AQIF ADEMI PROMOVON LIBRIN “PËR DIBRËN E MADHE”

82

Më 28 tetor 2017, në sallën e Muzut Historik Kombëtar në Tiranë, u promovua libri i skenaristit, regjizorit dhe shkrimtarit dibran, Aqif Ademi “PËR DIBRËN E MADHE” (Kujtime , Mall , Shpresë…). Personalitete të shumta të botës akademike, kulturore e letraro-artistike vlerësuan këtë libër të shkruar thjeshtë e me seriozitet, me pasion, pa ndërlikime të tepruara ku pasqyrohet selektivisht origjina e Skënderbeut, dibranët në shekuj, luftërat, jeta në vite e dibranëve në Amerikë e portrete dibranësh të suksesshëm kudo ku janë.
Prof.Dr. Sociolog Zydih Dervishi, ndër të tjera shprehet se “Ky libër gdhend me fakte e detaje të zgjedhura portretet e dibranëve në vite kudo ku ata jetojnë e punojnë. Që të kuptosh mesazhet ademiane nuk mjafon nje lexim i rastit, por lipset një shqyrtim i thelluar përqasës, krahasues e reflektiv. Ajo që është unike në veprën e tij ndoshta duhet kërkuar me guximin e tij intelektual për të shqiptuar të vërtetat, të cilat ende janë tabu për ne, shqipëtarët. Autori, në qendër të këtij libri na paraqet jetën e dibranëve gjatë epokave historike në kërkim të rrënjëve dhe indetitetit të tyre natyral, sfidat në përballje epokale me pushtues të ndryshëm që nga perandoritë romake, turke deri tek hordhitë sllavo-greko-ortodokse, që kanë tentuar të kthejnë shqiptarinë në tokë të zezë”. Për këtë nr. të gazetës “Bulqiza”, nga ky libër po botojmë dy portrete: “XHELADIN ISAKU NJË JETË NË ARSIM” dhe “Edmond Isaku, dibran i suksesshëm”.

