Një vështrim mbi historikun e arsimit në Okshtun të Dibrës

500

Prof. As. Nazmi Koçi

Nuk ka asnjë dyshim që e gjithë treva e Dibrës është shquar ndër shekuj nga dëshira e zjarrtë për dije e arsim, ndërsa kultura popullore u ka paraprirë këtyre aspiratave, të cilat ajo është përpjekur t’i sigurojë me çdo mjet e në të gjitha mënyrat, aq sa mund të themi se dëshira për dije e kulturë ka ecur paralel me dëshirën për jetën. Kjo nevojë jetike e ka shtyrë Dibrën dhe dibranët në kufijtë e të paimagjinueshmes, aq sa në mungesë të institucioneve të krijojnë shkollën e tyre, shkollën e Dibrës. Bëhet fjalë jo për një nocion teorik a metaforik, por edhe për një fakt real që e kanë njohur e pranuar shumë studiues vendas dhe të huaj.
Njihet se Dibra edhe në fushën e kulturës e të dijes është një mozaik, ka veçoritë e saj në çdo fshat a krahinë, ka prurjet dhe ndihmesën e saj, ka koloritin e vet ashtu siç bie fjala ka koloritin e vet kënga popullore, veshja e burrave, e grave apo edhe fjala e folur në çdo krahinë.
Edhe zhvillimi i historikut të arsimit, ndonëse ka ndjekur një rrugë e trajektore të caktuar si në të gjithë vendin dhe në Dibër, po ashtu është e vërtetë se ka veçoritë e veta dhe spiralen e vet të zhvillimit. Në këtë kuadër ai ka specifikat e veta, ka historikun e tij të pasur e të veçantë edhe në Okshtunin malor të Dibrës.
Specialisti dhe studiuesi i mirënjohur i arsimit dibran e atij kombëtar, Elmaz Lala, duke folur në një aktivitet promovues me 14 korrik 2014 do të deklaronte: “… Një familje nga Okshtuni i thellë dhe i ashpër, por me tradita patriotike dhe mikpritjeje, një familje që ndërsa luftonte për mbijetesë, pretendonte e luftonte si pak kush për jetën dhe të ardhmen, një familje shumë arsimdashëse, që shkollimin e fëmijëve e vinte edhe mbi bukën për ta…”. E vërteta është se i tillë ishte i gjithë Okshtuni, edhe pse disa familje si rasti që përmend studiuesi E. Lala spikasin më shumë. Po përpiqem të paraqes disa argumente në dobi të kësaj teze, më tepër sesa të tentoj të bëj një historik tradicional të arsimit në Okshtun, gjë që e kanë realizuar specialistë të tjerë para meje.
Nuk ka dyshim se shkolla e parë, si kudo tjetër, ka qenë familja dhe mësuesit e parë prindërit, vëllezërit e motrat, me të mëdhenjtë, që çdo ditë kanë përçuar tek më të vegjlit njohuritë për jetën, edukatën e punës, njohjen e origjinës së familjes e të fisit, traditat, zakonet, historinë, vlerat morale të fshatit, krahinës e më gjerë, dashurinë dhe respektin për familjen, për më të moshuarit, për vendin e lindjes dhe atdheun. Në lashtësi parakaluan në vendin tonë kultura ilire, helenike, latine, por dhe romake e bizantine derisa mbërritëm në sundimin shumë shekullor të perandorisë osmane. Një rol të patjetërsueshëm kanë luajtur dhe tubimet e ndryshme dhe dhoma e miqve e oda e burrave, ku aplikoheshin “ushtrimet e mendjes”. Ruajtjen ndër shekuj të këtyre vlerave në Dibër brez pas brezi, shkrimtari ynë i mirënjohur Haki Stërmilli, i quan “Pengjet e stërgjyshërve”, ndërsa ruajtjen e gjuhës amtare si “Tapia e vendit”(1).
Këto vlera e tradita të trashëguara brez pas brezi u formësuan e u fuqizuan dukshëm dhe morën formën e një shkolle të vërtetë, e cila u emërtua si shkolla e Dibrës, tashmë e njohur dhe e pranuar nga studiuesit vendas e jo vetëm ata. Lulëzoi e u bë e mirënjohur shkolla e ndërtimit, e drurit, e gurit apo ajo e famshmja, e gojëtarisë dibrane.
