ç’më ka mbetur në mendje nga kjo foto?
Dinjiteti yt që bycën tënde të njomë të mos e shohë kush.
Mbijetesa jote dhe madhështia e varfërisë që nuk shtrin dorën tjetër për të lypur, por punon për bukën e gojës.
Respekt dhe dashuri për Ty vogëlush.
Nga bulqizaku i përjetshëm …

S'KA KOMENTE