“REFLEKSIONE ESTETIKE” TË HAJRI MANDRIT, NJË VLERË E SHTUAR E FONDIT TË KRITIKËS STUDIMORE TË LETËRSISË SHQIPE

526

Nga Sakip Cami*

Dr. HajriMandri, doktoruar në fushën e studimeve të letërsisë dhe të folklorit ka një bibliografi të pasur personale. Ai është poet, dramaturg, studiues dhe pedagog. Por objekt i këtij shkrimi janë pikërisht artikujt e tij studimorë të botuar kohët e fundit në librin me titull ”Refleksione estetike” nga “Botimet Barleti”.
Libri hapet me “Estetikën e ligjërimit në Kur’an” dhe vijon më tej me dy studime të analistit politik PreçZogaj, me veçoritë estetike në krijimtarinë e Naim Berishës, me rrugën e lavdishme sportive të vëllezërve Keta ngaBulqiza, me analizën e librave të bashkëfshatarit të tij Hasan Leka, duke shkuar më tej në thellësitë e viteve, në vitet 80përngjarjet në Kosovë dhe pasqyrimin e tyre në shtypin shqiptar, për ligjërimin etnografik të shkrimtarit kosovar Anton Pashku, për familjen e shquar të Dibrës, Dardhës, e të mbarë Shqipërisë, familjen Ndreu, analizën e të folurit të Bulqizës, nektarin e saj, nga studiuesi bulqizak Agim Demiri, për vendlindjen e Kastriotëve, Çidhnën, në studimin e Mentor Hoxhës nga fshati Blliçe, për veprimtarinë krijuese të kolegut të tij kompozitorit Xhelil Ymeri, për formimin estetik të kompozitorit Muharrem Xhediku dhe në majë të këtyre studimeve qëndrojnë studimet mbi krijimtarinë e Migjenit të papërsëritshëm dhe të Naimit të Madh. Që në krye të herës autori jep mesazhin se libri i hershëm i Kur’anit është një libër shkencor që ka sintetizuar përvojën njerëzore të deriatëhershme dhe ka bërë parashikime për të ardhmen. Kur’ani dhe feja islame nuk janë armiq të njerëzimit, siç përpiqen t’i bëjnë disa ideologji dhe struktura të njerëzimit të sotëm. Kush nuk e ka lexuar Kur’anin dhe Biblën nuk ka lexuar asgjë.
“Dr. Mandri thekson se: “Në aspektin filozofik retrospektiva në paravolitë kur’anore shërben për të thirrur perspektivën, pasi përbëjnë një retrospeksion duke lidhur të kaluarën me të tashmen, të sotmen me të ardhmen… Nuk ka shembëlltyrë pa shembull.
…Kur’ani është një arsenal i madh shëmbëlltyrash, duke zënë një vend të rëndësishëm në gjithë mbretërinë e literaturës botërore…Mesazhi paravolik themelor zakonisht qëndron tek kumti: s’ka fitore të njeriut, të jetës, s’ka sfidë dhe arritje që s’përfaqësohet nga fitorja morale. Njeriu në jetë realizon më mirë atë që beson më shumë.
Nga këto mesazhe të autorit, sintetizuar në Kur’an duhet të nxjerrim mësime për jetën që bëjmë, për jetën që përpiqemi t’ua imponojmë të tjerëve dhe aq më shumë për shfrytëzimin e punës së tjetrit, për evitimin e luftërave dhe konflikteve fetare në botë dhe në rajone të veçanta. Si i pasuri dhe i varfëri, si mbreti edhe shërbëtori janë njerëz dhe bij të Zotit me nevoja të njëjta dhe pa dallime.
Këto refleksione janë pasqyruar edhe në fushën e politikës dhe të analizës politike. Hajri Mandri duke qenë edhe në drejtimin e një partie politike parlamentare dhe duke e parë nga afër “tepsinë” politike dhe luftën e ashpër për ta rrëmbyer këtë tepsi herë me të drejtë dhe herë me “hile”, ka bërë analizën e disa zgjedhjeve parlamentare dhe vendore. Kjo duket në analizën e librit “Finalja” dhe “Nga hiri “ të politologut dhe shkrimtarit Preç Zogaj. Fakti i dhimbshëm që politikanët shqiptarë nuk e kanë pranuar asnjëherë rezultatin e zgjedhjeve, nuk i kanë uruar fitoren njëri tjetrit, nuk kanë bërë zgjedhje të ndershme dhe nuk kanë lejuar qeveritë që të punojnë për të realizuar programet e tyre për të cilat janë votuar, përbën një rast unikal. Ne në këtë aspekt nuk krahasohemi as me Kosovën, as me Maqedoninë që kanë probleme të konsolidimit të shtetit dhe janë multietnike. Në Serbi dhe në Greqi, edhe në kushte krize rezultati del brenda 24 orëve, ndërsa në Shqipëri rezultati don 2 muaj që të dalë. Kjo ndodh sepse në çdo ligj zgjedhor, bile edhe në Kushtetutë, ligjvënësi ka vënë “gozhdën e Nasradinit” dhe ka menduar vetëm për vehte dhe jo për popullin, ka vënë aritmetikën personale dhe jo të ardhmen e popullit. Ka llogaritur që sidoqë të votojë populli njëra parti të ketë qeverinë, tjera Presidentin, njëra Prokurorin, tjetra Kontrollin e Shtetit.
