TË NJOHIM VENDLINDJEN NJËSIA ADMINISTRATIVE E GJORICËS

1019

Vështrim i shkurtër

Pozita gjeografike
Ish Komuna  Gjoricë, sot Njësia Administrative e Gjoricës, është një ndër 31 ish komunat e Qarkut Dibër, Bashkisë  Bulqizë. Shtrihet në pjesën verilindore të Bashkisë së  Bulqizës  në anën e majtë të rrjedhjes së Lumit të Drinit  të  Zi. Kufizohet në lindje me Maqedoninë, në përëndim me komunën e Shupenzës,  në veri me komunën e Maqellarës dhe në jug me komunën Ostren i Madh. Gjorica është 25 km larg nga Bulqiza . 60 % e territorit është fushë.
Ndodhet 600 m mbi nivelin e detit. Ka në administrim të plotë  6 fshatra. Gjorica lidhet me rrugën nacionale nëpërmjet Urës së Çerenecit. Ka edhe një mundësi për këmbësorët vendas të kalojnë nga ura e varur (ose ura e telit siç njihet nga banorët e zonës ) që lidh Shupenzën me Gjoricën.

Pak histori
Prejardhja e emrit  Gjoricë ka shumë hipoteza. Sipas gjoricarëve   fjala  Gjoricë vjen nga fjala Gjol që do të thotë pellg uji, për vetë arsyen që ndodhet mes dy lumenjve, Drinit të Zi dhe Zallit të Gjoricës. Sipas gojëdhënave në këtë fshat ka patur shumë gorica (dardha të egra) dhe prej këndej erdhi fjala Gjoricë. Ka të dhëna të tjera  se emri Gjoricë është në nderim të zotëruesit të kësaj zone, nipit të Skënderbeut, Gjuric Vlladanit. Në regjistrimin e vitit 1467 egzistojnë më shumë se 6 fshatra, pasi egzistojnë edhe Mallkastra, Izvira etj.
Gjorica është e njohur në shkallë kombëtare për këngën e Luftës kundër Hajredin Pashës në korrik të vitit 1844. Në këtë këngë  përshkruhet edhe fusha e Gjoricës duke përcjellur vlerat dhe tiparet e popullit te saj. Gjorica ka heroin e saj në qëndresën ndaj tuqve në vitin 1909. Ky është Hazis Xheka.
Në Gjoricë të Sipërme më 26 korrik të vitit 1943 u formua  Batalioni Partisan i Dibrës. Shumica e partizanëve të kësaj zonë kanë qenë inkuadruar në Çetën e Gollobordës, Batalionin e Dibrës dhe në Brigadën e 18 Sulmuese.
Gjorica shquhet  si një komunitet me kulturë, me një traditë të hershme.
Gjorica si e gjithë  Gryka e Vogël është patriote dhe arsimdashëse. Ajo mësuesin dhe shkollën e ka trajtuar si pasuri me vlera kombëtare. Janë të shumtë shembujt e kësaj natyre, që tregojnë për një kulturë të hershme  dhe që u transmetua brez pas brezi. Populli  i Dibrës i ruajti mësuesit,  Seit Najdeni, Haki  Stërmilli, Haki Sharofi, Jashar Zeneli, Haxhi Ademi (Skënderi) , Abaz Xhafa, Fasli Cami, Zenepe Miftari etj, u krijoi mundësinë dhe i ndihmoi konkretisht për mësimin shqip e hapjen e shkollave në Malësitë e Grykës së Vogël.
Gjorica ka një rritje të ndjeshme të numrit të popullsisë  vitet e fundit. Banorët janë largpamës dhe mendojnë që Gjorica është një zonë me perspektivë në të ardhmen. Ky tregues flet për standartin e jetesës dhe të ardhurat nga burimet natyrore në fshat. Pas viteve 90 popullsia u prek nga emigracioni. Shumë nga të rinjte e Gjoricës emigruan në vende si Italia apo Greqia.

 Arsimi
Banorët e Gjoricës janë popull arsimdashës dhe gjithmonë  e kanë pasur në prioritet arsimin e fëmijëve të tyre. Komuna ka 3 shkolla 9-vjecare në Gjoricë të Sipërme, në Viçisht dhe në Lubalesh.
Largimi i mësuesve të kualifikuar ka ndikuar jo pak në nivelin e mesim dhënies. Krahasuar me disa komuna të tjera Gjorica ka nje nivel të mirë e të kënaqshëm. Ka mungesa përsa i përket bazës materiale apo infrastrukturës, gjë që e vështirëson punën e mësuesve.  Në Gjoricë ka 16 mësues me arsim përkatës të kualifikuar dhe  mësues me arsim jo përkatës që japin mësim në shkollat fillore.  Ndërsa në ciklin 9-vjecar japin mësim 14 mësues me arsim të lartë dhe 9 mësues të kualifikuar.
Numri i nxënësve, 801,  në ciklin fillor 419 nxënës, në ciklin 9-vjeçar 382 nxënës. (Të dhënat nuk janë përditësuar dhe janë të pesë vjetëve të fundit)

Kultura dhe sporti
Jeta kulturore dhe sportive e komunitetit të Gjoricës është e varfër dhe nuk i plotëson nevojat e banorëve. Megjithëse komuniteti i kësaj komune është shumë i dhënë mbas jetës kulturore e sportive, (tradicionalisht),  evenimentet e këtij lloji, për fat të keq mungojnë. Shpesh të rinjtë apo fëmijët organizojnë aktivitetete sportive apo edhe kulturore por vetëm në ambjentet e shkollave. Krijimi i hapësirave dhe mjediseve për të kaluar kohën e lirë mbetet një domosdoshmëri.