Përpjekja e fshatarëve të Okshtunit për një arsim të organizuar e institucional zë fill herët që në kohën e perandorisë turke, në shekujt 18-19, ndoshta dhe më herët. Të detyruar nga hallet e jetës për të emigruar në vende të tjera si në Stamboll, Selanik, në Rumani, Bullgari e gjetkë, por dhe brenda vendit si në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Krujë, Kavajë etj,, ata siguronin punë dhe mbijetesë për vete dhe familjarët e tyre. Por shpesh ata merrnin me vete edhe djemtë e tyre të vegjël që fillonin herët rrugët e kurbetit. Meqenëse mosha e njomë dhe fiziku i dobët nuk i lejonin që të përballonin punët e rënda të ndërtimit, ata shpesh i fusnin në shkollat e qyteteve ku ndodheshin dhe i shkollonin atje. Këtë unë e konsideroj një veçori të arsimimit të okshtunasve, ndoshta më herët se zonat e tjera. Kështu veproi Sulë Shermeti nga Muglica, i cili e mori djalin e tij, Hasanin, me vete në Peqin të Elbasanit dhe e futi të studionte në shkollën turke aty. Më pas ai vazhdoi medresenë e Elbasanit, që e mbaroi me rezultate të shkëlqyera në moshën 22 vjeçare, ku mori titullin mësues e predikues i fesë dhe mësoi disa gjuhë të huaja. I shkëlqyer në mësime dhe i etur për dije, më pas ai studioi për inxhinieri dhe teologji në Universitetin e Stambollit, ku mësoi përsëri disa gjuhë të huaja dhe i mbaroi studimet shkëlqyeshëm në vitin 1879. Në enciklopedinë turke me këtë rast është shkruar: “Stambolli nëpërmjet Hasan Muglicës i ka dhënë arnautllëkut mësuesin e fesë islame” (9). Edhe perandoria turke e njihte Hasan Muglicën si mësues, të tillë e ka përjetësuar atë në enciklopedinë e saj.
Okshtunasi Maliq Caka e mori me vete djalin e tij, Sadikun, (babai i dëshmorit Sabri Caka), në Elbasan, ku shkoi të punonte dhe e dërgoi atë në shkollë, në medrese. Sadiku studioi dhe u shkollua me sukses dhe i mirënjohuri Hoxhë Caka u bë një figurë e respektuar në Okshtun e më gjerë, që zgjidhi sherre e pajtoi konflikte, hoxhë Muglica e aktivizoi atë edhe si mësues.
Kështu, veproi edhe Ferhat Selmani nga Prodani, i cili e mori me vete të birin, Selmanin, në Mat, ku ai shkoi për të punuar në fshatin Lis në vitin 1928, por atje e dërgoi djalin në shkollën vendase që ishte hapur në vitin 1922 me mësuesin e mirënjohur Abdurraman Përmeti. Ai studioi me shumë sukses aty dhe më vonë do të vazhdonte shkolla e kualifikime, derisa u bë një mësues i spikatur dhe që punoi më shumë se 25 vjet në Prodan të Okshtunit.