Me mendje të hollë autori ka bërë analizën e zgjedhjeve vendore të Tiranës dhe ka “zbuluar” hilenë e ndryshimit të regjistrit të gjendjes civile. Në një vend të vogël si Shqipëria, dhe në në një qytet të madh si Tirana, lëvizjet demografike të mëdha me regjistër të gjendjes civile pikërisht në prag të zgjedhjeve, krijojnë konfuzion dhe amulli dhe favorizojnë drejtuesin aktual. Pra e thënë troç, shtrembërohet drejtimi i votës, në njërin kah zvogëlohet dhe në kahun tjetër zmadhohet. Voto si të duash, numëro sa të duash. Marifeti është bërë. Veçanërisht tingëllon aktuale analiza politike e botuar në një gazetë të përditëshme në gusht të vitit 2017, analiza me titull :”Sjellja e re politike, qasje në konteksin shqiptar”. Një politikan apo qeveritar që ka dy para mend dhe që lexon, duhet të reflektojë para këtij konkluzioni: “Mali i korrupsionit që pret grushtin e drejtësisë përbëhet nga dosjet e qeveritarëve që flejnë me vite. Populli dhe zgjedhësit e thjeshtë që shohin pasuri përrallore fizike nga njerëzit e tyre dhe komshinjtë, që pak vite më parë, ishin të barabartë, ndërsa pas detyrave të rëndësishme në vendet ku “bëhet lek”, ngritën pasuri të patundëshme, të pajustifikuara në asnjë rrethanë, si rrogëtarë të shtetit. Kjo pakënaqësi është akumuluar ndër vite dhe kjo tani ka ardhur në pikën e vlimit. Nëse dështon reforma, atëhere fati i shqiptarëve vihet në pikëpyetje”.
Dhe e mbyll analizën e tij politike parashikuese:”Presim vjeshtën dhe shpresojmë në zhvillime të reja demokratike me interes kombëtar dhe shoqëror mbarëshqiptar”.
Jemi në nëntor. Dimri po afron. Me siguri do të jetë një dimër i ftohtë si asnjëherë më parë për ata politikanë dhe keqbërës që i kanë hypur në zverk këtij populli, aq shumë të vuajtur nga keqqeverisja shekullore.
Autori i ka parashikuar zhvillimet që po vijnë. Jetojmë në shekullin e elipsës, të natyrës njerëzore inteligjente. Përhapja e shqiptarëve nëpër botën e qytetëruar, shkollimi i tyre me meritë dhe jo me diploma false siç kanë dëshiruar dhe planifikuar politikanët tanë, kthimi dhe kontributi i tyre për të mirën kombëtare së bashku me pakënaqësitëpopullore të akumuluara në këta 27 vjet, do t’i shporri një ditë këta vemje njerëzore që vetëm fjalën njeri nuk e meritojnë. Si studiues pasionant i shembëlltyrës në letërsi dhe në folklor edhe studimet për poetin tonë kombëtar Naim Frashëri, si askush tjetër dhe si askush më parë, i ka përqëndruar tek shembëlltyrat, dhe metaforat e poezisë së tij që e kanë bazën dhe frymëzimin tek poetët e mëdhenj persianë Sadiu, Rumiu, Khajami. Naim Frashëri dhe kodi poetik lindor i tij janë të lidhur pazgjidhshmërisht me poezinë popullore të Shqipërisë. Naimi përdor metafora të mrekullueshme kur flet për Atdheun e tij. ”Shembëlltyra e Atdheut, dhënë përmes metaforave dhe simbolikës: ”Atje lind diell i qeshur dhe hëna e gëzuar,/ Fat i bardh’ e mirësia n’at vent’ janë mbuluar”. Koncepti poetik dhe estetik naimjan, nënvizon studiuesi Mandri, realizon shembëlltyrën ku pyjet shqiptare janë vendbanimi i përëndive, tempulli i tyre, ku sundon fati i bardhë dhe mirësia, si shembëlltyrë biblike dhe testament i dashurisë. Uni filozofik i Naimit jepet si shembëlltyrë e dukurisë së matempsikozës se asgjë nuk humbet në këtë jetë, vetëm se transformohet, ashtu siç thotë Naimi: “Jam një shkëndijë prej dielli dhe një druthëzë prej qielli.” Dr. Mandri analizon poezinë: ”Fjalët e qiririt” duke nxjerrë në pah shembëlltyrën e vetsakrifikimit dhe të altruizmit. “Kur t’më shihni se jam tretur,/ Mos pandehni se kam vdekur,/ Jam i gjallë e jam ndë jetë,/ jam në dritë të vërtetë,/….. Që t’ju ndrij mirë e të shihni,/ Njëri tjetrin të njihni”.