XHELADIN ISAKU NJË JETË NË ARSIM

Xheladin Isaku lindi, u rrit dhe kontribuoj në arsim në fshatrat e Maqellarës deri sa doli në pension në shkollën e Dovalanit. Xheladin Isaku si ish mësues i përket asaj plejade arsimtarësh që sakrifikuan dhe shkolluan dhjetëra breza që sot punojnë dhe jetojnë në të gjitha krahinat shqiptare. Fshati Grezhdan ku lindi mësues Xheladini shquhet për gjeografi të pasur. Nga ky fshat kanë dalë shumë kuadro, si mësues, agronomë, ushtarakë, inxhinierë që shërbejnë në gjithë skajet e Atdheut. Për ish mësuesin Xheladin Isakun, që unë e kam njohur personalisht, mund të shkruhet shumë, pasi ka jo vetëm hapësirë me përmasa të mëdha veprimi, pasi puna e tij ka qenë kaq e rëndësishme, saqë sot do të kërkonte trajtim të veçantë, nga të gjithë sektorët shoqëror. Ish mësues Xheladini, mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Shkollën e mesme e mbaroi në Peshkopi, Pedagogjiken. Ka qënë gjeneratë me ish ministren e arsimit Tefta Camin, Xhelil Gjonin, Shefki Bajraktarin, etj. Ai ishte mësues që i dha shpirtin arsimit, vuante bashkë me fëmijët për t’i bërë qytetarë të aftë dhe për ta bërë shoqërinë të zhvilluar. Sistemi që iku dhe ky që është, akoma mësuesit nuk po i japin vlerën që i takon. Se një komb për të pasur një zhvillim teknologjik të lartë duhet t’i japësh mësuesit rrogën e ministrit, imunitetin e diplomatit, dhe autoritetin e Perandorit. Pra politika nganjëherë dhe vetëdija qytetare nuk arrijnë të vlerësojnë rolin e madh të mësuesit në ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të ndershme e të zhvilluar. Mësuesi ka në dorë të gjithë përgjegjësinë e formimit intelektual shkencor e qytetar të shoqërisë njerëzore. Ish mësuesi Xheladin Isaku ishte i vlerësuar dhe ishte person me autoritet në shoqëri, ku do ku punoi që në fillimet e para në Mirditë deri në fshatrat e Maqellarës, deri sa e mbylli misionin e tij mësimdhënës në Dovalan.
Në fshatin Grezhdan ka lindur dhe punuar në arsim dhe mësues Neki Osmani, ish koleg i Xheladin Isakut. Mësues Nekiu na dha këtë opinion. Të flasësh për Xheladin Isakun duhet të matesh mirë. Ai ishte mësues me aftësi shumëdimensionale në arsim, sidomos dhe në kulturën historike të zonës, ishte njohës i mirë i historisë së Dibrës. Ishte fjalëpak dhe punëshumë. Gjatë gjithë kohës e pikëlloi vdekja e të vëllait. Isaku që vdiq para kohe, kur ishte me studime në Tiranë. Unë mbaj mend edhe babain e tij Sefën, burrë i urtë, punëtor i ndershëm, deri sa vdiq mbajti gjallë zakonet dhe traditat dibrane. Xheladini, -thekson mësues Nekiu, -ishte misionar i kulturës dhe diturisë. Nga dora e tij dolën shumë breza, që shërbejnë në të gjithë anët e atdheut. Misionin e mësuesit e përfundoi me sukses dhe fisnikëri. Xheladin Isaku ishte një dijedashës i nderuar dhe për të cilin ja vlen të ndalesh dhe mund të thuhen fjalë vlerësimi në një kohë e hapësirë të caktuar, thekson Dr. Zaim Korsi, bashkëfshatari i tij me banim në Tiranë, ndërtues po dhe në kontekstin e sotëm kur na duhet të vlerësojmë pishtarët e fjalës. Gjatë kohës kur ishte në pension ai qëndronte tek lokali rrëzë murit të Kalasë së Grezhdanit. Herë herë meditonte, dukej sikur po i kalonte në retrospektivë të gjitha kujtimet e viteve, ku po xhiroja dokumentarin Maqellara, “Histori dhe shpresë”, më tha këtë fjalë. Ti je djali i Ismet Ademit nga Allajbegija?
-Po,- ju përgjigja unë. Të falenderoj për këtë nisëm. Bëni sa më shumë për Dibrën. Ai me një vëmëndje dhe seriozitet më tha: Historia e Shqipërisë fle në Dibër. Këtu ku banojmë ne është tokë arbërore, e kanë fillesën arbërorët. U larguam nga ai takim me imazhin e një mësuesi erudit e të dhimbshëm për vëndin e vet. Për Xheladin Isakun shumë janë shprehur dhe sjellin kujtime, ai ishte një ndër më të aktivizuarit në fushën e arsimit, ai punoi me përkushtim gjithnjë në kushte objektive të caktuara thekson ish nxënësi i tij Kujtim Osmani. Një opinion për ish mësues Xheladin Isakun vjen edhe nga arkeologu Adem Bunguri, që e ka njohur personalisht dhe ka shërbyer dhe si konsulent kur Ademi merrej me zbulimet arkeologjike në Kalanë e Grezhdanit. Ai u shpreh: Xheladin Isaku dëshirën e tij të zjarrtë për të zgjedhur si profesion të përjetshëm punën e mësuesit e ka thelluar sentenca e bukur filozofike me vlera universale. Xheladini shpeshherë më thoshte “Dija ndriçon mëndjen, ndërsa mëndja ndriçon botën” Ustai i parë që i përçon brezat është mësuesi. Ai e meritonte këtë emër të madh, jo se ishte përkushtimi për të ngulitur thellë në mëndjen e nxënësve dije të qëndrueshme. Vetëm kështu mësuesit e apasionuar kanë mundur të gdhëndin në kujtesën e nxënësve dhe prindërve këtë emër sa të bukur aq dhe të vështirë. Mbaroi bisedën arkeologu Adem Bunguri në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë. Figurën e mësuesit Xheladin Isakut e lartësonin shumë cilësi, por ato që shfaqeshin të dukshme ishte sinqeriteti, bujaria, mikpritja dhe dashuria që ushqen për të gjithë njerëzit. Ishte iniciator i takimeve dhe bisedave të ngrohta me shumë miq e shokë. Kur qëndronte tek lokali tek kalaja, ishin të shumtë njerëzit që e përshëndetnin dhe e ftonin për kafe. Nuk lejonte askënd të paguante tavolinën. Xheladin Isaku ngelet në historinë e arsimit në Dibër një misionar i pashuar. Ai dhe sot ngelet në mendjet dhe zemrat e familjes së tij, të ish nxënësve të tij, të bashkëfshatarëve të tij. Imazhi i tij është i pazëvëndësueshëm në brezat që janë dhe ato që do të vijnë. Vlerat dhe dinjitetin e tij po e mbajnë të freskët fëmijët e tij.
Edmond Isaku, dibran i suksesshëm

