Ferit Keta shpallet kampion i Gjermanisë në boks

249

• Boksieri shqiptar Ferit Keta është shpallur kampion i Gjermanisë
• Keta ka mposhtur me knock-out në raundin e 4-ët boksierin gjerman Toni Thes. Dueli Keta-Thes u zhvillua në rajonin e Bavarisë, në arenën e boksit ndërkombëtar të Mynihut, më 4 nëntor 2017.

Boksieri shqiptar nga Bulqiza e Shqipërisë, Ferit Keta është shpallur kampion i Gjermanisë. Një trofe të tillë boksieri shqiptar e fitoi pas triumfit ndaj boksierit gjerman, Toni Thes, njofton “infOSport.mk”.
Ferit Keta fitoi me “Knock Out” që në raundin e 4-të. I pranishëm në ring pas këtij suksesi ishte edhe Ismail Keta, vëllai dhe njëkohësisht edhe trajneri i Feri Ketës, por edhe ish-boksieri i njohur kosovar, Luan Krasniqi.
Për Ferit Ketan ishte kjo fitorja e 9-të në ringun profesionist nga po aq luftëra të zhvilluara.
Vetëm katër muaj më parë 29-vjeçari fitoi titullin europian në ISKA, në kikboks ndaj holandezit Rochel Gumuljo dhe gjerdanin e artë në atë takim ia dha i madhi Luan Krasniqi. Vlen të përmendet fakti që në sportin e boksit Ferit Keta nuk njeh asnjë humbje, duke fituar 9 nga 9 ndeshjet e zhvilluara, madje pjesën më të madhe, me knock out.
Titulli në kategorinë “Cruiser” ishte vakant dhe dueli i fundit për brezin e kësaj peshe në boksin gjerman, është fituar nga Adam Deines, pasi mposhti në ‘Erdgass Arena’, në Sachsen-Anhalt, boksierin tjetër Bjoern Blaschke.
Debutimin e tij Keta e kishte me 19 shkurt të vitit 2016-të kundër Haris Çalakoviç në Tiranë, kur njësoj si edhe këtë herë kishte triumfuar me “Knock out”, transmeton “infOSport.mk”.
Në anën tjetër për kundërshtarin e tij Toni Thes, disfata e radhës ishte e 7-ta në karrierë nga gjithsej 19 lufta, ku vlen të ceket se të shtunën në mbrëmje ai kundër Ferit Ketës u fut me shumë optimizëm pas tre fitoreve të njëpasnjëshme me “Knock-Out”, dy prej të cilave i kishte arritur në shtatorin e këtij viti, kur fillimisht me 02 shtator kishte mundur Rene Proft, që më pas me 30 shtator të ngadhnjej ndaj Kanber Punar.
Ferit Keta shpallet kështu kampion Europe në peshën “Cruiser”, deri 90.7 kilogramë. I pranishëm ishte edhe ish-boksieri i njohur kosovar Luan Krasniqi.
Dhe tashmë menaxherë të ndryshëm janë afruar pranë boksierit shqiptar, pasi shohin tek ai një të ardhme të sigurtë. Ai është një nga shqiptarët më të suksesshëm të sportit profesionist.
Në Gjermani konsiderohet pasardhës i tri herë kampionit botëror të kick-box, Ismail Keta dhe padyshim që me punën e bërë deri tani ka arritur të përmbushë të gjitha pritshmëritë që Ismaili tashmë trajner i tij, ka pasur nga Ferit Keta.

 

 

Keta: “Kampion i Gjermanisë, por dua të shpallem kampion i Botës” 

Nga Klevis Deda
Kampioni i Gjermanisë në boksin profesionist, Ferit Keta, ka treguar në një intervistë për Shekulli se objektivi i tij është të shpallet kampion bote. Keta i’a dedikon trofet e fituar të gjithë tifozëve shqiptarë anembanë botës. Boskieri premton se do të organizojë një ndeshje në Shqipëri dhe shprehet se në vendin tonë ka shumë talente por nuk u kushtohet vëmendje pasi nuk ka një program të mirëfilltë.
Sa krenar u ndjetë që u shpallët kampion i Gjermanisë?
Ishte një gëzim shumë i madh pasi titulli që fitova është i një rëndësie të veçantë. Isha i bindur që do ta arrija këtë fitore pasi kam dy muaj që u përgatisja fuqishëm me vëlla Ismailin për këtë ndeshje.
E kishit parashikuar një fitore me nokaut?
Nuk e kisha parashikuar diçka të tillë pasi është një sport që je përgatitur shumë mirë por në një moment mund të humbësh gjithçka. Për fitoren isha i bindur që do ta merja pasi kisha bërë një stërvitje shumë intensive.
A ju ndihmoi përkrahja e tifozëve shqiptarë për ta bërë më të lehtë fitoren?
Kjo ndikoi shumë në performancën time atë ndeshje dhe natyrisht që i falënderoj shumë për mbështetjen që më dhanë. Mbështetja e tifozëve m’u kthye në një motivim shumë të madh.
Pas përfundimit të ndeshjes ndodhi një incident, mund të na tregoni diçka më të detajuar?
Kundërshtari më provokoi gjatë gjithë ndeshjes duke më goditur me bërryla dhe në një rast edhe me kokë. Pasi e hodha me nokaut, unë ngjitem në një cep të ringut për të festuar ndërsa ai tenton të më godasë nga mbrapa. Pastaj futen në ring disa persona nga sigurimi i ndeshjes por jo të stafit kundërshtar.
Sa ka ndihmuar në sukseset tuaja eksperienca e trajnerit dhe njëkohësisht vëllait, Ismailit?
Falë eksperiencës së tij dhe punës së vazhdueshme, unë kam arritur këtu dhe pretendoj të ngjitem më lart.
Ndeshja juaj e radhës?
Është pak herët për të menduar për kundërshtarin pasi kjo nuk varet nga unë por nga menaxherët e mi. Unë duhet të jem i gatshëm gjithmonë, kjo ka më shumë rëndësi.
Objektivi për të ardhmen?
Normalisht që objektivi kryesorë është të shpallem kampion bote, është ëndërra e çdo boksieri. Por fillimisht më duhet të mbroj titullin kampion Gjermanie për të vazhduar më tutje.
Çfarë komenti keni për kritikat e vazhdueshme nga shqiptarët, që nuk përfaqësoni vendlindjen tuaj por garoni për Gjermaninë.
Në Shqipëri nuk të jepen mundësitë që të shpalosësh talentin që ke dhe kjo është arsyeja që nuk luaj për Shqipërinë. Në Gjermani na ofrojnë kushtet e duhura për të ushtruar këtë sport.
Sa krenar ndiheni që pas çdo triumfi ngrini lart flamurin Shqiptar?
Është një krenari dhe dëshirë e madhe. Nuk mund të futemi në ring pa flamurin shqiptar pasi nuk na duket vetja i plotësuar.
A ka ndikuar ndopak shkolla juaj e trajnimit të boksierëve, “Fitness Box Sport Albania” në shfaqjen e talenteve të reja?
Fillimisht çdo boksier duhet të përkushtohet shumë në këtë sport për të arritur rezultate të mira kudo që të stërvitet. Djemve në shkollën tonë të trajnimit ne i japim mundësinë të ndeshen edhe në Gjermani. Kur do ta shikojmë një përballje tuajën në Shqipëri?
Dëshira është e madhe por të shohim pasi për momentin nuk kemi asgjë konkrete. Besoj se në një të ardhme të afërt mund të dalim me një vendim përfundimtar.

S'KA KOMENTE