Problematikë serioze, mungesa e investimit në rrugët rurale

109

Dy vjet në krye të bashkisë Bulqizë janë për Melaim Damzin, një përvojë e pasur në fushën e menaxhimit dhe drejtimit të saj. Në këtë intervistë ekskluzive për “Gazeta BULQIZA”, kryebashkiaku Damzi evidenton arritjet, që janë të dukshme, por edhe problematikat serioze me të cilat ai dhe stafi i tij përballen çdo ditë. Duke u ndalur në investimet e realizuara ai është krenar për rehabilitimin e lagjes “Minatori”, ndërtimin dhe rikonstruksionin e Unazës në Qytetin e Ri, përfundimin e ndërtimit të pedonales, ndërtimin dhe hapjen e kanalizimeve në “Rrugën Kaldajat”, si dhe investimet në infrastrukturën social-kulturore. Ndërkohë ai shpreh shqetësimin e ligjshëm për mungesën e investimeve në rrugët rurale.

Z. Damzi, dy vjet pas drejtimit të Bashkisë Bulqizë, cili është bilanci i punës tuaj?
Për hir të së vërtetës, edhe pse në rrethana shumë të kufizuara dhe me mungesa të caktuara instrumentesh financiare, ne jemi munduar që të ndërhyjmë në një pjesë të konsiderueshme të territorit shumë të madh që ka aktualisht Bashkia Bulqizë. Në këtë kontekst, duke iu përmbajtur pyetjes që ju keni parashtruar, mund të përmend këtu një sërë investimesh dhe projektesh që Bashkia Bulqizë ka realaizuar dhe implementuar në këto 2-vite që unë jam në krye të saj.
Ne kemi ndërhyrë në brendësi të lagjeve, që realisht kanë qenë lënë pas dore për vite të tëra, duke u munduar kështu të krijojmë një sistem të tërë rehabilitimi në të gjitha lagjet dhe kapilarët kryesorë të qytetit.
Rehabilitimi i lagjes “Minatori” është padyshim një punë që nuk mund të lihet pa u përmendur. Ndërtimi dhe hapja e kanalizimeve në “Rrugën Kaldajat” të kthyer në një problem shumë shqetësues për banorët dhe bizneset që ushtrojnë aktivitetin aty pranë, është një investim sa solid aq edhe konstruktiv nga ana e Bashkisë.
Po ashtu përfundimi i ndërtimit të pedonales, një investim i nisur nga qeveria shqiptare. Nuk po flas këtu vetëm për përfundimin e ndërtimit të pedonales, por edhe të të gjithë sistemit ku kemi ndërhyrë në lagjet e tjera dhe kanalet dytësore, me qëllim që ti shërbejnë mirëfunksionimit të projektit të pedonales.
Po ashtu rehabilitimi dhe ndërtimi i kanaleve për mbledhjen e ujërave që vijnë nga stoqet e kromit, në mënyrë që ti evitojmë dhe grumbullojmë për të mos u kthyer në problem apo përmbytje në lagjet e banuara që ndodhen poshtë stoqeve.
Një tjetër vepër e madhe e ndërtuar së fundmi nga Bashkia Bulqizë, është ndërtimi dhe rikonstruktimi i Unazës në Qytetin e Ri, sipër shkollës 9-vjeçare. Një unazë tërësisht e pajisur me sistem ndriçimi, trotuare, sinjalistikën e nevojshme, dhe padyshim me standarte bashkëkohore, që derivatisht i ka lehtësuar lëvizjen dhe jetën banorëve të asaj zone.
-Me ndarjen e re territoriale, Bashkia Bulqizë ka në juridiksionin e saj edhe Njësitë Administrative ish-komuna. Çfarë ka sjellë ky riorganizim?
Pas evidentimit të problematikave jemi fokusuar në përmirësimin e sistemit vaditës, siç ishte edhe ndërtimi i kanalit vaditës Kovashicë-Shupenzë.
Nga një shembje e ndodhur në dimër, ne kemi ndërhyrë dhe kemi rehabilituar nga fillimi të gjithë vijën e mullirit në Gjoricë. Po ashtu në këtë kontekst ne këmi vazhduar në mënyrë konsistente me mirëmbajtjen e të gjithë kanaleve vaditëse që u prekën nga dëmtimet në stinën e dimrit.
Një tjetër vepër, për të cilën kemi marrë falenderimet dhe mirënjohjen e qytetarëve, është “Ndërtim-asfaltimi i lagjes Kaja në Gjoricë”.
Kemi vazhduar dhe po punojmë me kapacitet të plotë, ndonjëherë edhe jashtë mundësive tona reale për të mirëmbajtur të gjitha rrugët tona rurale, që përfshihen në juridiksionin e bashkisë Bulqizë. Nuk mund të lëmë pa përmendur këtu, faktin që Bashkia Bulqizë tashmë ka një territor shumë të madh që është tmerrësisht e vështirë të mënaxhohet me mundësitë aktuale reale, që ne kemi në dispozicion. Gjithsesi ne vazhdojmë pa asnjë kompromis.
Padyshim, ndërtimi, pastrimi, dhe rehabilitimi i kanalit të madh që ka nisur nga afërsia e pishave dhe deri në fund të qytetit, është provë e një pune serioze dhe mjaft kualitative nga ana e Bashkisë Bulqizë. Ky kanal ka qenë i lënë në këtë gjendje për vite të tëra.
Po ashtu nuk mund të lëmë pa përmendur edhe një tjetër investim serioz që konsiton në përmirësimin e rrjetit vaditës për zonat bujqësore, siç është ndërtimi i kanalit vaditës nga Zona D deri në Vajkal 2.