Edmond Isaku, dibran i suksesshëm, vjen edhe si një personalitet i spikatur në këtë fillim shekulli të ri për shqipëtarët, si dhe me emër në sistemin që jetojmë. Mondi mësimet e para i mbaroi në vendlindje. Rrjedha e jetës e mori dhe u instalua në qytetin e Bulqizës, gjithmonë fjalë pak e punë shumë. Është nga të parët qytetarë largpamës. Fillimisht ngriti televizionin privat TV “Bulqiza”, që për kohën ishte guxim i madh. Ja doli mbanë duke e mbrojtur në vështirësi, por nuk u përul. Me evolulimin e kohës istaloj kabllin ajror për qytetin dhe fshatrat për rreth. Është dhe kryetar i shoqatës së kabllorëve me qëndër në Tiranë. Mondi duke qënë largpamës futi dhe medjan e shkruar.
Nxorri gazetën “Bulqiza” me gazetarë dhe bashkëpunëtorë. Në këtë gazetë pasqyrohet realiteti historik, kulturor, ekonomik i banorëve të Bulqizës e më gjërë. Edmond Isaku që në shikim të parë krijon impaktin e një njeriu babaxhan, dhe serioz. Këmbëngulës e finalizues. Si biznes tjetër ka dhe tregun e Kromit ku ai po e menaxhon me të gjitha rregullat e kohës që i kërkon ky biznes. Si rezultat i këtij biznesi, kohët e fundit promovoi ambjentet e një hoteli në Bulqizë. Hotel bashkëkohor dhe me standarte europiane. Në bizneset e tij ka punësuar shumë persona, që shprehin mirënjohje ndaj tij. Mondi ka natyrë humanitare.
Ndihmon dhe financon projekte artistike, për zhvillimin e artit dhe kulturës në Dibër e kudo. Ka aftësi edhe në fushën e politikës ku bashkëpunon me liderët më të lartë të shtetit shqiptar, ku tek Mondi ato shohin njeriun e mendjes, të suksesit në biznes, duke qenë kështu të vetëdijshëm që t’i besohen edhe poste politike në të mirë të vendit duke mos qënë kontigjent i politikës së rastësishme, apo pjesë e mediokritetit të shumë deputetëve aktual. Mondin gjatë gjithë kohës e shoqëron modestia, dhe kembëngulja për të arritur qëllimet dhe objektivat e tij në jetë. Ai është i lidhur dhe me origjinën, fshatin e tij Grezhdanin. Që kohët e fundit i kanë lindur ide dhe projekte për këtë fshat me kalanë më të lashtë në Ballkan, apo problemet e infrastrukturës së fshatit. Ai gjithmonë thekson: Nuk jemi të përjetshëm. Sejcili të bëj më të mundshmen për vete dhe për vendin e tij e kështu do të zhvillohet akoma më shumë shoqëria njerëzore. Edmond Isaku vazhdimisht ka qënë në vëmëndje të mediave të shkruara dhe ato televizive. Ai është kthyer në burim krenarie për familjen, Bulqizën, Maqellarën dhe Dibrën. Me njerëz të tillë si Edmond Isaku dibranët rrisin dinjitetin e tyre në metropolin shqiptar, në Tiranë. Ai shpesh herë, në kuadrin e dashurisë për vendin e vet, thotë: -Dibra është Arbëria, Arbëria është Shqipëria.

S'KA KOMENTE