Nëna veterane Hatixhe Bajram Lleshi, shembull frymëzimi për brezat

176

Nga Mehmet Koxha

Më 29 korrik u nda nga jeta nëna veterane Hatixhe Bajram Lleshi. Lindi më 20 korrik 1925 në Mazhicë (lagia Shpukth) të Grykës së Vogël, bijë e familjes Skarra. Qysh në fëmijëri u edukua me frymën e atdhedashurisë, humanizmit, bujarisë e të mikpritjes. Dalip, Bajram, Rrahman e Hysni Skarra qenë burra trima e të zgjuar, që i mabajtën dhe i çuan më tej traditat patriotike ndër breza në luftërat për liri e pavarësi, kulturë e përparim.
Në vitet e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare, kjo familje ishte  një bazë e rëndësishme, e fshehtë e shumë konspirative lufte. Aty u strehuan Nazmi Rushiti -Hero i Popullit, (mik i familjes, pasi motra e Nazmiut ishte martuar me Hysniun), shumë partizanë e kuadro të luftës. Po kështu edhe Haxhi Lleshi, pas plagosjes tek Ura e Topojanit, u kurua nën kujdesin e familjes Skarra, ku ishte bijë Hatixheja.
Çeta e Dibrës përpiloi dhe organizoi plane e aksione të rëndësishme kundër forcave italo-gjermane. Më 30 shtator, tri ditë pas vrasjes së Nazmi Rushitit, Hatixhja u martua me Qamil Allaman Lleshin në Zogje. U bë dasëm, duke u quajtur Dasëm “në luftë” , pasi atmosferën e gëzimit të dasmës e prishën krismat e pushkëve. Fshati ishte rrethuar pas mesnate nga dy kompani ushtarësh italianë. Informacioni që çeta parizane ishte në dasëm, ishte i vërtetë.
Me shpejtësi, me ndihmën e fshatarëve patriot, çeta çau rrethimin dhe u ngjit në mal. Italianët kërkuan garanci për të dalë nga fshati. Dasmorë të armatosur i përcollën deri në rrugën nacionale në Homesh (ura e Serbinit).
Në shkurt 1943, në Zogje erdhën gjermanët, të cilët kontrollonin për armë. Kontrolluan shtëpinë, ku ishte martuar Hatixheja dhe arrestuan vëllezërit Qamil e Shefki Lleshin; gjatë Luftës në familjen e Qamilit u strehuan  familjet e Lleshajve (Aqif, Pëllumb , Haxhi, Ymer, Hamdi); në Selishte tek Kurt Bodini, në Luzni Bajram Nezirin e Izet Xhurxhin; në Gjuras Xhemal Tetën e Baftjar Dodën. Këta u arratisën nga burgu bashkë me disa partizanë të tjerë me ndihmën e Qazim Nokës nga Blliçja. Dy vëllezërit bashkë me disa partizanë u arratisën nga burgu i Dibrës Madhe dhe shkuan në frontin e Luftës deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë.
Si shumë familje të tjera pas Luftës, familja e Qamilit, ( i shoqi i Hatixhes) dha ndihmesën e vet për rindërtimin e vendit, në punë, aksione, për zhvillimin dhe përparimin e fshatit, në luftë kundër analfabetizmit etj. Familjes së re të Qamili dhe Hatixhesi erdhën në jetë dy djem e dy vajza . Më 1958, pas një sëmundje të rëndë, Qamili u nda nga jeta në moshën 40-vjeçcare, duke lënë jetimë katër fëmijët. Shefkiu, vëllai i Qamilit, i rriti ata bashkë me fëmijët e tij, që për nënë Hatixhen ishte një ndihmë e madhe. Meritë e Shefkiut ishte edhe kujdesi për mbarimin e shkollës të fëmijëve të vëllait. Ata mbaruan jo vetëm shkollën e detyrueshme, por edhe ato të lartat. Bashkimi doli inxhinjer gjeolog, Zabiti mësuesi, Thëllënza mbaroi universitetin dhe Vjollca shkollën Mjeksore.
Shtëpia e Qamilit dhe e Shefkiut në Zogje priti e përcolli shumë njerëz, që nga partizanët deri në çlirimin e vendit, priti e përcolli mësues jo vendës, kuadro, vullnetarë nga rrethi e gjithë vendi. Tradita vazhdoi deri në kohët e vona, duke mbajtur gjallë virtytet më të larta shqiptare. Meritë për këtë kanë edhe Hamdia, Myzejeni (e shoqja e Shefkiut), Hatixheja  bashkë me fëmijët e tyre.
Nënë Hatixheja i gëzoi bijtë, nipat dhe mbesat e saj, duke martuar katër breza, shumica prej tyre mbaruan shkollat e larta dhe merituan dashamirësinë dashamirësinë e përkdheljet e gjyses.Gëzoi pensionin e veterans për ndihmën e pakursyer në shërbim të Luftës Nacional-çlirimtare. Si gjithë nënat, ajo ishte e dashur, punëtore, e palodhur, amvise shembullore, bujare dhe humane.  U përpoq që me këto viryte të edukojë fëmijët dhe nipat e saj, që të shkëlqejnë në jetë e në shoqëri. Për këtë do të kujtohet e respektohet nga të afërmit e të gjithë ata që e njohën brez pas brezi.

I paharruar qoftë kujtimi i saj!

S'KA KOMENTE