RRUGA E ARBËRIT – “Gjoka Konstruksion” drejt finalizimit të kontratës

1054

•    Njoftimi i Ministrisë nuk jep hollësi të mëtejshme, por thekson se për dhënien e një vendimi përfundimtar  “në përputhje me përcaktimet ligjore, brenda afatit ligjor 60 ditor, komisioni do të kryejë shqyrtimin e plotë dhe të detajuar të ofertave të paraqitura dhe do të dalë me vendimmarrjen përkatëse”

 

Siç është bërë e ditur për opinionin publik, më 2 tetor 2017, në mjediset e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë u hap dokumentacioni për tenderimin e Rrugës së Arbërit. Në njoftimin e publikuar nga Ministria thuhet se “Komisioni i dhënies me koncesion të procedurës me objekt “Përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit”, nga shqyrtimi i sistemit elektronik rezultoi se kishin shprehur interes tre operatorë ekonomikë. Dy nga këto kompani kishin mangësi në dokumentacion, ndërsa “Gjoka Konstuksion” sh.a kishte paraqitur gjithë dokumentacionin e kërkuar. Pas hapjes së dokumentacionit të tenderit më 2 tetor në mjediset e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, rezultoi se kompania e vetme që ka plotësuar dokumentacionin dhe ka dhënë një ofertë financiare është “Gjoka Konstruksion”.
“Operatori ekonomik “Adem Pojani”, nga shqyrtimi paraprak i sistemit, rezultoi se kishte paraqitur disa dokumente, të cilat nuk rezultojnë të mjaftueshme për t’u konsideruar ofertë zyrtare”, thuhej në njoftimin e Ministrisë. Gjithashtu, edhe “operatori ekonomik shoqëria “Alb-Star” sh.p.k., nga shqyrtimi paraprak i sistemit, rezultoi se kishte paraqitur disa dokumente, por nuk u konstatuan të dhënat e ofertës financiare”. Ndërsa “operatori ekonomik shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a; nga shqyrtimi paraprak i sistemit, rezultoi se kishte paraqitur dokumentacionin teknik, financiar dhe ligjor si dhe kishte paraqitur Propozim Financiar. Nga shqyrtimi paraprak i Propozimit Financiar rezultoi se operatori ekonomik shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a kishte propozuar si vlerë projekti shumën prej 33,6 miliardë lekë.”
Njoftimi i Ministrisë nuk jep hollësi të mëtejshme, por thekson se për dhënien e një vendimi përfundimtar  “në përputhje me përcaktimet ligjore, brenda afatit ligjor 60 ditor, komisioni do të kryejë shqyrtimin e plotë dhe të detajuar të ofertave të paraqitura dhe do të dalë me vendimmarrjen përkatëse”.

Operatorët e përfshirë në tender
Nga tre operatorët ekonomikë që janë paraqitur në tender, duket se vetëm “Gjoka Konstruksion” është e interesuar për procesin, pasi dy kompanitë e tjera, njëra nuk ka lidhje me fare me infrastrukturën rrugore, ndërsa tjetra nuk ka paraqitur një ofertë financiare.
“Adem Pojani”, sipas ekstraktit historik të QKR, është një biznes që merret me “Servis automjetesh”. Që prej shtatorit të vitit 2016 pajisjet e tij janë vendosur në “sekuestro konservative”, pasi nuk ka shlyer detyrimet ndaj OSHEE. Ndërsa aktualisht nuk ka asnjë licencë aktive.
Për shoqërinë tjetër “Alb-Star” nuk dalin të dhëna nga regjistri tregtar i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, por nga faqja e saj në internet, mësojmë se është një kompani që operon në fushën e infrastrukturës, inxhinierisë dhe ndërtimeve civile. Është themeluar në vitin 1995 në Fier, ku vazhdon të ushtrojë veprimtarinë kryesore. Kompania është e specializuar në fushën e projektimit të punimeve civile dhe industriale dhe ka një veprimtari të gjerë në të gjithë vendin, si dhe është e pranishme edhe në rajon. Ajo ka bashkëpunuar me disa financues të huaj dhe shtetërorë, si Banka Botërore, Grupi bankar gjerman Kfë, Programi Phare, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Qeveria Holandeze, Delegacionit Evropian, qeveria shqiptare etj., në ndërtime ujësjellësash, kanalizime, rrugë  etj.
“Gjoka Konstruksion”, pas dështimit të negociatave me kompaninë kineze, e cila kishte shfaqur interes për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, dha një ofertë të pakërkuar në prill të këtij viti. Qeveria shqiptare i dha 10 pikë bonus, duke e favorizuar kompaninë, e cila, duke u mbështetur edhe në projektin e investimeve të qeverisë shqiptare “1 miliardë për rindërtim”, duket se është e favorizuar për të nisur punimet.
Sipas faqes në ëeb të kompanisë, ajo është krijuar në vitin 1994 nga Rrok Gjoka, i cili është pronari i vetëm dhe përfaqësuesi ligjor i kompanisë.
“Gjoka Konstruksion” sh.a. e konsideron veten si një ndër kompanitë që ka vendosur standarde në fushën e ndërtimit në Shqipëri. Sot është një ndër kompanitë më të mëdha në vend. Ata kanë ndërtuar rrugë, autostrada, ura, tunele, hidrocentrale, infrastrukturë ujore, ndërtesa banimi etj. Kompania ka realizuar disa investime publike në Dibër si rrugën Shulbatër-Gurrë, disa segmente të Rrugës së Arbrit, ujësjellësin e fshatrave të Melanit, si dhe disa rrugë të tjera kombëtare si në Sarandë, Fier, Tiranë etj.  Është një ndër kompanitë që po realizo investimet në Ujësjellësin e Tiranës, si dhe ka një bashkëpunim edhe me projektin TAP.

*  *  *
Ky tender është i pari që parashikon ndërtimin e gjithë segmentit të mbetur të Rrugës së Arbrit si dhe dy akseve lidhëse me Peshkopinë dhe Klosin. Sipas dokumentacionit të paraqitur në tender nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, kompania fituese do të rishohë një plan tërësor të rrugës, duke rritur parametrat e rrugës dhe sigurinë e saj. Kompanisë do t’i lejohet të marrë nënkontraktor për realizimin e punimeve, por kjo gjithmonë do të kryhet me miratimin e qeverisë.
Megjithëse në terma bëhet fjalë për një koncesion, qeveria shqiptare akoma nuk ka vendosur nëse rruga do të jetë me pagesë apo ndërtimin e saj do ta përballojë nga buxheti i shtetit. Sipas dokumentacionit të tenderit, periudha e koncesionit parashikohet të jetë 13 vjet, duke filluar nga nënshkrimi i kontratës.

S'KA KOMENTE