Bektashizmi naimjan qe’ në harmoni me romantizmin dhe kombëtarizmin laicist. Në kryeveprën e tij poetike “Lulet e verës” Naim Frashëri botoi edhe vjershën “Përpara Krishtit” , ku duke treguar një nderim të pafund për Krishtin, i drejtohet: ”Djalëth, njeriu i Perëndisë”
Studiuesi Mandri e mbyll kështu analizën për poezinë e Naimit: “Naimi shembëlleu letërsinë pararendëse përmes kodeve të mëdha, të cilat i identifikon tek Bibla, Kodi Oral dhe Kodi Historik, duke i kontekstuar ato në dimensionet ligjërimore. Dhe si qershia mbi tortë, si majë e këtyre studimeve qëndron studimi për krijimtarinë e Migjenit me titull:”Korpusi migjenian dhe paramodelet biblike” Për Migjenin kanë shkruar e kanë bërë studime dhjetra shkrimtarë e kritikë profesionistë që nga Kadareja, Agolli etj. Por studimi prej 5-6 faqesh i Dr. Hajri Mandrit, me konçizitetin e tij dhe analizën e arrirë, me fjalë të goditura e të pathëna më parë, duke u përqëndruar si edhe në studimet e tjera të tij, tek shembëlltyra, unë do të thosha se ky studim ështëi krahasueshëm me krijimtarinë e shkurtër dhe konçize të vetë Migjenit. Migjeni jetoi pak për shkak të sëmundjes, vetëm 27 vjeç, shkroi pak, por sa për qindra volume. I tillë është studimi i Hajriut, shembëlltyrë e krijimtarisë së Migjenit, pak dhe saktë. Poezi të tilla si “Poema e mjerimit” dhe Kanga e Rinisë”, Proza të tilla si “Luli i vocërr”, Mollë e ndalueme” , “A don qymyr zotni”, Bukuria që vret”, “Legjenda e misrit”, janë të papërsëritëshme dhe nuk ua gjen shoqen.
Në themel të veprës së Migjenit qëndron aspirata për një botë të re, ku njerëzit e thjeshtë, të jetojnë të lirë dhe të lumtur, me dinjitet njerëzor dhe pa frikë për të nesërmen, konkludon autori. Pasqyrimi i varfërisë së thellë të masave, zë vend qendror në botimet e Migjenit. Me një art të rrallë pasqyrohet humnera e vuajtjeve, dis-harmonia sociale, vaniteti intelektual duke tentuar prognozën e një bote të re. Figura e mjerimit, ndonëse nuk plotëson katërcipërisht kushtet e shembëlltyrës, jepet si një portret i gjallë që të mbetet imazh me tërë veprimin e tij mbi jetën njerëzore, i cili i detyron ata, të adaptojnë një mbijetesë sakrale në kushte të vështira jetese.
“Kafshatë që s’kapërdihet asht or vlla mjerimi,/ Kafshatë që të ngec në fyt dhe të ze trishtimi/ Dhe si një zgjidhje, si një ilaç çasti : “Mjerimi pjek fëminë para se t’burrnohet,/E mëson si t’i iki grushtit që i kërcënohet/
Dhe më tej: ”O si nuk kam nji grusht të fortë / T’i bie mu në zemër malit që s’bëzan/
Vepra e Migjenit, përfundon Mandri, ka tingëllim aktual, derisa ka akoma njerëz në botë që rënkojnë: ” Pak dritë, o shok, o vlla…në këtë natë që shpirti vuen….”
Dhe në përfundim të kësaj analize pa pretendime dhe modeste doja të bëja një apel. Talentet, krijuesit, studiuesit i kemi midis nesh. T’i zbulojmë ata, t’i vlerësojmë ata, ne si shoqëri dhe të detyrojmë edhe ata që qeverisin që të dëgjojnë mendimin e tyre, ashtu siç bën bota e qytetëruar ku duam të jemi.
Kombet e vogla dallojnë nga kombet e mëdha jo nga zhvillimi teknologjik, por nga bota shpirtërore që ata mbartin. Dhe këtë botë shpirtërore më mirë se kushdo e mbartin shkrimtarët dhe artistët. Mbështetje për ta.

*Poet dhe publicist

S'KA KOMENTE