Cilat kanë qenë efekte e ndarjes së re territoriale?
Dua ta vazhdoj nga ndarja e re territoriale. Aktualisht, ne kemi më shumë kompetenca, por më pak para dhe buxhet për t’i përmbushur këto kompetenca dhe detyra që na janë ngarkuar. Të mos harrojmë, që territori ynë është zgjeruar, shërbimet që duhet të ofrojmë janë rritur, por fondet dhe financat janë limituar. Mungesa e ujit të pishëm, që vjen si pasojë e zvogëlimit të buxheteve të njësive lokale, mbetet një problem mjaft shqetësues për ne, edhe pse po mundohemi pafundësisht të bëjmë të pamundurën për t’i minimizuar këto probleme dhe për të furnizuar me ujë qytetarët. (Përfshi këtu edhe mungesën e investimit në rrugët rurale, që vjen si pasojë e ndarjes dhe efeketeve negative që ka dhënë ndarja e re territoriale).

Po në lidhje me infrastrukturën socialkulturore, çfarë është bërë në këto dy vite?
Fokus i punës tonë, mbetet padyshim edhe përmirësimi i infrastrukturë arsimore. Në këtë kontekst ne kemi realizuar me sukses rikonstruktimin e Shkollës 9-vjeçare të Shupenzës dhe po ashtu ndërtimin e plotë me terrene bashkëkohore sportive të Gjimnazit të Shupenzës. Duke i qëndruar misionit të Bashkisë dhe obligimit tim si kryetar, për përmirësimin dhe ndërtimin e infrastrukturës arsimore, dua t’ju përmend këtu edhe ndërtimin e Shkollës 9-vjeçare të Gjoricës, me terrene sportive dhe çati krejtësisht të re.
Të gjithë qytetarët e kanë parë, dhe e kanë vlerësuar ndërtimin e kopshtit në Qytetin e Vjetër, që është padyshim një investim serioz dhe shembull i punës së shkëlqyer në rrethana të limituara financiare. Po ashtu riparimi dhe lyerja e shkollave ka vazhduar, dhe do të vazhdojë akoma më fuqimisht këto kohë, në mënyrë që dimri të na gjejë të mobilizuar dhe që fëmijëve e nxënësve të Bulqizës të mos u mungojë infrastruktura arsimore bazë.
Ajo që mund të themi në përmbyllje të listimit, le ta quajmë kështu, të gjithë këtyre investimeve, pa përmendur këtu ndërhyrje të tjera sekondare, është fakti që objektiv shumë i rëndësishëm për ne mbetet nxitja dhe stimulimi i të rinjve, me politika rinore. Në këtë kontekst, ne kemi realizuar si insitucion një sërë aktivitetesh për të rinjtë, në bashkëpunim edhe me organizata të tjera rinore dhe jo vetëm nga Tirana, që kanë konsistuar në trajnimin e gjimnazistëve dhe në tërësi të rinjve, që të nesërmen të jenë qytetarë aktivë dhe profesionistë të kualifikuar. Po ashtu përmendim edhe aktivitet me natyre letrare dhe sportive. Kështu “përkujtimi i 18-shkurtit” apo organzimi i garës olimpike mbeten shumë të arrira dhe shembull i gjallërimit të jetës aktive në komunitet. Por mos të harrojmë, që ne jemi të vendosur që t’i kemi të rinjtë në fokus të punës tonë.

Z. Damzi, cilat janë disa nga problematikat aktuale me të cilat përballeni ju aktualisht?
Problematikë serioze është mungesa e investimit në rrugët rurale, pai siç e përmenda më sipër me zgjerimin e sipërfqes tonë tokësore, dhe me uljen e buxhetit ne e kemi të pamundur të bëjmë investime në këto rrugë pasi kërkohen shumë para. Kështu që i mbetet qeverisë që të ndërhyjë për ndërtimin dhe rehabilitimin e këtyre rrugëve rurale. Mund të përmendim këtu disa rrugë rurale që ne i kemi studjuar, por e kemi të pamundur t’i financojmë. Është rruga Ura e Serbinit-Zogjaj, Unaza e Zerqanit, Rruga që lidh Sopotin me Strikçanin, apo ajo që lidh Fushë-Bulqizën me Kodrën e Danit. Pra, për shkak të gjatësisë së madhe, dhe kostos së papërballueshme financiare nga Bashkia Bulqizë, këto kërkojnë investim nga qeveria shqiptare.
Si konkluzion mund të them se mungesa e realizimit të disa projketeve vjen si derivat i mungesës së buxhetimit nga qeveria.

Ku konsitojnë projektet zhvillimore në Bashkinë Bulqizë?
Menaxhimi i mbetjeve, nxitja e investimeve në blegtori, bujqësi, turizëm dhe stimulimi i të rinjve me politika rinore-europiane në mënyrë sa më efektive. Mundohemi të krijojmë zona kreative, industri përpunuese për kromin etj.
Motoja e punës sonë, mbetet ofrimi i shërbimit për gjithë qytetarët.
Intervistoi:
Edison BALLA

S'KA KOMENTE