Nuk ka diskutim se përpjekjet për hapjen e shkollave, qoftë dhe të atyre turke në Okshtun, janë të lidhura me emrin e patriotit dhe atdhetarit të madh Hoxhë Hasan Muglica. Është vendi që të bëj një objeksion dhe të jap mendim lidhur me mbiemrin e tij. Për Hoxhë Muglicën janë shkruar artikuj e libra, ka një monografi të studiueses Valbona Ramçi dhe një libër biografik nga stërnipi i tij Elliot Hasan Muglica me banim në Kanada. Të gjithë këta publikime përdorin për patriotin e madh okshtunas mbiemrin “Moglica”. Në të vërtetë mbiemri i tij është Sula, pasi ishin pasardhësit e Sulë Shermetit nga Dibra e Madhe që pat ardhur e u vendos në Okshtun. Mbiemrin Sula e mbajnë sot një sasi e konsiderueshme e familjeve në këtë fshat, ndërsa Hoxha mori për mbiemër, emrin e fshatit të tij, Muglicë. Të gjithë banorët e Okshtunit, të vjetër e të rinj, e dinë dhe e thërrasin Muglicë. Kështu e thoshte edhe gjyshi im, Abaz Sula, njëri nga njerëzit më të afërt të gjakut me Hoxhën dhe që citohet në shumë botime për të. Kështu e thoshte edhe Hajdar Stojku, njëri prej ish nxënësve të Hoxhës, që citohet nëpër botime dhe që kam pasur rastin ta njoh personalisht. Mbiemrin “Muglica” për patriotin Okshtunas e konfirmojnë edhe botimet e mëhershme (para Luftës së Dytë Botërore) që janë bërë lidhur me të si gazeta “Tomorri” e dates 24 mars 1910, Revista “Zani i naltë” ( 1937), Haki Stërmilli në veprën e tij “Dibra në prag të historisë” 1940 (1,11, 12) etj. Ka dhe një arsye të qenësishme përse insistoj në mbiemrin Muglica të patriotit të madh dibran. Sipas studiuesit të Hasan Muglicës, Xhemal Koçi (5, f.123), njeri shumë i afërt i familjes Muglica (ishte nipi i Abaz Sulës), duke shqyrtuar arkivat kishte hasur në tentativë për ta tjetërsuar vendlindjen e tij nga Muglica në Moglicë, pra, nga Dibra në Korçë, çka është një shtrembërim i padiskutueshëm i së vërtetës. Në Dibër ka Muglicë, ndërsa në Korçë ka Moglicë, janë dy toponime krejt të ndryshme.
Shumë studiues që janë marrë me historikun e arsimit të Okshtunit, referojnë se Hasan Muglica hapi shkollën te ara e Martinit në vitin 1904. Në këtë shkollë Hoxha aktivizoi si mësues edhe dy hoxhallarë, Hoxhë Cakën dhe një Hoxhë nga Zabzuni që dinin vetëm turqisht. Ndërsa mësimet në gjuhën shqipe Hoxhë Muglica i zhvillonte vetë dhe këtë aktivitet e kishte filluar shumë kohë më parë. Sipas kujtimeve të Abaz Sulës dhe Hajdar Stojkut, njëri prej nxënësve të tij, mësimet në gjuhën shqipe Hoxhë Muglica i kishte filluar që në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 19-të (13). Fillimisht ai kishte përdorur për këtë qëllim shtëpinë e tij. Shumë studiues e kanë theksuar faktin se Hoxhë Muglica e ktheu shtëpinë e tij prej 28 dhomash, veçse si shtëpi banimi, në shkollë dhe bibliotekë të librave të gjuhës shqipe. Ajo shërbeu edhe si kështjellë për t’u mbrojtur nga sulmet e panumërta që pushtuesit e ndryshëm veçmas ata turq e serbë, i organizuan shumë herë për ta kapur e asgjësuar patriotin e dijetarin dibran. Hajdar Stojku, nxënës dhe bashkëkohës i Hoxhë Muglicës, në kujtimet e tij dhënë arsimtarit Selman Koçi, ka sjellë edhe një fakt jo të njohur deri sot. Shtëpia e Hoxhë Muglicës ka shërbyer edhe si konvikt, ku në kohë dimri, nxënësit e lagjeve të epërme kishin dhoma për studim e fjetje dhe ushqeheshim aty me shpenzimet e mësuesit (13). Për t’u mbrojtur nga regjimi i kohës ose në periudha rreziku, Hoxhë Muglica i largonte nxënësit nga shtëpia e tij dhe mësimet në gjuhën shqipe i zhvillonte te valanica në Zallë e maskuar midis shelgjeve, mes Okshtunit dhe Sebishtit. Ai pat ndërtuar aty një punishte shajaku që punonte me ujin e lumit dhe e emërtoi me fjalën e bukur shqipe valanisë (vala e nis) dhe populli e thërriste valanicë. Kjo shërbeu edhe për takime të fshehta që hoxha organizonte herë pas here, por edhe si shkollë për mësimin e gjuhës shqipe. Në vitin 1904 u hap në Okshtun shkolla te Ara e Martinit. Hoxhë Muglica solli nga Stambolli 5000 abetare të gjuhës shqipe, jo në trasta , por me karvanë kuajsh në thasët e sheqerit, dhe i strehoi ato te Shkëmbi i Patës e i shpërndau në Gollobordë, Çermenikë e gjithë Dibrën (9). “Patat dhe zoti i ruajnë abetaret e mia”, u kishte deklaruar Hoxha bashkëfshatarëve (13).

S'KA KOMENTE