Shërbimi  shëndetesor
Shërbimi shëndetsor në Komunën e Gjoricës ofrohet nga qendra shëndetësore e Komunës, strukturë e shërbimit parësor.
Personeli mjekësor që shërben për pacientët e zonës përbehet nga 1 mjek, 1 kryeinfermiere dhe 10 infermiere. 10 mami  shërbejnë në 6 fshatra.
Kryeinfermierja  është përgjegjëse për koordinimin dhe mbarëvajtjen e punës. Gjithashtu ajo kujdeset edhe për sistemin vaksinimit.
Janë në funksionim 4 konsultore, përkatësisht në fshatrat Gjoricë e poshtme, Viçisht, Çerenec i Sipërm,  Çerenec i Poshtëm. Në ndihmë  të shërbimit shëndetësor është edhe një autoambulancë.
Gjendja e qendrës shëndetsore  lë për të dëshiruar.
Pajisjet e qendrës dhe furnizimi me ilaçet e nevojshme nuk i plotëson kërkesat e banorëve.

Ekomomia
Komuna e Gjoricës ka në territorin e saj një numër të konsiderueshëm burimesh natyrore dhe sociale, kusht këto, për një zhvillim të qëndrueshëm. Krahu i punes figuron i lartë, megjithëse  mundësite janë të pakta. Pjesa më e madhe e komunitetit të Gjoricës merret me bujqësi dhe blegtori.
Shumë nga të rinjtë janë në emigracion dhe sigurojnë të ardhura për familjet e tyre. Rreth 50 % e këtyre emigranteve janë të pajisur me dokumenta të rregullta.

Turizmi
Komuna e Gjoricës ka shumë mundësi dhe hapësira për zhvillimin e turizmit lumor. Vendosja e saj përgjatë  Luginës së Drinit të Zi, midis Drinit dhe Zallit dhe ndërthurja me natyrën e mrekullueshme dhe klimën e butë ka bërë që banorët vendas të mendojnë se si mund të zhvillojnë turizmin në Gjoricë.
Tek Ura e Çerenecit bashkohen Zalli i Bulqizës me Zallin e Lubaleshit (Okshtunit). Nga Ura e Çerenecit deri në derdhjen e tij në Drinin e Zi, ky zall quhet Zalli i Gjoricës dhe ka rol shumë pozitiv për zhvillimin e dy fshtarave të Gjoricës së Sipërme dhe të Gjoricës së Poshtme. Zalli i Lubaleshit, rruga buzë tij dhe hidrocentralet pranë tij po i japin gjithashtu një  zhvillim të ri kësaj zone. Banorët kanë një mentalitet bashkëkohor dhe një natyrë të butë,  gjë që i favorizon në drejtim të pritjes së miqve, turistëve dhe komunikimit me ta. Disa të rinj të kësaj komune po ndjekin studimet e mesme për ekonomi dhe turizëm agrar. Gjoricaret janë vizionarë dhe e shohin zhvillimin e turizmit me perspektivë.

Territori i Komunës dhe burimet natyrore
Komuna (Njësia Administrative)  e Gjorices i përket Bashkisë së Bulqizës, Qarku Dibër. Kjo komunë përbëhet nga 6 fshatra, Gjoricë e Sipërme, Gjoricë e Poshtme, Çerenec i Sipërm, Çerenec i Poshtëm, Viçisht  dhe Lubalesh.
Komuna ka përafërsisht 1336 hektarë  tokë, të ndarë sipas ligjit 7501 në 6 fshatra.
Komuna Gjoricë  ka në zotërim një numër të madh burimesh natyrore.
Territori i saj është i pasur me toka pjellore,  pyje e kullota. Burimet e shumta ujore i japin më shumë bukuri territorit dhe shtojnë prodhimin bujqesor.
Komuna e Gjoricës kultivon misër, grurë, foragjere, perime, qumësht, vezë, mish etj.
Pas ndërtimit të Rrugës së Arbërit, distanca me Tiranën dhe Durrësin shkurtohet nga 5 orë në 2 orë, gjë që ndikon në rritjen dhe përmirësimin e treguesve ekonomikë, kulturorë dhe turistikë.
Përgatiti:  Sakip  Cami

S'KA KOMENTE