SELIM ALLIU GJITHMONË MIDIS NESH

536

Me dëshirë e respekt që kanë shkruar disa mësues kolegë Inxhinierë, studentë e shumë të afërt të tij. Po shkruaj disa kujtime ndaj këtij NJERIU të madh, që ka treguar që në moshën e vegjëlisë e deri sa të kalojë nga kjo jetë.
Në moshën 7 vjeçare prindërit e dërguan në shkollen fillore Zerqan për të vazhduar mësimet në familjen SHEHU, mbasi fshati Strikçan ishte larg shkollës. Këto vite Selimi mbaroi me rezultate të shkëlqyera.
Prindërit patën dëshirë që të vazhdonte shkollën plotore të Kastriotit me bursë shteti. Me ndihmën e kushëririt të tij Ramiz Alliut bëri çmos që Selimi të ulej në bankat e shkollës në Kastriot. Edhe këtu në këtë shkollë ai me zgjuarsinë, sjelljen, vullnetin e tij shembullor e me rezultate të mira në mësime fitoi bursën në Shkollën Normale Elbasan.
Nga viti në vit me vullnetin që kishte për të mësuar dallohej si nxënës më i kujdesshëm për mësuesit. Në të gjitha lëndët shkëlqente, por me shumë pasion kishte për hartime, i pëlqente lënda e letërsisë. Merrej me krijimtarinë letrare. Filloi të shkruante në skica, tregime e novela, në revistën “NORMALISTI” Kjo u prit si një ngjarje e rëndësishme nga nxënësit e profesorët e Normales. Shkrimet e tij ngjallën interes nga të gjithë nxënësit.
Në shkollën Ushtrimore ku zhvillohej praktika pedagogjike u dallua si metodist e si mësues me takt pedagogjik. U diplomua si mësues i arsmit fillor i shkëlqyeshëm. Falë zotit vetë natyra i kishte falur këtij njeriu trupin, shëndetin, bukurinë e zgjuarsinë që e tregoi që në vegjëli.
Për këtë prindërit e tij ishin krenar për djalin e tyre gjithë jetës së tij, që tregoi kudo që mësoi e punoi deri në fund të jetës.
Pasi mbaroi shkollën Normale, Selimi u emërua mësues në fshatin Pepel të Libohovës. E filloi punën me forca të reja e me një përgatitje shkencore e metodike për realizimin e programit mësimor dhe edukativ me cilësi të lartë. Me punën e tij fitoi respekt e dashuri prej prindërve e nxënësve. Kur u largua nga Libohova për të vazhduar si mësues në Trebisht të Gollobordës ai u përcoll nga fshatarët e mësueit me nderim të madh. Punën që bëri në Pepol të Libohovës e në Trebisht të Dibrës u vlerësua edhe nga Ministria e Arsimit. Në vitin shkollor 1937-1938 u emërua mësues në Ushtrimoren e Normales së Elbasanit.
Më vonë e transferuan drejtor shkolle në Zerqan ku mori mësimet e para. Këtu tregoi një mobilizim të madh afër vendlindjes, shikonte vuajtjet e popullit, nxënësit vinin në shkollë të shumtët pa u paisur me mjete shkollore. Pas pak kohe u bë inspektor në Drejtorinë Arsimore të Qarkut Dibër. Ҫlirimi i vendit e gjeti në Peshkopi. U formua Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Nacionalçlirimtar i Qarkut. Si shumë nënpunës të tjerë edhe ky iu përgjigj thirrjes që të punonte pa rrogë, në detyrën e shefit të arsimit. Vendi ishte shumë i papërgatitur, u formuan kurse analfabetizmi. Në Dibër numëroheshin pak shkolla fillore, filloi punën duke tërhequr në seksion të arsimit mësuesit më me përvojë pune. Nisën punën me ndërtimin e shkollave të dëmtuara nga lufta nëpër fshatra me ndihmën e Këshillave popullore e me pune vullnetare të popullit. Filloi kualifikimi ë kuadrove, organizuan kurse për mësues me arsim fillor, rrethe metodike.
Në pushime verore i dërgonin mësuesit në kurse kualifikimi si në Tiranë, Shkodër, Elbasan etj. U hapën kurse kundër anafalbetizmit, ku punuan mësues vullnetar që jepnin mësim pasdite. Hartuan plane abetare për të rritur. Për nevojë kuadri jepnin mësim jo vetëm mësues me arsim të mesëm por edhe pa arsim përkatës. Kuadrot vinin prej vendeve të tjera me arsim të mesëm e të lartë.
Në dhjetor 1945 u hap e para shkollë Unike në Peshkopi. Pastaj u hap edhe shkolla Pedagogjike për të plotësuar mësuesit me arsim. Tërheqja e vajzave për të ardhur në Pedagogjike qe një shqetesim i madh. Ne bashkëpunim me kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, drejtorë shkollash e mësues mundën që të regjistroheshin në Pedagogjike 10 (dhjetë) vajzat e para.
Selimi punoi si Shef i Seksionit të Arsimit në rrethin e Dibrës si organizator e profesionist i rrallë për dy dekada. Përveç kësaj pune ai përballoi një seri detyrash, e zgjodhën Anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të qarkut Dibër, autor i këshillit Popullor të rrethit, antar i kryesisë së Komitetit ekzekutiv, si dhe zëvendës kryetar të Frontit Demokratik të rrethit. Sukseset e arritura në Arsim në Rrethin e Dibrës i dedikohen këtij njeriu të madh me punën e me bashkëpunimn e drejtuesve, shokëve mësues etj, për ngritjen e arsimit e zhdukjen e analfabetizmit në Dibër. Në një bisedë me Shefin e Arsimit të Rrethit të Sarandës të asaj kohe Enver Isufi tregonte: Kur bëhej mbledhje në Ministrinë e Arsimit për shpërndarjen e bursave Selimi thoshte ato që nuk i merrni ju do t’i marr unë për Dibrën.
Në vitin 1969 në 25 vjetorin e Kongresit të parë të Arsimtarëve në Korçë për meriatat e tij të çmuara, Presidiumi i Kuvendit Popullor i Republikes Popullore i ka dhënë: Selim Alliut Titullin “ MESUES I POPULLIT”.
Kjo meritë e madhe gëzoi gjithë Dibrën, të afërmit, familjen e kudo u prit me gëzim.
Por Vdekja nuk njeh merita dhe madhështira. Pa pritur e pa kujtuar Selim Alliu ndërroi jetë me 12 korrik 1977. Dhe u varros më 13 korrik 1977. Varrimi u bë në fshatin e lindjes, Strikçan nga u përcoll nga i gjithë populli i Peshkopisë dhe nga të gjithë rrethet, si dhe nga të gjithë fshatrat grykë e madhe, Bulqizë e nga qytete të tjera të vendit. Humbja e tij qe e madhe e parakoheshme e dhimbje për familjen e gjithë të afërmit.
Pas dy vjetësh familja e djemtë e Selimit e transferuan varrin në varrezat e Peshkopisë.
Duke iu referuar fjalive të mësueses së merituar Kumrije Shehu, një ndër 10 vajzat e para që vazhduan shkollën e Pedagogjikes atëherë:

TE VARRI I NJE MESUESI TE PAHARRUAR : Jo të gjithë njerëzit vdesin, gjithë dibranët e më gjerë do ta kujtojnë gjithmonë  me respekt Selim Alliun, gjithnjë duke e falenderuar. Edhe unë me 9(nëntë) shoqet e mia që u ulëm të parat në bankat e shkollës Pedagogjike të Peshkopisë e u bëmë mësueset e para në rrethin e Dibrës, ia dimë për nderë Sellm Alliut i cili na ndihmoi të kapërcenim pritën e fortë të zakonit e kanunit që pak kush e beson sot.
Në atë kohë u emërova mësuese në shkollën “Demir Gashi” të shkollës Ushtrimore të Peshkopisë, ku zhvillohej praktika pedagogjike me kandidatët për mësues. Për këtë unë vendosa për respektin që kisha për Selim Alliun me rastin e një 7-Marsi të bëja homazhe me klasën time te varri i tij.

Ditarin e asaj dite mbaj mend e hartova si më poshtë:
1.Qëllimi arsimor: të njihen nxënësit me jetën e veprimtarinë e Mësuesit të Popullit Selim Alliu.
2. Lënda: Lexim i materialit të përgatitur, kujtimi i tij i pavdekshëm.
3. Mjete ilustruese: Një kurorë lulesh me mbishkrimin: MESUESIT TË POPULLIT SELIM ALLIU
Nga nxënësit e shkollës “Demir Gashi”.
Lexim fragmentesh nga nekrologjia e shkruar në gazetën “MËSUESI” nga V. Sharra
4.Recitime: Vjershë MËSUES I POPULLIT e shkruar nga poeti Xhafer Martini si dhe vjersha të tjera për gjuhën shqipe.
5. Qëllimi Edukativ: “Mësoni që kur të rriteni të bëheni Selim Alliu”
U nisem drejt varrezave të Peshkopisë. Kush më pyeste gjatë rrugës e mësuan se për ku ishim nisur dhe më uronin për këtë aktivitet. Ishin qytetarë që e kujtonin me respekt e dashuri Selimin. Pasi arritëm, dikush e prekte dhe lëmonte varrin e thjeshtë të mësuesit të madh, dikush prekte portretin e tij. Në këtë kohë më kishte ndjekur nga larg kujdestari ë varrezave të qytetit Gani Kollovarja. Në fund kur u thash nxënësve “MËSONI që kur të rriteni të bëheni si Selim Alliu” u nisëm për të ikur. Papritmas dëgjoj një zë nga pas.
Oj, mësuese Kumrija të lumtë goja, bre! Ma ke bërë zemrën mal, po a me le dhe mua t’u them nja dy fjalë këtyre cullëve (fëmijëve)?  Unë i thashë po patjetër Xha Ganiu.
“Ndëgjoni këtu or cull!  -Vazhdoi Xha Ganiu me dialektin e tij original. A i shifni këto varre duke lëvizur dorën sa nga e majta në të djathtë, këtu ka të vdekur e të xhallë (gjalle). Po me i xhalli ndër të xhallët ashtë Selim Alliu. Ai nuk jeton më por kujtimi i tij nuk do vdesi kurrë.
Jo vetëm Gani Kollovarja por të gjithë qytetarët e Peshkopisë e mbarë Dibrën ruajnë kujtimet më të mira për Mesuesin e Popullit Selim Alliu.
Në shtatorin e 2006-ës iu dha tituli “Nderi i Qarkut Dibër”, kurse shkolla 8-vjeçare Demir Gashi në qytetin e Peshkopisë mban emrin Selim Alliu.
Në shtatorin e 2006-ës iu dha tituli “Nderi i Qarkut Dibër”, kurse shkolla 8-vjeçare Demir Gashi në qytetin e Peshkopisë mban emrin Selim Alliu. Më 7-Mars 2003 Komuna Zerqan me vendim të posaçëm e ka nderuar Qytetar Nderi i krahinës së Grykës së Madhe.
Kujtimet e Tij, Sjellja e Tij, ka skalitur në memorjen tonë me shkronja të arta që vezullojnë në çdo kohë : SELIM ALLIU

Habibe Shehu

S'KA KOMENTE